Gazetari Almer Toska komentoi intensifikimin e hetimeve nga SPAK ndaj Belinda Ballukut, i cili ka kërkuar informacion mbi pasuritë dhellogaritë bankare të saj. Ai thotë se hetimet duhet të shtrihen edhe më tej, duke akuzuar se zëvendës kryeministrja e pezulluar nga detyra, i ka fshehur paratë e vjedhura duke përdorur oligarkët.
Në një intervistë për News 24, ai tha se pasuria e vërtetë e Ballukut, e vënë nën akuzë nga SPAK dhe për të cilën kërkohet arrestimi, fshihet pas emrave me të cilët ka punuar dhe iu ka dhënë tendera korruptivë. Gazetari përmendi biznesmenin Bashkim Ulaj, i cili ka ndërtuar rrugën Thumanë-Kashar, duke theksuar se duhet të merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për një tentativë nga ana e tij për të pastruar 6 milionë euro të Belinda Ballukut në Zvicër.
“Pasuria e vërtetë e Belinda Ballukut nuk fshihet në emër të saj, por të njerëzve të saj të afërt, të oligarkëve që ka punuar, te njerëzit që kanë marrë tendera korruptiv. Fshihet në njerëz që i kanë transferuar jashtë Shqipërisë. Kam ngritur disa të dhëna. Jam gati t’i disponoj edhe para SPAK. Përflitet për një rast. Duhet të pyesin zotin Bashkim Ulaj, oligarkun që ka marrë rrugën Thumanë-Kashar, nga 240 milionë euro në 1.3 milionë euro, i cili nuk është kërkuar prej tij, që ia ka dhënë Balluku. Këtu fshihet pasuria e saj. Sepse pjesën e fitimit të kompanisë duhet ta marrë se kryen punim edhe pse janë me cilësi të dobët. Por Balluku në këtë rast fsheh pasurinë e vet nëpërmjet oligarkëve.
Atëherë, zoti Ulaj ka bërë një telefonatë në një fond zviceran dhe ka thënë “Kam 6 milionë euro, ku mund t’i pastroj dhe si mund t’i fsheh”. Ta pyesin për këtë fakt publik që them. Është thirrur dhe do të shkojë të dëshmojë dhe një sërë oligarkësh që kanë marrë fonde publike nga Balluku. Iu them agjentëve të BKH ta pyesin “A ke telefonuar një sfond zviceran për të fshehur 6 milionë eurot e Belinda Ballukut?” Të pyesin Ardit Metaliaj nga kompania 4 AM, a je përpjekur të transferosh para në emër të Ballukut jashtë Shqipërisë, apo të afërm të oligarkëve të tjerë që janë përfshirë në këtë skemë pastrimi parash.”, u shpreh gazetari.
Gazetari theksoi se kreu i SPAK, Klodian Braho duhet të shtojë presionin ligjor ndaj Ballukut, duke ngritur akuza të tjera ndaj saj. Po ashtu, ai theksoi se vizita e zyrtarit të Parlamentit Evropian, David McAllister kishte të bënte pikërisht për çështjen e Belinda Ballukut dhe për t’i dhënë mesazhin të dyja palëve politike se duke e mbrojtur, po minoni seriozisht rrugën e integrimit.
“Rrugët po bien, këtu po ndërtohet vetëm për të vjedhur. Hidhet asfalt për të fshehur vjedhjet. Të hetohen këto raste. Oligarkët duhet të jenë në burg me Ballukun, janë bashkëfajtor. Të gjithë kush ka bërë punë publike, bëji me kriter. I kërkoj sot kryeprokurorit, të shtojë presionin ligjor ndaj hapave që ka marrë për ta çuar deri në fund këtë çështje. Çështja e Ballukut solli në Shqipëri David McAllister. Nuk shkoi të jepte deklaratë në një zyrë të shtetit, por te BE, dhe tha jam këtu për t’u dhënë mesazh që me Ballukun, që të dyja palët po mbroni po minoni integrimin e Shqipërisë. Rama duhet t’i japë zgjidhje kësaj çështje, SPAK duhet të shtojë akuzën”, u shpreh ai, duke akuzuar edhe opozitarët se po mbrojnë Ballukun, pasi sipas tij, në dosje, dalin edhe emra nga PD.
Gazetari Toska theksoi se ndërkombëtarët kanë rritur presionin për këtë çështje, dhe se ka informacione se kryeministri Rama do ta lëshojë Ballukun. Sipas tij, kryeministri mund të mbledhë Asamblenë në mars dhe të njoftojë ndryshime në qeveri.
“Ka presion të jashtëzakonshëm nga ndërkombëtarët. Kam informacione se Rama po reflekton për ta lëshuar. Se mendoj se ky presion mund të rrezikojë të ardhmen në integrim. Dhe ata mund të dalin dhe të thonë se ne pezullojmë çështjet e integrimit, dhe ndalojmë të gjitha nivelet e bashkëpunimit deri tani.”, shtoi ai.
Sipas gazetarit, kryeministri do të largojë edhe ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, duke theksuar se ai është përfshirë në një skandal që lidhet me dhënien e fondeve publike për kompaninë ushtarake “KAYO”. Sipas Toskës, Vengu dyshohet se i ka dhënë 20 milionë euro një biznesmeni izraelit pa marrë më parë miratimin e AKSHE, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
“Rama do të bëjë ndryshime duke larguar dhe Pirro Vengun, se ky është çështje më vete. Është skandal i rëndë, sepse i ka dhënë biznesmenit izraelit që ka përfituar 20 milionë euro për çështjen e KAYO-s, ka marrë 20 milionë euro pa marrë miratimin e AKSHE, institucion i kontrollit të sigurisë të të gjithë bashkëpunëtorëve që punojnë në ministrinë e Brendshme.. Pa e pasur këtë miratim, Vengu bashkëpunëtor i ngushtë i Ballukut, e njëjta linjë politike dhe bashkëpunimi i ka dhënë 22 milionë euro. Përflitet për atë një biznesmen jo serioz dhe mashtrues.”, tha ai.