Një nga fshatrat më të izoluar alpinë të Zvicrës, Mürren, tani ka një lidhje të drejtpërdrejtë me botën e jashtme. Më 2024, në këtë fshat me 430 banorë, i ngritur 1638 metra mbi nivelin e detit, u inaugurua teleferiku më i pjerrët në botë, Schilthornbahn, duke i dhënë fund udhëtimeve të mundimshme që vendasit kishin bërë për shekuj me radhë.
Për shekuj, banorët e Mürren-it ishin të detyruar të çonin mushkat e tyre tre orë më poshtë në luginë për të mbledhur furnizime. Edhe pas ndërtimit të linjave të para të teleferikut në fund të viteve 1800, fshati mbeti një vend i vështirë për t’u arritur. Tani, me gradientin e tij prej 159.4% – më i pjerrët në botë – Schilthornbahn përshkon 775 metra në një itinerar mbresëlënës mbi peizazhet dramatike të Alpeve zvicerane.
“Më parë, të shkoje në luginë për shërbime të thjeshta si një vizitë te dentisti ishte një sfidë më vete,” thotë Michael Abegglen, një banor i fshatit. “Tani, gjithçka është më e lehtë.”
I vendosur mbi luginën e Lauterbrunnen, Mürren është një fshat i shekullit të 13-të, i njohur për vilat e tij tradicionale dhe si një parajsë për skiatorët. Ishte pikërisht në këtë fshat ku, në vitin 1931, u mbajt Kampionati i parë Botëror i Skive Alpine. Mürren është gjithashtu vendi ku zhvillohet “Inferno Race”, gara më e madhe amatore e skive në botë.
Pavarësisht se është një destinacion i famshëm turistik, fshati ruan ende atmosferën e tij autentike dhe komunitetin e lidhur ngushtë. “Kur rritesh këtu, i njeh të gjithë,” shton Abegglen. “Disa turistë kthehen çdo vit dhe janë bërë si vendasit.”
Përveç skive, Mürren është një destinacion i preferuar për shëtitjet malore, paragliding dhe eksplorimin e natyrës alpine. “Malet janë një kanavacë që ndryshon gjithmonë,” thotë Belinda Bühler, një banore dhe vrapuese në natyrë. “Në dimër janë të mbuluara me borë, në verë janë plot me livadhe të lulëzuara. Por pavarësisht sezonit, Mürren ka një bukuri që duhet përjetuar.”
Me hapjen e Schilthornbahn, fshati po hyn në një epokë të re – por pa humbur magjinë që e ka bërë prej kohësh një nga vendet më të veçanta të Alpeve. sn