Qenka trazuar, hallakatur jashtëzakonisht shumë skena e ashtuquajtur mediale e analitike e Kosovës. Pas reagimit tim ndaj deklaratës së aleancës së grupeve kriminale – AGK – skena qenka tërbuar fare, sepse unë i kam emërtuar me titullin e saktë e të vërtetë “vrasës me pagesë”. I paskan zbrazur të gjitha predhat! Paska pushuar hallakama.
Nga reagimet e shumta, në fillim mendova se janë frikësuar nga pasqyra, që ua kam vënë përpara me fjalorin tim konvencional. Jo! Megjithë neverinë e shfaqur për “gjuhën e ashpër”, për “gjuhën e papërshtatshme” timen, nuk paskan gjetur as të pavërteta, as dezinformata, as pasaktësi, as ndonjë fjalë që nuk përputhet me përshkrimin.
Tmerrin ua paska shkaktuar fytyra, jo pasqyra! Kur e kanë pa fytyrën e vet të neveritshme, i kanë zënë të vjellat dhe tek atëherë janë tmerruar, kanë filluar të frikësohen edhe nga pasqyra.
Pasqyra nuk është as kërcënim, as shantazh, as sulm, as cenim i profesionit të gazetarit, atribute të cilat mëton t’ua mveshë të tjerëve kjo aleancë. Kjo që kurrë nuk e ngriti zërin për gazetarët e vrarë, gazetarët e rrahur e të sakatosur, për duzina sulmesh fizike ndaj gazetarëve nga pushtetet e mëparshme! Këtyre u pengon kundërshtimi ndaj përdhosjes e nëpërkëmbjes etike dhe kriminalizimit të profesionit të gazetarit nga bosët e tyre.
Ç‘është e vërteta unë edhe mund t’ua largoj nganjëherë pasqyrën, që t’u hiqet frika, por tmerrin jo, sepse nuk ua ndryshoj dot fytyrën. Ajo mbetet ajo që është! Katarza medialo-analitike në Kosovë ndoshta edhe mund të iniciohet ndonjëherë edhe nga jashtë, qoftë edhe me një pasqyrë, por ajo duhet të zhvillohet përbrenda, për të ndryshuar fytyrën. Prandaj, pasqyrën do t’ua vë përballë, sa herë që duhet të tmerrohen nga fytyra e tyre. E nëse nuk ua vë unë, po ua vënë të tjerët, herë-herë madje edhe më të qartë.
Që në fillim duhet sqaruar se e tërë skena e organizuar e ndjekjes banale të të ashtuquajturve gazetarë, deri edhe në toalet, të anëtarëve të KQZ-së, përveç banalitetit njerëzor, përmban edhe elemente të theksuara të krimit banal gjoja medial, të përzier me arrogancë fizike të një mjerani “gazetar” me emrin Valon Rashiti, që jo për herë të parë, me gjithë udhëzimet e zyrtarëve të KQZ‐së për mosndërhyrje në hapësirat e dedikuara për KQZ-në dhe vërejtjen e tërhequr për shkelje të kodit të sjelljes e pengimit të anëtarëve të KQZ-së, megjithë lutjen e vazhdueshme për sjellje normale, vepron njëjtë, në thelb duke shpërfaqur urrejtjen agresive ndaj përfaqësues të LVV-së në KQZ-së, për shkak të qëndrimit të tyre politik për moscertifikimin e subjektit politik Lista Serbe. E çuditshme, por e vërtetë!
E udhëheqësit e këtyre “mediave”, e edhe disa të tjera, qoftë si “analistë”, qoftë si “gazetarë” me kërcime nga karrigia, me të pasmet e të përparmet, në përpjekje për të cenuar edhe personalitetin dhe dinjitetin, paskan reaguar madje edhe duke ripërtypur jashtëqitjet e kahershme të udb-së, herë në T7 e herë në TV Dukagjini, e herë në ndonjë altoparlant tjetër audio-vizual të krimit. Tragjedia e tyre është se këto jashtëqitje të udb-së nuk guxojnë t‘i nxjerrin nga goja e tyre, sepse kështu i urdhëron udb-ja. I ripërtypin, e pastaj i gëlltisin dhe ngulfaten në to. Vjellin vrer. Mirëpo, është e vjella e tyre, kanë të drejtë edhe ta rigëlltisin!
Përpjekja e AGK-së për ta përgjithësuar fytyrën e vet kriminale duke i përfshirë të gjithë gazetarë/et e Kosovës është djallëzore, por lehtë e deshifrueshme. Përpjekje e kotë. Kjo aleancë as i përfaqëson, as i mbron dhe as i përfshin të gjitha gazetaret dhe gazetarët e Kosovës. Jo, gazetarët e gazetaret e Kosovës as janë si ju dhe as janë me ju. As jeni ju ata dhe as ata janë ju! Këtu përfundon përpjekja për monopolizim të gazetarisë, për pushtim të hapësirës dhe për mendimin e lirë dhe të lirisë së shprehjes. Hapësirën e ndërgjegjësimit, me këtë edhe të emancipimit qytetar e profesional të gazetarisë, nuk mund ta pushtojë kurrë një organizatë kriminale, sepse nuk është brumi i njëjtë.
Mjerisht e fatkeqësisht, AGK sot është shndërruar në strehë të zhbiruar të vrasësve me pagesë të dinjitetit të njeriut, jo të gazetarëve e gazetareve!
Me këtë rast, i falënderoj të gjithë gazetarët dhe gazetaret që nuk identifikohen as me aleancën e grupeve kriminale dhe as me bosët e tyre, vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut. I falënderoj edhe ato gazetare e gazetarë, që më paralajmëruan për arrogancën, agresivitetin dhe sjelljen provokative të të ashtuquajturit gazetar.
Në fushatën e tyre të tërbuar, veç aleancës, ku udhëheqësit publikë të disa nga këto media janë vrasësit me pagesë të dinjitetit të njeriut, nën kontrollin e bosëve-pronarë të tyre financiarë, për përkrahje “ndërkombëtare” paskan angazhuar një person me emrin Ricardo Gutiérrez, kryetar i një organizate ndërkombëtare gazetarësh, që për specialitet paska gjuhën e urrejtjes dhe etikën e gazetarisë.
Fatkeqësisht, gjuha e një letre të tij, e porositur nga AGK-ja dhe SLAPP juristja e dështuar, gënjeshtare kronike, tërësisht e dëshmon se gjuhën e urrejtjes dhe mungesën e etikës së gazetarisë i ka specialitete të perfeksionuara. Mirëpo, kjo është çështje e organizatës, pjesë e së cilës është dhe në emrin e së cilës shkruan. Ajo që shpërfaq gjuha e shkruar në letrën e tij drejtuar Kryeministrit, është kërcënim mafioz impotent nga pozita e paternalizmit prepotent ndërkombëtar.
Kësaj aleance kriminale nuk i ndihmon asgjë e askush, përveç katarza njerëzore e profesionale. Nuk ju ndihmon as përkrahja nga miqtë ndërkombëtarë me petk gazetari e me kërcënime mafioze; as presioni nga zyrat diplomatike prepotente të BE‐së në Kosovë, që pikërisht kjo aleancë dhe të strehuarit e saj, i quajnë “hipokritë paternalistë”, të cilave ju u ktheheni për ndihmë vetëm kur kërkoni largimin e pasqyrave; as ndërhyrjet e Avokatit të Popullit, gjithnjë e më të njëanshëm politikisht dhe etikisht poroz; as kërkesa për ndihmë nga Presidentja, të cilës i “qeponi” me urdhrat e bosëve tuaj kriminalë; as kërkesa për qortim e “lidhje” nga Kryeministri, të cilit vazhdimisht i thurni kurora të stolisura me kërcënime mafioze, shantazhe, shpifje, gënjeshtra, dezinformata, sharje e deri në fyerje etno-raciste.
Asgjë nuk mund t‘i ndihmojë kësaj aleance të vrasë dinjitetin e njeriut, të ngulfatë mendimin e lirë dhe as ta monopolizojë lirinë e shprehjes, që është një e arritur njerëzore përtej qëllimit dhe mundësive të tyre së bashku. Fatmirësisht!