Kujtesa kombëtare është mirë të freskohet me realitetet e kaluara historike shqiptare, të cilat kanë një domethënie përtej kohës kur kanë ndodhur. Për Festën e Flamurit po sjell një dëshmi autentike nga ditari i Halit Muratit (1935-1962), shkruar në 29 nëntor 1958 në qytetin e Durrësit, por që vlen si një tabllo e Shqipërisë së kohës:
29 Nandor 1958
“Dje ishte festa ma e madhe e vendit tonë, 46 vjetori i indipendencës, 46 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga vargojtë 500 vjeçarë të robënisë turke. Dje ishte kujtimi i asaj dite të andrrume e të dëshirume prej 500 vjetësh nga populli ynë. Ishte përvjetori i 46 ditës së lirisë, i ditës së pavarësisë së mëmëdheut, për të cilin punuen e luftuen patriotët tanë të mëdhej të Rilindjes si Naimi, Samiu, Çajupi, Ndre Mjeda, Vaso Pasha e të tjerë. Po dje, në asnjë vend të qyteti tim s’më zu syu ndonji fotografi të tynen.
Përkrah atij flamuri të kuq, me shkabën dy krenore, valonte ma serbes nji tjetër. E përveç nji pushimi të thatë zyrtar, nuk merituen ma shumë dëshmorët e lirisë”.
(Halit Murati, “Kujtime të Jetës”, Tiranë, 2012, fq. 156)
Komentet