Një valë e re reagimesh është shkaktuar në Shtetet e Bashkuara pas publikimit të fotografive dhe dokumenteve nga dosja e Jeffrey Epstein, ku përfshihen edhe imazhe që pretendohet se tregojnë princin Andrew në momente të diskutueshme me një grua të shtrirë në dysheme.
Në fotografi, sipas përshkrimeve që shoqërojnë materialin, shihet një burrë që i ngjan ish-dukës së Jorkut duke u përkulur mbi një grua, ndërsa në njërën prej pamjeve ai shikon drejtpërdrejt drejt objektivit të kamerës.

Ashtu si në një pjesë të madhe të materialeve që përfshihen në të ashtuquajturat “dosjet Epstein”, nuk sqarohet se kur dhe ku janë realizuar fotografitë, ndërsa mungojnë edhe shpjegime shtesë.

Kujtojmë se në një grup të mëparshëm dokumentesh ishte publikuar një fotografi e princit Andrew në një rezidencë private, i rrethuar nga gra, çka kishte shkaktuar tashmë kritika të forta.

Dokumentet e reja u bënë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, i cili njoftoi se janë kryer deklasifikime të gjera, me qëllim mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e vijimit të hetimeve aktive.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Todd Blanche, sqaroi se janë hequr ose modifikuar të dhëna personale të viktimave, dosje mjekësore, materiale që lidhen me abuzimin seksual të të miturve, si edhe informacione që mund të ndikojnë në hetimet në zhvillim. Fytyrat e grave, me përjashtim të Ghislaine Maxwell, janë turbulluar, ndryshe nga ato të burrave.
Interes të veçantë paraqesin edhe mesazhet elektronike të përfshira në dokumente, që lidhen me komunikimin mes princit Andrew dhe Jeffrey Epstein në vitin 2010, vetëm disa ditë pas përfundimit të arrestit shtëpiak të këtij të fundit. Në to, princi i atëhershëm thuhet se e fton Epstein-in për darkë në Pallatin Buckingham, duke përmendur “shumë privatësi”, pa qenë e qartë nëse takimi u zhvillua përfundimisht.
Në dosje përfshihen gjithashtu referenca për figura të tjera të njohura, si Bill Gates, si edhe për anëtarë të familjes mbretërore britanike. Paralelisht, dokumentohen dëshmi të grave që kishin punuar për Epstein-in në fund të viteve ’90, të cilat shprehin shqetësime për kërkesa që, sipas tyre, tejkalonin kufijtë e një bashkëpunimi profesional.

Princi Andrew ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo përfshirje në veprime të paligjshme. Megjithatë, elementët e rinj rindezin debatin publik mbi marrëdhëniet e ish-dukës së Jorkut me Epstein-in, veçanërisht në dritën e deklaratave të mëparshme të tij, sipas të cilave ai kishte udhëtuar në SHBA për t’i dhënë fund miqësisë së tyre.
Vlen të theksohet se, sipas një shënimi të brendshëm të FBI-së të përfshirë në dosje, autoritetet amerikane vlerësojnë se princi Andrew “nuk përbën një figurë qendrore” në hetimin penal.
Megjithatë, publikimi masiv i dokumenteve, të cilin Todd Blanche e krahasoi në volum me “dy Kulla Eifel”, e rikthen me forcë në vëmendjen ndërkombëtare një nga kapitujt më të errët dhe më të debatueshëm të çështjes Epstein.
