Ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij Shirley Cloyes DioGuardi të hënën u është dorëzuar dekreti i shtetësisë nga u.d. e presidentit Albulena Haxhiu. Njëri nga zërat më të fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar se Kosova duhet ta ketë sa më shpejt një president, duke paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit mund ta vendosë vendin në një situatë të vështirë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ua ka dorëzuar dekretin e shtetësisë së Kosovës, Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit. Dorëzimi i dekretit të shtetësisë është bërë në një ceremoni të veçantë në zyrën e Presidencës, të hënën.
Ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi ka deklaruar se Kosova duhet ta ketë sa më shpejt një president, duke paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit mund ta vendosë vendin në një situatë të vështirë, për shkak të, siç tha ai, armiqve që janë të gatshëm ta prishin ekuilibrin në Ballkan, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për situatën në Kosovë, DioGuardi tha se ka ardhur për të dhënë zërin e tij dhe për ta zgjuar popullin shqiptar, duke theksuar se nuk është koha për të qëndruar pasivë, pasi sipas tij ka njerëz që janë të gatshëm t’ua marrin atë që kanë arritur.
“Pra, kjo nuk ishte e lehtë. Prandaj, mos e merrni si të mirëqenë. Unë jam këtu me ju për t’u siguruar që ju të keni një president dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk ndodh para se të largohem, ju do të jeni në telashe të mëdha, sepse tashmë keni armiq të gatshëm për ta prishur ekuilibrin në Ballkan”, ka thënë ai.
Ish-kongresisti amerikan foli edhe për rrugëtimin e tij personal dhe politik, duke kujtuar se ishte rritur në Bronx dhe se që në moshë të vogël kishte punuar në marketin ushqimor të familjes në South Bronx.
“Kam lindur dhe jam rritur në Bronx. Prindërit e mi punuan shumë dhe u bënë ortakë në një market ushqimor në South Bronx. Dhe unë punoja atje, që kur isha tetë, nëntë, dhjetë vjeç, dhe në këtë mënyrë mësova shumë për jetën. Prandaj, dua që ta dini se ka diçka që duhet ta mbani mend. Kur u zgjodha, isha në një distrikt ku gara ishte aq e fortë, saqë mu dashtë të debatoja me dhjetë njerëz të ndryshëm dhe të gjithë ishin të zgjedhur në Ëestchester County për pozita të ndryshme: deputetë të asamblesë, senatorë shtetërorë, e të gjitha llojet e tjera. Kështu që mu dashtë të punoja shumë për të dalë fitues. Madje, më vonë kam sjellë me vete një fotografi të dhjetë personave. Do t’jua tregoj. Në mesin e tyre ishte edhe shefi i stafit të kongresistit kundër të cilit më duhej të garoja në momentin e fundit”, ka rrëfyer DioGuardi.
Ndërsa, bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuard ka thënë se shqiptarët e Kosovës nuk e nisën dhunën, por u detyruan të luftonin për të mbrojtur ata që ishin në rrezik.
“Përsëri, Kosova ka një histori, shqiptarët kanë një histori, jo të nisjes së çfarëdo lloj dhune, jo të përfshirjes në aktivitete ushtarake, por në këtë rast u detyruan të ngriheshin për të mbrojtur të gjithë ata që ishin në rrezik. Prandaj është e rëndësishme që jemi së bashku sot, për t’u kthyer pas në histori dhe për të njohur atë që u desh për ta rrëzuar Slobodan Millosheviqin, e më pas për të arritur në këtë moment, në vitin 2026, kur mund të marrim vendime se si mund të ecim përpara”, ka deklaruar ajo.
Joe DioGuardi ka lindur më 20 shtator 1940 në Nju Jork. Ka qenë ish-kongresist dhe një nga figurat më të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai ka shërbyer si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së nga viti 1985 deri më 1989. Angazhimin në Kongres ai e pati edhe angazhim për çështjen shqiptare e me prioritet të Kosovës. Që në vitin 1986 ai paraqiti nga rezolutë në Kongres për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Në vitin 1989 DioGuardi themeloi Albanian American Civic League (Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane), përmes së cilës zhvilloi aktivitet lobues për të drejtat e shqiptarëve dhe, në veçanti, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo organizatë punoi për vite me radhë me senatorë, kongresmenë dhe personalitete tjera, me qëllimin që Kosova të vihet në qendër të politikës së SHBA-së.
Prej 37 vitesh Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi janë të angazhuar intensivisht në sensibilizimin e opinionit publik dhe politikës amerikane për krimet dhe represionin e regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe proceset që kanë vazhduar në Kosovë.
Komentet