Në ambientet e Colosseut në Romë u mbajt sot ceremonia e “Udhës së Kryqit” të së Premtes së Madhe për katolikët.

Siç është bërë e ditur, Papa Leoni XIV pritet të mbajë mbi supe kryqin prej druri gjatë të katërmbëdhjetë stacioneve të ceremonisë. Kjo është hera e parë që ndodh në gjashtëdhjetë e një vitet e fundit.
Papa Benedikti dhe Papa Gjon Pali II e kishin mbajtur Kryqin vetëm në stacionin e parë dhe të fundit të ceremonisë, ndërsa Papa Françesku, vitet e fundit, e ndiqte “Via Crucis” nga Vatikani për shkak të problemeve shëndetësore.

Në reflektimet që lexohen gjatë Udhës së Kryqit, sipas dëshirës së vetë Papës, do t’i kushtohet vëmendje e veçantë plagëve të Lindjes së Mesme dhe Tokave të Shenjta, si edhe figurës së Shën Françeskut, shenjtorit të paqes.

Siç bëri të ditur Vatikani, në stacionin e parë, në reflektimin që do të lexohet dhe që është shkruar nga prifti katolik Françesko Paton, theksohet në mënyrë të veçantë: “Disa mendojnë se kanë marrë një pushtet të pakufizuar dhe besojnë se mund ta përdorin dhe ta keqpërdorin sipas vullnetit të tyre. Çdo autoritet duhet të japë llogari përpara Zotit për mënyrën se si ushtron pushtetin që i është besuar: pushtetin për të gjykuar, por edhe pushtetin për të nisur apo për të ndalur një luftë. Pushtetin për të mbështetur kulturën e luftës ose të paqes, për të ushqyer dëshirën për hakmarrje apo për pajtim. Pushtetin për të përdorur ekonominë për të shtypur popujt, ose për t’i çliruar ata.” Panorama
