Një shënim i dyshuar vetëvrasjeje, që besohet se është shkruar nga Jeffrey Epstein në burgun e Manhattan-it, ka mbetur i fshehtë për gati shtatë vite, i mbyllur në një gjykatë në Nju Jork.
Sipas një zbulimi të New York Times, shënimi thuhet se u gjet nga bashkëvuajtësi i tij në korrik të vitit 2019, kur financieri u gjet pa ndjenja me një copë pëlhure të lidhur rreth qafës. Në atë kohë ai mbijetoi, por ndërroi jetë një muaj më vonë, më 10 gusht, brenda burgut.
Shënimi u vulos më pas nga një gjykatës federal si pjesë e çështjes penale ndaj bashkëvuajtësit. Kjo do të thotë se hetuesit që po shqyrtonin vdekjen e Epstein nuk kishin akses në një provë që mund të kishte qenë kyçe.
Në përmbajtjen e tij, Epstein shkruante se “ka ardhur koha të themi lamtumirë”, sipas dëshmisë së bashkëvuajtësit Nicholas Tartaglione. Edhe pse ai e përmendi ekzistencën e shënimit në një podcast vitin e kaluar, dokumenti i shkruar me dorë mbeti i panjohur për publikun, edhe pas publikimit të miliona faqeve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
New York Times raporton se shënimi nuk është gjetur në arkivat e Epstein, ndërsa një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë pranoi se institucioni nuk e ka parë atë.
Megjithatë, një dokument me dy faqe në arkiva përshkruan mënyrën se si shënimi u përfshi në çështjen ligjore të ndërlikuar të Tartaglione. Sipas këtij dokumenti, avokatët e tij e kanë verifikuar shënimin, pa u sqaruar mënyra. Nëse vërtetohet se është shkruar nga Epstein, ai mund të japë informacion të rëndësishëm për gjendjen e tij psikologjike në javët para vdekjes.
Shenjat në qafë dhe akuzat
Vdekja e Jeffrey Epstein u klasifikua si vetëvrasje nga mjeku ligjor i qytetit të Nju Jorkut. Megjithatë, zbulimet për mangësi serioze sigurie në burgun e Manhattan-it kanë nxitur teori të shumta mbi rrethanat e vdekjes dhe mundësinë e një vrasjeje.
Pas incidentit të korrikut, Epstein u pyet nga autoritetet e burgut për shenjat e kuqe në qafë. Ai deklaroi se ishte sulmuar nga Tartaglione dhe se nuk kishte prirje vetëvrasëse.
Nga ana e tij, Tartaglione, ish-polic i akuzuar për katër vrasje, e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim. Sipas dokumenteve të burgut, një javë pas akuzës fillestare, Epstein deklaroi se “nuk kishte pasur kurrë probleme” me të dhe se ndihej i sigurt në të njëjtën qeli.
Tartaglione u dënua në vitin 2023 me katër burgime të përjetshme. Ai ka apeluar vendimin dhe vazhdon të shpallë pafajësinë.
Si u gjet shënimi?
Në intervista të fundit telefonike nga një burg federal në Kaliforni, Tartaglione dha versionin e tij për mënyrën si e gjeti shënimin. Sipas tij, pasi Epstein u transferua në një sektor tjetër dhe u vendos përkohësisht nën mbikëqyrje për vetëvrasje, ai e gjeti shënimin në qelinë e tyre, të fshehur brenda një libri komik.
“E hapa librin për të lexuar dhe aty ishte,” tha ai, duke përshkruar një copë letre të verdhë të grisur nga një bllok shënimesh.
Sipas Tartaglione, shënimi përmendte se hetuesit kishin kontrolluar Epstein për muaj të tërë dhe “nuk kishin gjetur asgjë”. Më tej, ai citoi një pjesë të mesazhit: “Çfarë doni të bëj, të shpërthej në lot? Ka ardhur koha të themi lamtumirë”.
Ai shtoi se ia dorëzoi shënimin avokatëve të tij, pasi mund të ishte i dobishëm në rast se Epstein do të vazhdonte ta akuzonte për sulm.
Shënimi nuk u përmend në hetimet zyrtare për vdekjen e Epstein, përfshirë raportin e vitit 2023 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë. Megjithatë, një dokument i titulluar “Kronologji”, i publikuar në kuadër të dosjeve Epstein, përshkruan rrugën e tij në sistemin gjyqësor.
Dokumenti nuk sqaron pse është hartuar apo kush e ka përpiluar, dhe i referohet të përfshirëve vetëm me iniciale.
Sipas tij, më 27 korrik 2019, katër ditë pas tentativës për vetëvrasje, Tartaglione u takua me avokatin e tij kryesor, Bruce Barket, dhe e informoi për shënimin. Pasi një roje burgu nuk e lejoi të shkonte në qeli për ta marrë, avokati i sugjeroi t’ia dorëzonte avokatit tjetër që do ta vizitonte.
Më pas, u kontaktua një tjetër avokat, John Winter, për ta marrë dokumentin. Sipas kronologjisë, përpjekjet për ta verifikuar shënimin në ditët në vijim dështuan fillimisht, por më vonë u arrit certifikimi i tij në fund të vitit 2019 ose në fillim të vitit 2020.
“Avokatët e mi donin të siguroheshin që nuk e kisha shkruar unë,” tha Tartaglione në një intervistë në vitin 2025, duke shtuar se u angazhuan ekspertë grafologjie për analizën.
Gjykatësi federal Kenneth M. Karas, që mbikëqyrte çështjen, urdhëroi që shënimi të dorëzohej në gjykatë. Sipas avokatit Winter, ai e dorëzoi dokumentin te një nëpunës gjykate, por nuk kujtonte përmbajtjen e tij.
Shënimi duket se u përfshi më pas në një konflikt të zgjatur mes avokatëve të Tartaglione, çka çoi në emërimin e një avokati të jashtëm për hetim. Dokumentet përkatëse u vulosën për të mbrojtur konfidencialitetin mes avokatit dhe klientit. Në fund, gjykatësi përjashtoi Winter nga çështja, duke iu referuar një vendimi tjetër të vulosur.
Një zëdhënës i gjykatës refuzoi të komentojë mbi ekzistencën e dokumenteve të tilla, duke theksuar se ato ruhen në kasafortat e gjykatës. Panorama



























Komentet