Në historinë e errët të diktaturës komuniste në Shqipëri, një nga proceset më dramatike dhe më të debatuara mbetet ai që njihet si “Gjyqi i Deputetëve”, zhvilluar në shtator të vitit 1947.
Ky proces, i konsideruar nga historianët dhe dëshmitarët e kohës si një farsë politike e organizuar nga regjimi komunist, synonte të godiste opozitën e parë parlamentare shqiptare dhe të shuante çdo zë kundërshtues ndaj pushtetit të ri të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Në qendër të këtij gjyqi qëndroi figura e deputetit Shefqet Beja, i cili, sipas dëshmive të kohës, pati guximin të sfidonte publikisht hetuesinë dhe torturat çnjerëzore që ishin ushtruar ndaj tij. Procesi u zhvillua në ambientet e ish-kinemasë “17 Nëntori” në Tiranë dhe zgjati nga 4 deri më 27 shtator 1947.
Në bankën e të akuzuarve u ulën 24 persona, shumica intelektualë dhe figura publike të njohura, disa prej të cilëve kishin studiuar në universitetet më prestigjioze të Europës Perëndimore. Midis tyre ndodheshin deputetë të zgjedhur në Legjislaturën e parë shqiptare të pasluftës, të propozuar fillimisht edhe nga vetë Fronti Demokratik. Regjimi i akuzoi ata për krijimin e një “grupi klandestin opozitar”, me synimin për të rrëzuar pushtetin komunist dhe për të vendosur një regjim kapitalist në Shqipëri. Arrestimet nisën që në muajin maj të vitit 1947, kur organet e Sigurimi i Shtetit organizuan një valë të gjerë ndalimesh në Tiranë, duke goditur atë që propaganda e kohës e quajti “organizata tekniko-intelektuale”. Numri i të arrestuarve kaloi mbi 100 persona. Ata u mbajtën në disa prej shtëpive famëkeqe të Sigurimit, mes tyre “Shtëpia me Gjethe”, godina pranë Selvisë dhe burgjet e Tiranës, ku sipas dëshmive u përdorën tortura nga më çnjerëzoret për të siguruar pranime fajësie.
Një nga episodet më tronditëse të këtij procesi lidhet me vetë deputetin Shefqet Beja. Në sallën e gjyqit, përballë trupit gjykues dhe publikut të mbledhur, ai u zhvesh për të treguar plagët e shkaktuara nga torturat me hekur të skuqur në gjoks dhe shpinë. Ky akt mbetet një nga dëshmitë më të forta të brutalitetit të hetuesisë komuniste dhe njëkohësisht një akt sfidues ndaj një sistemi që kërkonte nënshtrim absolut. Trupi gjykues përbëhej nga major Niko Ceta, kapiteni i parë Nexhat Hyseni dhe kapiteni i dytë Mustafa Iljazi. Vendimi i dhënë më 27 shtator 1947 ishte i paapelueshëm dhe parashikonte dënime kapitale për shumicën e të akuzuarve.
Regjimi e cilësoi procesin si një fitore ndaj “armiqve të popullit”, ndërsa propaganda komuniste i paraqiti të akuzuarit si bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja dhe kundërshtarë të shtetit të ri socialist. Mes të dënuarve me vdekje ishin Selaudin Toto, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Paolo Sogioti, Pertef Karagjozi dhe vetë Shefqet Beja. Disa prej tyre u pushkatuan, ndërsa tre deputetë, Shefqet Beja, Sulo Klosi dhe Riza Alizoti u dënuan me varje publike. Ekzekutimet u kryen më 10 tetor 1947. Përmes këtij procesi, regjimi i Enver Hoxha synoi të zhdukte opozitën reale demokratike dhe të shuante çdo tentativë për pluralizëm politik. Ky ishte një paralajmërim brutal për çdo intelektual, politikan apo qytetar që mund të guxonte të kundërshtonte vijën zyrtare të partisë.
Dëshmitë e mëvonshme të ish-zyrtarëve të Sigurimit të Shtetit e konfirmojnë karakterin e manipuluar të procesit. Ish-drejtues të Sigurimit si Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji dhe Naum Bezhani pohuan vite më vonë se arrestimet ishin bërë mbi baza listash të parapërgatitura dhe shpesh pa prova konkrete. Vetë Koçi Xoxe pranoi në vitin 1949 se arrestimet ishin aprovuar nga nivelet më të larta të udhëheqjes komuniste. Në kujtesën historike shqiptare, “Gjyqi i Deputetëve” mbetet simbol i terrorit politik, i dhunës shtetërore dhe i asgjësimit të elitës intelektuale shqiptare të pasluftës. Figura e Shefqet Beja dhe akti i tij në sallën e gjyqit vazhdojnë të kujtohen si dëshmi e rezistencës njerëzore përballë një sistemi represiv që kërkonte jo vetëm dënimin fizik, por edhe shkatërrimin moral të kundërshtarëve të tij. Historianët e konsiderojnë “Gjyqin e Deputetëve” si një nga momentet kyçe të konsolidimit të diktaturës komuniste në Shqipëri.

GJYQI NË KINEMA “17 NËNTORI”
“Grupi i deputetëve” u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Procesi i njohur si “Gjyqi i Deputeteve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni Nexhat Hyseni anëtar dhe Kapiteni i IIMustafa Iljazi anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Goditja brenda radhëve të parlamentit ndaj të ashtuquajturit nga hetuesit si “grup klandestin i deputetëve” ishte e pamëshirshme ndaj grupit të parë të gjykuar të deputetëve të njohur si grupi i Shefqet Bejës me 16 të dënuar kapital, (nga 16 të ekzekutuarit në 10 tetor 1947, tre deputetë u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik dhe Riza Alizoti në Kuçovë) dhe 13 të tjerët me pushkatim, ndërsa 21 bashkëlidhur me këtë proces ishte edhe Kolë Kuqali që vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, zyrtarisht u shpall i vetëvarur, vdekur në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Në atë gjyq, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona.
Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ka qenë pikërisht koha, kur ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave. Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të partisë-shtet.
Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja pati guximin të zhvishej në sallën e gjyqit për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë. Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm. Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundërakuzash, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947: “…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen: Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi. Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.
DËSHMITË E MANIPULIMIT
Ish-nëndrejtori e drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Vaskë Koleci pohonte në vitin 1949 veprimtarinë e paligjshme të Sigurimit me rrahje, burgime e vrasje. Kurse ish-shefi i Sigurimit të Tiranës, Vangjo Mitrojorgji pohonte në vitin 1949: “Në kohën kur zhvilloheshin proceset e grupit të deputetëve dhe të organizatës tekniko-intelektuale, Koçi na ka thirrur në shtëpinë e tij dhe na kërkoi propozime për të arrestuar dhe ne i paraqitën një listë prej 60 vetash për aq sa kishim material.
Koçi me këtë rast na tha se tani është momenti të bëhet një spastrim, duke kërkuar që të arrestoheshin më shumë, por ne i thamë se nuk kishim material, por ai atëherë nxori nga xhepi një listë me 20 emra dhe kur i thamë ne se nuk kemi edhe për këta material, por ai na u përgjigj se jemi teveqelë, se materiali do të dilte nga proceset. Atëherë neve e shtuam numrin e atyre që u arrestuan, duke e ngritur në 120 veta”. Vetë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, pohonte në vitin 1949: “Edhe arrestimi i deputetëve është bërë me aprovimin e sekretarit të përgjithshëm. Propozimet për arrestime vinin nga poshtë dhe jo vetëm kaq, por ato ishin nxitëse dhe ndihmësit në qendër e sidomos i pandehuri Vaskë Koleci ishte tepër entuziast dhe ky insistonte për arrestime.
Ky ka qenë elaboruesi i të gjitha propozimeve, por natyrisht unë ia kam aprovuar. Këtë nuk e them për të mbrojtur veten, por e them si një të vërtetë”. Ish-oficeri i Sigurimit në Korçë e Tiranë, Naum Bezhani, pohonte në vitin 1949: “Kur janë bërë arrestimet e grupit të deputetëve, në Drejtorinë e Sigurimit ishin përgatitur më parë disa lista, madje ka pasur edhe të tilla pa material komprometues. Këto lista i përgatiste një komision i përbërë nga Vangjo Mitrogjorgji, Thoma Karamelo dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Vaska ose Vangjo më thanë se edhe emri im ishte përfshirë në komisionin përzgjedhës. Pas 3-4 orëve oficeri i rojës më njoftoi se më kërkonte Koçi Xoxe në shtëpi. Pasi shkova atje, gjej përveç Koçit, edhe Vaskën me listën e arrestimeve”.
PROCESVERBALI I EKZEKUTIMIT
Procesverbali i ekzekutimit, i firmosur nga prokurori Josif Pashko, përshkruan me gjuhë të ftohtë administrative mënyrën se si të dënuarit u morën nga burgu, iu komunikua refuzimi i faljes nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe më pas u ekzekutuan. Në dokument thuhet se pas ekzekutimit mjeku konstatoi vdekjen e të gjithë të dënuarve. “Sot më datën 10.10.1947 ora 15.00, unë Josif Pashko i ngarkuar me cilësi prokurori, i shoqëruar dhe nga ndihmësi Harito Nashi dhe dr. major Ibrahim Dervishi shkuam në burg dhe morëm në dorëzim të pandehurit të dënuar me vdekje: (jepen emrat e sipërthënë-shënim) dhe mbasi u siguruam për identitetin e tyre të shoqëruar dhe nga rojet shkuam në vendin e caktuar për ekzekutimin e të pandehurve. Mbasi u kënduam vendimin e Gjykatës së Lartë nr.187 datë 27.9.1947 që dënon gjithë të pandehurit e lartpërmendur me vdekje, mbasi u kënduam shkresën e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.180, rez. datë 9 tetor 1947 që refuzon lutjet e tyre për falje dhe mbasi u pyetën dhe thanë fjalën e fundit. Në bazë të vendimit të lartpërmendur që ka marrë formën e prerë, në orën 2.30 urdhërova ekzekutimin e tyre (përmenden emrat-shënim). Si u krye ekzekutimi, mjeku konstatoi vdekjen e të gjithë të pandehurve. Prokurori Josif Pashko”.
/Gazeta Panorama



Komentet