VOAL

VOAL

Foto e rrallë lagjes Jasharaj më 30 dhjetor të vitit 1991

December 30, 2021

Komentet

Anatomia e një rrënimi të paralajmëruar- Nga Evarist Beqiri

Kur publikova analizën “Lidershipi i helmatisur i SHISH” më 6 maj 2024, kisha vetëm pak muaj që isha larguar nga Shërbimi pas një karriere prej më shumë se një dekade e gjysmë aty, nga të cilat 11 vite në nivele drejtuese.

Përpara se të merrja guximin të shkruaja ato radhë, unë kisha shteruar çdo detyrim institucional dhe ligjor. E kisha vënë në dijeni drejtpërdrejt lidershipin e SHISH, duke filluar nga vetë znj. Hyseni e para, për rreziqet e këtij degradimi. Vetëm kur paralajmërimet e mia u shpërfillën plotësisht, u gjenda para një dileme të fortë: nga njëra anë të heshtja për të mos dëmtuar institucionin ku kisha hyrë si një djalosh i ri, nga ana tjetër të thoja të vërtetën pa dëmtuar institucionin. Ajo analizë nuk u ushqye nga inati personal apo revanshi. U shkrua nga dhimbja e një njeriu që sheh se si rrezikohet shtëpia ku i shërbeu shtetit për 15 vite.

Sot, ish-drejtoresha e SHISH ndodhet në “arrest shtëpie”, e akuzuar nga SPAK për dy vepra që godasin vetë zemrën e detyrës së saj: nxjerrje të sekretit shtetëror (Neni 295/a/1) dhe pengim të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore (Neni 320/2). SHISH duhet të jetë gardiani numër një i Kushtetutës dhe sistemit demokratik, ndërkohë ai është shndërruar sot në rrezikun e parë.

Pra, njeriu numër një i inteligjencës akuzohet se dekonspiron informacionin që është betuar të mbrojë dhe sfidon gjykatat të cilave duhet t’u bindet. Këtu nuk jemi thjesht para një kronike penale. Jemi para një kolapsi të sigurisë kombëtare dhe humbjes së besueshmërisë me partnerët tanë strategjikë.

Kjo provon dramatikisht atë që theksuam vazhdimisht. Teknologjia dhe pushteti vlejnë zero pa institucione të forta dhe individë me integritet. Fuqia e pakontrolluar është rreziku ynë më i madh. E kam mbyllur atë shkrim me pyetjen retorike: Quo Vadis Shtet!? Kjo pyetje mbetet aktuale sot më shumë se kurrë.

Për të kuptuar disi anatominë e këtij rrënimi të paralajmëruar, ju ftoj që të rilexoni shkrimin tim të 6 majit 2024.

Masa ndaj kreut të SHISH- Demokratët Evropianë: Akuzat ndaj Hysenit të hetohen pa ndërhyrje, Shqipërisë i duhen institucione të forta!

Demokratët Evropianë (PDE/EDP) kanë reaguar pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra dhe caktimin e masës “arrest në shtëpi” për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, PDE e cilëson çështjen si një zhvillim serioz dhe kërkon që hetimet dhe akuzat ndaj Hysenit të trajtohen nga organet e drejtësisë në mënyrë të pavarur, duke respektuar edhe parimin e prezumimit të pafajësisë.

Sipas Demokratëve Evropianë, institucionet duhet të shmangin çdo ndërhyrje dhe t’u krijojnë autoriteteve gjyqësore hapësirën për të kryer detyrën e tyre. Në reagim, partia evropiane e lidh situatën edhe me shqetësimet e ngritura gjatë protestave të zhvilluara në Shqipëri, duke përmendur kërkesat e qytetarëve për transparencë, llogaridhënie dhe forcim të shtetit të së drejtës. Demokratët Evropianë theksojnë se procesi i integrimit evropian kërkon institucione demokratike funksionale, një sistem drejtësie të pavarur dhe luftë kundër korrupsionit.

Vlora Hyseni u pezullua nga funksioni si drejtuese e SHISH dhe ndaj saj u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo po hetohet për veprat penale “zbulimi i sekretit hetimor” dhe “përkrahja e autorit të krimit”. Sipas akuzës, Hyseni dyshohet se ka përdorur informacione sekrete për të ndihmuar Ergys Agasin, i cili u arrestua në gusht në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t dhe akuzohet si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal.

REAGIMI I PLOTË:
Urdhri i pezullimit dhe arrestit shtëpiak në lidhje me Vlora #Hyseni, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror të #Shqipërisë , është një zhvillim jashtëzakonisht serioz. Akuzat e raportuara kundër saj tani duhet të shqyrtohen nga autoritetet gjyqësore kompetente, në pavarësi të plotë dhe me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë.

Në të njëjtën kohë, këto zhvillime përforcojnë rëndësinë e shqetësimeve të ngritura nga #FlamingoRevolution. Nga polemika mjedisore rreth projektit të resortit që nxiti lëvizjen, qytetarët kanë kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për sundimin e ligjit.

Nuk duhet të nxirren përfundime para se procesi gjyqësor të ketë përfunduar. Por, kur hetimet arrijnë në nivele kaq të larta të shtetit, të gjitha institucionet duhet të përgjigjen me transparencë të plotë dhe të lejojnë drejtësinë të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje. E ardhmja evropiane e Shqipërisë kërkon institucione të forta demokratike, një gjyqësor të pavarur, llogaridhënie të vërtetë dhe një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo është ajo që meriton populli shqiptar.bw

“Përgjimet në zyrën e Ergys Agasit…” BIRN: Akuzat ndaj shefes së SHISH vënë në pikëpyetje sigurinë kombëtare të Shqipërisë

Në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ të Shtetit, institucionit kyç të arkitekturës së sigurisë kombëtare, një slogan dallon mbi të tjerët: “Për ne Atdheu është i pari. Ne punojmë çdo ditë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt”.

Por një hetim i Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtueses së këtij institucioni, Vlora Hyseni, e ka vënë seriozisht në pikëpyetje këtë mision.

Mëngjesin e së martës, Gjykata e Posaçme vendosi të pezullojë nga detyra Hysenin dhe ta vendosë atë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për veprat penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit si pjesë e një hetimi që lidhet me Ergys Agasin, një personazh kontrovers i arrestuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Për të njëjtin hetim, gjykata miratoi kontrollin e banesës e banesës dhe atë personal të ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda si dhe arrestimin e një zyrtari të Institutit të Policisë Shkencore dhe të një personi të dytë, të cilët akuzohen respektivisht për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit.

Akuzat e ngritura nga SPAK në adresë të shefes së shërbimit sekret rikthejnë në vëmendje mënyrën se si ajo u përzgjodh për të drejtuar SHISH, ndërkohë që vënë në pikëpyetje integritetin e këtij institucioni si dhe sigurinë kombëtare të vendit.

E lindur në Kosovë në vitin 1984, Hyseni mbajti poste drejtuese mes viteve 2019-2021 në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, AKI, kur ajo u shkarkua në mënyrë të papritur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Vetëm pak muaj pas largimit nga AKI, Hyseni u shfaq në Tiranë si këshilltare për sigurinë e kryeministrit Edi Rama. Për rreth një vit e gjysmë ajo qëndroi larg vëmendjes publike, por më 17 mars 2023 Rama njoftoi se e kishte zgjedhur atë si drejtuesen e re të SHISH, bashkë me një deklaratë të fortë mbështetjeje personale. Emërimi i saj u dekretua nga presidenti Bajram Begaj në prill 2023.

Për Ilir Kullën, ish-këshilltar i lartë shtetëror dhe ekspert i sigurisë, problemi nis me emërimin e Hysenit në krye të një institucioni kushtetues kaq të rëndësishëm.

“Thjesht zonja në fjalë e kishte një mision të pamundur atë detyrë që i dhanë,” tha Kulla duke iu referuar edhe përshkrimit të një ish-kolegu të Hysenit në AKI.

Kulla nuk e komentoi akuzën, pasi tha se nuk ishte njohur me faktet penale.

“…Por një gjë e kam shumë të qartë se, përgjimet e gjetur në zyrën e Ergys Agasit janë një litar i lënë varur për shumëkënd në Shqipëri,” theksoi ai.

Pas operacionit të zhvilluar nga SPAK, deputetë të opozitës kërkuan që ngjarja të trajtohej si çështje e cënimit të sigurisë kombëtare dhe të futej në rendin e ditës së Kuvendit të Shqipërisë. Opozita e konsideroi këtë ngjarje si “rënie të shtetit dhe të sigurisë kombëtare”, ndërkohë që deputetët e mazhorancës e relativizuan skandalin tek përgjegjësia individuale e zyrtares së lartë.

Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, vlerëson se akuzat e ngritura ndaj Hysenit kanë shkaktuar sakaq një dëm të madh për reputacionin dhe integritetin e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilat kërkojnë vite dhe shumë punë për t’u rikuperuar.

Sipas tij, kur njerëz me këtë lloj integriteti drejtojnë institucione të rëndësishme si SHISH, nuk mund të dihet se me kë i ndajnë të dhënat. Dyrmishi vlerëson se dëmi jep pasoja dhe në një plan më të gjerë, nisur nga fakti se Shqipëria është një vend anëtar I NATO-s.

“Për momentin mund të themi se ka dëme në cënimin e integritetit dhe reputacionit të inctitucioneve në fjalë, si dhe të dëmtimit të besimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve,” tha ai.

Dyrmishi vlerëson gjithashtu se dëmi i reputacionit është pjesë e cënimit të sigurisë kombëtare, e cila do të duhej të garantohej sipas tij nga arkitektura e brendshme e gjithë institucioneve.

“Se si do të përshkallëzohet dëmi mbetet për t’u parë,” theksoi Dyrmishi./ BIRN/

ANSA: Urdhër arresti për shefen e shërbimeve sekrete në Shqipëri, dyshohet se është arratisur

Shqipëri, lëshohet një urdhër arresti për drejtuesen e shërbimeve sekrete. Masë sigurie ndaj Vlora Hysenit, e cila dyshohet se është larguar jashtë vendit

ANSA

Është lëshuar një urdhër arresti ndaj drejtoreshës së Shërbimeve Sekrete shqiptare, Vlora Hyseni, me origjinë nga Kosova.

Masa e sigurisë është lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të një hetimi ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i përfshirë në një rast korrupsioni lidhur me tenderët e Agjencisë Shtetërore për Sistemet Informatike.

Agasi, i cili kishte qenë në arrati për disa muaj, u arrestua gushtin e kaluar.

Urdhri i arrestit ndaj Hysenit nuk është ekzekutuar, pasi ajo rezulton të jetë jashtë vendit. Sipas mediave, ajo dyshohet për “zbulim të sekreteve shtetërore”.

Hetimi ka përfshirë edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, banesa e të cilit është kontrolluar dhe nga i cili është sekuestruar edhe telefoni. Ndaj tij nuk është vendosur asnjë masë sigurie.

Në pranga ka përfunduar ndërkohë drejtuesi i laboratorit të policisë shkencore dhe një kriminalist.

Për këtë çështje ende nuk ka një komunikatë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka zhvilluar hetimet. sn

Arrestimi i drejtoreshës së SHISH- BIRN: Ky është skandali më i rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare

Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni akuzohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete në atë që mund të konsiderohet si skandali më i rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare për dekada.

BIRN

Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni u pezullua nga detyra dhe u vendos nën masën e “arrestit shtëpiak” të martën, duke shkaktuar krizën më të rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare për dekada.

Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.

Sipas një burimi në dijeni të çëshjes, masat e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH derivojnë nga hetimi që Prokuroria e Posaçme po kryen ndaj Ergys Agasit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme miratoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “arrest në shtëpi” për Hysenin.

Shërbimi Informativ Shtetëror është institucioni qendror i inteligjencës në Shqipëri dhe ka për mision mbrojtjen e sigurisë kombëtare, duke identifikuar dhe analizuar kërcënime që mund të prekin interesat kombëtare.

Hyseni e drejton SHISH-in që prej prillit të vitit 2023, kur u emërua jo pa debate nga kryeministri Edi Rama për shkak të shtetësisë kosovare dhe një shkarkimi të paqartë si numri 2 i shërbimit të inteligjencës kosovare.

Për të njëjtën dosje u paraqit në SPAK mëngjesin e së martës edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Nën hetim, mësohet se janë dhe disa punonjës policie dhe po punohet për ndalimin e tyre.

Proda u largua nga detyra në fillim të muajit mars, ndërsa drejtues të tjerë policie të emëruar prej tij u larguan nga funksionet e larta në korrik. Pak ditë pas këtyre lëvizjeve në organikën e drejtuesve të Policisë së Shtetit, filloi puna për ndalimin e Ergys Agasit, operacion që u finalizua më 26 gusht me arrestimin e tij.

Agasi u ndalua së bashku me Uljan Shpatarakun, një ish-drejtues i Policisë së Elbasanit.

Për më shumë se një dekadë, AKSHI menaxhoi një buxhet të stërmadh, ku vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK u llogarit një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro). Hetimi zbuloi se drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi i kishin lënë këto fonde në duart e një grupi të strukturuar kriminal, duke paracaktuar fituesit dhe duke siguruar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së, Ermal Beqiraj dhe biznesmenit Ergys Agasi.

Ortaku i Agasit, Ermal Beqiraj u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe u shoqërua nga forcat ajrore derisa u ul në aerodromin e Albertit në rajonin e Somme-s në veri të Francës.

Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme të autoriteteve franceze identifikuan pasuritë e Beqirajt në Francë, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqiraj dyshohet se transferoi drejt Francës një pjesë të fitimeve të paligjshme me të cilat bleu një kështjellë, dy apartamente, mjete motorike dhe mbi 2 milionë euro i depozitoi në llogari bankare.

Si u cenua siguria kombëtare- Vlora Hyseni u shkarkua nga Kurti, u rekrutua nga Rama me ‘ndihmën e Beogradit’

Në fillim të vitit 2023, Edi Rama vendosi të emërojë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror një emër jo shumë të njohur në Shqipëri, por shumë të njohur në Kosovë.

Bëhej fjalë për Vlora Hysenin, e cila kishte shërbyer për disa kohë si nëndrejtoreshë e shërbimit sekret të Kosovës.

Ajo u shkarkua me firmë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes së asaj kohe, Vjosa Osmani.

Zyrtarisht nuk u dha asnjë arsye për këtë vendim, por pati spekulime mediatike se ajo mund të jetë lidhje e Beogradit.

Kur Edi Rama e vendosi në krye të SHISH, opozita shqiptare deklaroi disa herë se ajo është fija lidhëse mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç.

Kreu i PD, Sali Berisha foli edhe për një vizitë sekrete të Hysenit në Beograd.

Më vonë, nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se Vlora Hyseni ka marrë agjentë serbë kundër demonstratave që po zhvillonte opozita.

Por kulmi i akuzave mbërriti kur Berisha e akuzoi Vlora Hysenin se e kishte vënë shërbimin informativ në shërbim të Ergys Agasit, që njihej si lidhja e Edi Ramës me bandat kriminale në vend.

Këto akuza u faktuan sot kur Vlora Hyseni u vendos nën arrest shtëpie me dyshimet se ka ofruar informacione tek Ergys Agasi.

Ky skandal i rëndë është i paprecedent në historinë e shtetit shqiptar, por askush nuk mund të thotë se nuk ishte i paralajmëruar. sn

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku: Asgja me emnin Vlorë nuk i ka punët mirë këto kohë

Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar në lidhje me operacionin e ndërmarrë nga SPAK në kuadër të dosjes “AKSHI”, ku me vendim të GJKKO, u ushtruan kontrolle në disa banesa, përfshirë atë të kreut të SHISH, Vlora Hyseni dhe të ish Kreut të Policisë, Ilir Proda.

Gjykata e Posaçme vendosi me kërkesë të SPAK ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”. Masa e arrestit nuk është ekzekutuar për shkak se ajo ndodhet jashtë vendit.

Në një reagim në rrjete sociale, Koçeku ka shkruar se Vlora Hyseni u emërua në Kosovë nga Hashim Thaçi dhe u shkarkua nga Albin Kurti. Më pas në Shqipëri u emërua nga kryeministri Edi Rama por po e arreston SPAK.

“Vlorën e ka emnu Hashim Thaçi e ka shkarku Albin Kurti e ka emnu Edi Rama, e ka arrestu SPAKU. Asgja me emnin Vlore nuk i ka punët mirë këto kohë.”, ka shkruar deputetja që u largua nga Grupi Parlamentar i PS-së. Panorama

“Hajde të tregoj unë ty” Përplasja me Ramën në avion, i riu: Më kapi për qafe dhe më tha “të zhduk”

I riu Fabian Peka ka rrëfyer në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ incidentin e ndodhur gjatë udhëtimit me avion nga Tirana drejt Napolit, ku sipas dëshmisë së tij është përfshirë kryeministri Edi Rama.

 

Peka mohoi raportimet se e kishte sharë Ramën dhe tregoi se gjithçka nisi pasi avioni kishte ndaluar dhe pasagjerët po zbrisnin.

‘Zoti kryeministër, e mira e të mirave është që ju mos ktheheni fare në Shqipëri, për të mirën e shqiptarëve dhe për të mirën tuaj’, tha Peka se i kishte drejtuar Ramës.

Sipas tij, Rama më pas i është afruar dhe i ka thënë: ‘Hajde, hajde të tregoj unë ty’, ndërsa gjatë zbritjes së shkallëve e ka kapur për qafe.

Peka tha se Rama e ka pyetur pse po i bënte foto dhe, sipas dëshmisë së tij, më pas i ka thënë: ‘E di çfarë të bëj unë? Unë të zhduk’.

Intervista e plotë:

Çim Peka: Por gjatë javës së kaluar, në një udhëtim nga Tirana në Napoli, ka pasur një incident tjetër të Edi Ramës me një pasagjer, i cili… ka rastisur të jetë dhe me mbiemrin tim, edhe kuksian i ri. Janë parë videot ku Rama e kap për qafe dhe e dorëzon te policia italiane, të cilët e lirojnë menjëherë sapo Rama hipën në makinë sepse nuk mund ta mbanin, nuk kishin arsye ta mbanin. Por gjithsesi do tentojmë të lidhemi me personazhin tani në Skype, nëse e kam Fabin. Këto janë pamjet, ku Rama e kap te shkallët e avionit, e ngrin atje te qafa, me thonjtë e tij të paprerë dhe të palarë sepse këto nuk i fsheh dot, dhe e dorëzon tek karabinierët italianë në Napoli. Pasagjeri po udhëtonte tranzit për në Londër pasi është dhe me dokumenta angleze. Ja ku është dhe gërvishja te thonjtë e Ramës… është dhe londinez, si çdo hasian dhe kuksian, pra është dhe shtetas i huaj.

Fabian Peka: Mirëmbrëma.

Çim Peka: U bëre personazh. Tani na trego në detaje çfarë ka ndodhur. Pyetja e parë është, e keni sharë Ramën siç raportojnë disa media?

Fabian Peka: Jo, nuk e kam sharë. Çfarë ka ndodhur është në momentin që avioni ndaloi, u ngritëm në këmbë të gjithë, i thashë zoti kryeministër, e mira e të mirave është që ju mos ktheheni fare në Shqipëri për të mirën e shqiptarëve dhe për të mirën tuaj.

Çim Peka: E çfarë ju tha Rama?

Fabian Peka: Pastaj më tha ‘hajde, hajde të tregoj unë ty’. Edhe vazhduam shkallëve poshtë, më vuri duart te qafa. Më tha ‘pse më bën foto ti mua?’. I thashë ‘besoj nuk është e ndaluar që të bëj foto’. Më tha ‘e di çfarë të bëj unë?’. I thashë: po hë më thuaj, çfarë bën ti. Më tha, unë të zhduk. Dhe në atë moment edhe unë i thashë një fjalë…

Çim Peka: Çfarë fjale, se për Ramën nuk është problem.

Fabian Peka: Ti më rruan lesht.

Çim Peka: E qartë.

Fabian Peka: Edhe ma përsëriti edhe njëherë gjithë këtë, edhe unë po të njëjtën, edhe herën e dytë. Pastaj i foli italisht atyre policëve që ishin poshtë dhe thjesht më shoqëruan ata.

Çim Peka: Pastaj Rama iku…

Fabian Peka: U fut në makinë, priti deri në momentin që unë u futa në makinën e policisë dhe lëvizi. Një nga vajzat e stafit kërkoi pasaportën, donte të shikonte pasaportën time, se për çfarë e donte nuk e di.

Çim Peka: Kur të kthehesh në Shqipëri…

Fabian Peka: Ndoshta, nuk e di. Po pastaj… vajtëm në polici, më thanë ‘çfarë ndodhi?’. Kështu, kështu, kështu, dy-tre fjalë, vetëm qeshnin policët sepse e panë që s’ka mundësi të ndodhte diçka e tillë. I thashë ‘po ju më punoni për kryeministrin shqiptar apo si është kjo puna? Ju thotë ai me gisht merrni këtë, ju më merrni pa asnjë lloj arsyeje?’. Edhe folën në telefon ata… nuk e di se me kë kanë folur, dhe pastaj më liruan, një 10 minuta, diçka e tillë.

Çim Peka: Pra priten sa të ikte Rama, që të ikte ai e pastaj ti.

Fabian Peka: Po, 90% ashtu është.

Çim Peka: Ti udhëtove për Londër pastaj?

Fabian Peka: Po pastaj nga aty për Londër.

Çim Peka: Mirë Fabi, të falënderoj. Ktheu në Shqipëri se të pret, jo vetëm ty po të gjithëve u rruan lesht. Hajde mirupafshim.

Fabian Peka: Faleminderit.

BalkanWeb- SPAK lëshon masë sigurie për kreun e SHISH, Vlora Hyseni

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Lajmi konfirmohet ekskluzivisht për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Ajo mori zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq shërbimin inteligjent shqiptar. Përpara këtij emërimi, ajo ka pasur një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.

Pas largimit nga postet në Kosovë, ajo shërbeu për rreth dy vite si këshilltare për sigurinë kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Drejtoreshë e SHISH: Në mars të vitit 2023, Rama e propozoi atë si drejtuese të SHISH. Ajo u dekretua zyrtarisht nga Presidenti Bajram Begaj më 3 prill 2023 dhe u prezantua në krye të institucionit të nesërmen.

BalkanWeb: SPAK urdhëron kontrolle ndaj Ilir Prodës

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka urdhëruar kontrolle në lidhje me Ilir Prodën.

Lajmi u konfirmua për “Balkan Web” dhe “News24” nga gazetarja Klodiana Lala.

“Ligji 21/2024 duhet shfuqizuar”, Ina Zhupa nga takimi Shqipëri-BE: Narko-eurot janë futur në investimet strategjike duke betonizuar dhe shkatërruar vendin

Deputetja e PD, Ina Zhupa shprehet se narko-eurot janë futur në investimet strategjike, sipas saj, duke betonizuar dhe shkatërruar vendin. Gjatë takimit të Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Zhupa tha se turizmi i ekselencës, togfjalëshi që dominoi si pretekst për të miratuar ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, që ka kufi vetëm qiellin; mund të ndërtosh kudo me një leje nga KKT, praktikisht nga Edi Rama.

“Ky ligj ka cenuar rëndë parimet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive ndërtimore e turistike brenda zonave të mbrojtura, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mjedisore”, tha Zhupa.

Deputetja demokrate shtoi më tej se për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”.

Fjala e plotë e Ina Zhupës

 

 

Turizmi i ekselencës, togfjalëshi që dominoi si pretekst për të miratuar ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, që ka kufi vetëm qiellin; mund të ndërtosh kudo me një leje nga KKT, praktikisht nga Edi Rama. Ky ligj ka cenuar rëndë parimet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive ndërtimore e turistike brenda zonave të mbrojtura, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mjedisore.

Për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”.

Ky qëndrim i institucioneve europiane provon qartazi se ligji bie ndesh jo vetëm me interesin publik dhe mbrojtjen e pasurive natyrore kombëtare, por edhe me standardet dhe detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit europian.

Ndërkohë që Bashkimi Europian forcon politikat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, qeveria shqiptare ka zgjedhur të liberalizojë ndërtimet dhe të favorizojë interesa klienteliste në dëm të mjedisit.

Më 14 maj 2026, pas raportit të Bashkimit Europian, kam depozituar nismën për shfuqizimin e ligjit, siç e kërkon BE-ja, siç e kërkojnë protestuesit prej 111 ditësh në shesh, por mazhoranca ende s’e ka futur në shqyrtim.

Pritet ta bëjë një gjë të tillë ditët në vijim, ku edhe është shprehur kryetari i grupit, zoti Balla, që do të votojnë kundër nismës për shfuqizimin e ligjit, edhe pse e kërkon Bashkimi Europian.

Interesi është i qartë: janë premtimet dhe projektet e dhëna nga kryeministri në zonat e mbrojtura, si Zvërneci, Karavastaja, Dajti, Butrinti etj.

Është i vetmi kryeministër në botë që ka botuar një libër me planin e kokës së tij dhe klientëve të zgjedhur nga ai se si do të ndërtohet në vend, ku dhjetëra janë në zona të mbrojtura.

Është ky libri këtu, “The Albanian Files”. Janë 523 projekte të afishuara nga studiot. Deri tani, 57 projekte janë ndërtuar, 53 po ndërtohen, 47 presin lejen, ndërsa fati i shumë të tjerave nuk bëhet i ditur.

Miliona metra katrorë ndërtim, në Tiranë dhe zonat më të lakmuara të bregdetit, nga veriu në jug.

Në 41% të projekteve nuk përmendet fare porositësi, gjithçka në kurriz të shqiptarëve dhe të ligjeve dhe standardeve të transparencës, llogaridhënies dhe konsultimit publik që kërkon Bashkimi Europian.

Ligji i Investimeve Strategjike u paraqit si një instrument për të sjellë kapital, investitorë seriozë dhe zhvillim ekonomik. Por pas tij shfaqen miliona metra katrorë tokë, dhjetëra mijëra metra katrorë ndërtime dhe projekte me vlera marramendëse.

Vetëm sipas të dhënave të publikuara për projektet strategjike, bëhet fjalë për rreth 5.8 milionë m² tokë të vënë në dispozicion të projekteve strategjike.

Disa shembuj konkretë:

Zvërnec – Artur Shehu: sipas dosjeve të raportuara nga Faktoje dhe Reuters, Artur Shehu është nën hetim nga SPAK për dyshime që lidhen me trafik narkotikësh, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh pronësie; ai i mohon akuzat. Në zinxhirin e shoqërive që lidhet me zhvillimin në Zvërnec, “Zvërnec South Adriatic Development” raportohet se kishte kapital fillestar vetëm 5 milionë lekë.

Drymades Beach Resort – Blue Bay: një investigim i INA-s raportoi se kompania kishte 100 lekë kapital në para, ndërsa pjesën tjetër të kapitalit e kishte deklaruar në natyrë, në formën e tokës; projekti strategjik kishte vlerë të deklaruar 6.3 milionë euro dhe financimi i garantuar nga Fibank ishte 800 mijë euro.

Marina Hills – Finsec Development: kompania ishte themeluar me 1.2 milionë lekë kapital, ndërsa projekti deklarohej 450 milionë euro; sipas investigimit, ishte paraqitur konfirmim për 160 milionë euro financim, duke lënë një diferencë shumë të madhe për t’u shpjeguar.

Ky mekanizëm është përdorur për të futur para me origjinë të dyshimtë në ekonominë shqiptare, atëherë nuk kemi më përpara thjesht një problem me një ligj investimesh dhe betonizimin dhe vjedhjen e pronës publike. Kemi një problem me vetë modelin ekonomik të narko-shtetit dhe përdorimit të narko-eurove.

Bashkimi Europian nuk mbështet aferat korruptive dhe narko-eurot që fshihen me pretendimin e zhvillimit të turizmit, mjedisit dhe, medemek, procesin e integrimit.

A mund ta shkatërrojë njerëzimin inteligjenca artificiale?

Radio Evropa e Lirë

Inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritëm të shpejtë, duke nxitur njëkohësisht diskutime për rreziqet që mund të sjellë.

Një nga pyetjet që po shtrohet gjithnjë e më shumë është nëse, një ditë, njerëzimi mund ta humbë kontrollin mbi këtë teknologji.

Darsej Rizaj, bashkëthemelues dhe ekspert i teknologjisë në Shkollën Digjitale, në Prishtinë, thotë se niveli i rrezikshmërisë nga evoluimi që po bën inteligjenca artificiale është më i lartë se vetë bomba atomike që ka zbuluar njeriu.

“Jemi duke eksperimentuar me diçka që ende s’jemi duke e kuptuar si duhet”, shprehet Rizaj në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, rreziku lidhet edhe me mundësinë që inteligjenca artificiale të arrijë një nivel ku mund të zhvillohet në mënyrë gjithnjë e më autonome.

“Kur të vendoset në një robot, për shembull, atëherë kemi krijuar një entitet të ri, a një specie të re brenda planetit tonë”, thotë ai.

A mund t’i vrasë inteligjenca artificiale njerëzit?

Rizaj tregon në 5 pyetje se një skenar i tillë nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht se inteligjenca artificiale do të synonte zhdukjen e njerëzimit për të njëjtat arsye që mund t’i ketë njeriu për të vrarë ose për t’i bërë dëm dikujt.

“Mund të jetë vetë faktori njeri që ia jep një instruksion, dhe që inteligjenca artificiale e keqkupton atë, dhe kryen veprim që nuk është paramenduar prej njeriut”, shprehet ai.

Sipas Rizajt, rreziqet nga inteligjenca artificiale të janë të shumëfishta. Disa mund të parashikohen nga njeriu, disa jo, thotë ai.

“Po supozojmë, përmes inteligjencës artificiale, ne po arrijmë ta kontrollojmë motin. E krijojmë teknologjinë, e kontrollojmë motin, edhe kemi inteligjencë artificiale që na mirëmban atë mot për neve, që ta kemi motin ideal për planetin tonë”, e tregon si shembull ai.

Rreziku nga keqpërdorimi

Përveç skenarëve afatgjatë, Rizaj thotë se disa rreziqe tashmë janë të pranishme, veçanërisht sa i përket të dhënave personale dhe përmbajtjeve të krijuara me modelet e inteligjencës artificiale.

Sipas tij, fotografitë, videot dhe të dhënat që njerëzit kanë publikuar ndër vite në internet mund të përdoren për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Ai paralajmëron se zhvillimi i teknologjisë mund ta bëjë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjeve reale dhe atyre të krijuara artificialisht.

“Jemi duke arritur te pika ku nuk do të mundemi aq lehtë ta vërejmë a është reale, apo është krijuar me inteligjencë artificiale”, thotë Rizaj në 5 pyetje.

Sipas Rizajt, kjo mund të përdoret edhe për shantazh, dëmtim të reputacionit apo krijimin e materialeve të rreme.

“Kosova është mbrapa”

Sa i përket Kosovës, Rizaj thotë se inteligjenca artificiale ende nuk është pjesë e mjaftueshme e diskutimit institucional.

“Si Kosovë, mbrapa jemi”, thotë ai, duke shtuar se vendet e tjera të Ballkanit kanë nisur investime në qendra të të dhënave dhe kanë më shumë iniciativa strategjike.

Sipas tij, Kosova duhet të mendojë edhe për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në tregun e punës.

Për Rizajn, edukimi për inteligjencën artificiale është një nga mënyrat kryesore për t’u përgatitur për ndryshimet që sjell kjo teknologji.

“Që të mund ta kuptojmë si të mbrohemi, duhet të dimë si po funksionon ajo”, thotë ai.

Rizaj këshillon që njerëzit të mësojnë ta përdorin inteligjencën artificiale, por njëkohësisht të kenë më shumë kujdes me të dhënat personale, veçanërisht ato të fëmijëve.


Send this to a friend