Florjan Binaj gjatë fjalës së tij të shkurtër në takimin e opozitës vuri në pah përgjegjësinë e përbashkët dhe nevojën për një qasje të re në bashkëpunim.
Duke u shprehur i privilegjuar për pjesëmarrjen, ai deklaroi se, “Arsyeja pse jemi në këtë takim është sepse të gjithë ne, edhe ata që na shohin nga shtëpia, kush më shumë, kush më pak, nuk kemi bërë mjaftueshëm,” theksoi ai, duke përfshirë në këtë autokritikë jo vetëm të pranishmit, por të gjithë shoqërinë.
Në qendër të problematikës, sipas tij, qëndron një tendencë e gjatë për t’u përqendruar te ndasitë në vend të pikave të përbashkëta. “Kemi harxhuar kohë duke parë nga njëri-tjetri jo ku ngjajmë, po ku dallojmë,” u shpreh folësi, duke evidentuar një dinamikë që ka penguar progresin.
Zgjidhja e propozuar ishte e qartë dhe direkte: pranimi i ndërsjellë i dallimeve dhe bashkëpunimi pa kushte. Binaj bëri thirrje që palët të heqin dorë nga pritshmëria që të tjerët të përshtaten sipas modeleve të tyre, duke thënë se duhet të ndalet mentaliteti “unë do bashkëpunoj me ty po more ti formën time ose unë formën tënde”.
Florjan Binaj: Më falni. Do ju harxhoj vetëm 30 sekonda. Në radhë të parë, shumë faleminderit që më keni bërë pjesë të këtij takimi. Ndihem vërtet i privilegjuar.
E dyta, unë mendoj që arsyeja pse jemi në këtë takim është sepse të gjithë ne, edhe ata që na shohin nga shtëpia, kush më shumë, kush më pak, nuk kemi bërë mjaftueshëm. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi, kemi harxhuar kohë duke, duke parë nga njëri-tjetri jo ku ngjajmë, po ku dallojmë. Dhe në këtë kohë që ka ardhur, mendoj se gjëja më e rëndësishme për të bërë është që për ta pranuar njëri-tjetrin ashtu siç jemi të ndryshëm dhe mos të presim nga njëri-tjetri që unë do bashkëpunoj me ty po more ti formën time ose unë formën tënde e të tjera me radhë.