VOAL

VOAL

Flasin ekspertët: Të dhënat janë nxjerrë nga patronazhistët, çfarë kanë tjetër në dorë

December 25, 2021

Komentet

“Politika përballë drejtësisë” BIRN: Kush është përgjegjës për numrin e lartë të paraburgimeve?

Më 28 janar, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ngritën kartonët jeshilë për ndryshime të reja në Kodin Penal, mes të cilave edhe kriminalizimin e parkimit të dyfishtë në rrugë.

Sipas nenit 293/1, pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, kur pengon qartazi lëvizjen e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve apo ambulancave përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose deri në 1 vit burg.

Ashpërsimi i Kodit Penal për ndëshkimin e asaj që konsiderohet si shkelja më e zakonshme e rregullave të qarkullimit rrugor është akti i fundit i një serie të gjatë ndryshimesh të ndërmarra nga qeveritë e kryeministrit Edi Rama – që sipas ekspertëve simbolizojnë qasjen populiste të mazhorancës socialiste ndaj politikës penale në Shqipëri.

Më herët, burgu ka qenë kryefjalë e fushatave të ngjashme kundër ndërtimeve pa leje, lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, shkeljes së masave të distancimit social gjatë pandemisë apo shpërdorimit të ujit të pijshëm – të cilat kanë çuar në pranga me qindra qytetarë të zakonshëm.

Por qasja ndryshoi së fundmi, ndërsa qeveria “Rama” po përballet me një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe çështje të tjera korrupsioni të profilit të lartë.

“Jemi vendi më skandaloz i komunitetit të Këshillit të Europës,” deklaroi Rama në një konferencë me gazetarët më 30 dhjetor 2025. “Në Shqipëri, probabiliteti që të përfundosh në burg si i dyshuar është më e i lartë se të përfundosh si fajtor,” shtoi ai.

Sipas Këshillit të Europës, Shqipëria është një ndër vendet me numrin më të lartë të të paraburgosurve në pritje të gjykimit në kontinent – çka përbën shqetësim për respektimin e të drejtave të njeriut.

Por sipas praktikantëve të ligjit në sistemin e drejtësisë, ky është një problem i vjetër dhe i neglizhuar, i cili po serviret rishtazi vetëm sepse politika po ndjehet vetë e rrezikuar.

“Ne kemi vite që e ngremë zërin për situatën, por nuk jemi dëgjuar, ndoshta sepse ata që futeshin në burg nuk ishin me rëndësi,” i tha BIRN Arqile Koça, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Ata [politikanët] i hedhin shqelmat kur u afrohet atyre,” shtoi ai.

Paraburgimi në shifra

Numri i lartë i të paraburgosurve në sistemin penitenciar të Shqipërisë me një mesatare prej 94 të paraburgosur për 100 mijë banorë ka shqetësuar Këshillin e Europës – organizatën kryesore për të drejtat e njeriut në Europë. Në dy dokumenta konsultativë për ligjvënësit në Shqipëri, KiE sugjeron marrjen e një sërë masash për uljen e numrit të paraburgosurve në përmbushje të detyrimeve për respektimin e të drejtave të njeriut.

Të dhënat mbështeten edhe nga statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të siguruara nga BIRN. Në dhjetor 2025, vendi kishte 4503 persona në burg, nga të cilët 2569 ose 57 për qind ishin të paraburgosur në pritje të gjykimit.

Mbi 58 për qind e të paraburgosurve ndodhen në qeli për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore si krimet në fushën e drogës (30%), vrasjet (12%) apo vjedhjet (15.6%). Rreth 39% e të paraburgosurve bien në një kategori veprash penale që përmblidhet me “të tjera” dhe që nënkupton një mori krimesh më të lehta. Statistikat e plota për çdo vepër penale mungojnë.

Mes popullatës së burgjeve, personat e izoluar me vendim të Gjykatave të Posaçme zënë një përqindje të vogël.

Deri në fund të vitit 2025, të paraburgosurit nga Gjykatat e Posaçme ishin 293 persona në total, nga të cilët 61% janë arrestuar për veprat penale të krimit të organizuar si vrasje, trafik ndërkombëtar i drogës apo grup i strukturuar kriminal.

Zyrtarët e lartë me masë arresti me burg për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë në tendera janë 26 persona  – ose vetëm 1 për qind e totalit të të paraburgosurve në rang vendi.

Në dokumentet konsultativë për qeverinë shqiptare, Këshilli i Europës bën një ndarje mes praktikës së ndjekur nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe asaj të Gjykatës së Posaçme, e cila shqyrton çështje me kompleksitet të lartë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë në opinion theksohet se edhe në këtë rast kishte nevojë për më shumë eficiencë.

Megjithatë, ekspertët e Këshillit të Europës vënë në dukje se të dhënat nuk janë të plota dhe i kërkojnë qeverisë që të studiojë arsyet.

“Për të adresuar shifrat e larta të paraburgimit, autoritetet shqiptare duhet të kryejnë një studim të thellë dhe gjithëpërfshirës, që të mbulojë jo vetëm të dhënat statistikore dhe empirike, por edhe çështjet tematike,” thuhet në opinion.

Politika penale populiste

Sipas ekspertëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, numri i lartë i të paraburgosurve në sistemin penitenciar të Shqipërisë reflekton politikat represive dhe populiste të sistemit ekzekutiv dhe legjislativ si dhe një mentalitet konservator historik ndaj masave të arrestit me burg përkundrejt dënimeve të tjera alternative.

Ekspertët theksuan gjithashtu se të njëjtët politikanë që po ankohen sot për paraburgimin, kanë ashpërsuar në të shkuarën vepra penale me rrezikshmëri të ulët në dëm të shtresave më vulnerabël të shoqërisë.

“Ashpërsimi i politikës penale për vepra penale me rrezikshmëri të ulët përbën një qasje populiste dhe jo humane të organit tonë legjislativ,” tha Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për BIRN.

Politikat penale të ashpërsimit të dënimeve dhe zgjerimit të kriminalizimit ndikojnë fillimisht në volumin e çështjeve në prokurori dhe gjykata, ndërkohë që rrisin prirjen e prokurorëve për të kërkuar masa të rënda sigurie në gjykata.

Sipas prokurorit Arqile Koça, politika priret të ndjekë rrugën e shkurtër, edhe pse i di pasojat. Ai theksoi gjithashtu se zgjidhja e problemit me paraburgimet nuk duhet të udhëhiqet nga raste të veçanta.

“Sa herë ka një problem dite, ai zgjidhet duke ashpërsuar dënimet penale edhe pse e dinë shumë mirë që dënimet më të ashpra nuk ulin kriminalitetin,” theksoi ai.

“Nëse nuk e diskutojmë me qetësi problemin, rrezikojmë ta përkeqësojmë,” shtoi ai.

Gjyqtarët e shkallës së parë dhe të Apelit kërkojnë gjithashtu ndërhyrje të matura nga ligjvënësi dhe një analizë të detajuar mbi efektet e politikës penale dhe përdorimit të masave të sigurisë.

Gjyqtarja e Apelit, Edlira Petri thotë se politikat penale të ashpërsimit të dënimeve sjellin rritje të volumit të çështjeve, një perceptim të rritur të rrezikut procedurial dhe prirje për masa më të rënda sigurie.

“Të gjitha këto mund të rrisin rastet e paraburgimit,” tha Petri.

Për juristin Julian Mërtiri, kriminalizimi i një morie veprash të lehta dhe fushatat politike me arrestime masive janë një problem i vjetër, që kanë sjellë ngarkimin e sistemit dhe rritjen e numrit të të paraburgosurve.

“Ky problem është prej vitesh. E kemi bërë problem disa herë, por normalisht politika reagon vetëm kur preket vetë. Reagon tani që janë zyrtarë të lartë që preken,” tha Mërtiri.

Probleme sistemike

Përveç politikave penale të ndjekura nga qeveria dhe legjislativi, ekzistojnë një sërë problemesh të tjera komplekse që sjellin rritjen e numrit të të paraburgosurve. Mes tyre, prokurorët dhe avokatët rendisin edhe mentalitetin represiv mes institucioneve ligjzbatuese, të trashëguar nga regjimi komunist.

Probleme të tjera lidhen me kohëzgjatjen e hetimeve dhe gjykimeve, vakuumit të krijuar nga procesi i vetingut si dhe dështimit të përpjekjeve për promovuar dënimet alternative.

Për prokurorin veteran, Kosta Beluri, situata e tanishme me numrin e lartë të paraburgimeve është një kombinim i të gjithë faktorëve të mësipërm. Megjithatë, një udhëzim i Prokurorit të Përgjithshëm që synonte të nxiste aplikimin e më shumë masave alternative, pati sipas tij një efekt minimal.

“Në kohëzgjatjen e paraburgimit ndikojnë së pari kohëzgjatja në hetim e çështjeve ku ndikon ngarkesa, struktura e paplotësuar e prokurorisë dhe zëvendësimi i shpeshtë i prokurorëve për shkak të vetingut,” tha Beluri përmes një mesazhi.

“Ndikon gjithashtu një mendësi konservatore për masën e sigurimit arrest në burg. Prokurorët janë të prirur për këtë masë, pasi i tremben opinionit të palëve si dhe procedurat për masa alternative janë më të zgjatura,” shtoi ai.

Edhe prokurori Arqilea Koça pranon se sistemi në vetvete është i ashpër dhe ka një histori të të qenit i tillë prej kohës së diktaturës, kur nuk kishte masa alternative. Por Koça i vlerëson akuzat ndaj Prokurorisë si të padrejta.

“Prokurori nuk vendos arrestimin e askujt, është gjykata që vendos. Prokurori mund të shtyhet nga shumë arsye përfshi efektivitetin e hetimeve dhe kërkon masën, sepse kjo i lehtëson punë, por është gjykata që duhet ta kontrollojë,” theksoi ai.

Pas një vëzhgimi mbi praktikën gjyqësore të masave të sigurimit, gjyqtarja e Apelit, Edlira Pjetri vëren se problemet shfaqen që në fazën fillestare – kur identifikohen rreziqe abstrakte dhe jo konkrete.

Sipas saj, kjo lidhet ‘me presionin e jashtëm”, pasi ekziston frika se një vendim mund të sjellë pasoja publike të tilla si largimi apo përsëritja e krimit.

Petri vë në dukje se gjykatat duhet të jenë më shumë kërkuese ndaj prokurorive dhe vendimet të merren duke parë secilin rast individualisht.

“Nëse ky detyrim shoqërohet me pasojë procedurale (p.sh. mospranimin/rrëzimin e kërkesës kur kërkesa është e paindividualizuar), atëherë procesi do disiplinohej që në nisje, sepse debati në sallë do të ndërtohej mbi fakte dhe rreziqe konkrete, jo mbi formulime standarde. Kjo, në thelb, nuk krijon një standard të ri, por thjesht e bën më të zbatueshëm standardin ekzistues të individualizimit/proporcionalitetit,” tha gjyqtarja Petri.

Avokatët nga ana e tyre fajësojnë prokurorinë dhe gjykatën se nuk i merr seriozisht këto vendime.
“Nëse gjykata do të kërkonte zbatimin strikt të ligjit, kjo do ta vendoste prokurorin në pozitë pune dhe numri i arrestimeve të panevojshme do të binte. Prokurori do të ishte i detyruar të argumentonte mirë rrezikun e prishjes së provave ose të largimit, dhe jo të priste që gjykata të mbulonte mangësitë e tij,” tha për BIRN avokati Isuf Shehu./BIRN/

Mësuesi nga Nishi ndëshkohet pasi mbulon grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

Dushan Komarçeviq

Njëzet e pesë euro – kjo është gjoba që aktivisti opozitar dhe mësuesi pagoi, pasi “pa leje” e kishte mbuluar grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ndodhet në oborrin e një shkolle fillore në juglindje të Serbisë, ku ai është i punësuar.

Partia në pushtet në Serbi, Partia Progresive Serbe (SNS), e dënoi këtë veprim dhe i cilësoi aktivistët e Frontit të Gjelbër të Majtë (ZLF) nga Nishi, të cilët morën pjesë në largimin e grafitit, si “auto-shovinistë”.

Slogani nacionalist “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shkruar në mbarë Serbinë, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile i kanë larguar këto slogane edhe në vitet paraprake, duke argumentuar se një mesazh i tillë përhap jotolerancë dhe nxit konflikte.

Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila u ndërmor për shkak të krimeve të luftës që forcat serbe kishin kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Kallëzim anonim

“Ky grafit bën thirrje për luftë dhe konflikte. Ky mesazh na kthen në vitet ’90, në një kohë kur Serbia po humbte jetë të reja dhe territore”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Dejan Petroviq, 54 vjeç, mësues në shkollën e Nishit “Uçitel Tasa”.

Petroviq shton se grafiti në fjalë është shkruar në oborrin e shkollës disa vite më parë dhe se ai, në disa raste, i ka sugjeruar drejtoreshës së shkollës se një mesazh i tillë nuk është i përshtatshëm dhe duhet të hiqet, por autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar.

“Në një moment i thashë drejtoreshës se, nëse ajo nuk është në gjendje të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë, unë do ta bëja vetë me shpenzimet e mia. Ajo nuk më ndaloi, por vetëm heshti. Unë e kuptova këtë si një shenjë miratimi”, thotë Petroviq.

Së bashku me kolegun e tij Rastisllav Diniq nga Fronti i Majtë i Gjelbër, të cilit i përket, Dejan Petroviq gjatë fundjavës që shkoi ai ngjyroi me ngjyrë të bardhë murin ku ishte shkruar grafiti.

Disa ditë më vonë, në shkollë erdhën punonjës komunalë të policisë dhe i thanë të shkonte në qendrën në Nishit të këtij shërbimi, ku do t’i dorëzohej një kallëzim penal.

“Mu thanë se personi që kishte dorëzuar kallëzimin ishte një qytetar anonim që kishte bërë denoncimin se unë kisha pikturuar pa miratimin e drejtoreshës”, shprehet ai.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë drejtoreshën e Shkollës Fillore “Uçitel Tasa”, Radmilla Kërstiq, por ajo nuk ishte e disponueshme për bisedë dhe nuk iu përgjigj as mesazheve SMS që iu dërguan.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe policisë komunale të Nishit me pyetjen se sa kallëzime penale për të njëjtin veprim janë dorëzuar gjatë vitit 2025, si dhe nëse grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” trajtohen si përhapje e urrejtjes, diskriminimi dhe thirrje për konflikte, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Për heqjen e grafiteve nga hapësirat publike përgjegjëse janë shërbimet komunale të pushtetit lokal në Serbi, ndërsa për fasadat e objekteve private përgjegjës janë pronarët e tyre.

Çfarë thonë nga partia në pushtet në Serbi?

Në Partinë Progresive Serbe kanë dënuar veprimin e aktivistëve nga Nishi, të Frontit të Majtë të Gjelbër.

Kreu i partisë në pushtet dhe ish-kryeministri Millosh Vuçeviq, tha se bëhet fjalë për një veprim “skandaloz” të njerëzve që “garojnë në auto-shovinizëm”.

“Urrejnë gjithçka që është serbe, urrejnë ushtrinë tonë dhe Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçeviq përmes një video-mesazhi të publikuar në X.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, duke përfunduar kështu luftën dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë.

Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh.

Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë janë dënuar zyrtarë të lartë serbë.

A është shkelur Ligji për arsimin në Serbi?

Për rastin e heqjes së grafitit nga oborri i shkollës, është shprehur Komiteti i SNS-së në Nish që ka akuzuar Frontin e Majtë të Gjelbër se ka shkelur Ligjin mbi bazat e sistemit arsimor dhe edukativ, i cili ndalon veprimtarinë politike partiake në institucionet arsimore.

“I bëj thirrje organeve që të reagojnë ndaj këtij shkeljeje të ligjit, dhe po u bëj thirrje edhe organizatave të tyre punuese që të reagojnë, sepse është e papranueshme që mësuesit dhe punonjësit e arsimit të marrin pjesë në një veprim politik partiak”, ka theksuar kreu i grupit të këshilltarëve komunalë në Nish të SNS-së, Urosh Radulloviq.

Mësuesi Dejan Petroviq mohon se ka shkelur ligjin dhe thekson se SNS-ja po përpiqet të frikësojë të gjithë ata që mund të guxonin të bënin të njëjtën gjë.

“Ne ishim në oborrin e shkollës, por gjatë fundjavës, kur nuk kishte nxënës dhe nuk zhvillohej mësim. Bëmë diçka që është në dobi jo vetëm të fëmijëve, por të gjithë komunitetit shkollor”, thotë Petroviq.

“Projekti shtetëror”

Grafitet të titulluara “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqën në mbarë Serbinë në fillim të vitit 2023. Mesazhin me simbole ushtarake, për disa ditë e shkruanin burra të panjohur në fasadat publike dhe private, si dhe në muret mbajtëse përgjatë autostradave.

Bëhet fjalë për një varg nga ripërpunimi i një kënge popullore serbe. Siç ka konstatuar antropologu Ivan Çoloviq, vargu “kur ushtria të kthehet në Kosovë” nuk ekziston në formën origjinale të këngës të cilës i referohen ata që e shkruajnë këtë slogan. Ai shfaqet për herë të parë në vitin 2011 në librin “Kosova është koka e Lazarit” të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohij Radoviq.

Murale nuk janë të nënshkruara, por në një portal, i cili është paraqitur si portal jozyrtar informativ i tifozëve të Cervena Zvezdës, thuhet se ky varg është pikturuar në shumë vende në Beograd.

“Ky është një projekt shtetëror. Të tilla parulla mund të gjenden jo vetëm këtu në Nish, por edhe në qytete të tjera të Serbisë, në autostrada, në shumë vende publik”, vlerëson Dejan Petroviq.

Veprimet kundër aktivistëve

Për pikturimin e muraleve në ndërtesa banimi nevojitet miratimi i banorëve që jetojnë aty, dhe nëse objekti është i mbrojtur, kërkohet leja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë.

Aktivistë nga disa organizata të shoqërisë civile, përfshirë edhe shoqatën KROKODIL, në shkurt 2023 e mbuluan një nga këto murale në Sheshin Sllavia të Beogradit. Para se të përfundonin veprimin, në vendngjarje shkoi policia komunale, që shqiptoi gjoba për aktivistët.

Shumë shpejt, në të njëjtin vend u shfaq një mural me të njëjtin mesazh.

“Nëse guxoni të hiqni muralin ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, i vendosur ilegalisht në një hapësirë publike, është e garantuar se do të ketë reagim nga autoritetet nëse ju kapin, dhe edhe nga një numër qytetarësh që reagojnë shumë agresivisht. Kur ai mural rikthehet, kjo ndodh në mes të ditës, para syve të policisë dhe kalimtarëve”, thotë Vlladimir Arsenijeviq nga shoqata KROKODIL për REL-in.

Gjykata për kundërvajtje në Beograd ka dhënë disa vendime lirimi për aktivistët kundër të cilëve policia komunale kishte nisur procedime për muralin në Sllavia. Në dy vendime të veçanta nga korriku dhe nëntori i vitit 2024, gjykata ka vlerësuar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer shkelje.

Vlladimir Arsenijeviq thotë se këto vendime duhet të shërbejnë si inkurajim jo vetëm për aktivistët, por për të gjithë qytetarët.

“Nëse një grafit i vendosur ilegalisht, me çdo përmbajtje, shfaqet në fasadën e një ndërtesë, qytetarët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin ta heqin. Kjo është ajo që përpiqemi t’ua transmetojmë qytetarëve – nuk ekziston ndonjë shërbim që do të vijë ta heqë. Këtë duhet ta bëjmë ne vetë”, thotë ai.

Përveç grafiteve që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë në Kosovë, në hapësirën publike të Serbisë mund të shihen edhe murale që lartësojnë kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

Njëri nga më të njohurit u shfaq në rrugën Njegosheva në Beograd në fund të korrikut 2021, një muaj pas dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës së Sërpska në Hagë për krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Të gjitha përpjekjet e qytetarëve dhe aktivistëve për ta hequr nuk patën sukses, sepse autorë të panjohur, për të cilët dyshohet se janë pjesë e grupeve të djathta dhe tifozëve, brenda pak orësh e rikthenin në gjendjen origjinale.

Pas mbulimit nga aktivistët në maj 2023, muralit nuk i është bërë më “ndryshim”.

Organizata joqeveritare Iniciativa e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Serbia) në të njëjtin vit ka dorëzuar mbi 300 kallëzime në shërbimet komunale në dhjetë qytete dhe komuna të Serbisë, duke kërkuar heqjen e muralëve dhe grafiteve që madhërojnë Mlladiqin.

Gazeta austriake: Shtohet presioni ndaj Ramës, opozita do protestojë sërish më 20 shkurt

Të martën në mbrëmje, në kryeqytetin shqiptar, ndodhën përplasje të rënda mes kundërshtarëve të qeverisë dhe policisë. Mijëra njerëz kërkonin në sheshin kryesor dorëheqjen e zëvendëskryeministres, e cila akuzohet për korrupsion. Presioni mbi kryeministrin Rama po rritet

KRONEN ZEITUNG

Demonstruesit hodhën koktej molotovi dhe gurë ndaj një ndërtese qeveritare, ndërsa policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës. Sipas policisë shqiptare, të paktën 16 punonjës të policisë u plagosën dhe 13 persona u arrestuan.

Përplasjet janë të fundit në një seri protestash të dhunshme që po rrezikojnë gjithnjë e më shumë sundimin e kryeministrit Edi Rama që nga viti 2013. Protestat nxiten nga udhëheqësi i opozitës, Sali Berisha. Ai është ish-kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike me orientim të djathtë.

Tensionet politike u përshkallëzuan në dhjetor, pasi një Prokurori e Posaçme ngriti aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo akuzohet se ka ndërhyrë në tenderët publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe ka favorizuar disa kompani të caktuara. Balluku i mohon akuzat.

Rama e quajti pezullimin e saj si një “ndërhyrje brutale në pavarësinë e ekzekutivit”.

Vetë Berisha gjithashtu akuzohet për dhënien e kontratave publike ndaj të afërmve të tij, por e mohon fuqishëm. Ai ka thirrur për protesta të tjera më 20 shkurt. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesa kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. SYRI.NET

France24: Shqipëria përfshihet nga një valë protestash, Rama refuzon të lëshojë Ballukun

Protestuesit antiqeveritarë u përplasën me policinë në kryeqytetin e Shqipërisë, të martën, më 10 shkurt në mbrëmje. Përplasjet ndodhën mes protestave që kërkojnë dorëheqjen e zv.kryeministres kontroverse, Belinda Balluku.

FRANCE24

Demonstruesit në kryeqytetin e Shqipërisë hodhën bomba ndezëse ndaj një ndërtese qeveritare, ndërsa policia u përgjigj me topa uji në protestën e fundit të një serie demonstratash të dhunshme që përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e mandatit të gjatë të kryeministrit Edi Rama, i cili është në pushtet që nga viti 2013.

Gjatë trazirave, katër efektivë policie u lënduan në përleshje, raportoi rrjeti lokal i lajmeve A2CNN.

Tensionet politike janë shtuar që nga dhjetori, pasi një njësi speciale e prokurorisë akuzoi zëvendësen e Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të supozuar në tenderat publikë për projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe favorizim të disa kompanive të caktuara, akuza që Balluku i mohon.

Balluku akuzohet për keqpërdorim të detyrës në një çështje të kontratave publike infrastrukturore, përfshirë pretendime se procedurat e prokurimit janë manipuluar për të favorizuar kompani të caktuara.

Të martën, disa persona hodhën koktej molotov dhe objekte të tjera, dhe policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.

“Një grup zgjodhi forcën në vend të fjalëve, duke sulmuar dhe lënduar efektivë të policisë. Dhuna kurrë nuk mund të justifikohet,” tha ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.

Konflikti politik në Shqipëri përqendrohet tek pavarësia e drejtësisë dhe korrupsioni mes qeverisë, e udhëhequr nga kryeministri socialist Edi Rama, dhe opozitës konservatore.

Protesta e së martës nisi në qendër të Tiranës, kur mijëra mbështetës të Partisë Demokratike (PD) u mblodhën përpara institucioneve kryesore qeveritare.

Prokuroria e Tiranës e pezulloi Ballukun nga detyrat e saj, një masë juridike që u mbështet edhe nga Gjykata Kushtetuese e këtij vendi të vogël ballkanik. Megjithatë, Rama refuzon ta shkarkojë, duke argumentuar se duhet respektuar parimi i pafajësisë.

Duke iu drejtuar mbështetësve të tij, lideri i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për lidhje të thella me rrjete kriminale dhe korrupsion.

“Rama i ka shpallur luftë sistemit gjyqësor, dhe nëse vërtet duam të shpëtojmë Shqipërinë, duhet të largojmë Edi Ramën dhe ta shpallim armikun më të pamëshirshëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë,” tha konservatori, kryeministër nga 2005 deri në 2013.

Rama, i cili qeveris vendin që nga 2013, fitoi vitin e kaluar zgjedhjet parlamentare me shumicë absolute, duke siguruar një mandat të katërt radhazi.

6000 SHQIPTARË TË ZHDUKUR NGA DIKTATURA, PRESIN DREJTËSI ZOTI KRYEMINISTËR! Nga Besim Ndregjoni

 

Kryeministri i Shqipërisë Zoti Edi Rama në podcast e tij (se nuk i mjaftojnë mediat që i paguan vetëm për propogandën e tijë) me lot korkodili deklaroi se nuk prehen të qetë të vrarët e protestës 21 janarit, dhe kërkoi drejtësi për familjarët e tyre. Të kërkojsh drejtësi për një krim shtetror që kryhet ndaj atyre shqiptarve që kan mendim ndryshe, dhe nuk e duan një qeveri, është më se normale, dhe i jap të gjithë mbështetjen time morale qytetare dhe mbështetjen e gjithë ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, bashkëvuajtësve të mi! Por të kërkojsh drejtësi vetëm për ata që ti i ke militantë të partisë tënde, dhe të heshtësh ndaj atyre që ju u mor jeta nga ish partia që trashëgoni ju si Kryeministër, është racizëm politikë, që një Kryeministri nuk i lejohet, përkundrazi tregon urretje klasore ndaj kundërshtarve politikë, për të cilën diktatura i vrau dhe ju mori jetën mbi 6000 qytetarve shqiptarë nga gjithë krahinat e vendit.

Si forcë politike, të heshtësh për tre dekada, ndaj krimit të hidhur tragjik që i ka ndodhur kombit tënd me humbjet e jetëve njerzore të bashkombasve tuaj, është e pa pranueshme në një sistem ku jeta është shejtë, dhe të bën palë me xhelatët që i kryen këto krime.

Heshtja e juaj si Kryeministër, përball genocidit shtetrorë që kreu partia e punës Shqipërisë ndaj 6000 qytetarve shqiptarë që kundërshtonin diktaturën, është këmbanë alearmi për paqen në mes shqiptarve. Këto krime çnjerzore duhet të trondisin shtetin e ashtuquajtur demokratikë dhe duhet të ndërgjegjësojn jo vetëm Kryeministrin, Kryetarin e opozitës, por çdo shqiptar që flet shqip.

Kush ishin këta shqiptarë që u pushkatuan në kohë paqje dhe jo lufte? Ata i kishin dhënë kombit pamvarsinë, kishin ndërtuar shtetin e parë shqiptarë, ishin antifashistat e parë shqiptar ndaj pushtimit fashistë, Ata mbrojtën jetë njerzore Hebrejt, përballë makinerisë çfarosëse të nazizmit, duke rrezikuar jetët e familjeve të tyre. Me veprën e tyre humane e vendosën kombin shqiptarë në plejadën e nderit botërorë! Këta korifej të lirisë, dhe mendimit ndryshe, u vranë që Shqipëria të ishte pjesë e Europës, që vendi të kishte sistem demokratik, që qytetarët të kishin lirinë dhe pronën e tyre.

Këta martirë Zoti Kryeministër sot nuk kan një varr, dhe nuk dihet se ku i kan kufomat.

Jetët e tyre i vrau ideologjia staliniste e diktatorit më famkeq që ka njohtë Europa e pas luftës së dytë botërore krimineli Enver Hoxha. Ajo ideologji që europa e dënoi në vitin 1956, fatkeqësishte vetëm Shqipëria që sundohej nga një parti kriminele staliniste nuk e dënoi.

Dhe forca politike që doli në “90” jo vetëm nuk e dënoi këtë idologji çfarosëse por përkundrazi pranoi të kishte bashkëudhëtare, e sistemit pluralistë partinë që i kreu këto krime. Partia që drejtoni ju Zoti Kryeministër, ndrroi emrin në vitin 1991 dhe u vetquajt parti socialiste dhe që e drejtoni prej 20 vitesh! Këta familje që provuan plumbat, vuatjet dhe burgjet politike dhe dolën në liri në “90” falën që Shqipëria të mos kishte gjak, urretje, por ata kërkuan nga partia e juaj që ti dënoni këto krime. Ju si forcë politike ndoqët një rrugë të gabuar aspak ligjore dhe njerzore dhe që nuk i shërbente pajtimit kombëtar. Nën petkun e demokracisë zgjodhët të mbroni ideologjinë dhe diktaturën në rrugën e pluralizmit.

Ju sjellim në vëmendje para tre muajsh, proklamatën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në shërbim të paqes shpalli Javën antikomuniste në nëndor 2025 ku deklarohej : “Në 34 vitet që nga përfundimi i Luftës së ftohtë , bota ka dëshmuar si triumfin e demokracisë, ashtu dhe këmbguljen e tiranisë në forma të reja. Zërat e rinj përsërisin gënjeshtrat e vjetra, duke i veshur ato me gjuhën e “drejtsisë sociale” dhe “socializmit demokratik”, por mesazhi i tyre mbetët i njëtë: “hiqni dorë nga liria juaj, vendosni besimin tuaj tek pushteti i qeverisë dhe shkëmbeni premtimin e mirëqënjes me ngushëllimin e e zbrazët të kontrollit”. Amerika e refuzon këtë doktrinë të ligë.”

A refuzoi Shqipëria këtë doktrinë të ligë, Jo. Përkundrazi vazhdoi mbrotjen e diktaturës duke u fshehur mbas gënjeshtrave të pjesëmarrjes së komunistave në luftën e dytë botërore! Shqipëria heshti ndaj krimeve të diktaturës, Dy forcat politike PS dhe PD “formalisht” në 90 e shpallnin veten antidikaturë, por gjatë tre dekadave nuk e dënuan diktaturën me ligj.

Dhe zgjodhën heshtjen ndaj krimeve makabre të partisë së diktatorit Enver Hoxha.

Mbas 35 vitesh sot janë ndërtuar institucjone” formale”demokratike, por të komanduar nga partia shtet. Sot zgjedhjet janë monopol të partisë dhe jo të popullit. Nga një “shtet demokratik ku menduam në 90 të ndërtonim,” sot jemi kthyer në një shtet ideologjik partiak. Vlerat e indivitëve i përcaktoni Ju si Kryeministër, dhe jo kontributi i qytetarëve ndaj kombit. Nqs nuk i përket partisë tënde, dhe jetën ta japish për kombin nuk mund të quhesh atdhetar, por armik. Edhe diktatura Zoti Kryeministër, bënte zgjedhje “formale” me 99% votusish, e njëta gjë po ndodh tani në venditn tonë. Dy Parti kan kapur sistemin demokratikë, dhe e kan kthyer në një sistem partiak, dhe nuk e lënë as të jetoi as të vdesi.

Nqs nuk ke lidhje me diktaturën, kundërshtarit politikë nuk i lejohet të votohet, jo ma të drejtoj institucjone. Sot drejtsia është në kllapi të pushtetit ekzekutivë. Shoqëria civile, media, nqs nuk i shërbejnë pushtetit do të penalizohen. Sindikatat nuk ekzistojnë se nuk ka ekonomi tregu, por ekonomi formale dhe aspak kapital dhe bisnese që i shërbejnë zhvillimit të vendit.

Militantët që u vranë me 21 janarë , janë shqiptarë dhe duhet drejtësia të veproi!

Dhe ata djem që u vran në Vlorë në 97 nga forcat militante të partisë tuaj janë shqiptarë dhe ata duan drejtsi. Por partia e juaj Z.Kryeministër ata që vranë Besnik Hidrin, dhe Lekë Çokun që ishin të përndjekur politikë, vrasërit i banë deputetë!

Mbi 6000 shqiptarë të vrarë dhe zhdukur kufomat. 35 vite presin drejtsi Z. Kryeministër!

Sot mbas 35 vitesh 6000 qytetar bashkombas tuaj janë shqiptarë, nuk kan një varr për ti nderuar se këta martirë të lirisë nuk janë militantë politikë të forcës tënde politike!

6000 familje shqiptare, nuk kan një ditë kujtese siç e kan hebrejtë, për të i nderuar jetët e tyre. Mbi gjakun e pafajshëm të këtyre korifenjve ju politikanët e pas 90 nuk zgjodhët Kujtesen , por harresën. Këta 6000 shqiptarë kërkojnë drejtsi Zoti Rama dhe drejtuesi i opozitës Dr. Berisha. Heshtja e pozitës dhe opozitës ndaj krimit të zhdukjes së kufomave të mbi 6000 shqiptarve ju ban bashkëfajtor para shoqërisë dhe kombit shqiptar!

Të fshehur nën petkun e demokracisë luftuat për tre dekada të fshinit krimet kundra njerzimit! Dhe as nuk skuqeni, e as nuk zverdheni si shqiptar, por silli si sundues barbar, ndaj këtyre familjeve, vetëm se ato kundërshtuan diktaturën.

Familjarë e të zhdukurve skërkuan hakmarrje, por vetëm drejtsi! Sjellja e pushtetit ndaj këtyre familjeve, duke ju mohuar të drejtat më elementare të gjetjes së kufomës, është krim që sjell pasoja.

Të mendojsh se me anën e pushtetit mund të i fshish krimet dhe mund të friksojsh shqiptarët të bën bashkëfajtor me xhelatët e djeshëm që i ekzekutuan këto krime ndaj qytetarve që kërkonin Liri. Ku vemi Zoti Kryeministër? Pse hesht Dr. Berisha, ndaj krimit komunistë.

E verteta Zoti Kryeministër nuk mbulohet me pushtet as me dhunë, ajo është e hidhur por na ban qytetar të lirë të këtij vendi! Si mund ta keni ndërgjegjen të qetë kur mbi 6000 shqiptarë nuk kan mundësi të ndezin një qiri, apo të bëjnë një lutje për Gjyshin, babain, nënën, motrën , vëllain, dajën. A mund të ketë paqe Shqipëria ku ka 6000 shqiptarë janë të zhdukur.

Ku lotët e atyre familjeve nuk janë tharë, dhe Ju si drejtues të këtij vendi nuk nderonin jetët e tyre.

Sot publikishtë të bëj thirrje publike, Ju si Kryeministër, dhe Dr. Berishës si Kryetar i opozitës, në emër të të zhdukurve të komunizmit kërkoni falje publike, familjeve të 6000 të zhdukurve të partisë punës Shqipërisë. Mos pengoni ligjin për të denuar krimet e komunizmit! E kundërta që keni bërë deri tani, dhe ju kan njollosë para kombit për heshtjen tuaj. Gjaku nuk bëhet ujë thotë një fjalë e urtë shqiptare.

Drejtësi për të gjithë shqiptarët që i vrau politika enveriste për interesa të sajë!

Si katër të vrarët e 21 janarit, dhe 6000 të vrarët e të zhdukurit kufomat janë shqiptarë, bashkombasit tuaj dhe kërkoju falje dhe jepuni drejtsi! Drejtësia ndaj këtyre shqiptarve na fut në Europë, se këto ishin lajmëtarët e parë të europës në një kohe kur Shqipëria nuk mund të merrte frymë.

Kemi 35 vite që presim drejtësi për të zhdukurit, është detyra jote si Kryeministër, dhe e opozitës që drejtohet nga Dr. Berisha ta dënoni krimet e komunizmit, të kërkoni falje, dhe ta dërgoni shoqërinë drejt një pajtimi kombëtar. Kur drejtsia të veprojë e barabartë, Shqipëria do të ketë liri dhe paqe!

Besim Ndregjoni

 

 

´Shqiptarët duan ndryshim´, Burimi: Rama njëjtë si Vuçiçi e Putini, duhet datë e re zgjedhjesh!

Analisti Genc Burimi ka bërë një paralelizëm të fortë mes retorikës së përdorur nga qeveria shqiptare pas protestës së fundit dhe asaj të përdorur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme politike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

I ftuar në emisionin ´Kafe Shqeto´ në Syri Tv, Burimi tha se populli është i vendosur për ndryshim, teksa pamjet e dhunës rrezikojnë të përsëriten nëse nuk ka një kthim në dialog.

Burimi kritikoi ashpër edhe gjuhën e përdorur nga zyrtarët qeveritarë, duke vënë në dukje se termat si “terroristë” dhe “barbarë”, të përdorur për protestuesit, janë pjesë e një fjalori identik me atë të përdorur nga Vuçiç ndaj protestuesve në Serbi dhe nga Putini. “Është ekzakt i njëjti fjalor,” theksoi Burimi, duke shtuar se kjo retorikë është “trashanike” dhe “qesharake”, pasi nuk do të arrijë të frenojë vendosmërinë e masave popullore.

Analisti i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që t’i kthehet politikës dhe negociatave, duke sugjeruar se zgjidhja e vetme është një rikthim tek sovrani përmes zgjedhjeve të reja. “Kjo që pamë dje politikisht tregoi se këta njerëz janë sot të vendosur t’i shkojnë në fund këtij muhabeti,” u shpreh ai, duke nënvizuar se protestuesit kërkojnë një rikthim të legjitimitetit te populli.

Burimi paralajmëroi se protestat janë një element i pashmangshëm i demokracisë dhe do të vazhdojnë, pavarësisht se cila forcë politike është në pushtet. “Politikisht sot dhe njëherë, ky popull kërkon ndryshim,” përfundoi ai.

Është e rrallë të shohësh, të paktën në perëndim politikanë të zgjedhur populli që shkojnë atje ata dhe dhe rrezikojnë edhe jetën e tyre. Me këto pamje që shikon, rrezikon jetën dhe unë i bëj, me këtë rast thirrje Edi Ramës të bëjë kujdes sepse një moment duhet një zgjidhje politike, sa më shumë të vazhdojë kështu dhe kjo që pamë dje politikisht tregoi se këta njerëz janë sot të vendosur t’i shkojnë në fund.

Të ketë në Shqipëri një rikthim tek sovrani për zgjedhje të reja. Pra Edi Rama t’i kthehet politikës, negociatave, të fiksojë një datë të re për zgjedhje, për qeveri teknike, në mënyrë që këto pamje që pamë dje mos të ripërsëriten. Kjo që bën kjo qeveri janë gjëra që të thuash janë kaq gjëra të trashanike, që ju ka dalë boja.

Po të marrim parasysh fjalorin e përdorur dje nga ministrja e Brendshme apo dhe nga vetë kryetari i grupit parlamentar të PD të PS-së, Taulant Balla, dëgjuam fjalët terroristë, barbarë, fjalët edhe më keq akoma, për krahasim, është ekzakt i njëjti fjalor i përdorur nga Vuçiq në Serbinë fqinje, ndaj protestuesve në Serbi ku i trajtonte terroristë, të shitur tek të huajt. Në të njëjtin fjalor si tek Putini, si tek Vuçiqi, po që nuk do shkojnë më larg sepse sa më shumë t’i përdor këto fjalorë, aq më shumë masat popullore ndihen të vendosura për të shkuar dhe më larg.

Janë metoda qesharake sepse metoda e infiltrimit që sapo u tha e demonstruesve nga elementë të policisë, janë përdorur dhe te neve. Duhet një komision parlamentar që të rregullohen me ligj; sepse në demokraci protestat do jenë të vazhdueshme. Edhe nëse do fitojë PD-ja prapë pushtet, prapë do ketë protesta. Politikisht sot dhe njëherë ky popull kërkon ndryshim.

Ekathimerini: Përleshje në Tiranë gjatë protestës kundër korrupsionit

GREQI- Mediat greke i kanë kushtuar një artikull protestës së madhe të Opozitës në Tiranë. ‘Ekathimerini‘ shkruan se mijëra njerëz u mblodhën në protestë për shkak të korrupsionit në vend.

Gazeta greke ka raportuar se forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve, ndërkohë që mijëra përkrahës të Opozitës kërkojnë dorëheqjen e qeverisë shqiptare.

Artikulli i Plotë:

Protestuesit antiqeveritarë u përleshën me policinë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të martën vonë, ndërsa mijëra njerëz u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Demonstruesit hodhën bomba molotov drejt një ndërtese qeveritare dhe policia u përgjigj me topa uji, në një seri protestash të dhunshme që përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama, i cili ka ardhur në pushtet që në 2013.

Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e prokurorisë speciale ngriti padi ndaj zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuar në tenderët publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara, akuza që Balluku i mohon.

Mijëra njerëz në sheshin kryesor në Tiranë mbanin flamuj dhe banderola dhe brohorisnin “Rama shko në shtëpi, kjo qeveri e korruptuar duhet të japë dorëheqjen.” Policia speciale me pajisje për trazira mbronte ndërtesën e qeverisë.

Zyra e Prokurorisë Speciale, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i ka kërkuar parlamentit të heqë imunitetin e Ballukut këtë javë për të mundësuar arrestimin e saj. Nuk është e qartë se kur pritet të votojë parlamenti, ku partia qeverisëse e Ramës mban shumicën, ose nëse nuk do ta votojë fare./Dosja.al

“Balluku e akuzuar për abuzime me tenderat”- “Al Jazeera” jehonë protestës së opozitës: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës pas skandaleve të mëdha të korrupsionit

Protesta e opozitës në Shqipëri ka marrë vëmendjen e shumë mediave të huaja. Al Jazeera shkruan se “Policia në Shqipëri ka qëlluar me ujë dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve jashtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa demonstruesit kërkonin dorëheqjen e tij pas një skandali të madh korrupsioni.

 

“Protestuesit hodhën kokteje Molotov dhe fishekzjarrë ndaj policisë të martën në mbrëmje, e cila shpërndau turmën me uji dhe gaz lotsjellës. Përleshje ndodhën edhe pranë ndërtesës së parlamentit të Shqipërisë”, shkruan Al Jazeera.

Media raporton se më tej se “Pakënaqësia politike ka qenë në rritje që nga nëntori, kur prokurorët pretenduan se Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila është gjithashtu ministre e energjisë dhe infrastrukturës e Shqipërisë, kishte ndërhyrë në prokurimin e kontratave të ndërtimit të qeverisë.

Protestuesit thonë se duan që si Rama ashtu edhe Balluku të largohen. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje që parlamenti të pezullojë imunitetin e Ballukut në mënyrë që ajo të përballet me ndjekje penale”.

Më shumë se 1 300 policë u vendosën në demonstratën e së martës, vetëm dy javë pas një tjetër tubimi të dhunshëm në Tiranë. Të dyja protestat u thirrën nga Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike në opozitë dhe ish-kryeministër, thuhet ne shkrimin e Al Jazeera. gsh

Media britanike jehonë protestës së opozitës: Gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve

Mediat britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull protestës së djeshme që mbajti opozita në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në artikull ku përmendet dhe fakti që ndaj protestuesve u përdor gaz lotsjellës dhe ujë.

ARTIKULLI
Policia e rendit ndërhyri me gaz lotsjellës dhe topa uji mbrëmjen e së martës në Tiranë, pasi protesta e opozitës kundër qeverisë u shoqërua me incidente dhe përplasje. Sipas autoriteteve, një pjesë e demonstruesve hodhën kokteje Molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të sigurisë. Mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të kryeqytetit duke kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Pamjet nga protesta treguan momente tensioni, me flakë dhe mjete piroteknike të hedhura drejt kordonit policor.

Policia bëri të ditur se 16 protestues përfunduan në spital me djegie dhe lëndime të tjera, ndërsa 13 persona u arrestuan gjatë tubimit. Protesta vjen në një kohë kur qeveria përballet me akuza për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit e akuzon atë për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik në favor të kompanive të caktuara dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj parlamentar — një vendim që mund të merret vetëm me votim në Kuvend. Kryeministri Rama ka refuzuar thirrjet për shkarkimin e saj.

Kjo ishte protesta e tretë në muajt e fundit me kërkesë për dorëheqjen e Ramës. Mbi 1,300 efektivë policie ishin angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë. Edhe tubimet e mëparshme janë shoqëruar me incidente të ngjashme, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën si një “kryengritje paqësore”, duke akuzuar kryeministrin se “i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë”. Ndërkohë, analisti politik Mentor Kikia u shpreh skeptik për efektin e protestave, duke theksuar se klima politike në vend mbetet e polarizuar dhe se qytetarët ndihen të zhgënjyer nga alternativa politike.
Shqipëria vijon procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe synon përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, por organizatat ndërkombëtare theksojnë se korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore për vendin.bw

“Balluku u pezullua për korrupsion e shkelje të barazisë në tendera”, media greke: Molotovë, gaz lotsjellës dhe dhjetëra të plagosur! Ç’ndodhi në protestën e opozitës në Tiranë

Përleshje me policinë ndodhën në një demonstratë të re antiqeveritare në Tiranë, të organizuar nga opozita nën drejtimin e Sali Berishës, me dhjetëra të plagosur dhe të ndaluar, ndërsa klima politike në Shqipëri mbeti veçanërisht e tensionuar.

Kështu e ka nisur media greke Newsbomb.gr artikullin e saj në lidhje me atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në kryeqytetin shqiptar, në protestën e opozitës që përfundoi me molotovë, gaz lotësjellës dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

“Një demonstratë e re antiqeveritare, gjatë së cilës shpërthyen incidente midis protestuesve dhe policisë, u zhvillua të martën në mbrëmje në Tiranë. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, në ndërtesat qeveritare dhe Parlamentin e Shqipërisë u hodhën gurë dhe kokteje molotovi.

Policia njoftoi se të paktën 16 anëtarë të saj u plagosën, ndërsa 13 persona u arrestuan gjatë demonstratës, e cila u thirr nga ish-kryeministri i krahut të djathtë, një figurë dominuese e opozitës, Sali Berisha, një kundërshtar historik i socialistëve të kryeministrit aktual Edi Rama. Mbështetësit e Berishës kishin marrë pjesë në një demonstratë në fund të muajit të kaluar, të shtunën, më 24 janar. Edhe kjo demonstratë u shënua nga përleshje midis mbështetësve të tij dhe policisë.

Duke mbajtur pankarta me slogane të tilla si “Shqipëria, një vend me një parti”, apo pankarta me foto e Ramës dhe zëvendës kryeministres Belinda Balluku e cila akuzohet për korrupsion, mbështetësit e opozitës u mblodhën mbrëmë në qendër të kryeqytetit shqiptar.

Trazirat shpërthyen shpejt, ndërsa një pjesë e turmës hodhi kokteje Molotov, gurë dhe bomba tymi drejt ndërtesave të qeverisë dhe Parlamentit, të cilat ruheshin nga forca të forta policore.

Berisha raportoi mbrëmë se një deputet nga partia e tij u plagos dhe u shtrua në spital.

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu akuzoi protestuesit që shkaktuan incidentet se i përkisnin “krimit të organizuar”.

Jeta politike shqiptare është karakterizuar për dekada të tëra nga tensione, konflikte, madje edhe brenda Parlamentit, dhe akuza të ndërsjella midis dy partive në pushtet, qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë, për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

81-vjeçari Berisha është akuzuar personalisht për prokurim publik të paligjshëm, diçka që ai e ka mohuar kategorikisht.

Ndërkohë, qeveria e Ramës është e përfshirë nga skandalet. Të premten, Gjykata Kushtetuese konfirmoi shkarkimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një bashkëpunëtore e ngushtë e Kryeministrit Rama, për shkak të rolit të saj të dyshuar në një rast korrupsioni, i cili në këtë rast lidhet edhe me dhënien e tenderave.

Sali Berisha ka bërë thirrje për një tubim të ri më 20 shkurt”, thuhet në artikull. bw

“Opozita sërish në shesh në Tiranë, përplasje me policinë”- DW: Berisha bëri thirrje për vijimin e protestave deri në largimin e Belinda Ballukut

Fjalime politike, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, molotovë, mjete piroteknike, ujë dhe gaz lotsjellës. I njëjti skenar i protestave të mëparshme e riktheu opozitën në sheshin përpara Kryeministrisë.

 

Ndryshe nga protesta e 24 janarit, tensionet këtë herë ishin më të forta dhe rezistenca më e gjatë. Prej orës 17:00, mbështetësit e opozitës u grumbulluan përpara Kryeministrisë në pritje të fjalimeve dhe nisjes së protestes. Kulmi i saj u shënua me fjalën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha,i cili e cilësoi situatën politike si “momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit”. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij për vijimin e protestave deri në largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe rrëzimin e qeverisë “Rama”.

“Për të votuar të lirë, të ngrihemi, të largojmë Ramën nga pushteti, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Berisha.

Fill pas fjalës së tij, drejt godinës së Kryeministrisë u hodhën molotovë dhe mjete piroteknike. Ndërsa Berisha valëviste flamurin kombëtar nga podiumi, protestuesit u përplasën me forcat e policisë, të cilat ndërhynë për të neutralizuar situatën.

Përplasjet u intensifikuan më pas pranë Kuvendit te Shqipërisë, ku përveç molotovëve dhe përplasjeve fizike u përdor edhe gaz lotsjellës si kundërpërgjigje nga forcat e policisë. Sipas autoriteteve, 16 efektivë policie mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, si pasojë e djegieve nga molotovët. Në Spitalin e Traumës përfundoi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, i cili u plagos gjatë përplasjeve.

Berisha: Protestat do të vijojnë
Pas shpërndarjes së protestuesve nga policia, kreu i Partisë Demokratike paralajmëroi zhvillimin e një proteste të re më 20 shkurt. “20 shkurti është dita jonë, dita e fitores. Nderim protestuesve, fitore!”, deklaroi Berisha, duke sinjalizuar vijimin e aksionit opozitar.

Ky aksion i radhës i opozitës vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe la në fuqi pezullimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për zëvendëskryeministren Belinda Balluku./DW

ANSA – Agjencia italiane e lajmeve jehone protestës së opozitës: Një deputet u dhunua, dhjetra protestues u arrestuan

Kokteje molotovi ranë si shi mbrëmjen e sotme në Tiranë mbi selinë qeveritare të kryeministrit socialist Edi Rama, pas protestave të opozitës së qendrës së djathtë të udhëhequr nga ish-Kryeministri dhe Kreu i Shtetit Sali Berisha.

Përfundimi i fjalimit të tij ishte u shoqërua me tensione.

Ndërtesa qeveritare u godit gjithashtu nga fishekzjarre të fuqishme. Policia që ruante ndërtesën ndërhyri menjëherë. Thirrjet e përsëritura për qetësi, të drejtuara me anë të megafonit drejtuar protestuesve, u pasuan nga vendosja e topave me ujë, të cilët zbrazën sheshin përpara ndërtesës qeveritare. Disa minuta më vonë, disa qindra protestues u rikthyen, duke u përpjekur të thyenin kordonin e dendur të policisë të vendosur përpara ndërtesës. Një grup tjetër thuhet se u drejtua drejt ndërtesës së parlamentit.

Opozita po bën thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, duke e akuzuar atë si përgjegjës kryesor për “korrupsionin e përhapur”. Zëvendëskryetarja e qeverisë dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është hetuar për abuzime të dyshuara në të paktën tetë tendera me vlerë qindra miliona euro. Zyra e prokurorit ka kërkuar pezullimin e saj nga detyra, si dhe autorizimin parlamentar për arrestimin e saj.

Më tej ANSA raporton edhe për dhunën e ushtruar ndaj deputetit të opozitës Beldion Nallbati, shoqërimin e dhjetra protestuesve në komisariate dhe lëndimet e disa efektivëve të policisë.


Send this to a friend