VOAL

VOAL

Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe – Nga Anila Omari

May 15, 2018
blank

Komentet

blank

Eksperti Kurt Bassuener: Dhuna në Zveçan ndaj KFOR-it është dirigjuar nga Beogradi

Nga këndvështrimi i analistëve ndërkombëtarë, situata në veri të vendit cilësohet e dirigjuar nga Beogradi.

Kështu thotë edhe politologu Kurt Bassuener, i cili është marrë me zhvillimet në Ballkan për një kohë të gjatë. Ai thotë se themelimi i Asociacionit ka për qëllim ta fuqizojë Beogradin, në mënyrë që nëpërmjet tij si instrument, ta mbajë nën kontroll tensionimin dhe shtensionimim e situatës.

Politologu Kurt Bassuener është bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, me qendër në Berlin, i themeluar në vitin 2005.

Gjatë studimeve, ai është marrë kryesisht me zhvillimet në Ballkan, përkatësisht në Bosnjë dhe Në Maqedoninë e Veriut. Për zhvillimet në Kosovë, Bassuener thotë se ajo çka ndodhi në Zveçan, origjinën e ka në Beograd, raporton RTKlive.

Ndërkohë Asociacionin, Bassauener e sheh të paqartë aktualisht, por sipas tij, qëllimi i Serbisë është që nëpërmjet asociacionit ta kontrollojë veriun e Kosovës, në mënyrë që nëpërmjet tij të rrisë dhe të ulë tensionet.

‘Është e qartë se diçka e koordinuar si dhuna në Zveçan kundër trupave të KFOR-it ka qenë e drejtuar nga Beogradi, nuk ka ndonjë dyshim për këtë, sepse ka shumë dëshmi që shpien në atë drejtim. Marrë parasysh edhe tentimin për t`i përsëritur zgjedhjet në ato komuna, kjo është një përpjekje të cilën Perëndimi po e mbështet për t`i dhënë Serbisë një ripërpjekje përmes Listës Serbe në zgjedhjet në të cilat nuk kanë marrë pjesë. Sa i përket Asociacionit, është i ngjashëm në disa mënyra me Republikën Serbe ose mund të jetë, është ende e padefinuar. Ajo çfarë dëshiron Serbia është e qartë se janë shtigjet për të kontrolluar përtej Ibrit si reagues konflikti për t`i ulur dhe rritur tensionet sipas dëshirës. Dhe kjo është diçka për të cilën Prishtina duhet të jetë mjaft e shqetësuar’, tha ai.

Bassuener thotë se Perëndimi po ndërton politika për ta kënaqur Serbinë, që ta përfitojë si aleat kundër Rusisë.

“Ka edhe modele të tjera të cilat nuk janë diskutuar, por ajo që unë shoh si më shqetësuesen për këtë situatë është që Perëndimi nuk po u adresohet publikut në Kosovë dhe Serbi, dhe është plotësisht i koncentruar në liderët e këtyre dy vendeve. Për të arritur një marrëveshje, edhe mund t`u drejtohet kështu, por nëse argumenti i Perëndimit është që kjo është për demokraci , atëherë do të ishte mirë të dëgjonim diçka për demonstratën kundër dhunës në Beograd, si dhe për dhunën që ka ndodhur në Zveçan dhe prej nga ka ardhur. Fatkeqësisht Perëndimi ende mbetet i përkushtuar në përpjekjet për të ndërtuar politika duke e kënaqur Serbinë, deri në përpjekje që ta rifitojnë nga kundërshtarët gjeopolitikë, posaçërisht Rusisë dhe mendoj se ky do të jetë qëllimi’, tha ai.

Image

blank

Një herë kolaborator – përherë kolaborator- Opinion nga Sadri Ramabaja

Dy udhëheqësit e shërbimit sekret të Serbisë, Jovica Stanishiqi dhe Franko Simatoviqi, morën dënimin meritor për krimet që formacionet ushtarake dhe ato të sigurisë të Republikës së Serbisë kanë kryer gjatë luftës në Bosnjë dhe Kroaci.

I pari [Stanishiqi] për opinionin publik është stivuar në kujtesë edhe si personi që ka terrorizuar një lagje të mirë të figurave publike dhe intelegjencës kosovare. Natyrisht me ndihmën e rrjetit të bashkëpunëtorëve të tij.

Në esenë e tij të fundit me titull “I Akullti dhe Frenki dënojnë Serbinë”, të publikuar në gazetën Koha, publicisti kosovar Veton Surroi, na kujton se Stanishiqi ka mbetur në kujtesë të opinionit “më së shumti për një episod”. Në këtë epsisod, “Shërbimi i sigurimit shtetëror serb siguroi bashkëpunimin e një personi publik shqiptar [që vazhdon të jetë publik edhe sot] në mënyrë që të hapet një kanal komunikimi me persona me ndikim politik ndër shqiptarë. Qëllimi ishte që të krijohej një platformë që do të largonte shqiptarët nga konsensusi për pavarësi.”

Në bisedat që kisha me Mahmut Bakallin gjatë luftës, në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe më pas, por edhe pasi ishim kthyer në Prishtinë, pasi ai qe ngarkuar me detyrën e këshilltarit politik në Zyrën e kryemnisitrit Haradinaj, derisa unë kisha detyrën e Zyrtarit të lartë politik, më ka rrëfyer se si ky person publik [fjala është për Baton Haxhiun], tri herë i ka vajtur në banesë dhe i ka bërë presion që ta pranojë ftesën për të vajtur në Brezovicë në takimin me Jovica Stanishiqin.

Në këtë insistim, nuk kishin munguar as kërcnimet e drejtpërdrejta.

Prandaj gjatë bisedave, z. Bakalli nuk e fshehte asnjë herë mllefin që kishte për personin e BH në tërë këtë histori dhe atë pasuesen, kur një delegacion i drejtuesve të LDK-së tok me Bakallin do të detyroheshin të shkonin tashmë në audiencë tek shefi i Stanishiqit në Beograd – te Sllobodan Milosheviqi.

Këtë që e pohon zoti Surroi lidhur me qëllimin e këtij shërbimi – për krijimin e një platforme që do të largonte shqiptarët nga konsesusi për pavarësi, ma kishte pohuar edhe i ndjeri Mahmut Bakalli, që besoj ta ketë nënvizuar enkas në kujtimet e tij.

Por, atë që nuk do t’ia arrinte dot Baton Haxhiu gjatë luftës, duke ju bashkuar presionit psiqik e fizik ndaj të ashtuquajturës alternativë politike në Kosovë në prag të shpërthimit të luftës së UÇK-së dhe më pas, duket se ia ka arritur duke qenë në kondita më të mira ndërkohë si i pozicionuar mirë në cilësinë e këshilltarit politik të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z Edi Rama, jo vetëm në procesin e krijimit të Ballkanit të Hapur, por edhe krijimit tashmë të një platforme politike – blloku politik të veçantë opozitar në Prishtinë dhe Tiranë, në raport me Qeverinë Kurti e që ndërlidhet kryekreje me veriun e Kosovës.

Konstatimi edhe i Gjykatës Ndërkombëtare për fajësinë e Serbisë në raport me krimet e kryera në Bosnjë e Kroaci, rrjedhimisht edhe në Kosovë, meqë kjo dyshe që u dënua ishte bartëse e plojës dhe gjenocidit në Kosovë, do të duhej të reflektonte gjithësesi edhe në politikën kosovare, konkludon me të drejtë z Surroi.

Por, përkundrazi, në Kosovë dhe rreth Kosovës, edhe me shërbimet e Baton Haxhiut me Co, tutje, po vazhdon lufta speciale me intenzitet të shtuar për të krijuar destabilitet politik dhe parakushte për krijimin e një platforme politike të re që do të shkonte në shërbim të idesë për “t’ia kthyer dhuratat e Rankoviqit” Serbisë, pavarësisht se Veriu i Kosovës është jetik për Republikën dhe do të duhej cilësuar ashtu si është: interes jetësor i Kombit.

Rruga Press

blank

FOTOT- Osmani: I madhi Kadare mori Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, nderim nga populli i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar pak minuta më parë, një album nga ceremonia e dekorimit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare në Prishtinë.

Vjosa Osmani e nisi shënimin e saj në Fb duke cituar fjalët mbresëlënëse të Kadaresë në ceremoni: “Mbledhja jonë në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave të Ballkanit tregon këtë triumf të gjatë shekullor të kombit shqiptar. Nga një triumf i tillë asnjë komb nuk heqë dorë. Ky është një triumf për veten e vetë, për lirinë e vetë, për gëzimin e vetë, për të ardhmen e vetë. Me një fjalë është një triumf për atë që quhet qytetërim njerëzor universal i kësaj bote ku jetojmë.”

Presidentja më pas tregoi se me këto fjalë, “shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, pranoi sot Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, të cilin pata nderin t’ia ndajë në emër të popullit të Kosovës. Ky Urdhër i është ndarë për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës, shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar.”

Image

Image

Image

Image

Image

blank

Pse habiteni me Lulzim Bashën?- Nga Milaim Nela

A e harruat ‘kuvendin’ me freshista të 5004 delegatëve të Jeminit në 1958 karrige?

A e harruat blindimin me mbi 2 ton hekur e blinda të ambienteve të selisë së Partisë Demokratike?

A i harruat kapuçzinjtë që qëndruan brenda selisë së PD-se me ditë e netë të tëra?

A e harruat mbledhjen e stisur të kryesisë dhe skenat viktimizuese të Grida Dumës me 8 Janar?

A e harruat gazin helmues të banditëve të Bashës dhe atyre të shtetit të Edvin Ballës që i rrahu demokratët e thjeshtë duke mos kursyer as fotografët (e kujtoni Felix Bilanin?) që u ndoqën nga bandat qeveritare deri në bulevardin qendror?

A e harruat ndërhyrjen e banditëve të forcave speciale bash në momentin e hapjes së dyerve të blinduara?

A i harruat prononcimet ‘anti-Ramë’ të Gaz Bardhit në mbrëmjen e 8 Janarit i mbrojtur po nga bandat e tij e të shtetit rilindas?

A e harruat Flutura Açkën që i quante shpellarë kolegët dhe votuesit e saj që veç kërkonin të futeshin në selinë e partisë së tyre pa i prekur askujt asnjë fije floku!?

A i harruat fushatat e Bashës para 6 marsit të vitit të kaluar që ruhej nga policët e Ramës e sallat i mbushte me autobusët e sektit rilindas?

A i harruat apelimet e Alibej Bashës në kundërshtim me çdo ligj të shkruar për një çështje ku as nuk ishin palë?

A e harruat mbrojtjen dhe avokatinë e gjithë llumit të patronazhistëve mediatikë ndaj këtij grupi delenxhinjsh që nuk kanë as kryetar as forume as anëtarë por janë vetëm disa mercenarë të paguar të regjimit e takimet i bëjnë në skuta pallatesh?

A i harruat votimet që këta delenxhinj mercenarë ju bënë ligjeve të Ramës dhe komisioneve të vetingut të ‘drejtësisë’ yurikimiane?

A i harruat shërbimet e paprecedenta që këta mercenarë i bënë regjimit në zgjedhjet e 14 Majit duke u vënë në shërbim të hapur të mafias rilindase e të gjithë luftën në fushatë e zhvilluan jo ndaj regjimit por ndaj Sali Berishës?

A e kuptoni o shqiptarë se lufta ndaj Sali Berishës nuk është luftë ndaj individit Sali Berisha por është luftë ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës për të favorizuar mbretërimin mafioz të Edi Ramës për interesa edhe të Serbisë së Vuçiçit ?

A nuk e keni parë që asnjë nga grupi i Vulës nuk konteston farsën e 14 Majit por vetëm se fajësojnë Sali Berishën për gjendjen ku opozita është sot!?

Asnjë iluzion se ata do heqin dorë nga misioni i tyre për shkallmimin dhe shkërmoqjen e PD-së!

Asnjë!

Edhe këta që demek u dhunuan mbrëmë nga grupi mafioz i Bashës vazhdojnë të jenë në luftë ndaj Sali Berishës sepse janë të rekrutuarit e ambasadave e nuk ju plas fare as për demokratët e as për shqiptarët!

Ama fare fare!

A e ndoqët gjuhën plot vrer të Jorida Tabakut që dha demek dorëheqje nga posti që nuk ekzistonte e që hodhi helm ndaj Sali Berishës edhe pse nuk e përmendi me emër pas asaj ngjarje së cilës po i jepet rëndësi e pamerituar nga media!

Pse habiteni nga cicërimat e Lulzim Bashës?

A është hera e parë që dëgjoni broçkulla të tilla!?

Nga banditët nuk pritet veçse banditizëm!

Hajr nga të pahajrit nuk pritet!

Besë nga të pabesët nuk ka!

Mos u habisni nga kërmat!

blank

Çfarë kanë biseduar Lajçaku dhe Escobari me opozitën në Prishtinë?

Bekim Bislimi

Nuk ka pasur kërkesa eksplicite ndaj partive opozitare në Kosovës nga ana e të dërguarve të posaçme të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, dhe të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, thonë zyrtarët e këtyre partive.

Lajçak dhe Escobar, më 6 maj, u takuan me liderët e tri partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Siç thonë zyrtarët e këtyre partive, në takim me diplomatët perëndimorë, kanë diskutuar lidhur me krizën aktuale në veri të Kosovës dhe kërkesat e Perëndimit ndaj Qeverisë së Kosovës për të dalë nga gjendja e krijuar atje.

Njohësi zhvillimeve politike, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare Lëvizja Çohu, beson se Lajçak dhe Escobar kanë diskutuar me partitë opozitare edhe për mundësitë alternative për të dalë nga situata e krijuar.

Kriza në veri, por edhe në raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë, kanë nisur si pasojë e veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilët me ndihmën e policisë kanë mundësuar hyrjen në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të kryetarëve të rinj shqiptarë, më 26 maj.

Ata janë kundërshtuar nga qytetarët serbë në komunat në veri të Kosovës, të cilët kanë bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të këtyre komunave. Kundërshtimet janë manifestuar me protesta, të cilat kanë rezultuar me përplasje të protestuesve më Policinë e Kosovës, por edhe më pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, më 29 maj, ku pati disa dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.

Lajçak dhe Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, më 5 dhe 6 qershor, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Të dy diplomatët perëndimorë kanë thënë se lidhur me këto kërkesa, presin një përgjigje nga kryeministri Kurti, deri ditën e premte.

Të dy emisarët kanë vizituar edhe Beogradin dhe kanë kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, qetësimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe që ai të ndikojë te qytetarët serbë atje për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja lokale.

Për pasojat “është biseduar sipërfaqësisht”

Vlora Çitaku, nënkryetare e partisë më të madhe opozitare, PDK, thotë për Radion Evropa e Lirë se takimi me Lajçakun dhe Ecobarin ka qenë i rregullt. Takimi, sipas saj, ka qenë në frymën e informimit rreth zhvillimeve aktuale politike në Kosovë, si dhe “për ngritjen e alarmeve të shqetësimit për raportet e rënduara ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj”.

Se a është folur lidhur me masat eventuale që BE-ja dhe SHBA-ja mund të marrin ndaj Kosovës në rast se Kurti nuk i pranon kërkesat e partnerëve perëndimorë, Çitaku nuk ka specifikuar se për çfarë masash eventuale është biseduar.

“Është folur vetëm sipërfaqësisht. Sigurisht që ne kemi kërkuar që Kosova mos të pësojë për shkak të një njeriu. Kosova është më e madhe se një individ dhe nuk i takon një njeriu dhe Kosova nuk duhet ta paguajë çmimin e sjelljes amatoreske dhe aventureske të kryeministrit Kurti”, thotë Çitaku.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson se në takimin me Lajçakun dhe Escobarin është folur për shqetësimet lidhur me situatën në veri të vendit dhe për ngërçin e krijuar në raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë. Ai thotë se nuk është folur shumë për pasojat e mundshme për Kosovën në rast se kryeministri Kurti nuk pranon kërkesat e këtyre partnerëve.

“Ky ballafaqim i ndërmjetësit ndërkombëtar dhe të dërguarit amerikan është me këtë pjesë [Qeverinë e Kosovës], sepse ata janë bartësit kryesorë. Ata janë përgjegjësit kryesorë dhe në këtë rast ata do të bartin pasojat kryesore. Dhe neve na gëzon fakti që nuk do të ketë pasoja kolektive”, thotë ai.

As Haziri nuk saktësoi se për çfarë pasojash eventuale mund të bëhet fjalë.

AAK: Të iniciohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën, më 7 qershor, ka shprehur mendimin para mediave se veprimet e Qeverisë së Kosovës, duhet të ndodhin brenda afatit të caktuar nga partnerët perëndimorë.

Në të kundërtën, ai tha se opozita e ka numrin e domosdoshëm për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte e dobishme për gjithë spektrin politik, përshirë edhe për shumicën në pushtet. Votat janë. Opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin”, tha Haradinaj.

Demhasaj: Mocioni i mosbesimit mund të jetë i koordinuar

Njohësi i proceseve politike, Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk përjashtohet mundësia që në takimin e Lajçakut dhe Escobarit me përfaqësuesit e partive opozitare, të jetë biseduar edhe për mundësinë e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Ai beson se një ide e tillë është në përputhje edhe me deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha më 6 qershor se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi”, duke aluduar te kryeministri Kurti.

“Mund të jetë edhe një lloj ‘kërcënimi’ ndaj Qeverisë se ‘nëse ju nuk lëvizni, atëherë ne gjejmë partnerë të tjerë dhe ecim tutje dhe nuk mbetet situata e bllokuar’. Pra, edhe inicimi i mocionit të mosbesimit nga ana e AAK-së, nuk mendoj që është kot, por thjesht mund të jetë si diçka e koordinuar me amerikanët”, shprehet Demhasaj.

Opozita, e ndarë për mocionin

Për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nevojiten votat e 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për të kaluar një mocion i tillë janë të domosdoshme së paku 61 vota të deputetëve, nga numri i përgjithshëm prej 120 deputetësh sa ka Kuvendi i Kosovës.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ka 57 deputetë në Kuvend. Nga partitë opozitare, PDK-ja ka 18 deputetë, LDK-ja ka 16, ndërkaq AAK-ja ka tetë deputetë. Të tri këto parti së bashku kanë 42 deputetë, që është numër i mjaftueshëm për të iniciuar një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit.

Grupi parlamentar multietnik ka tetë deputetë, ndërkaq 13 të tjerë janë pa grup parlamentar, ku bëjnë pesë edhe nëntë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ka edhe deputetë që janë pjesë e shumicës parlamentare dhe jashtë saj, që mund të votojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Por, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se realisht partitë opozitare së bashku kanë rreth 40 vota dhe ato nuk duhet të përqendrohen tash në “taktizimet e vogla politike”.

Ajo thotë se kryeministri Kurti duhet të reflektojë dhe të koordinojë hapat e mëtejmë me partnerët perëndimorë.

“PDK-ja do të përdorë të gjitha instrumentet politike dhe parlamentare për t’ia pamundësuar kryeministrit [Kurti] rrënimin e të ardhmes euroatlantike të Kosovës”, thotë ajo, pa saktësuar se a do ta mbështesë PDK-ja një mocion eventual mosbesimi ndaj Qeverisë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se situata, në rrethanat aktuale, nuk është në interes të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Pozita e opozitës është shumë e shkurtër në kërkesën që ka iniciuar ish-kryeministri Haradianj, si kryetar i AAK-së. Është një numër i caktuar i deputetëve që mund të shkaktojnë mocion, por që mocioni përfundon me debat dhe pa sukses. LDK-ja nuk është e interesuar të hyjë në një mocion pa sukses”, thekson Haziri.

A po e pret opozita momentin për mocion?

Por, Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu, thotë se nisma e AAK-së për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, megjithatë, nuk është bërë kot. Sipas tij, situata të ngjashme, kur partitë opozitare kanë deklaruar se nuk e përkrahin një mocion, kanë ndodhur edhe më parë, deri në ditën kur mocioni ka hyrë në Kuvend.

“Pra, nuk e pranojnë paraprakisht. Mbase aktualisht janë duke e shikuar situatën momentale, se deri ku mund të shkojë Qeveria dhe a po reflekton ajo ose jo ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë. Nëse ka reflektim, atëherë edhe mund të mos ketë mocion dhe të mos mblidhen nënshkrimet formale të nevojshme. Por, në rast se Qeveria nuk reflekton dhe nuk e respekton afatin që e kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë, atëherë mocioni e merr seriozitetin, mblidhen nënshkrimet dhe shpejt mund të shkojë edhe në Kuvend.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka deklaruar se afati për marrjen e një përgjigjeje nga kryeministri Kurti lidhur me kërkesat e partnerëve perëndimorë, nuk nënkupton ultimatum për Qeverinë e Kosovës, por është afati kur ai duhet të raportojë në Shtëpinë e Bardhë lidhur me rezultatet e vizitës në Kosovë dhe Serbi. Po të njëjtën ditë, edhe emisari evropian, Mirosllav Lajçak, do të raportojë te shefi i diplomacisë të BE-së, Josep Borrell.

Megjithatë, gjatë qëndrimit në Beograd, më 7 shtator, Escobar tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

Ai përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës dhe se “nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin”.

“Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar.

Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

blank

Dilema historike e “Asocacioni” që e bashkon Kosovën me Perëndimin, por që, ndoshta, e ndan përfundimisht me Veriun… – Nga GENC BURIMI

Kur Makron, Sholz, Osmani dhe Kurti shprehen nga Moldavia e largët sinjale satisfaksioni se zgjidhja e krizës u gjet me mundësinë e ribërjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës, një pyetje lindte vetvetiu me skepticizëm : si e gjetën zgjidhjen Europianët aty ku dështuan amerikanët përballë bojkotit të serbëve ? Për të ribërë zgjedhjet, nuk duhej bindur Kurti por serbët. Atëhrë çfarë « karote » kishin në kapele « magjistarët » europianë për të evituar kësaj here bojkotin serb ?

Fatkeqësisht asnjë. Serbët siç po shihet çdo ditë e më qartë kanë një kusht dhe vetëm një për të hyrë në zgjedhje bashkiake në veri të Kosovës. Dhe ai kusht është i parealizueshëm me Kryministrin Albin Kurti. Serbët duan me çdo kusht asociacionin.

Sipas një botimi të fundit në websitin e “Zërit të Amerikës”,  “Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës tha se do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja por, (1) pasi të jenë larguar njësitë e posaçme të policisë nga zona dhe (2) të jetë themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.” 

Kosova nuk del nga kriza pa referendum ose zgjedhje të reja të parakohshme në mbarë vendin 

 

Kurthi I ngritur nga Aleksandar Vuçiç po funksion në menyrë impresionuse sepse perëndimorët ranë vetë aty brenda  me të dyja këmbët. Xhoker-in me kushtin e Asociacionit , Vuçiç e mbante nën mëngë që prej 10 vjetesh, qe prej 2013 kur u firmos ai detyrim europian për Kosovën. Por Serbia nuk e përdori gjatë gjithë këtyre viteve me atë ngulm dhe agresivitet siç po e bën sot për aq kohë sa asnjë Kryeminister në Kosovë nuk kërkonte të shtrinte autoritet në Veriun me shumicë serbe. I pari kryeministëer në Kosovë që prej pavarësisë së vendit I cili vendosi ta vërë « veriun » në qendër të axhendas së Shtetit të Kosovës , është Albin Kurti kur vendosi para një viti te zbatojë reciprocitetin e targave. Kjo lëvizje e Kurtit e detyroi çiftin franko-gjerman të hartonte planin me 10 pika për një fillim njohjeje. Falë Kurtit ndodhi diçka e paparë në dhjetë vjet letargjie europiane, dhe për më tepër diçka që e orientonte presionin perëndimor kah Vuçiçit I detyruar që ta firmoste atë plan ku parashikohet vendosje e misioneve diplomatike ne Beograd dhe Prishtine, pra fillim I njohjes reciproke. Në këtë situatë ku presioni po I vihej Serbisë pa mundësi më t’i shmangej detyrimeve të saja (targat në veri, mos bojkot i zgjedhjeve në veri, vendosje misionesh diplomatike) , Vuçiç vendos atëherë te konsumojë xhokerin e vetëm në mëngë, kërkesën për zbatimin e Asociacionit që BE-ja ia kishte premtuar para dhjetë vitesh. Kjo kundërpërgjigje e befasishme e Vuçiçit si një goditje me të jashtmen e raketës nga Xhokoviç ne tenis, qe mjaft efikase  sepse bëri që  menjëherë presioni të hiqej nga Serbia dhe të transferohej mbi shpatullat e atij që filloi “lojën” Kurtit. Me goditjen me “Asociaconin”, Vuçiç arriti biles të provokojë dhe deklarata kërcënuese kundra Kosovës nga ana e baballarëve të pavarasisë së Kosovës. Millosheviç do e kish ëndërruar , Vuçiç e realizoi me nje fjalë të vetme magjike : Asociacioni .  Cfarë do që do kërkojë Kosova tani, Serbia do t’I shqiptojë një fjalë që bllokon gjithshka , asociacioni. Ironia është se asnje politikan ish-drejtues i Kosoves, nuk kish guxuar ta përmbushtte këtë “detyrim” që nga 2013 dhe ja që tani I kërkohet ta bëjë Kurti pikërisht politikani që e ka kundërshtuar gjithmonë kur ishte në Opozitë me frikën se do të institucionalizohej krijimi I një shteti të Serbëve branda Shtetit të Kosovës. Ndaj sot nuk mund t’i kërkohet Albin Kurtit të ndërrojë mendim . Do të ishte më e drejtë t’I kërkohet popullit të Kosovës të japë demokratikisht mendimin e tij . Miqtë e shumtë të Kosovës në Perëndim mos të humbasin më tepër kohë për të bindur në kulisa Albin Kurtin, por Presidenten dhe Kuvendin e Kosovës që të shpallet datë refenderumi për Asociacionin po aq i domosdoshëm dhe historik sa ç’qe Brekskit-i. Edhe Britaniket kur hynë në Europën e Bashkuar më 1 janar 1973 u angazhuan si në një martese , te qëndronin bashkë me europianët e tjere në të mirë dhe në të keq. Por çdo komb ka të drejtë të nderrojë mendim me kusht që kjo të bëhet në menyrë demokratike. Britanikët e prishën fjalën që ja kishin dhënë Europës, kur votuan për dalje nga BE-ja me referendumin e Breksitit të 31 janarit 2020. Sa shumë analistë, udhëheqës, mendje të arsyeshme në bote, sa shumë britanikë kozmopolitë të Londrës bënë fushatë e presion ndaj « provincave » britanike se po bënin gafë historike, se po bënin biles dhe tradhëti kombëtare sepse sipas tyre Britania e madhe jashtë BE-së do të dobësohej ekonomikisht, gjeopolitikisht, dhe biles ushtarakisht ! Egzakt i njëjti presion që dëgjojmë sot mbi Albin Kurtin, Boris Jonson-i Kosovës për nga kokëfortësia e tij. Pse Kosovës mos t’i ofrohet si Britanikëve, me refendum apo zgjedhje të përgjithshme, e njëjta rrugëdalje nga  kriza kur një popull ndodhet në një kryqëzim të Historisë me H të madhe?

Kosova ndodhet në konflikt të ngrirë që duhet të marrë fund në të mire të vetë Perëndimorëve

Cilido qoftë e ardhmja, asociacion ose jo asocacion, një gjë është e qartë : Serbia i ka hyrë me sukses rrugës së një konflikti të ngrirë me Kosovën , për ta « shkrirë » atë në përfitim të saj një ditë, një vit, një dekadë, një shekull, kur ajo , Serbia, do të jetë në pozicion force, domethenë kur BE-ja ndoshta nuk do të egzistonte më apo kur SHBA-të të tërhiqen nga Europa. Ndërkohë , perpara se ta ripërpijë atë ditë gjithë Kosoven, emrin e të cilës Serbia e ka të gdhendur edhe në preambulë të Kushtetutës serbe pa i lënë asnjë hapësirë njohjeje të ndërsjelltë Presidentit të Serbise, ky i fundit mund të realizojë një gllabërim të pjesshëm territorial të Kosovës.  Fundi i fundit a nuk është Qiproja veriore e ngjashme me veriun e Kosovës ? Kemi në Qipro situatën e një konflikti të ngrirë prej dekadash ku predatori turk është mjaftuar të marrë « nje copë » tokë duke pritur dhe ai vitin, dhjetëvjeçarin , shekullin e favorshëm të gëlltisë të tërën po qe me e fortë atë ditë se një Greqi pa Naton. Pushtimi i Turqisë , 50 vjet me pare , më 1974  rezultoi në ndarjen e ishullit në dy entitete. Në jug, Republika e Qipros, e cila kontrollon 60% të ishullit, i vetmi shtet sovran, i njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe anëtar i Bashkimit Evropian. Në veri, Republika e vetëshpallur Turke e Qipros Veriore në vitin 1983, e cila mbulon 35% të ishullit dhe që njihet vetëm nga Ankaraja, e cila e mban atë nën mbështetje ekonomike, financiare, ushtarake dhe politike. Sa here qe ushtria serbe afrohet ne kufi me Kosoven, rreziku i ketij skenari turk me Qipron shfaqet.

Ashtu si në situaën e  Qipros (por dhe në Bosnie),  amerikanët po shfaqen totalisht të paaftë të gjejnë nje zgjidhje dhe ne rastin e Kosoves. E kishin fare kollaj amerikanët ta zmbrapsnin pushtimin turk te Qipros me 1974 qoftë me armë për ta mbrojtur Qipron greke, qoftë me sanksione ekonomike kundra Turqisë. Nuk e bënë sepse nuk donin të prisheshin me Turqinë që u sherbente  si barrierë ndaj ish-Bashkimit sovjetik, ashtu siç u shërben Erdogani sot si garanci krahut jug-lindor të Natos kundra Putinit. Ne Bosnie, dhe në Kosovë është e njëjta dileme sot për ndërkombateret me Vuçiçin. E kanë fare kollaj ta zbrapsin Serbinë nacionaliste edhe ne Republika Serbska edhe në Mitrovicë, t’ja ulin Beogradit kokën me sanksione ekonomike ose me ndalimin e qarkullimit pa viza për serbët në Europë, por nuk e bëjnë sepse zemër te Ballkanit , ashtu si Turqia midis dy kontinenteve , Serbia u sherben si pikë mbeshtetjeje që Rusia mos të instalohet me bazë ushtarake në Ballkan. 

Në këtë skenar, Serbia mund të fitojë  shumë vite kohë duke marrë Veriun për veten e saj që tani, dhe duke shpresuar për gjithë gjithë Kosovën një ditë. Pas ketij Vuçiçi mund të vijë një tjetër që do bëjë të njëjtin shantazh si Erdogan per « kundra-aleancë » ushtarake me Rusinë.  

Kosova është shndërruar tashmë qartazi në një konflikt të ngrirë pa njohje reciproke dhe pa autoritet te Shtetit të Kosovës mbi Veriun e saj. Dhe këtu fle kurthi i Vuçiçit me asociacionin. Po nuk u pranua, Kosova prishet me Perëndimin. Po u pranua, Kosova i futet skenarit të institucionalizimit të shkëputjes së Veriut.  

Mungesa e garancive amerikane kundra nje skenari te shkeputjes së Veriut  

Dilema e kosovarëve në lidhje me “asociacionin” bëhet dhe më e ndërlikuar , kur konstaton se dhe vetë aleati kryesor që mishëron mbrojtjen e intersave të  Kosovë Shba-të, nuk japin në këtë moment asnjë garanci se cfarë mund të ndodhë më pas  në veri pas pranimit të  asociacionit nga qeveria e Kosovës. Në një intervistë të negocjatorit amerikan , Gabriel Eskobar induktohet biles një mesazh i frikshëm se gjithshka mund të ndodhë dhe pas asociacionit. Kjo shihet qartë në përgjigjen ndaj kësaj pyetje që i bëhet Gabriel Eskobarit nga shypi austriak (Die Presse) : 

“Pyetje – Serbia kërkon themelimin e një asociacioni serb të komunave në Kosovë. Kosova e refuzon këtë nga shqetësimi se mund të çojë në një republikë të re serbe… 

Gabriel Eskobar : … Asociacioni Serb i Komunave duhet të krijohet sepse eshte angazhim nderkombëtar i Kosovës. Por nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. “ 

Kjo dekaratatë u lejon amerikanëve të dalin « të mbuluar » nëse nesër “asociacioni”  në Kosovën veriore devijon në një format  Republika Serbska bis. Për amerikanët faji do të jetë I kosovarëve në të dyja rastet :  Kosovarët e kanë gabim po mos ta bëjnë asociacionin.  Por edhe po e nënshkruan Asociacionin kosovarët do ta kenë sërish gabim nëse hartojnë një tekst jo siç duhet per Asociacionin domethënë që do t’u linte shumë pushtet serbëve të Veriut. Po atehere si të gjendet “e mesmja e artë” që “mishi të piqet por helli mos të digjet” siç e thotë një proverbë shqiptare? A nuk do të ishte më e thjeshtë që  miqtë amerikanë dhe ata europianë të Kosovës , me pervojë dhe ekspertizë të jashtëzakonshme në hartime tekstesh të tilla ta  propozojnë ata vetë një draft per “Asociacionin”?  Le ta bëjnë ata vetë projektin e Asociacionit por me garancinë se po të pranohet teksti ityre nga qeveria Kurti nuk do të ndodhë kurrë skenari I një Republika serbska në veri të Kosovës. Askush nga perëndimorët nuk e jep këtë garanci sot sepse nuk do të ishte e besueshme pas asaj që po shohim se ç’po ndodh në Bosnie. Perëndimorët i kane të gjitha aftësitë ta hartojnë nje teskt të tillë siç e treguan me planin franko-gjerman per normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd . Ai tekst u hartua tërësisht nga Perëndimi dhe jo nga palët ne lojë. Kështu le të ndodhë dhe me Asociacionin dhe  t’i jepet me pas për votim Popullit të  Kosovës me referendum!

blank

Organizatat ndërkombëtare të medias dënojnë dhunën e banditëve të Lulzim Bashës mbi gazetarët

Gazetarët e medieve të ndryshme janë kërcënuar, fyer, sharë dhe intimiduar në kryerjen e detyrës së tyre nga ushtarë të bindur të ish kreut demokrat Lulzim Basha. Ata po ndiqnin mbledhjen e grupit të vulës në selinë e dhuruar nga Rama kur kanë rënë pre e një sjelljeje brutale të përkrahësve të dhunshëm të Lulzim Bashës. Disa prej tyre ishin ata që ushtruan dhunë ndaj demokratëve me 8 janar. Për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar organizatat që mbrojnë liritë e medias.

“Gazetarët e mediave të ndryshme janë penguar të raportojnë dhe janë sulmuar e kërcënuar verbalisht herët në mëngjesin e sotëm në mbledhjen e Partisë Demokratike (PD)”, shkruan The Safe Journalist.

Ky veprim, i kryer nga simpatizantët e ish-Kryetarit të Partisë Demokratike, pengon jo vetëm rrjedhën e gazetarisë së lirë, por edhe sigurinë dhe mirëqenien e atyre që shërbejnë në vijën e parë të raportimit të lajmeve.

Gazetarët Osman Stafa nga News 24, Ardit Hoxha nga EuroNews, Andon Kello nga MCN, Ermal Rizai nga Syri Tv dhe Isa Myzyraj nga Ora News nuk u lejuan të kryejnë detyrën. Individë, dyshohet se mbështetës të z. Lulzim Basha, ish-kryetar i Partisë Demokratike, u përpoqën t’u hiqnin kamerat dhe mikrofonin, i shtynin gazetarët, i bërtisnin, i shanin dhe i kërcënonin me dhunë fizike dhe sharje të tjera nëse vazhdonin të filmonin dhe raporti.

Gazetari Isa Myzyraj ka raportuar në Facebook se mbështetësit e Lulzim Bashës shajnë dhe ofendojnë anëtarët e opozitës së PD-së. Kërcënimet kanë vijuar ndaj gazetarëve të pranishëm në ambientet e takimit. Myzyraj tha se një grup personash i kanë kërkuar që të fikin kamerat dhe të mos regjistrojnë. Gazetari Osman Stafa deklaroi gjithashtu se disa individë mbështetës të Bashës kanë ushtruar dhunë verbale, kërcënime, ofendime dhe tentativa për dhunë fizike ndaj gazetarëve pranë selisë së Partisë Demokratike.

“Dhuna verbale, kërcënimet, fyerjet dhe tentativat për dhunë fizike ndaj gazetarëve në orët e para të mëngjesit pranë selisë së Partisë Demokratike janë një kambanë alarmi jo vetëm për lirinë e medias, por edhe për sigurinë fizike të gazetarëve. ”, shprehet Myzyraj në postimin e tij në Facebook.

Blerjana Bino, studiuese e SafeJournalists në Shqipëri, tha: “Sulmi i fundit ndaj gazetarëve në mbledhjen e Partisë Demokratike është një tregues shqetësues i rreziqeve me të cilat përballen gazetarët në Shqipëri, duke nënvizuar pasigurinë e vazhdueshme të lirisë së shtypit. Ai nënvizon nevojën thelbësore që partitë politike, anëtarët e tyre, mbështetësit dhe publiku i gjerë të respektojnë rolin dhe hapësirën e gazetarëve. Ky është gjithashtu një kujtesë fillestare se si ndjenjat antimediatike nga politikanët dhe përdorimi i gjuhës nxitëse kundër gazetarëve mund të nxisin kërcënime fizike, duke gërryer themelet thelbësore të gazetarisë së pavarur dhe profesionale”.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i kërkon Partisë Demokratike që të distancohet publikisht nga ky incident dhe të dënojë veprimet e mbështetësve të saj. Pritet një deklaratë zyrtare, ku do të pranohet ashpërsia e situatës dhe do të përshkruhen veprimet për të siguruar që një incident i tillë të mos përsëritet. Rrjeti më tej kërkon që të zbatohen masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen, duke garantuar sigurinë dhe lirinë e gazetarëve.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. syri.net

blank

Komisioni Evropian: Madhërimi i kriminelëve të luftës në Serbi vazhdon pa pasoja

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Evropian, përmes një non-paper dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve nga Serbia për kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim, ka tërhequr vërejtjen se në nivelet më të larta, në Serbi vazhdon pa pasoja madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës, dhe atyre u jepet hapësirë publike dhe politike.

Këta dy kapituj përfshijnë sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Përmbushja e kritereve kalimtare në kuadër të kapitujve 23 dhe 24 janë parakushte për Serbinë që të mbyllë cilindo kapitull tjetër në procesin e negociatave, prandaj raportohet rregullisht për përparimin e bërë në përmbushjen e tyre.

Në këtë raport konstatohet se Serbia ka ndërmarrë disa hapa për të përmbushur kriteret, por aty theksohet se ende duhet të punohet në krijimin e vullnetit politik për thellimin e reformave, që të adresohen mungesat në fushat kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirisë së mediave dhe në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës.

Duke rikujtuar obligimet e Serbisë për të bashkëpunuar për krimet e luftës me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, pasi ky mekanizëm ka marrë përsipër vazhdimin e disa proceseve nga Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në raport u tha se Serbia nuk ka bashkëpunim të plotë me këtë gjykatë. Veçanërisht, në raport u theksua se ka mungesë të bashkëpunimit në rastet e arrestimeve të personave të akuzuar për pengim të drejtësisë. Po ashtu, u përmend se nga zyrtarët e Serbisë shpesh vihen në pikëpyetje vendimet e gjykatës në Hagë për krime lufte dhe madhërohen kriminelët e dënuar për krime lufte.

“Një numër i figurave të partive politike në Serbi, përfshirë edhe në nivelin e ministrave, vazhdojnë të ofrojnë mbështetje dhe hapësirë publike për kriminelët e dënuar të luftës. Kriminelët e dënuar të luftës vazhdojnë të përhapin gjuhë të urrejtjes në hapësirën publike. Disa politikanë të caktuar vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, pa pasoja”, u tha në raport.

Gjatë gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës më 1995, ushtarët dhe policët serbë vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë dhe trupat e tyre i varrosën në varreza masive. Kjo ngjarje është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Në raportin e Komisionit Evropian po ashtu u përmend edhe bashkëpunimi i Serbisë me shtetet fqinje për rastet e krimeve të luftës dhe shkëmbimin e provave të caktuara. Aty u tha se bashkëpunimi me Kroacinë dhe Kosovën nuk ka sjellë rezultatet e duhura.

Në raport u theksua se Serbia ka dështuar që të përfshijë kompensimin financiar për viktimat e krimeve të luftës në proceset penale.

“Viktimat civile të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të tyre mbeten të neglizhuara në aspektin politik, social dhe ekonomik. Dinamika e gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Serbi është ngadalësuar dukshëm në vitet e fundit. Një përkushtim i vërtetë për të adresuar këto raste, përfshirë edhe të dyshuarit e rangut të lartë, duhet të sigurohet”, u tha në raport.

Në dokumentin joformal të Komisionit Evropian po ashtu u tërhoq vërejtja edhe për presionin ndaj mediave në Serbi. Aty u nënvizua se në Serbi i është dhënë hapësirë mediumit RT Balkans (Russia Today) në gjuhën serbe, që të përhapë dezinformata. Ky medium, sikurse agjencia ruse Sputnik, sipas raportit, përhapin narrativët e tyre edhe në ueb-faqet e tyre, por edhe duke përdorur mediat e tjera në Serbi.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Russia Today dhe Sputnik pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

blank

VOA- Escobar: Serbët në veri të Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhje pa kushte

VOA

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i bëri thirrje sërish Kosovës të tërheqë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumice serbe, ndërsa Beogradit të ushtrojë ndikimin e tij për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në zonë, pa kushte.

Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë në Beograd ku qëndroi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth tyre dhe protestuesit duhet të largohen. Për më tepër, nëse ka zgjedhje të reja dhe ne shpresojmë që do të ketë, duam që serbët të marrin pjesë në to pa kushte. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se do ta përdor ndikimin e tij për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Të dy diplomatët shkuan në Beograd pas vizitës në Prishtinë, në të cilën nuk qenë në gjendje të njoftonin ndonjë përparim për uljen e tensioneve në veri.

Në një takim me gazetarët të martën në Prishtinë, zoti Escobar kritikoi ashpër qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, me të cilën, siç u shpreh ai “Shtetet e Bashkuara kanë disa sfida”.

Ai tha të mërkurën se shpreson që qeveria e Kosovës ta kuptoj se qëllimi është një rezultat i qëndrueshëm dhe me përfitime për të dyja palët.

“Më duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si miq të Kosovës ne po i nxisim ata për bashkëpunim, bashkërendim dhe rreshtim me përpjekjet tona për qëndrueshmëri në rajon. Ky partneritet është i hapur për Kosovën kurdo që e dëshiron, por në të njëjtën kohë nëse nuk e duan, do të thotë se po ndërmarrin veprime të njëanshme dhe po tërhiqen nga komuniteti transatlantik”.

Zoti Escobar mohoi të ketë caktuar ndonjë afat lidhur me kërkesat për uljen e tensioneve në veri, por sërish tha se të premten ai dhe zoti Lajçak do t’u raportojnë shefave të tyre për vizitën në të dyja vendet.

I dërguari amerikan tha se palët duhet të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Thjeshtë po them një fakt, Asociacioni është një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës, është në marrëveshjen e Brukselit, është në përfundimet e Këshillit të Evropës, është në marrëveshjen e Ohrit. Prandaj nuk është një marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Serbisë, është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që nëse në një pikë Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, do të duhet ta themelojë Asociacionin. Pra do të ndodhë por çështja është se a do të ndodhë me këtë qeveri apo me një të ardhshme”, tha zoti Escobar.

I pyetur për ndikimin e mundshëm rus në zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, zoti Escobar tha se Rusia përfiton nga përçarjet brenda Evropës dhe nuk është e interesuar të shohë zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Thënë kjo, ajo që po ndodh në Kosovë tani është një problem i kahershëm, i pazgjidhur mes grupeve të ndryshme. Kjo ishte para krizës aktuale në Ukrainë. Por kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishme mundësinë për ta zgjidhur atë. Por nuk po gjenerohet, nuk mendoj, tërësisht nga Rusia”.

“Ajo që po ndodh në Kosovë tani është një problem i kahershëm, i pazgjidhur mes grupeve të ndryshme. Kjo ishte para krizës aktuale në Ukrainë. Kriza në Ukrainë e bën më të rëndësishme mundësinë për ta zgjidhur atë. Por nuk po nxitet tërësisht nga Rusia”, tha zoti Escobar.

Ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë.

blank

Salianji: Basha është langaraq me Ramën, gangster me demokratët që e mbështesin

Deputeti i PD-së Ervin Salianji e akuzon ish-kreun e PD-së Lulzim Basha për frymëzimin e dhunës. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në PD-në zyrtare, pasi ditën e djeshme pati debate të forta si dhe sulme e kërcënime ndaj deputetëve, Salianji deklaron se Lulzim Basha nuk është larguar asnjë ditë, ka përdorur truke për t’u zvarritur pavarësisht se nuk ka as mbështetje, as elektorat dhe as parti!

Sipas tij, e vetmja risi nga e djeshmja ishin pamjet e dhunshme, presioni, shantazhi dhe fyerjet ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe, por që e kanë mbështetur maksimalisht LB dhe që tregojnë katandisjen e një njeriu që u mbështet si shpresa e PD dhe përfundoi në fatkeqësinë e demokratëve!

Deputeti i PD apelon se demokratët duhet të ndahen me forcë nga kjo sjellje që po vazhdon të dëmtojë shpresat e demokratëve dhe të shoqërisë!

POSTIMI I PLOTË
Langaraq me Ramën, gangster me demokratët që e mbështesin!
Siç e kam paralajmëruar prej më shumë se një viti LB nuk është larguar asnjë ditë, ka përdorur truke për t’u zvarritur pavarësisht se nuk ka as mbështetje, as elektorat dhe as parti!

E vetmja risi nga e djeshmja ishin pamjet e dhunshme! Pamjet me dhunë verbale, presion, shantazh dhe fyerje ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe, por që e kanë mbështetur maksimalisht LB tregojnë katandisjen e një njeriu që u mbështet si shpresa e PD dhe përfundoi në fatkeqësinë e demokratëve!

Dhuna e inspiruar nga LB ndaj demokratëve bëhet dhe më e rëndë kur mendon që për 10 vite me radhë sjellja ndaj Ramës dhe bandave të tij ka qenë prej të përuluri si langaraq!

Sjellja prej despoti, tentativa për pronësinë e kolibes, dhuna, gjuha dhe veprimet bien ndesh me vlerat perëndimore dhe euroatlantike, përfaqësojnë hiç më pak se putinizimin e kulturës politike!

Demokratët duhet të ndahen me forcë nga kjo sjellje që po vazhdon të dëmtojë shpresat e demokratëve dhe të shoqërisë!bw

blank

Escobar në Beograd: Serbët në veri të Kosovës të marrin pjesë pa parakusht në zgjedhjet e reja

Radio Evropa e Lirë

 

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”, tha Escobar gjatë një konference për gazetarët në Beograd.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, shtoi ai.

Escobar tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.

“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serebinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha zyrtari i lartë amerikan.

I pyetur nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.

“Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupto se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë, është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet”, tha Escobar.

Ai theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën “është i hapur”. Por, nëse Qeveria e Kosovës, shtoi ai, merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, “kjo vetvetiu është një pasojë”.

Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.

“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, tha ai.

*Lajmi është duke u përditësuar…

blank

DW/ Schwarz-Schilling: Duhet një politikë e re për Ballkanin

Më 18 Maj Derek Chollet, këshilltar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i ngarkuar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor ishin ftuar në Komisionin e Politikës së Jashtme në senatin amerikan, FRC për të folur për politikën e SHBA në Ballkanin Perëndimor. Ishte interesante, por edhe zhgënyjese të dëgjoje, se si të dy diplomatët i mënjanuan përgjigjet konkrete dhe informacionet e detajuara. Ata përdornin fjalë të bukura: demokraci, sovranitet, integritet territorial dhe sidomos anëtarësimin në BE. Për fat të keq i gjithë prezantimi mbeti në këtë nivel sipërfaqësor pa substancë. Mbeta i zhgënjyer.

Para 30 vjetësh kam përjetuar se si SHBA me Sekretarin e Departamentit të Shtetit atëherë, Warren Christopher u përpoqën pa sukses të lëviznin BE e ngurtë për një angazhim të vërtetë në Jugosllavinë e atëhershme. Një turp ky para krimeve të atëhershme të luftës.

Pse i shtrohet qilimi i kuq Vuçiqit?

Më kujtohet shumë mirë, se si presidenti amerikan atëherë, Bill Clinton pas tre vjetësh të një lufte tejet brutale dhe gjenocidit në Bosnje-Hercegovinë mori vetë vendimin të mbështesë këtë vend. Prandaj nuk e kuptoj dot sot, se çfarë ndjekin SHBA me politikën e tyre në Ballkanin Perëndimor. Pse e kanë përzgjedhur amerikanët pragmatikë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si “burrin e fortë” në Ballkanin Perëndimor? Kreu i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë, senatori Robert Menendez me të drejtë në seancën dëgjimore shtroi pyetjen, pse SHBA bashkëpunon me një njeri, i cili, siç ka raportuar New York Times me hollësi, ka lidhje të ngushta me qarqet kriminale. Pse i shtrohet qilimi i kuq dikujt, për të cilin Rusia nga ana strategjike ka shumë rëndësi. Pse kërkohet afërsia pikërisht me Serbinë, që me politikën e saj etnonacionaliste, – të gjithë serbët në një shtet – është një nga shkaktaret më të kryesore të konflikteve në ish-Jugosllavi?

Kthim në etnonacionalizëm?

Për këto të dy diplomatët e lartë amerikanë nuk jepnin dot përgjigje. Ka pasur disa analiza të publikuara mbi orientimin e politikës amerikane në Ballkan. Me disa jam dakord, me të tjera jo. Madje mund ta kuptoj, që ka edhe arsye të mira, pse amerikanët kërkojnë një zgjidhje pragmatike, sipas tyre. Rusia, Kina, Tajvani – të gjitha këto vende kanë një fokus më të madh në politikën botërore se Ballkani. Por kjo nuk është arsye për të mbështetur një politikë hegjemoniste në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të krijuar marrëdhënie të reja pushteti dhe për këtë të sakrifikohen vende si Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi apo Kosova. Do t’i lihet Bosnje-Hercegovina në dorë edhe më shumë etnonacionalizmit? Megjithëse thuhet se duhet luftuar pikërisht etnonacionalizmi?

Ndihmë e drejtpërdrejtë për ndarjen

Megjithëse ka përpjekje për të frenuar me sanksione dhe paralajmërime, Milorad Dodikun, presidentin e etnitetit më të vogël në Bosnje-Hercegovinë, Republikës Srpska, prapë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ai ndihmohet në realizimin e planeve të tij për shkëputje. SHBA mori përsipër të luftojë korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, edhe me sanksione, dhe megjithatë mbështeten politikanët më të korruptuar.

Kujtojmë se presidenti amerikan, Joe Biden në funksionin e tij të dikurshëm si senator para të njëjtit komision në prill të vitit 1993 me raportin e tij “Të ngrihesh kundër agresionit: Milosheviçi, Republika boshnjake dhe ndërgjegjja e perëndimit” kërkoi nga SHBA të ndihmojë Bosnje-Hercegovinën për t’i dhënë fund luftës.

Mungesa e strategjisë e rrezikshme

E miraton tani presidenti Biden çfarë bën Departamenti i Shtetit sot? A e di ai që politika e tanishme amerikane është tallje për viktimat e luftës së viteve 90-të? Një ditë pas seancës dëgjimore, presidenti amerikan propozoi në senat James O’Brien si nënsekretarin e ri për Europën dhe Euroazinë. O’Brien ka luajtur rol në vitin 1995 në Marrëveshjen e Dejtonit dhe punoi, edhe në kohën si time si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë, në grupin e ekspertëve që krijova për reformën kushtetuese. Ai është një jurist me përvojë që e njeh Bosnje-Hercegovinën dhe rajonin.

Shpresoj që me emërimin e tij në Uashington është kuptuar, që duhet ndërmarrë një korrigjim kursi, që drejton në shina të reja politikën amerikane të Balkanit që në vitet e fundit ka qenë e dëmshme, pa strategji, pa rezultate dhe kështu e rrezikshme- Por për sa kohë që Derek Chollet si këshilltar i Sekretarit të Departamentit të Shtetit e formëson politikën e Ballkanit nuk jam shumë optimist.

BE ndjek SHBA verbërisht

Pas shpërthimit të fundit të dhunës në veri të Kosovës, ku u lënduan edhe ushtarë të KFOR-it nga demonstues militantë serbë, SHBA tërësisht në mënyrë të pakuptueshme, në mënyrë të njëanshme sanksionoi Kosovën. Edhe këtu SHBA, e po ashtu BE, reagojnë shumë pak ndaj politikës provokuese serbe, përkundrazi. SHBA dhe BE thjesht e pranojnë pa bërë gjë që Vuçiqi që nga Beogradi e pengon integrimin e serbëve të Kosovës në shtetin e Kosovës. Madje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i hiqet mbështetja, sepse ai dukshëm me sa duket nuk i bindet planeve amerikane.

Pse Gjermania dhe BE e ndjekin këtu verbërisht SHBA? Duhet thënë se është dëshmi e paaftësisë së BE, e cila nuk është e aftë të jetë vetëkritike dhe bën të njëjtin gabim si para 30 vjetësh me kriminelin e luftës, Slobodan Milosheviç.

Një verdikt që ndryshon gjithçka

Më 31 maj Tribunali i Hagës dha dënimin e fundit në procesin e zgjatur prej 20 vitesh për dy persona që dikur ishin pjesë e Shërbimit Sekret Serb në vitet 90-të në Bosnje dhe Kroaci. Secili u dënua me 15 vjet, ndër të tjera për organizimin e aktiviteteve kriminale të përbashkëta dhe për dënimin e jo-serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë si edhe në Kroaci.

Kryeprokurori, Serge Brammertz e tha qartë: “Ky vendim ndryshon gjithçka.” Vërtet: Ky verdikt duhet të ketë një ndikim të madh në vlerësimin e luftës së atëhershme. Ai është një provë, që Serbia në mënyrë aktive ka marrë pjesë në luftën kundër Bosnjes dhe Hercegovinës. Me këtë kjo luftë nuk mund të quhet kurrë më “një luftë qytetare”. Tani kjo është më në fund edhe zyrtare, gjë që e kemi ditur të gjithë: Serbia ishte e përfshirë në mënyrë aktive në luftën e atëhershme.

Tani shtrohet pyetja, nëse ky vendim do të ndryshojë diçka në BE dhe SHBA në lidhje me politikën ndaj Ballkanit Perëndimor. Do të vazhdojnë të gjithë t’i shtrojnë qilimin e kuq Aleksandar Vuçit dhe Serbisë si aktorë kryesorë në Ballkanin Perëndimor? A nuk ka ardhur koha, të merret një kthesë dhe t’i jepet prioritet një politike tjetër në Ballkan? Një politike, ku për përgjegjësit ka pasoja dhe viktimat më në fund dëgjohen.

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë në vitet 2006/07 Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar dhe i Ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën. Nga viti 1982-1992, politikani gjerman i CDU-së ka qenë ministër federal për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste për qëndrimin e qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha atëherë dorëheqjen.


Send this to a friend