Fjalë të tilla si termi ushtarak “blitz” (blic- luftë rrufé), termi estetik “kitsch”), (kiç- art mediokër, pa vlerë), termi filozofik “Zeigast” (Caitgast- shpirti i epokës, vula e kohës), termi gjeogafik Hinterland (malësi), termi muzikor Leitmotiv (lajtmotiv- motivi kryesor) i përhapur edhe në artet e tjera dhe jashtë tyre, termi i ndërtimeve ushtarake “Bunker” (bunker) janë të gjitha fjalë gjermane që mendohet të kenë lindur në Gjermani. Por është një fjalë gjermane e lindur në Zyrih, qytetin më të madh të Zvicrës gjermanishtfolëse, e cila pushtoi gjithë botën.
Në fjalorin Italian “putsch” ka hyrë në vitin 1922, si fjalë e prejardhur nga gjermanishtja, me kuptimin e ngushtë “komplot” dhe kuptimin e gjerë “grusht shteti ushtarak, i ndërmarrë nga një grup politik i armatosur me qëllim që të marrë pushtetin”, Nga kjo në italishte vjen edhe “putschista” si emër dhe si mbiemër (1938), organizatë që ndërmerr një puç, rrethana që kanë lidhje me një puç.
Në Oxford Dictionary: Termi është huazuar nga gjermanishtja (konkretisht nga gjermanishtja zvicerane) dhe përkthehet fjalë për fjalë si “një goditje, trokitje ose shtytje e papritur”. Shërben pothuaj si një sinonim i një grushti shteti ose një kryengritjeje.
“Fjala më revolucionare zvicerano-gjermane” e titullon shkrimin e tij rreth kësaj teme autori Thomas Stephens (swissinfo.ch). Kjo fjalë u bë term për herë të parë, siç argumenton autori, kur u shqiptua në parlamentin e Zyrihut nga bashkëkryetari i Partisë Socialiste Zvicerane, teksa fliste në lidhje me një vendim mbi pagat minimale kantonale: “Është një puç parlamentar nga shefat dhe figurat e mëdha kundër punëtorëve të këtij vendi…. Është një puç kundër sovranitetit të kantoneve.” Ndërsa presidenti i Qendrës iu përgjigj: “sot nuk ka asnjë grusht shteti këtu”.
Ndërkohë “puç” kishte bërë jetë, duke filluar nga Zyrihu dhe duke pushtuar fjalorin botëror, që nga fillimi i Shekullit XIX, kur Zvicra, vendi më paqësor sot në botë, atëherë nuk ishte i tillë. Përballja më e madhe e kohës ishte ajo në mes popullsisë rurale konservatore kundër qeverive konservatore dhe qendrave urbane. Kështu, më 1833, përplasjet politike dhe ushtarake çuan në ndarjen e kantonit të Bazelit në Dy entitete: Baselt-Stadt dhe Basel-Landschaft.
PUÇI I ZYRIHUT
Autori, duke u bazuar në Fjalorin Historik të Zvicrës, ndalet tek “puçi i Zyrihut”, që merr fill pikërisht nga një kulmim i kësaj përballjeje më 1839, kur teologu liberal gjerman David Friedrich Strauss (1808-1874) u emërua në Universitetin e Zyrihut. Ai ishte predikues i famshëm i teorisë se mrekullitë e Jezusit ishin mite të përdorura nga Kisha si mjet propagande. Ky emërim shkaktoi një skandal që çoi në pensionimin e tij para se ai ta merrte detyrën. Ky kompromis nuk e qetësoi zemërimin e popullsisë rurale, mospranuese ndaj modernizimit dhe pakësimit të përmbajtjes fetare në shkolla dhe që kërkonte nënshtrimin e Universitetit. Vepra kryesore teologjike e David Friedrich Strauss, siç shënojnë burimet enciklopedike, ishte pikërisht Jeta e Jezusit, ose një shqyrtim kritik i historisë së tij (Das Leben Jesu kritisch bearbeitet, 1835), në të cilën ai zbatoi sistematikisht parimet e filozofisë hegeliane në jetën e Jezusit, duke identifikuar të gjitha manifestimet mbinatyrore të përfshira në rrëfimin e Ungjillit si “mite” (në krahasim me “konceptet”). Kjo vepër, e cila gëzoi shpërndarje të gjerë dhe sukses të menjëhershëm, megjithëse të diskutueshëm, nuk u prit mirë nga vetë eksponentët e shkollës hegeliane, duke shkaktuar një sërë kritikash që vetë autori u përpoq t’i kundërshtonte në botimet pasuese të tekstit, duke zbutur fillimisht qëndrimet e tij deri në botimin e tretë të vitit 1839, pastaj duke i radikalizuar ato përsëri në të katërtin (1840).
Autoritetet e Zyrihut, në vijim të përplasjes së shkaktuar nga emërimi i David Friedrich Strauss, ndaluan demonstratat e organizuara nga një komitet konservator dhe vendosën këmbësorinë për ta ruajtur rendin publike. Më 5 shtator, Bernhard Hirzel, një pastor nga Pfäffikon, një komunë fshat e Zyrihut, urdhëroi që të gjitha kambanat e kishës të binin për katër orë rresht gjatë mbrëmjes. Komunitetet e tjera të krishtera e ndoqën shembullin. Në mëngjes shpërtheu kaosi.
Ngjarjen e pasqyruan media zvicerane dhe të huaja. Blick shkruante: «Në orën 7.00 të mëngjesit, Paradeplatz i Zyrihut, u sulmua nga 2 000 protestues…. Në atë kohë, qeveria kantonale ishte bllokuar tashmë në postë për orë të tëra. Turma, e armatosur me sfurqe, drapëra dhe halberda, kishte ardhur për ta rrëzuar atë. Ushtarët, nënvizon autori i shkrimit, ndërhynë dhe përleshjet që pasuan ua morën jetën 14 protestuesve e një anëtari të qeverisë kantonale, i cili ishte përpjekur të thërriste për amëpushim. Qeveria ra dhe tri ditë më vonë u mbajtën zgjedhje të reja, duke rezultuar në një fitore për konservatorët. Ndërkohë, gazetat gjermane folën për Züriputsch (puçi i Zyrihut). Në Francë dhe Angli raportet filluan të përmendin «le putsch», “the putsch” në Zvicër.
Kuptimi i fjalës, thekson Stephens, ka pësuar disa evolucione të habitshme gjatë 500 viteve të fundit. Pse filloi të përdoret në sferën politike? “Termi puç është një onomatope. Kur dy gjëra përplasen, ato formojnë ‘puç’,” vëren Christoph Landolt, një gjuhëtar për Idiotikon, një fjalor zvicerano-gjerman. Landolt citon burime të shekullit të 19-të në të cilat foljet putsche, butsche ose pütsche i referoheshin zhurmës së bërë kur dikush hidhte një gur në diçka, qëllonte me armë ose qëllonte dikë me shuplakë. Që në shekullin e 16-të, shfaqet në tekstet fetare me kuptimin “të rrahësh” ose “të godasësh”. Më vonë mori konotacione më të lehta, siç është tingëllimi i gotave gjatë një dollie. Dhe në Zvicrën e sotme, mbijeton madje edhe në Putschautos, ose makinat e shpejta në parqet e argëtimit. Sipas Idiotikon, ky kuptim konkret, i mirëfilltë është zhvilluar, veçanërisht në kantonin e Zyrihut, në një kuptim më figurativ, që do të thotë “të nisesh me nxitim; të nxitosh drejt”.
HISTORIA E FJALËS- JETËT PARALELE TË SAJ
Autori Stephens është marrë me gjurmët e fjalës “putsch” dhe me jetën e saj paralele ndaj termit “putsch”. Sipas gjuhëtarit Christoph Landolt, i cili përmend burime të Shekullit XIX kjo fjalë është onamatopé. Kuptimi i saj vjen nga përplasja e dy sendeve të forta, siç është goditja e një guri, e shtëna me pistoletë apo një shuplakë e dikujt të në faqen e një tjetri. Në jetën e mëvonshme të saj, fjala ka pësuar zbutje kuptimore, duke shënuar përplasjen e dy gotave gjatë dollive apo turrjen e vrullshme drejt përpara të një makine. Si një veprim i nxituar del kjo fjalë edhe në një fjalë të urtë lokale të Zyrihut “bim Hüraate mues me nüd driipütsche”, që do të thotë “kur bëhet fjalë për martesë, nuk duhet nxituar”. Fjala u lëvrua edhe në letërsi, sipas të njëjtit burim të permendur, qysh në vitin 1555 drammaturgu bernez Hans von Rüte, në një vepër për Davidin dhe Golian, shkruante se, pavarësisht fitores në një betejë mbi armikun, “der putsch ist noch vorhanden” (lufta ende nuk ka mbaruar). Në një kuptim të dytë, fjala shënon një shpërthim entusiazmi të kotë i cili shuhet si flakë kashte. Sipas gjuhëtarit, “pikërisht nga ky kontekst vjen edhe kuptimi tjetër “revoltë popullore” apo “kryengritje”. Gotfries Keller, shkrimtari më i madh zviceran i Shekullit XIX, ka dhënë ndihmesë në përhapjen e termit tek romani i tij “Henriku i gjelbër” (1855), duke e përdorur fjalën në kontekste kuptimore si “vetëtimë në qiell të kthjellët”, si dhe për të shprehur çdo shpërthim emocional, zemërim, entusiazëm apo kapriçio.
PËRHAPJA BOTËRORE
Autori i shkrimit i është referuar NGra Viewer të Google, i cili mat dendurinë e përdorimit të fjalëve nga burimet e shtypit që nga vitit 1500 deri në vitin 2022, dëshmon se përdorimi i termit “putsch” ka përjetuar pikun e saj në vitet Tridhjetë dhe Dyzet të Shekullit XIX. Por termi pati një afirmim të plotë vetëm në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë, një periudhë rreth njëzwet vjeçare, kur në botë ndodhnin rreth njëzet grushte shteti në vit.
Tashmë kjo fjalë zvicero-gjermane dëgjohet kudo si në spanjisht (el putsch), portugisht (o putsch), anglisht (the putsch) frëngjisht (le putsch), polonisht (pucz), esperanto (la puĉo), për të përmendur vetëm disa nga gjuhët e panumërta.
JETA E FJALËS NË SHQIP
Fjala puç në shqipe është afirmuar dhe ishte ndër më të lakuarat nga mesi i viteve 1970, kur u “zbulua” puçi ushtarak në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa figurat e larta të ushtrisë pjesëmarrës në “puç” u quajtën “puçistë”. Ky grup që atëherë thuhej se kishte në krye ministrin e Mbrojtjes, por më vonë, sipas diktatorit, doli se kishte vetë Kryeministrin në krye, gjoja po përgatiste grusht shteti të armatosur për ta marrë pushtetin. Jemi në të njëjtën periudhë ku fjala tjetër gjermane “Bunker” përjetonte kulmin e çmendurisë së diktatorit, duke e mbjellë vendin me rreth 700 mijë bunkerët, të cilët mëtohej se mund të strehonin popullsinë e Shqipërisë gjatë një sulmi pushtues të NATO-s. Nga fjala bunker erdhën kuptimet “bunkerizim”, “bunkerizoj”, i “bunkerizuar”, “bunkerizues”, të cilat në kohën tonë nënkuptojnë betonizimin e vendit nëpërmjet ndërtimeve të shumta dhe pa kritere arkitetonike apo urbane, çka është sot një dukuri e shfrenuar në realitetin e Shqipërisë.