Për masakrën e Reçakut gjatë luftës së Kosovës, pritet të xhirohet një film me aktorë të famshem të Hollywood-it. Rolin kryesor thuhet se e ka pranuar ta luajë legjenda e kinematografisë botërore, Robert De Niro, i cili publikisht disa here ka deklaruar se ka rrënjë shqiptaro-italiane.
Sipas televizionit Klan ai thuhet se do ta luajë rolin e të jatit të producentit të filmit Fitim Krasniqit, i cili që fillimisht plagoset, e më pas digjet i gjallë nga ushtria serbe.
Producenti i filmit, Fitim Krasniqi thotë se De Niro, pavarësisht famës që ka, nuk e pati edhe fort të vështirë që ta bindë për të marrë rolin. Në një prononcim dhënë për mediat ai tha se De Niro e pëlqeu skenarin sapo e lexoi. Tashmë sipas tij janë duke u koordinuar periudhat e xhirimeve për të përputhur agjendat edhe me aktorët e tjerë.
Masakra në fjalë ishte vrasja e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak të Kosovës, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Edhe sot e kësaj dite Serbia refuzon të pranojë se e ka kryer këtë masakër.
Producenti ndau me emocion edhe rrëfimin e dhimbshëm për fatin e të atit, i cili gjatë luftës ishte plagosur dhe më pas djegur për së gjalli, një histori që tani do të shndërrohet në një film me mesazh të fuqishëm njerëzor.
Krasniqi pohoi se në këtë projekt do të marrin pjesë 71 aktorë nga Hollywood-i, ndër ta edhe Robert De Niro, dhe se të gjitha kontratat tashmë janë nënshkruar.
Ai konfirmoi gjithashtu se De Niro ka pranuar të portretizojë rolin e babait të tij.
Xhirimet për filmin pritet të nisin vitin e ardhshëm, pasi fillimisht ishin planifikuar të fillonin këtë vit, por janë shtyrë për arsye organizative.