VOAL

VOAL

Excelsior (1931)- Ja me sa vite burg u dënuan dy shqiptarët që tentuan të vrisnin mbretin Zog në Vjenë (Fotografia e gjyqit)

March 30, 2020

Komentet

Lutfi Dervishi: Zvërneci ishte thjesht shkëndija, lënda djegëse ishte aty prej kohësh! Organizatori më i madh i kësaj proteste është pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh

Analisti Lutfi Dervishi thotë se debati publik rreth protestave po përqendrohet gabimisht te pyetja se kush i organizon ato, ndërsa po neglizhohet arsyeja pse qytetarët po dalin në shesh.

 

Në një reagim për protestën që ka hyrë në ditën e tetë, Dervishi argumenton se pjesëmarrja në rritje e të rinjve, familjarëve, artistëve, intelektualëve, sipërmarrësve dhe pensionistëve tregon se lëvizja po ushqehet nga pakënaqësi të grumbulluara prej vitesh.

Sipas tij, ngjarjet në Zvërnec mund të kenë qenë shkëndija e revoltës, por jo shkaku i vetëm. Ai rendit si faktorë kryesorë problemet në shërbimet publike, mungesën e përfaqësimit politik, rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësitë ekonomike.

Dervishi vëren se protesta jo vetëm nuk është zbehur me kalimin e ditëve, por ka fituar më shumë mbështetje dhe energji, ndërsa solidarizimi i diasporës në Europë dhe SHBA tregon se shqetësimet që ajo ngre shkojnë përtej një çështjeje lokale.

Reagimi i Lutfi Dervishit: 

Pse po rritet protesta?

Protesta ka hyrë në ditën e saj të tetë, por ka plot njerëz që po i mundon e njëjta pyetje: kush qëndron pas saj?

Analistë, politikanë dhe komentues në rrjetet sociale po garojnë ethshëm për të gjetur organizatorët. Në listën e dyshimeve gjen nga “armiqtë e jashtëm” tradicionalë (grekët, serbët, iranianët) e deri tek formula e gatshme e “tradhtarëve vendas” që nuk ia duan të mirën Shqipërisë.

Ndërsa vëmendja është përqendruar e gjitha tek prapaskena, po lihet në hije pyetja thelbësore: kush ka dalë në shesh dhe pse?
Pamja e bulebardit është e pazakontë. Aty sheh të rinj, familjarë me fëmijë, artistë, intelektualë, sipërmarrës, pensionistë dhe qytetarë pa asnjë petk partiak. Kjo protestë nuk po tkurret me kalimin e ditëve; përkundrazi, po rritet. Ka më shumë pjesëmarrës, më shumë energji dhe një kreativitet që nuk është parë prej kohësh. Nuk është rastësi që shumë prej tyre e kanë pagëzuar si “protesta e bukur”.

Në sipërfaqe, shkaku është i qartë: ngjarjet në Zvërnec, rrethimi me tela me gjemba, dhuna ndaj qytetarëve dhe ndjesia e frikshme e përballjes me një “shtet brenda shtetit”. Por nuk mund të lidhet gjithë pylli me një litar. Një revoltë mund të nisë nga një incident i vetëm, por vështirë se zgjerohet dhe mbijeton për tetë ditë me radhë vetëm prej tij.

Në shesh ka shpërthyer një masë kritike pakënaqësish të grumbulluara ndër vite. Janë qytetarët që përplasen çdo ditë me dështimet në shëndetësi, arsim, administratë dhe me banalitetin e debatit politik/publik. Janë njerëzit që ndihen të papërfaqësuar dhe që ndiejnë fyerje inteligjence kur shohin se kush flet e vendos për ta në Kuvend, qeveri apo media.
Kësaj i shtohet edhe dimensioni ekonomik që nuk mund të injorohet: rritja stratosferike e kostos së jetesës, pamundësia për të siguruar një shtëpi dhe ndjesia se hapësirat për të ndërtuar të ardhmen këtu po mbyllen. Zvërneci ishte thjesht shkëndija; lënda djegëse ishte aty, e tharë prej kohësh.

Një tregues interesant është se vala e revoltës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Tubimet solidare në qytetet europiane dhe deri në Shtetet e Bashkuara nuk shpjegohen thjesht me nostalgjinë apo lidhjen emocionale të emigrantëve me atdheun. Shumë prej tyre u larguan pikërisht nga këto plagë që sot po denoncohen në shesh. Për diasporën, ky reagim është një lloj pakti solidariteti me ata që mbetën, dhe një refuzim i prerë ndaj një modeli qeverisës që prodhon vetëm eksod.

Jehona që dëgjohet mijëra kilometra larg tregon se kjo lëvizje ka prekur një nerv shumë më të thellë sesa Zverneci.
Prandaj, pyetja “kush e organizon protestën?” duket gjithnjë e më pak e rëndësishme. Kur një protestë jo vetëm mbijeton, por rritet dita pas dite, shpjegimi nuk gjendet tek teoritë e konspiracionit, por tek realiteti. Përgjigjja është në shesh, në sytë e njerëzve që janë lodhur duke pritur, duke u dëgjuar pa u dëgjuar dhe duke u përfaqësuar pa u përfaqësuar. Në fund të fundit, organizatori më i madh i kësaj proteste nuk duhet kërkuar as te armiqtë, as te partitë, as te grupet e interesit, as te sharlatanë protestash, por te pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh nga litari që tërhiqet dhe zullumi që trashet.

“Rama n’burg!”, aktori Çun Lajçi tregon përjetimet nga protesta që mbushi Bulevardin: Atdheu nuk është plaçkë tregu, mos bëni pazare!

Aktori i njohur Çun Lajçi, ka ndarë një reflektim emocional pas pjesëmarrjes së tij në protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit në Zvërnec dhe politikave të qeverisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Lajçi përshkruan atmosferën e protestës, ku sipas tij mijëra qytetarë të të gjitha moshave u mblodhën për të shprehur kundërshtimin ndaj asaj që e cilëson si “pazare me atdheun”.

Ai shprehet gjithashtu kritik ndaj klasës politike, duke theksuar se debatet për pushtetin po dominojnë mbi çështjet e interesit kombëtar dhe mbrojtjes së territorit.

REAGIMI

Ata brohorasin. Unë eci e eci, e vargu s’ka të sosun.

Ata nuk ndalen. Unë po. Ulem n’rranzën e nji pishe shtathedhun, si me dashtë me ia marrë frymën tokës e me e ndigjue çka po flet nën kambët e mij.

Pankartat n’duert e vajzave e djemve sikur m’thonë:

— Lexo ti që shkruen, e mos hezito me shkrue nesër kur të kthehesh n’Prishtinë.

Nji gjeneratë rinore asht çue n’kambë. Nji dallgë e ngrohtë prej Sazanit e Karaburunit, e nji fllad prej Dajtit, ka zbritë n’Tiranë me shkundë pluhunin e viteve, me ua kujtue njerëzve se atdheu nuk asht plaçkë tregu.

Unë, mbi rranzën e pishës shumëvjeçare, përballë Kuvendit, shikoj pankartat e lexoj:

“Rama n’burg!”

Disa i mbajnë nalt me zemërim, disa me shpresë, e disa veç për mos me u dorëzue.

Ajo nanë e re, mbështjellun me flamurin e kuq e me plis mbi flokë, që e mban foshnjën n’grykë, buçet e thërret:

— Shqipnia nuk shitet!

Mua më përloten sytë. Më lagen faqet.

Fëmija në krahët e saj më shikon e qeshet.

E ajo buzëqeshje ma kthen shpresën. Sikur ma kthen jetën mbrapsht. Sikur vitet bien prej supeve e unë bahem prap çun i ri.

Ngrihem.

Eci me turmën, tue e shikue fëmijën n’krahët e nanës e tue lexue sllogane të ndryshme, e ndër mend më vjen nji pyetje që më ther si gjemb:

— Ç’na duhen fëmijët, nëse ua shesim tokat?

Jo!

“Shqipnia nuk shitet!”, bërtas edhe unë.

Por prap ulem n’trotuar.

Dikush më pyet:

— Je mirë, xhaxh?

Po pse t’mos jem mirë? – ia dredhi. A s’thoshte Isa Begu:

— Unë jam mirë kur Shqipnia asht mirë!

Ai buzëqeshi.

— Aha, nga Kosova qenke!

— Po, nga ajo Kosovë që vazhdon me e dashtë këtë tokë ma shumë se Edi, ma shumë se Salihu, por jo sa ky fëmijë e kjo nanë e re.

E kur i thashë këto fjalë, dola prej turmës së dalldisun.

Por jo prej mendimit.

Sepse turma mbeti pas meje, ndërsa zani i asaj nanës e e qeshuna e atij fëmije vazhduen me ecë me mua rrugëve të Tiranës, si nji amanet që s’duhet harrue:

— Shqipnia nuk asht e jona me e shitë.

Asht e fëmijëve që ende s’dinë me folë, por që nesër kanë me na pyetë çka bamë me tokat.

N’Prishtinë kur zbrita, askush nuk më pyeti për lumin e njerëzve që kishte mbushë Tiranën, tue brohoritë:

— Mos bani pazare me atdheun!

Ata kishin hall tjetër.

Jo Shqipninë, por fituesin e nesërm.

Jo atdheun, por pushtetin.

“Dëshpërimi, pasojë e keqqeverisjes”- Ish-zv. ministrja socialiste, Irena Beqiraj: Janë shumë të frikësuar nga protesta! Në sheshe janë ata që guxojnë të flasin me zë të lartë

Ish-zëvendësministrja socialiste e Financave, Irena Beqiraj teksa ka komentuar protestat masive të qytetarëve thotë se “dëshpërimi është pasojë e keqqeverisjes”.

 

Me anë të një postimi në rrjetet sociale ajo i ka cilësuar protestat si një shprehje të drejtpërdrejtë qytetare dhe si transformim të zhgënjimit e dhimbjes në një akt publik.

Beqiraj shprehet se protestat, të cilat sipas saj janë etiketuar si “pa kokë, pa emër dhe pa numër”, kanë treguar se qytetarët janë larg apatisë dhe po ushtrojnë detyrën e tyre qytetare.

“Janë kapur të papërgatitur,  sepse kjo protestë është ndryshe . Në sheshe janë ato që guxojnë të flasin me zë të lartë, janë ata që nuk kanë nevojë për protagonizëm, janë ata që nuk veprojnë të drejtuar nga ambicia për të qënë të dukshëm në vijën e parë , por  që me durim presin radhën për të folur. Janë  ata që vendosën të bëheshin të zhurmshëm pikërisht në momentin kur shpresat po shuheshin  dhe heshtja impononte nënshtrim”, shkruan ndër të tjera Beqiraj.

Nga Irena Beqiraj 

Protesta që shndërroi  zhgënjimin edhe dhimbjen në një akt të vërtet publik!

Protesta pa kokë , pa emër , pa numër,  e organizuar sipas tyre,  nga “poli -agjentët” grekë  serbë, iranianë, sorosianë,  i ka trembur.

Janë shumë të frikësuar , sepse pas shumë kohësh apatie, kemi vendosur të bëjmë  detyrën tonë qytetare  .

Janë në dhimbje të madhe, sepse duke u përpjekur për pushtetin e tyre politik , janë mësuar të na ndajnë , të na trajtojnë si të pavetëdijshëm, të na indoktojnë një neveri të qëllimshme  ndaj njëri tjetrit , në mënyrë që të mos merremi kurrë me ta .

Kanë mbetur pa strategjinë e zakonshme me të cilën zakonisht na shtypin  sepse në sheshe , në Tiranë , Vlorë , Korçë, kudo,  janë mbledhur njërëz që po tregojnë se dëshpërimi nuk është gjendje shpirtërore në ketë vend , por pasojë e keqqeverisjes edhe mungesës së alternativës politike.

 Janë kapur të papërgatitur,  sepse kjo protestë është ndryshe . Në sheshe janë ato që guxojnë të flasin me zë të lartë, janë ata që nuk kanë nevojë për protagonizëm, janë ata që nuk veprojnë të drejtuar nga ambicia për të qënë të dukshëm në vijën e parë , por  që me durim presin radhën për të folur. Janë  ata që vendosën të bëheshin të zhurmshëm pikërisht në momentin kur shpresat po shuheshin  dhe heshtja impononte nënshtrim .

Ndaj në ato sheshe çdo fjalë ka rëndësi,  çdo koment publik . Arritja më e madhe e kësaj proteste  është pikërisht – shndërrimi i dhimbjes  në akt të vërtet publik, qytetar e civil .

Akti publik që po ndodh shesheve të këtij vendi, ka zhvlerësuar vullnetin e kalbur politik ,  ndaj  po shpenzojnë para, po përdorin çdo mendje djallëzore pa shtyllë kurizore duke zuzatur si miza pa kokë televizioneve , për të  na penguar që ta shohim të vërtetën .

Po kërkojnë me qiri në tokë e në qiell , majtas e djathtas , jashtë e brenda  organizatorin se janë mësuar të mblidhen rreth individit , rreth interesave personale, të gjejnë lugën edhe përsheshin, sepse kurrë nuk kanë mundur ta shohin botën përtej interesave të tyre të ngushta…..

Janë në hall se njerëzit që i duan këto toka janë një elektorat me të cilin nuk mund të debatohet. Nuk janë militantët e sëmurë . Janë ata që e dinë mirë që tokën e trashëguar ua kemi borxh fëmijëve tanë.

 Numërojnë , etiketojnë , po kërkojnë me çdo kusht  dështimim sepse në shesh është mendja , shpirti i  shumicës dërrmuese që është kundër tyre.

Kanë kuptuar më në fund se nuk jemi të pazot,  të mblidhemi rreth njëri tjetrit , rreth të ardhmes së fëmijëve tanë . Panorama

‘Dorëheqja e Ramës, objektiv plotësisht i realizueshëm’- Malaj: Qeverisja e tij personale, e kalbur!

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Malaj se dorëheqja e Ramës është një objektiv plotësisht i realizueshëm, pasi ‘qeveria e tij personale është e kalbur’.

Malaj thekson se misioni kryesor i çdo lëvizjeje duhet të jetë koncepti i “Shqipërisë së Re”, i cili sipas tij duhet të përcaktohet qartë në përmbajtje dhe mënyrë realizimi.

“Protesta duhet të bëhet gati për të qenë konkurruese që në zgjedhjet e reja për pushtetin qendror, por sidomos për çdo opsion për zgjedhje parlamentare të parakohshme.Lëvizja e protestuesve duhet bërë për të parandaluar dorëheqjen tinëzare të Ramës, i cili mund të largohet përkohësisht jo për të ikur vërtet, por për t’u rikthyer me më shumë agresivitet  dhe hakmarrje primitive”, shkruan ndër të tjera Malaj.

Postimi i Arben Malajt:

Kujdes! Protesta paqësore dhe atdhedashëse mund të “vetëvritet” nga populizmi euforik.

Kjo për disa arsye kryesore:

1.Mosqartësimi i fenomenit të ngritjes së socializmit të Gjeneratës ,referuar edhe  këtij artikullit, duke e mbingarkuar protestën me shumë mesazhe që zbehin objektivitetin dhe sidomos misionin  e saj.

Dorëheqja e Ramës është një objektiv plotësisht i realizueshëm, sepse qeveria e tij — thjesht personale — është e kalbur. Çdo gjë e kalbur bie.

Misioni i vetëm i kësaj proteste duhet të jetë “Shqipëria e Re”.

Ky mision duhet qartësuar se çfarë nënkupton dhe si do të realizohet.

Ky mision nuk mund të jete thjeshtë një paralel e protestave por një vizion dhe objektiv i realizueshëm

Objektivat duhen qartësuar mirë sa me thjeshte dhe sa me lehtesisht re kuptueshme nga cdo protestues dhe cdo shqiptarë se:

cilët janë të menjëhershëm/afatshkurtër, cilët janë afatmesëm dhe

cilët janë pjesë e vizionit afatgjatë.

Objektivat duhet të jenë të mirëstrukturuara, duke filluar që nga ndryshimet kushtetuese,

sociale,

ekonomike dhe

buxhetore.

Kjo kërkon që për këto objektiva jo të lehta, të fillojne të angazhohen ekspertë shqiptarë he diadpore dhe nga Shqipetis dhe të huaj të bashkohen në platforma online, të mirë përdorin  dhe mundësitë e jashtëzakonshme të inteligjences artificiale,

për të hartuar draft-dokumentet për reformat specifike.

Vetem mbi bazën e ketyre dokumentave per refotnen e thelle politike duhet te prefatotet draft kontrata e protestuesve me gjithe shqiptaret

Kjo punë duhet të fillojë pa vonesë, sepse rrit besueshmërinë dhe mbështetjen publike përpara, gjatë dhe sidomos pas protestave.

Kujdes nga populizmi euforik! Bazuar edhe në artikullin e mësipërm, premtimet euforike janë “gropa e thella që fundosin si lëvizjet e reja shoqërore, ashtu edhe ato politike.

11.Protestat tona duhet të nxjerrin mësime nga “Pranvera Arabe”,

(i)

Të cilat rrëzuan “mbretëri familjare  dhe mbretëri personale” qindra miliardë dollarëshe,

(ii)

por dështoi në misionin për të ndërtuar të nesërmen e premtuar.

Lëvizja e protestuesve duhet të bëjë shumë kujdes nga vetëkënaqësia,

nga përçarja apo edhe nga keqpërdorimi prej “dy vëllezërve siamezë”

që mbretërojnë mbi vrasjen e shpresës dhe të së ardhmes së të gjithë shqiptarëve.

12.

Protesta duhet të bëhet gati për të qenë konkurruese që në zgjedhjet e reja për pushtetin qendror,

por sidomos për çdo opsion për zgjedhje parlamentare të parakohshme.

Levizja e protestuesve duhet bërë për të parandaluar dorëheqjen tinëzare të Ramës,

i cili mund të largohet përkohësisht

jo për të ikur vërtet, por për t’u rikthyer :

(i) me më shumë agresivitet

(ii) dhe hakmarrje primitive.

E fundit, të dashur protestues

atdhetarë,

paqësorë dhe të mirëarsimuar:

Të përkushtuar ndaj misionit historik,

ajo që presin shqiptarët nga ju është një dhe vetëm një:

“Shqipëria e Re”.

Suksese dhe mirënjohje!

Revolta në Tiranë- BIRN: “Lufta hibride” si alibi e qeverisë për krizën e besimit dhe mungesën e transparencës

Kryeministri Edi Rama u ankua ndërsa mori pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor se Irani kishte sulmuar Shqipërinë dhe se vendi po përballej me një luftë hibride. Ndërsa nuk e tha drejtpërdrejt, kryeministri aludoi se protestat që vijojnë prej 6 ditësh para zyrës së tij ishin të ndikuara edhe prej kësaj lufte prej një armiku të njohur.

Por ndërsa faqe apo profile në rrjetet sociale të lidhura me Iranin, apo që shpërndajnë propagandë të Iranit në shqip dhe gjuhë të tjera, që BIRN i ka identifikuar edhe më herët, po përdorin protestën për të dezinformuar dhe kanë fabrikuar lajme të rreme kryesisht me përmbajtje antisemite, masiviteti i kësaj të fundit si zor të jetë frymëzuar nga Garda Revolucionare dhe as nga profilet në Telegram të Homeland Justice.

Tre-katër banderola antisemite apo të rinj që besojnë në teori konspiracioni, nuk e bëjnë protestën produkt të luftës hibride. Por nga ana tjetër vënë në dukje së pari krizën e madhe të besimit mes qytetarëve dhe shumicës qeverisëse dhe së dyti dështimin e kësaj të fundit në planet për të adaptuar një strategji për mbrojtje nga ndërhyrjet e huaja që u votua në fund të legjislaturës që shkoi.

E para arsye dhe më e rëndësishmja kuptohet lehtë në protestë. Nëse një i ri 30-vjeç, zgjedh të besojë një faqe anonime Instagrami se kryeministri është duke shitur vendin, kryeministri dhe shumica duhet të pyesin veten çfarë kanë bërë që të shihen si shitës tokash. Dhe përgjigjet janë në protestë aty ku pjesëmarrësit numërojnë skandale korruptive të qeverisjes, njëri më shokues se tjetri. Inceneratorët, AKSHI, rrugë të shtrenjta pa standarde, mungesë ilaçesh në spitale, arsim me probleme dhe mungesa bazike si uji dhe një mori historish që ca i jetojnë në kurriz, ca i shohin të ndodhin.

Kryeministri ka ditë tani që është angazhuar të sqarojë “projektin”, që siç thotë në një anë nuk ekziston, por që nga ana tjetër do sjellë miliarda që nuk dihet nga dalin. Por për mbi dy vjet me radhë, që prej hedhjes së idesë e deri sa Pishë-Poro Narta u rrethua me tela me gjemba, shqiptarët i morën informacionet për të përmes medias së huaj.

Aq “sekret” dhe aq “i fshehtë” ishte projekti sa askush prej këtyre që planifikonin nuk shkoi të harxhonte një orë t’u shpjegonte banorëve në Zvërnec. As kur karvanet që shoqëruan Ivanka Trump me arkitektë e investitorë kaluan aty pari, askush nuk ndaloi në fshat, që pavarësisht në ka apo jo të drejtë për pronat, preket direkt nga investimi i supozuar.

Për dy vjet me radhë, përpos rendereve që flisnin për 10 mijë njësi banimi dhe port jahtesh brenda në lagunën e cekët, askush nuk u ul me organizatat e mjedisit e aktivistë që kalojnë ditët duke numëruar shpendët në lagunë e gjurmuar foletë e breshkave mbi duna dhe që ishin të shokuar prej këtyre ideve. (Tani Rama thotë se këto plane që i prezantoi Jared Kushner në Bloomberg nuk janë të vërteta).

Për muaj me radhë përmes kërkesave për informacion dhe pyetjeve gazetarë të një sërë mediash tentuan të mësonin për planet dhe morën pas kryesisht mesazhe të gjata për sekretin tregtar, të dhënat personale e justifikime që mohonin aksesin në informacion.

Kjo heshtje dhe enigma vijuan deri në ditën kur ekskavatorët i sheshuan dunat dhe zona e mbrojtur u rrethua me tela me gjemba edhe pse brenda saj nuk kishte asgjë që duhej të ruhej me masa sigurie si oborri i një burgu. Dhe kur kjo ndodhi qeveria nuk shkoi të komunikonte me ata që u shqetësuan. Të parën gjë që bëri ishte të gënjente e relativizonte. “Nuk ka kantier”, i thanë BIRN-it në telefon zyrtarët lokalë dhe ata të mbrojtjes së territorit, kur u pyetën pas denoncimit të ambientalistëve. “Është pronë private”, tha Rama, kur telat me gjemba rrethuan plazhe dhe monumente natyre që ligji i njeh si prona të patjetërsueshme publike.

Nga ana e saj kompania që mori lejen u fsheh offshore me aksionerë nën 25%, fiks saç duhet për të mos u deklaruar. Madje bënë përpjekje për të qëndruar fshehur edhe kur prania e tyre qe e qartë dhe dokumentet zbuluan se bashkë me ta kishte dhe plot personazhe kontroverse.

Kur një turmë të fortësh, të veshur me të zeza dhe të prezantuar si roje sigurie të punësuar nga kompania, morën peng, rrahën dhe tërhoqën zvarrë pa asnjë arsye një prej protestuesve banorë të fshatit, reagimi i parë i policisë ishte një gënjeshtër. “E shoqëruan”, tha policia. “Ishte i dhunshëm”, tha policia. Mijëra qytetarë që e panë këtë të ndodhte në rrjetet sociale reaguan aty për aty në valë të tëra komentesh, që përtej gjuhës dëshmonin humbjen e besimit. Televizionet me licenca kombëtare dhe ai publik heshtën ndërkohë për gjithë sa po ndodhte.

Por nuk u mbyll këtu. Kur zemërata shpërtheu në rrugë, bashkë me teoritë e konspiracionit, qeveria nuk kërkoi ndjesë dhe as ndau informacion. Përkundrazi, ajo nisi një luftë të vetën hibride. Sikur të mos mjaftojnë mijëra komentues që sulmuan faqe aktivistësh e politikanësh të opozitës që mbështetën protestën, deputetë dhe spin-doktorë të qeverisë sajuan aty për aty protestues e autobusë të rremë që vinin nga Greqia. Përdorën foto me Inteligjencë Artificiale dhe kamera të sistemit të survejimit për të intimiduar qytetarët të mos protestonin. Duke i etiketuar ata praktikisht si tradhtarë dhe kundërshtues të zhvillimit për të cilin, përpos shfaqjes me tela me gjemba që të kall datën, nuk ka as projekt as ndonjë informacion tjetër.

Media pranë qeverisë dhe për ironi edhe ato pranë opozitës, të cilat heshtën për protestën në dy ditët e para të saj, u përdorën dhe po përdoren për të sulmuar protestuesit. Këta janë etiketuar me lloj e soj emrash prej studiosh televizive nga persona që as e kanë marrë mundimin të bisedojnë me ndonjë prej tyre.

Tani ndërsa kjo ndodhte, pra që prej fillimit të rrethimit, e deri te sulmet në media me licenca kombëtare ndaj protestës, lajmet e rreme të shpërndara në rrjetet sociale nga ato profile që ndajnë prej vitesh propagandë të Iranit në shqip apo masivizimi i këtyre produkteve në gjuhë të huaja, ishte harruar nga qeveria dhe shumica.

Njësoj siç i rezultoi BIRN-it gjatë monitorimit se ishte harruar strategjia e miratuar me tamtame “kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”. Kuvendi i Shqipërisë i kontrolluar në shumicë dërrmuese nga socialistët dhe Kryeministria që ngarkoheshin në strategji të ngrinin mekanizmat për t’u mbrojtur pikërisht nga kjo lloj lufte për të cilën qahet Rama dhe deputetët e tij dhe të cilën duan ta përdorin si arsye pas protestës, kishin bërë në 6 muajt e parë pas miratimit të strategjisë zero punë për ta vënë atë në jetë.

Një zero që përkthehet në mungesë strukturash të dedikuara “për evidentimin dhe reagimin ndaj ndërhyrjeve të huaja informative dhe dezinformimit, e parashikuar në Strategji si mekanizëm koordinues ndërinstitucional”. Pasoja e parë e kësaj sigurisht janë qytetarë, që përpos se të gënjyer prej qeverisë janë edhe të dezinformuar prej rrjetesh propagande. Pasoja e dytë janë përfaqësues të shumicës që duken qesharakë kur bërtasin se jemi në luftë hibride dhe herë fajësojnë fqinjët dhe herë tjetër Iranin.

Në fund kjo paaftësi e qeverisë për të mbrojtur vendin nga dezinformimi, ndërsa harxhon pa hesap në prodhim propagande e kontroll mediash, të cilave u ka dhënë edhe investime strategjike, është vetëm një arsye më shumë për të protestuar./Reporter.al

“S’jam Vasil Shanto të bredh me motor për të krijuar parti” Mevlan Shanaj i kujton Ramës ’90: Të besuam se kishe frikë nga pushteti, jo etje për të! Përse na zhgënjeve?

Edhe personazhe nga bota e artit i janë bashkuar protestës së qytetarëve në mbrojtje të Zvërnecit, protestë që ka kaluar tashmë kufijtë e qëllimit fillestar, pasi qytetarët kërkojnë në vijimësi largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

 

Aktori Mevlan Shanaj, në një reagim në rrjetet sociale, ka kujtuar fillimet e kryeministrit Rama në politikë, ku tha se kishte një pikë kur ai kishte frikë nga pushteti dhe përgjegjësia që vinte bashkë me të.

“Por vitet kaluan. Dhe bashkë me to u grumbulluan akuza për korrupsion ndaj ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të lartë të qeverisjes suaj. Dy zëvendëskryeministra u bënë simbol i një krize të rëndë besimi. U krijua përshtypja se pushteti po bëhej gjithnjë e më i mbyllur në vetvete dhe se mbrojtja politike shpesh ishte më e fortë se përgjegjësia publike.

Ndoshta disa prej këtyre perceptimeve janë të drejta, ndoshta disa jo. Por një gjë është e sigurt: ato ekzistojnë. Dhe kur një perceptim pushton mendjen e një pjese të madhe të shoqërisë, ai bëhet realitet politik. Mjafton të shohësh zemërimin, mosbesimin dhe reagimin publik për ta kuptuar”, thiotë ai, për të përfunduar me: “Përse na zhgënjeve? NE QË TË BESUAM !!!!”.

Postimi i plotë:
REQUIEM PËR NJË BESIM
Edi Rama,
Sot po të shkruaj jo si kundërshtar politik, por si një njeri që të ka njohur para se pushteti të bëhej pjesë e jetës tënde.
Po të shkruaj sepse ndiej se mes Edit që kam njohur dhe Edit që shoh sot ekziston një distancë që nuk mund të mos më bëjë të reflektoj.
Më kujtohet dhjetori i vitit 1990. U ktheve nga Korfuzi dhe shkove drejt Qytetit Studenti, asaj që ishte bërë Meka e Lirisë shqiptare. Ti vije nga bota e artit, nga “Refleksionet”, me bindjen se duhej të ishe pjesë e asaj lëvizjeje që po ndryshonte historinë.
Por dera nuk t’u hap.
Po atë natë erdhe në shtëpinë time. Më tregove se Gramos Pashko dhe Arben Imami të kishin propozuar të shkoje në Shkodër për të organizuar strukturat e para të Partisë Demokratike. Nuk kishe pranuar. Me atë ironinë tënde karakteristike the se nuk ishe Vasil Shanto që të bredhje me motor për të krijuar një parti.
Në atë përgjigje kishte diçka që më pëlqeu: Refuzimin për t’u bërë ushtar i verbër i kujtdo.
Pak kohë më vonë, në mitingun e madh para Stadiumit “Qemal Stafa”, më kërkove të ndërhyja që të merrje fjalën. Lista e folësve ishte mbyllur. Kur mbarova fjalimin tim, të ftova para turmës.
Ti fole.
Dhe në fund the fjalinë që atëherë bëri bujë:
“Na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë, na nxiu si shqiptarë. Enver Hitler.”
Ishte një nga deklaratat më të forta që ishin dëgjuar deri në atë moment. Dikush pranë meje tha: “E pe sa radikal është?”

Po, ishe radikal. Por ishte radikalizmi i njeriut që kërkonte ndryshim.
Më vonë të pashë të plagosur, të goditur barbarisht, dhe shumë prej nesh u gjendëm pranë teje.
Të pashë edhe kur pranove të bëheshe ministër. Më kujtohet shqetësimi yt i asaj kohe.
Më kujtohet kur, i mbyllur në dhomë, i mbingarkuar nga përgjegjësia, më the:
“Si pranova të bëhem ministër? Ku e bëj dot unë këtë punë?”
Dhe pikërisht atë njeri besuam.
Nuk besuam vetëm artistin.

Besuam njeriun që dukej se kishte frikë nga pushteti më shumë sesa etje për të.
Kur më pas u ngjite në majat e politikës shqiptare, të mbështeta. Kam menduar dhe kam thënë se Shqipëria kishte nevojë për më shumë emancipim, për më shumë liri shpirtërore dhe qytetare, sesa për moralizma provinciale.
Por vitet kaluan.

Dhe bashkë me to u grumbulluan akuza për korrupsion ndaj ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të lartë të qeverisjes suaj.
Dy zëvendëskryeministra u bënë simbol i një krize të rëndë besimi. U krijua përshtypja se pushteti po bëhej gjithnjë e më i mbyllur në vetvete dhe se mbrojtja politike shpesh ishte më e fortë se përgjegjësia publike.
Ndoshta disa prej këtyre perceptimeve janë të drejta, ndoshta disa jo.
Por një gjë është e sigurt: ato ekzistojnë.

Dhe kur një perceptim pushton mendjen e një pjese të madhe të shoqërisë, ai bëhet realitet politik.
Mjafton të shohësh zemërimin, mosbesimin dhe reagimin publik për ta kuptuar.
Prandaj sot nuk po shkruaj një aktakuzë politike.
Po shkruaj një requiem për një besim.

Sepse të kam njohur kur nuk të linin të flisje.
Të kam njohur kur dyshoje nëse mund të mbaje mbi supe peshën e një detyre.
Të kam njohur kur liria të dukej më e rëndësishme se pushteti.
Dhe pikërisht për këtë arsye pyetja ime është e thjeshtë:
Përse na zhgënjeve?
NE QË TË BESUAM !!!!

Banorë të Zvërnecit takohen me Ramën: Pronat tona janë grabitur me dokumente të falsifikuara

Jetmira Delia-Kaci

Disa nga banorët e Zvërnecit, gjatë një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pretenduan se pronat e tyre – ku pritet të zbatohet një projekt prej 4 miliardë eurosh – është “grabitur” me dokumente të falsifikuara. Rama u përgjigj se askush nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave dhe se investimi nuk mbetet peng i proceseve gjyqësore.

Prej gjashtë ditësh në Tiranë, por edhe në Vlorë dhe qytete të tjera po protestohet kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

“Më kanë sorollatur 35 vjet. Njëzetepesë vjet luftoi im atë, derisa vdiq. Ne nuk kemi folur [për debatin për projektin], fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos kemi zë”, tha Gentian Moçka, një nga banorët që pretendon pronësi të tokës në Zvërnec, afër Vlorës.

“Prona është në proces gjyqësor dhe s’duhet të kishte nisur asgjë, asnjë investim”, tha Minella Balliu, një tjetër që pretendon pronësi mbi tokën.

Enea Balliu, banor që pret vendimin e drejtësisë për tokat në Zvërnec, gjatë takimit me Ramën në Vlorë më 5 qershor, pretendoi se prona i është marrë përmes dokumenteve të falsifikuara.

Balliu u shpreh se është dakord me investimin në Zvërnec, por kërkoi kthimin e pronës së pretenduar.

Në lidhje me këto pretendime, Rama tha se nëse banorët do të fitojnë gjyqin, paratë që janë “të ngrira” pas hetimit të nisur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, do t’i konfiskohen biznesmenit që ua ka shitur tokën dy vëllezërve nga Katari dhe do t’i kalojnë shtetit, i cili më pas ua shpërndan banorëve që pretendojnë pronësinë, duke shtuar se nuk komenton vendimet e drejtësisë.

Kryeministri i Shqipërisë tha se hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, investimin apo projektin, por për individin që ka shitur pronën, duke iu referuar një biznesmeni nga Vlora, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Rama sërish mbrojti projektin dhe e bëri të qartë se nuk do të anulohet, pavarësisht protestave.

“Jo pesë mijë vetë, por 500 mijë të dalin në protestë, projekti do të bëhet. Kemi kontratë me 800 mijë njerëz që kanë votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit. Ata në rrugë le të rrinë deri më 2029, të futen në zgjedhje, të matin sa u kushton lëkura politike”, tha Rama, duke pretenduar se gjithçka është politikë dhe nuk ka lidhje me mbrojtjen e mjedisit.

 

Zona Pishë Poro-Nartë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Rama u ndal edhe te marrëdhëniet mes investitorëve dhe pronarëve aktualë të tokave në zonë, duke deklaruar se nuk ka dijeni për marrëveshjet konkrete të arritura mes palëve.

“Unë nuk kam takuar asnjë nga pronarët. Nuk ia kam idenë fare se për çfarë marrëveshje kanë bërë investitorët me pronarët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së presidentit të SHBA-së [Donald Trump] për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë se Sazani është një çështje e Qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private”.

Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri, më 27 maj 2025.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Gjatë takimit në Vlorë, kreu i Qeverisë shqiptare akuzoi regjimin iranian se po ushqen një fushatë dezinformimi për projektin në Zvërnec, që e cilësoi si luftë hibride kundër Shqipërisë.

“Me atë gardhin me tela me gjemba është bërë një gjë me inteligjencë artificiale, ku shkruhej ‘Stop kufiri i Izraelit’. Është thënë se këtu do të vijnë palestinezët që do të shkulen nga Gaza. Kjo është bërë me një sistem shumë të qartë nga ne në disa xhami, dhe të tjerë e kanë besuar. Kjo ka marrë përmasa botërore dhe është shumë e thjeshtë për ta kuptuar pse Irani është i interesuar për këtë narrativë”, tha Rama.

Ndërsa Rama zhvillonte këtë takim me banorët e Zvërnecit, para Kryeministrisë zhvillohej protesta e gjashtë me radhë. Protestuesit në Shqipëri po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ata paralajmëruan se të shtunën paradite do të shkojnë në Zvërnec dhe pasdite do të mblidhen sërish para Kryeministrisë. REL

Blerja dështon: Vienna Insurance Group humbet shansin e blerjes të Sigal për t’u bërë numri një në Ballkan

exxtra24.at Ekipi Redaktues

Oferta e blerjes dështon: Vienna Insurance Group humbet shansin për t’u bërë numri një në Ballkan Tregu i sigurimeve në Ballkan mund të ketë qenë në prag të një prej historive më emocionuese të blerjes së viteve të fundit. Sipas informacioneve nga burime të industrisë, Vienna Insurance Group (VIG), kompania mëmë e Wiener Städtische Versicherung, paraqiti një ofertë blerjeje për Sigal (ish Sigal Uniqa) Group. Grupi i sigurimeve, në pronësi të Avni Ponari, konsiderohet lideri i padiskutueshëm i tregut në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e bërë atë grupin më të madh të sigurimeve në rajonin e Ballkanit.

Për VIG, një blerje do të kishte qenë me rëndësi të konsiderueshme strategjike. Grupi austriak është tashmë i pranishëm në Shqipëri me degët e tij Sigma, Intersig dhe Vienna Life, duke arritur një pjesë tregu prej afërsisht 22 përqind, duke e bërë atë numrin dy në Shqipëri. Me blerjen e Sigal, Vienna Insurance Group mund ta kishte zgjeruar ndjeshëm praninë e tij në Ballkan dhe të kishte forcuar ndjeshëm pozicionin e tij në treg.

Se Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm për VIG për vite me radhë u theksua së fundmi nga Christoph Rath. Në faqen e internetit të Vienna Insurance Group, Rath citohet të ketë thënë: “Ne gjithmonë kemi besuar në potencialin e tregut shqiptar. Prania jonë lokale daton që nga viti 2007 – pothuajse 20 vjet në të cilat ne kemi zgjeruar vazhdimisht portofolin tonë të produkteve dhe shërbimeve të sigurimit jo-jetë, duke u pozicionuar midis lojtarëve kryesorë. Hyrja në tregun lokal të sigurimeve të jetës e forcon ndjeshëm pozicionin tonë dhe tani ne mbulojmë të gjithë spektrin e zgjidhjeve të sigurimit për klientët privatë dhe të korporatave.”

Ndërsa VIG thekson rëndësinë e tregut shqiptar, Sigal duket se po ndjek një qasje relativisht të relaksuar ndaj një shitjeje të mundshme. Burime pranë kompanisë tregojnë se ata marrin rregullisht shprehje interesi dhe oferta blerjeje, të cilat i pranojnë.

Vlerësimi i një punonjësi të Sigal Group është edhe më i theksuar. Ai tregon pozicionin dominues të tregut të grupit në Ballkan dhe e sheh ekuilibrin e fuqisë si të përcaktuar qartë. “Ne në Sigal jemi tashmë me shumë mundësi numri një në Ballkan, shumë përpara Grupit VIG. Ndryshe nga VIG, i cili operon si një biznes familjar në Shqipëri, ne jemi një grup i strukturuar sigurimi që vazhdon të zgjerohet”, deklaroi punonjësi.

Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar për negociata konkrete apo për shumën e një oferte të mundshme. Megjithatë, diskutimi tregon rëndësinë që tregu i sigurimeve në Evropën Juglindore ka tani për korporatat ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ai nënvizon pozicionin e fortë të Sigal, i cili është zhvilluar në forcën dominuese në industrinë e sigurimeve të Ballkanit Perëndimor vitet e fundit.

Matrioshkat e Zvërnecit – Nga Lindita Çela

 

Credits: shteg.org – Matrioshkat e Zvërnecit

Llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development” u sekuestruan me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më 2 qershor 2026, por dy institucionet që vendosën mbi këtë masë, prokuroria dhe gjykata, deklaruan se në këtë fazë të “hetimit” nuk kanë njoftim për të ndarë me median. Mendohet se shuma e sekuestruar është 200 mln dollarë në një bankë të nivelit të dytë, në kuadër të hetimit që SPAK ka nisur mbi projektin turistik luksoz në Zvërnec, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Hetimi ka nisur mbi dyshimet ngritura se tjetërsimi i pronësisë së tokës gjatë vitit 2024, i hapën rrugë zhvillimit të projektit në një nga zonat më të ndjeshme mjedisore të Shqipërisë.

Kompania, në pronësi të sipërmarrësve nga Katari, vëllezërve Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, ka blerë sipërfaqet e tokës ku planifikohet ndërtimi i resortit dhe konsiderohet një hallkë kyçe në realizimin e investimit.

Projekti përfshin ishullin e pabanuar të Sazanit dhe qindra hektarë të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, një ekosistem bregdetar me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.

Megjithëse investimi është lidhur publikisht me kompaninë “Affinity Partners” të Kushnerit dhe investitorët nga Katari, leja e zhvillimit është miratuar për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.

Sipas të dhënave zyrtare, kompania ka adresën në katin e 12-të të kullës European Trade Center (ETC) në Tiranë. Dokumentacioni publik tregon vetëm një administrator shqiptar, Andi Jorgji, dhe një kapital fillestar prej 5 milionë lekësh.

Ndërkohë, projekti është shoqëruar me kundërshtime të forta nga qytetarë dhe organizata mjedisore. Protestat nisën në fund të muajit maj, pasi në zonën e Zvërnecit u vendosën gardhe që kufizuan hyrjen e banorëve dhe turistëve në plazh. Demonstratat janë shtrirë edhe në Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar ndalimin e projektit, mbrojtjen e zonës së mbrojtur dhe transparencë mbi procedurat që i hapën rrugë investimit.

Tensionet u rritën pas publikimit të pamjeve ku roje private të sigurisë shfaqeshin duke dhunuar dhe tërhequr zvarrë një protestues. Pas incidentit, autoritetet revokuan licencat e dy kompanive të sigurisë private, arrestuan një roje sigurie dhe morën masa ndaj drejtuesve lokal të policisë. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimi do të vijojë pavarësisht hetimeve, çështja po tërheq vëmendje të gjerë publike për shkak të përmasave ekonomike të projektit, hetimeve mbi pronësinë e tokës dhe rëndësisë mjedisore të zonës ku ai pritet të zhvillohet.

Drejtorët hije të projektit

Credits: shteg.org – Drejtorët hije/Ilustrim

Më 13 gusht 2024, në vapën e rëndë të Tiranës, një zyrtar regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shtypi butonin “Aprovo”. Në atë sekondë lindi zyrtarisht shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Zyrat e saj u vendosën lart, në katin e 12-të të kullës European Trade Center (ETC), përgjatë Bulevardit Bajram Curri. Gazetarët e “shteg.org” nuk gjetën asnjë shenjë të kësaj kompanie me një emër që premton zhvillim ndërkombëtar. E vetmja gjë që rezulton në letër është një administrator shqiptar të quajtur Andi Jorgji dhe një kapital fillestar prej 5,000,000 lekësh.

Gjurmët e letrave të çojnë drejt veriut të Europës, në një zyrë sterile “kutie postare” në katin e parë të World Trade Center në Amsterdam, ku dy persona në hije, një shtetas rus dhe një shtetase bullgare, thurën një rrjet kompanish me vlerë “1 Euro”.

Për të kuptuar se si u projektua kontrolli i Zvërnecit, duhet të kthejmë kohën pas, saktësisht dymbëdhjetë ditë përpara se kompania shqiptare të hapej.

Është data 1 gusht 2024. Ndërsa në Shqipëri flitej nën zë për planet e mëdha të resorteve në Pishë Poro, në Amsterdam të Holandës regjistrohet një kompani e quajtur “Universal Properties Projects B.V.”. Adresa e saj është “Strawinskylaan 1431, 1077XX Amsterdam”. Ajo nuk ka zyra fizike, as punëtorë dhe as fabrika. Është një kompani “guaskë” (shell company). Kapitali i saj i themelimit është 1 Euro.

Kjo kompani me vlerë sa një kafe e thjeshtë u krijua me një qëllim të vetëm, të zbriste dymbëdhjetë ditë më vonë në Tiranë dhe të blinte 100% të aksioneve të kompanisë shqiptare “Zvërnec South Adriatic Development”, duke injektuar atje kapitalin prej 5,000,000 lekësh.

Në industrinë offshore, kompanitë guaskë vendosen gjithmonë brenda njëra-tjetrës, si kukullat ruse “Matrioshka”.

Dokumentet e Orbit tregojnë se shoqëria 1-euroshe “Universal Properties Projects B.V.” zotërohet plotësisht nga një tjetër entitet më i vjetër dhe më i sigurt, “Interroyal B.V.”, e cila ndan saktësisht të njëjtën adresë: “Strawinskylaan 1431, Amsterdam”. E krijuar më 10 qershor 2004 me një kapital prej 18,000 eurosh.

Kontrolli kapital i Interroyal B.V. ndahet mes dy personave që ligjërisht mbajnë statusin Pronar Përfitues Fundor.

Nikita Maximovich Vinogradov, një shtetas rus i lindur më 7 shkurt 1991, i cili kontrollon mbi 25% të aksioneve në hije, dhe Zoya Georgieva Gyurova, një shtetase bullgare e lindur më 17 tetor 1988, e cila gjithashtu kontrollon mbi 25% të aksioneve.

Të dy këta persona nuk janë investitorë të pasurive të paluajtshme që kanë zbritur në Vlorë me shpurën e investitorëve strategjikë. Ata janë “drejtorë” profesionistë.

Kur gazetarët kërkuan për biografinë publike të Nikita Vinogradov apo Zoya Gyurova, sistemi Orbis nxjerr një fjalë të thjeshtë e të ftohtë: “No data available”. Ata nuk ekzistojnë në konferenca biznesi, nuk kanë intervista dhe as profile publike. Megjithatë, ata kontrollojnë miliarda në letra.

Dokumentet zbulojnë se Nikita Vinogradov është zyrtarisht Drejtori i Përgjithshëm (“Algemeen Directeur”) i Dutch Trust Management B.V. që nga viti 2019. Kjo kompani trusti është “makineria” që administron adresën “Strawinskylaan 1431” dhe që mbron sekretet e klientëve në mbarë botën. Zoya Gyurova është partnerja e tij ekzekutive në të njëjtin bord.

Ata janë specialistë të krijimit të paravanëve ligjorë. Vinogradov mban 7 role aktive në 6 kompani të ndryshme holandeze, ndërsa Gyurova menaxhon një rrjet edhe më mbresëlënës me 12 role aktive në 10 kompani të ndryshme.

Se sa të fuqishëm janë këta dy “menaxherë hijesh”, këtë e tregojnë dy fije të tjera të padukshme që zbulon regjistri i Orbit. Njëra që të lidh me pushtetin gjeopolitik të Pekinit dhe tjetra me atë të Tiranës.

Gjurmët e pronarëve përfitues të projektit në Zvërnec

Credits: Facebook – Në një fotografi grupi të publikuar nga vizita në Zvërnec, Ivanka Trump dhe Kryeministri Edi Rama shfaqen së bashku me disa pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve është i pranishëm edhe Musa Kastrati.

Mëngjesin e 30 majit, në telefonat e disa mediave në vend u shpërnda deklarata e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, në të cilën thuhej se po përballej me një fushatë dezinformimi dhe përpjekje për të diskredituar projektin turistik në Zvërnec. Sipas saj, investimi prej mbi 4 miliardë eurosh po zhvillohet në përputhje me ligjin, mbi prona private të blera ligjërisht dhe me mbikëqyrjen e institucioneve shqiptare. Kompania thekson se projekti synon të krijojë mijëra vende pune, të respektojë standardet mjedisore dhe të kontribuojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare, ndërsa premton se dokumentacioni teknik dhe mjedisor do të bëhet publik pas përfundimit.

Ndonëse deklarata u paraqit si një reagim zyrtar i kompanisë zhvilluese, gjurmët e shpërndarjes së saj çojnë edhe te aktorë të tjerë. Sipas burimeve të “shteg.org”, dokumenti u qarkullua fillimisht nga stafi i marrëdhënieve me publikun të Kastrati Group, përpara se të publikohej në faqen zyrtare të kryetares së Bashkisë së Vlorës. Përfshirja e emrit të grupit nuk kalon pa u vënë re, sidomos në dritën e fotografive të publikuara nga vizita e Ivanka Trump në Zvërnec, ku mes personave që e shoqëronin shfaqej edhe Musa Kastrati, djali i biznesmenit Shefqet Kastrati.

Kompania Kastrati Group nuk iu përgjigj pyetjeve për koment. Po ashtu, as Bashkia e Vlorës dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar të përfshira në këtë projekt.

Shteg.org nuk mundi të kontaktonte asnjë prej përfaqësuesve të “Zvërnec South Adriatic Development”, por pronarët përfitues të saj, shtetasi rus Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova, referuar dokumenteve të OpenCorporates, rezultojnë po ashtu si pronarë përfitues edhe në “AIR BP ALBANIA”, një kompani me objekt veprimtarie tregtimin e karburanteve të avionëve, me seli të zyrave qendrore në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe atë të Aeroportit të Kukësit.

Përfshirja e tyre vjen si rrjedhojë e strukturës korporative të shoqërisë holandeze United World Technologies B.V. (e cila zotëron 50% të aksioneve të Air BP Albania). Kjo kompani operon përmes një modeli të mbyllur “Trust-i”, ku pronësia e plotë kontrollohet nga fondacioni menaxhues Stichting Administratiekantoor United World Technologies dhe administrohet nga Dutch Trust Management B.V. Për shkak të kësaj strukture fiduciare, ku investitorët e fundit kapitalë apo përfituesit realë nuk identifikohen nominalisht në regjistrat publikë, ligji parashikon që si pronarë përfitues të regjistrohen pikërisht përfaqësuesit ligjorë të strukturës më të lartë, që në këtë rast janë Gyurova dhe Vinogradov.

Analiza e kompanive të tjera që kjo dyshe përfaqëson në Holandë tregon se roli i tyre shkon përtej administrimit formal të disa shoqërive. Dokumentet e regjistrit Orbit zbulojnë dy lidhje domethënëse që ndihmojnë për të kuptuar peshën e tyre në botën e korporatave ndërkombëtare: njëra të çon drejt interesave të lidhura me gjigantin shtetëror kinez të energjisë, ndërsa tjetra drejt një prej rrjeteve më të fuqishme të biznesit në Shqipëri.

Dokumentet e provojnë se më 25 nëntor 2025, shtetasi rus Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova u emëruan që të dy si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Bestuurder; Directeur B” në kompaninë “SOIHL Netherlands Investment B.V.”. Edhe këto kompani kanë po të njëjtën adresë në Amsterdam, rrugën Strawinskylaan 1431.

Ky entitet është krahu i investimeve offshore i “Sinopec Overseas Investment Holding Limited”, gjiganti shtetëror i naftës dhe gazit i qeverisë së Kinës. Në këtë bord, “pronarët përfitues” të Zvërnecit ulen krah për krah me zyrtarë të lartë kinezë si Ning Li dhe Baosheng Zhang, duke menaxhuar flukset e naftës kineze.

Dokumenti i Orbit për Zoya Gyurova tregon një lidhje të dokumentuar të nivelit të parë me Klodian Allajbeu.

Gyurova ka shërbyer në bordin e kompanisë “Media A.B.C. Holding B.V.”, një entitet i regjistruar midis Holandës dhe Cambridge-it në Britaninë e Madhe. Përmes këtij pozicioni, dokumentet investigative e lidhin atë direkt me rrjetin e kontrollit të Spitalit Amerikan në Shqipëri, duke përfshirë personat e lidhur të Nivelit 2 si Dr. Iris Allajbeu, Mario Karaj, Andrei Christian Krikliwy dhe Samsara Hamzaraj.

Sipas dokumenteve të referuara, Vinogradov dhe Gyurova shfaqen në role drejtuese dhe përfaqësuese në struktura korporative jashtë Shqipërisë, të cilat lidhen edhe me kompani aktive në vend, ndërsa mënyra e ndarjes së pronësisë përfituese mbetet e ndërmjetësuar nga struktura të ndërlikuara juridike ndërkombëtare.

“Wag the Dog”

Credits: LSA – Foto nga protesta

 

Kur një kryeministër del përpara kamerave për të menaxhuar një krizë të madhe publike, ai zakonisht ofron një zgjedhje: midis vizionit të tij për progres dhe “prapambetjes” së kritikëve të tij. Pas javësh të tëra tensioni në bregdetin e Vlorës, Edi Rama zgjodhi pikërisht këtë rrugë.

I gjendur përballë një dallge zemërimi popullor, të ndezur nga videoja e një protestuesi që tërhiqej zvarrë pas një gardhi me tela me gjemba në Zvërnec, Kryeministri shqiptar mbajti një fjalim të gjatë dhe emocional. Ai pranoi se dhuna e rojeve private ishte “e neveritshme”, njoftoi shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Policisë së Vlorës për relativizim të ngjarjes, hoqi licencën e kompanisë private të sigurisë dhe urdhëroi arrestimin e rojeve.

Por përtej menaxhimit të incidentit fizik, fjalimi i Ramës hapi perden e një beteje shumë më të madhe gjeopolitike dhe korporative. Nga njëra anë qëndron narrativi zyrtar i qeverisë për një investim elitar prej 4 miliardë eurosh dhe, nga ana tjetër, qëndrojnë dokumentet e ftohta të regjistrave tregtarë dhe inteligjencës korporative Orbis.

Edi Rama e vizatoi projektin e Zvërnecit si biletën e Shqipërisë për në “Ligën e Kampioneve” të turizmit global. Ai hodhi poshtë me forcë ato që i quajti “legjenda të përhapura me shumë helm”, thashethemet se toka po i falej Izraelit për të sjellë palestinezët, apo se “ca rusë në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë po rrafshojnë zonën për të ndërtuar pallate”.

Sipas Ramës, e vërteta është tërësisht ndryshe dhe e mbikëqyrur rreptësisht:

Kryeministri deklaroi se negociatat kanë nisur që në vitin 2023. Ndërsa ishulli i Sazanit është tokë publike ku shteti po kërkon të jetë ortak, toka në Zvërnec është 100% pronë private e regjistruar në hipotekë prej shumë vitesh.

Rama specifikoi se pasuritë objekt zhvillimi janë në pronësi të shoqërisë “Albania Land Development”, e cila si ortak ka vetëm shoqërinë “Sazan Holding”. Në majë të këtij zinxhiri, sipas tij, qëndrojnë dy bashkëpronarët e gjigantit “Power Holding” nga Katari. Paratë, tha ai, janë të mbikëqyrura në mënyrë strikte “euro për euro” nga Agjencia Kundër Pastrimit të Parave dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kryeministri tha gjithashtu se Pishë-Poro nuk është park kombëtar i paprekshëm (si Vjosa), por një peizazh i mbrojtur i Kategorisë së Pestë (IUCN), që lejon bashkëjetesën e natyrës me turizmin e nivelit të lartë. Ai zbuloi se Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) e kishte rrëzuar masterplanin e parë në shtator 2024, sepse ishte shumë intensiv. Vetëm në mars të vitit 2026 u pranua një projekt tërësisht i rikonceptuar, ku u hoq marina dhe u vendos një brez mbrojtës nga vija e lagunës.

Rama këmbëngul se nuk ka asnjë projekt arkitektonik të miratuar. Leja e infrastrukturës e dhënë në prill 2026 ishte thjesht për “rrugë kalimi të përkohshme”, që studiot mjedisore të vendosin pajisje për të studiuar biodiversitetin. Për të mbrojtur këtë vizion, investitorët (të promovuar globalisht nga Jared Kushner) kanë angazhuar pesë nga studiot më elitare të arkitekturës në botë: BIG (Danimarkë), Kengo Kuma (Japoni), Jean Nouvel (Francë), Emre Arolat (Turqi) dhe K-Studio (Greqi), duke sjellë marka si AMAN, Cheval Blanc dhe Atlantis.

Kryeministri Rama e krahasoi zemërimin e publikut me skenarin e filmit “Wag the Dog”, ku një krizë dhe një luftë me Shqipërinë fabrikohen nga mediat përmes simboleve të rreme (si gardhi me tela). Ai argumentoi se makineritë në terren thjesht po merreshin me gurë për të hapur rrugë kalimi për pajisjet e studimit mjedisor, pasi “studimi mjedisor akoma nuk është bërë”.

Kryeministri nuk dha shpjegime pse kompania e zhvillimit u nxitua të ngrinte një gardh të rrethuar me tela me gjemba dhe të përdorte dhunë aq agresive përmes rojeve private, sa të detyronte shtetin të ndërhynte me shkarkime të nivelit të lartë të policisë, nëse leja e prillit 2026 ishte thjesht për rrugë kalimi të përkohshme mjedisore dhe asgjë nuk është finale.

Kush e pagoi “faturën” mjedisore të Zvërnecit?

 

Zona ku do të zhvillohet projekti

Credits: shteg.org – Zona ku do të zhvillohet projekti

Dritan Brako, me profesion inxhinier hidroteknik, diku nga mesi i dhjetorit u kontraktua nga administratorja e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, Isida Çela. Ai nënshkroi një kontratë për nisjen e punës për vlerësimin e ndikimit në mjedis për projektin, për të cilin kompania ka siguruar një leje zhvillimore për një sipërfaqe mbi 466 hektarë.

Inxhinieri i tha “shteg.org” se është kontraktuar nga znj. Isida Çela, por tashmë në realizimin e studimit janë bashkuar edhe ekspertë të tjerë dhe se puna është ende në fazën paraprake.

“Për të realizuar një studim duhen minimumi 6 muaj kohë, por mund të shkojë edhe dy vite”, thotë Brako, sipas të cilit projekti ka pësuar shumë ndryshime nga aplikimi i parë që është dorëzuar.

Bazuar në dokumentacionin e aplikimit, projekti “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional” përfshinte njësi shërbimesh, banimi dhe hotelerie nga 1 deri në 8 kate, por edhe objekte banimi, shërbimesh, hotelerie, rekreacioni, si dhe mole parkimi të mjeteve ujore.

Inxhinieri thotë se projekti ka ndryshuar, megjithatë ende po punohet për ndikimin në mjedis që do të ketë zhvillimi i tij, duke pasur parasysh që do të zhvillohet në zonën e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, shpallur me VKM-në Nr. 596, datë 25.09.2024, “Peizazh i Mbrojtur Ujor/Tokësor” (Kategoria V), në monumentet natyrore “Laguna Limopuo” dhe “Kodrat Molasike të Zvërnecit”.

Brako po ashtu sqaroi se edhe çështja e pronësisë së projektit është e dokumentuar sipas certifikatave të lëshuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndërsa për të ekziston edhe një Vlerësim Strategjik Mjedisor (VSM).

Ky vlerësim, i cili i hap rrugën ligjore ndërtimeve në peizazhin e mbrojtur, nuk u pagua nga investitorë të Nju Jorkut apo llogari transparente të Katarit. Ai u porosit dhe u financua drejtpërdrejt nga një mozaik përfituesish vendas, një aleancë e pazakontë mes bankave me histori të përgjakshme, biznesmenëve të lidhur me pushtetin, kompanive nën hetim për pastrim parash dhe emrave të skeduar për lidhje me mafian italiane.

Deri në vitin 2022, ata kontrollollonin së bashku një parcelë gjigante prej 1,536 hektarësh në zonën e mbrojtur.

“Qendra Kërkimore për Zhvillimin Rural, me kërkesën e subjekteve private pronarë, në proporcione të ndryshme të sipërfaqeve në zonë, ka kërkuar Vlerësimin Strategjik Mjedisor”, thuhet zyrtarisht në dokumentet që i hapën rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

Dokumentet e lidhura me Vlerësimin Strategjik Mjedisor zbardhin emrat e vërtetë që qëndrojnë pas regjistrimeve të tokës në këtë perimetër strategjik.

Pronari më i madh i tokës në këtë zonë të mbrojtur është një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Ky institucion financiar mban në portofolin e tij plot 600 hektarë.

Një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, Vasil Naçi, kontrollon përmes kompanisë së tij Agna Sha 240 hektarë të tjerë. Portofoli i tij shtrihet nga tregtimi i pijeve energjetike dhe pasuritë e patundshme, e deri te sektori i ndërtimit dhe energjisë.

Një sipërfaqe e barabartë zotërohej nga kompania “Singapore Europe Real Estate” (S.E.R.E.), pjesë e konglomeratit në pronësi të biznesmenit Samir Mane.

Biznesmeni Gazmend Demi, posedon 180 hektarë në këtë zonë. Pjesa tjetër e tokës brenda 1,536 hektarëve të projektit mjedisor mbulon histori që kanë kaluar nëpër zyrat e prokurorive për krime të rënda.

Kompania Adhenis sh.p.k., në pronësi të Artur Shehut, kontrollon 150 hektarë brenda zonës së mbrojtur. Pronat e përfituara nga Shehu në bregdetin e Vlorës kanë qenë prej vitesh objekt i hetimeve intensive nga prokuroria shqiptare, ndërkohë që emri dhe e shkuara e tij janë lidhur në dosje investigative me operacionet e pastrimit të parave të mafias italiane.

Në këtë rrjet pronësish figuron edhe një kompani e krijuar në vitin 2012 nga një shtetas indian dhe shqiptari Denis Alimehmeti. Në gusht të vitit 2015, Prokuroria shqiptare hapi një procedim penal për pastrim parash ndaj Alimehmetit, pas sinjalizimeve për transaksione me vlera jashtëzakonisht të mëdha në llogaritë e tij. Ndonëse hetimet u pushuan në vitin 2017 me argumentin se nuk provohej evazioni fiskal, kalimi i këtyre kapitaleve mbi letrat e zonës së mbrojtur mbetet një pikëpyetje e madhe.

Nga ana tjetër, në Zvërnec vijon prej vitesh një konflikt i pazgjidhur pronësie.

Rreth 250 familje pretendojnë të drejta mbi këto toka, qoftë si pronarë të hershëm, qoftë si përfitues të akteve të njohjes së pronësisë të lëshuara në bazë të ligjit 7501. Mosmarrëveshjet kanë prodhuar një sagë të gjatë gjyqësore, e cila ende nuk ka marrë fund. Pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, çështja është rikthyer për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku po rishqyrtohen pretendimet mbi sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe pyjesh. Në një zonë ku interesat ekonomike po rriten me shpejtësi, fati i këtyre pronave mbetet ende i paqartë, ndërsa banorët vazhdojnë të presin një zgjidhje përfundimtare nga drejtësia.

Investigative Journalist

 

Lindita Çela

 

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.

‘Corriere della sera’: Telashe të tjera për Igli Taren, akuzohet se fshehu vilën luksoze të Ballukut në emrin e tij

Igli Tare është nën hetim në Shqipëri për pastrim parash: ish-drejtori sportiv i AC Milan dyshohet se ka regjistruar në emrin e tij një vilë të përdorur si ryshfet për ish-zëvendëskryeministren Balluku. Ai u shkarkua dhjetë ditë më parë.

Nga Salvatore Riggio, CORRIERE DELLA SERA

Këto nuk janë kohë të mira për Igli Taren. Pasi u shkarkua nga AC Milan më 25 maj pas dështimit të klubit për t’u kualifikuar për Ligën e Kampionëve, ai tani është nën hetim në Shqipëri për pastrim parash.

Tare është informuar nga SPAK (Zyra e Prokurorit Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) se është nën hetim në rastin “Balluku” (hetimi është ende në vazhdim).

Hetimi mban emrin e ish-zëvendëskryeministres së Shqipërisë Belinda Balluku, e akuzuar për parregullsi në prokurim dhe nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash që përfshijnë afërsisht një milion euro. Në thelb, siç raportuan mediat lokale, ish-sulmuesi është akuzuar edhe për pastrim parash.

Pasi u thirr për t’u paraqitur si person i informuar për faktet, Tare thuhet se u mor në pyetje për gjashtë orë në zyrat e Prokurorisë, ku ishte i pranishëm avokati i tij.

Lidhja e supozuar midis politikanit dhe ish-drejtorit sportiv të AC Milan ka të bëjë me një vilë në Shqipëri, brenda kompleksit turistik ekskluziv “White Rocks” në Dhërmi, në bregdetin Jon. Sipas prokurorisë, shtëpia iu ofrua Ballukut si ryshfet për një kontratë të dhënë një kompanie ndërtimi.

Për të shmangur çdo gjurmë, vila ishte regjistruar në emër të Tares. Sipas Prokurorisë, ishte vetë Tare ai që nënshkroi “një marrëveshje fiktive qiraje me ish-shefin e kabinetit të Ballukut”.

Në realitet, Prokuroria gjithashtu pretendon se vila është në pronësi të ish-zëvendëskryeministrit. syri.net

Tenderi që bëri Ballukun me vilë! Si u fsheh banesa luksoze në emer te Igli Tares! Çfarë dëshmoi ai në SPAK

Në 17 nëntor të vitit 2014, shoqëria publike Albcontrol shpalli një tender për “Rikonstruksionin e godinës Teknologjike të ALBCONTROL SHA për përmirësimin e kushteve,” me fond limit 73 milionë e 860 mijë lekë ose rreth 750 mijë euro me kursin e sotëm.


Sipas dokumentave të publikuara në APP, zhvillimi i tenderit ishte caktuar në 8 dhjetor po të atij viti, ku Albcontrol do të hapte ofertat e mbërritura nga kompanitë. Dhe kështu ndodhi.

Në garë u paraqitën 4 oferta. E para ishte ajo e bashkimit të kompanive Ndregjoni shpk dhe Cara shpk, të cilat ofruan çmimin 48.3 milionë lekë. Oferta e dytë u paraqit nga Ndërtim Montim Patos sha me rreth 71 milionë lekë, ndërsa oferta e tretë erdhi nga bashkimi i kompanive Alko Impex dhe Agri Construction me 71.3 milionë lekë.

Tenderi që bëri Ballukun me vilë, sipas SPAK

Ofertuesit ne tender

Këto u skualifikuan të treja me preteksin e mospërmbushjes së kushteve. Albcontrol shpalli fituese ofertën me çmimin më të lartë, atë të kompanisë Eurocol të Pandeli Carapulit, e cila ofroi vlerën 72.4 milionë lekë ose më shumë se 98 për qind e fondit limit.

Njoftimi i klasifikimit u bë në datën 11 dhjetor, pra tre ditë pas tenderit dhe në datën 30 dhjetor u lidh kontrata.

Tenderi që bëri Ballukun me vilë, sipas SPAK

Lidhja e kontrates

Por sikur të mos mjaftonte që e fitoi tenderin me çmimin më të lartë, Pandeli Carapuli do të merrte të tjera miliona shtesë për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol. Rrugës kontrata u modifikua duke shtuar dhe 14.2 milionë lekë të tjera dhe duke e çuar totalin që u pagua nga paratë publike për këtë tender në 86.6 milionë lekë.

SPAK akuzon se kompania Eurocol nuk e fitoi rastësisht tenderin me ofertën më të lartë dhe nuk iu shtuan rastasisht para të tjera rrugës. Sipa SPAK, Belinda Balluku kishte interesat e veta financiare në këtë tender, pasi në këmbim të parave që i dha Carapulit mori rryshfet një vilë të tipit Beonia në kompleksin ëhite Rocks në Dhërmi.

Tenderi që bëri Ballukun me vilë, sipas SPAK

Biznes mes miqsh

Sipas SPAK, vlera e vilës ishte 141 mijë euro dhe pronësia reale e Ballukut mbi vilën u fsheh përmes kontratave fiktive të ish futbollistit të kombëtares, Igli Tare dhe ish vartëses së saj Joana Bushi.

Vetë Tare i ka mohuar këto akuza gjatë pyetjes nga prokurorët e SPAK.

“Me Belinda Ballukun kam marrëdhënie miqësore që prej fëmijërisë, një fakt që njihet gjerësisht në Tiranë. Familjet tona kanë lidhje të vjetra dhe frekuentohen prej vitesh,” ka dëshmuar Tare.

Në këtë kuadër, ai ka shpjeguar se si mik i afërt, thjesht i ka ofruar asaj dhe fëmijëve të saj mundësinë për ta shfrytëzuar banesën e Dhërmiut gjatë pushimeve.

Vila në fjalë u sekuestrua një ditë më parë nga SPAK me miratimin e GJKKO-së. Tashmë pretendimet e palëve do të përballen në proceset e mëtejshme në gjykatë./KAPITALI

Zbulohet skandali! Vrau me kallashnikov policin dhe plagosi kolegun e tij, Violand Braçellari përfitoi fonde nga AZHBR për stallat e bagëtisë

Zbulohen detaje në kufijtë e skandalit në lidhje me autorin e vrasjes së policit Enea Mokolli.

Burime të sigurta pranë familjarëve të Violand Bracellari bëjnë me dije se autori, një person me rrezikshmëria të lartë shoqërore, në kërkim prej 9 vitesh, ka përfituar fonde nëpërmjet AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive. Pikërisht ato stalla që dje u bënë një skenë krimi, ku Braçellari fshihej dhe sulmoi me kallashnikov policinë, duke lënë të vdekur në vend policin 36-vjeçar, dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri.

Është e pakonfirmuar në qoftë se 41-vjeçari ka përfituar këto fonde me emrin e tij apo të nënës së vet, por ajo çka sigurojnë burimet është se Violand Bracellari pavarësisht se ishte në kërkim prej vitesh ka përfituar subvencione në bujqësi e blegtori. Është e paqartë sesi një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i trajnuar ushtarakisht ka përfituar fonde publike kur njëkohësisht për të më parë ishin mobilizuar edhe forcat RENEA për ta kapur.bw


Send this to a friend