Sankt Jakobshalle në Bazel
VOAL- Edicioni i vitit 2025 i Eurovision Song Contest do të mbahet në Bazel, në Sankt Jakobshalle, në datat 13, 15 dhe 17 maj. Njoftimi u bë nga SSR këtë të premte në mëngjes në orën 10. Kandidati tjetër i mbetur në garë ishte Gjeneva, ndërsa propozimet nga Zyrihu dhe Berna/Bienne tashmë ishin hedhur poshtë. Festivali mbahet në Zvicër për shkak të fitores së Nemo këtë vit në Malmö me këngën “The Code”.
Kostot organizative vlerësohen nga autoritetet e Bazelit në 35 milionë franga, por qyteti do të jetë në qendër të vëmendjes së të gjithë Evropës: tri shfaqjet (gjysmëfinale dhe finale) këtë vit u panë nga 163 milionë njerëz (800,000 spektatorë në Zvicër).
Në një reagim fillestar (një konferencë për shtyp është caktuar për në orët e para të pasdites) qeveria kantonale është e kënaqur me zgjedhjen që i ra Bazelit: është një mundësi e madhe – shkruan në një njoftim për shtyp – dhe do të bëhet gjithçka që është e mundur për të mirëpritur sa më bukur ngjarjen. Është planifikuar edhe një program shoqërues, me qëllim përfshirjen e të gjithë popullatës: ditën e finales, Parku Sankt Jakob aty pranë do të presë një koncert të yjeve të edicioneve të kaluara. Një “Eurovision Street” ( “Rruga e Eurovizionit”) do të gjejë hapësirë në qytet. Një kërkesë kredie do t’i bëhet së shpejti Këshillit të Madh, i cili duhet të japë mendimin e tij që në shtator.
Edicioni i 69-të i Eurosong do të jetë i treti në Konfederatë, pas atij inaugurues në Lugano më 1956 dhe atij të Lozanës më 1989. Një vit më parë Zvicra kishte fituar në Dublin me “Ne partez pas sans moi”, kënduar nga Céline Dion.RSI
