Berlin, maj 2020
1.
Arena e Prishtinës kthehet gjurmëve të vjetra. Shumë më të vjetra se liria e saj që ende i ngjan një fatamorgane tek josh, lëbyr e mashtron…
Presidenti risjellë me afsh në trafikun e gjuhës politike nocionin “grup”. Kështu, grup, do i cilësojë ai Kurtin, Sfeçlën e Vitinë, pjesën qeveritare jashtë korit të kontrolluar partiak.
Dhe më kujtoi terminologjinë tipike të tiranëve ndër vite. Kronikat nuk harrojnë grupin e Demaçit, fjala vjen. Ose “katërshin” e famshëm në Kinën e Maos, në mesvitet 70-të.
Natyrisht, paralelja është rastësore. Sepse, ndërsa i pari ishte sinonim i lirisë, i dyti, ndërkaq, përfaqësonte falangën brutale të revolucoinit kulturor kinez.
Por hakmarrja e diktaturës kundër tyre (që në Kosovë pati dhe dimensionin e pushtimit) kishte amzë, mjete e justifikim të njëjtë.
Grupi, fillimisht, shpallet armik i popullit e shtetit. Por merr shpesh dhe nofkën figurative “bandë” politike. E, meqë Tirani është njëjtësim absolut i tyre, aherë grupi rrjedhon armik i tij për jetë a vdekje!
Historia e fundeve të tyre është gjithandej e njohur: burgje, internime, leçitje, likuidime, ndalim i emrit, shuarje…
Po çështja është: ç’shtysë të brendshme do ndjente Presidenti që të akomodojë leksikun e tillë?
Është, me gjasë, inercia e shkollës, vokacioni fillestar dhe paaftësia e fshehjes së tyre.
Mirëpo është, vallë, kohë tjetër, apo gjithnjë kohë e tij?
2.
Autobusi gjarpëronte diku në zona të largëta rurale. Pikturë Dukagjini. Magji Dhéu…
Dhe, pas një frenimi të detyruar, merr sërish shpejtësinë e papritur. Tranden të gjithë. Madje, hallakaten e shfryjnë dhe ca gra burrnore me strajcat plot pazar vjeshte.
Por dikush nga udhëtarët , për të qetësuar zërat, thotë solemnisht: ishte inercioni shokë! Papritmas, një milic që u ndodh mes tyre, me të dëgjuar këtë, briti: ku është, kapeni!
Rrfenjëza sikur jep disi tabllonë e përafërt. Dërgon rudimentin, passhenjat e saj njohëse. Ndaj pra, Motin e ri me protagonistët politikë: shpejtësinë dhe milicin që ndjekë inercien, fajtorin e tronditjes së tij.
3.
Megjithatë, ndonjëherë ndodh që Koha e Mjerani të nyjëtohen fatkeqësisht. Frytëzohen ndërsjelltas derisa të konsumohet cikli i tyre. I lig, por njëj ligjshmërie asdurde të historisë…
Autori i Princit, Niccolo, shkruante se Papa Xhulio ishte aq i mbrapshtë dhe koha aq e përshtatshme për të, saqë mund të bënte gjithë prapsitë e botës…
Qindra vjet më vonë, një reinkarnim i tij shfaqet në Ballkan. Në tokën më të vuajtur të tij. Tashmë në formën e binomit, njëri me frymëzimin e Maos, e tjetri të Serbosllavisë dhe, të dy bashkë, me vigjilencën e mprehtë të milicit që desh të arrestonte Inercien e gjorë.
A nuk bën, prandaj, posi Xhulio i fantaksur, dhe Mjerani i dyzuar Thaçi-Mustafa gjithë ç’bluan e keqja e fantazisë?
Dhe Koha akoma i parzmon, duke i mbajtur në qendërpikën e zjarrtë të saj…
Deri kur?
Këtë, kufijtë e tyre, do të duhej t’i vijëzonte i ashtuquajturi popull. Por ai, me ç’duket, nuk merr pjesë në fatin e vet.
R. K.
Rexhep, me kete esse, mi ke kujtuar essete e dikureshem qe ne Rilindje i shkruajshin shoket e mi Ali Podrimja dhe Teki Dervishi te cilet tani jane ne jete te amshueshme.
I vetmi i gjalle tani por qe nuk i degjohet zeri Ibrahim Berisha i vili dikure ishte aktual me essete e tije si duket ka gjete dic tjeter e nuk don te konfrontohet me kasten aktuale sunduese.
Per kete te pergezoje qe me shkrimet tuaje ne bene me dije se akome ka njerez adhurues te esseve sepse keta per shumicen e opinionit tone jan te pakuptueshem!