Çfarë thotë Kushtetuta në nenin 67?
Kushtetuta thotë që Kuvendi e zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarë. Më pas thotë që këta gjashtë të zgjedhur e formojnë Kryesinë që menaxhon funksionimin administrativ të Kuvendit në pajtim me një rregullore që e aprovon vetë Kuvendi. Kaq.
Çfarë nuk thotë Kushtetuta në nenin 67? Kushtetuta nuk thotë që patjetër duhet të zgjidhen menjëherë, që në mbledhjen e parë, të gjithë anëtarët e Kryesisë. Kushtetuta nuk thotë që Kryesia është jofunksionale, nëse për çfarëdo arsye, nuk zgjidhet një nënkryetar. Kushtetuta nuk thotë që Kuvendi nuk mund të funksionalizohet sepse nuk zgjidhet një nënkryetar.
Enver Hasani është një mendje djallëzore që e urren popullin e vet dhe që është në mision jetësor ta shkatërrojë këtë Republikë duke shpikur gjithfarë ndërskamcash e bllokadash. Ndërkaq, kur thotë që Kuvendi nuk konstitutohet dot pa e zgjedhur nënkryetarin serb, sepse, sipas tij, kjo pozitë qenka e garantuar, ai e shpërfaq komplet misionin e tij prej sabotatori të këtij shteti.
Kushtetuta e Kosovës vërtet i njeh 20 vende të garantuara në Kuvend për minoritetet, por kjo nuk do të thotë se nuk ka e nuk mund të ketë Kuvend të Kosovës nëse, për çfarëdo arsye, minoritetet vendosin të bojkotojnë proceset politike në vend. Si dolën në zgjedhje minoritetet, si nuk dolën në zgjedhje, edhe sikur kurrë të mos i zënë ato 20 vende të garantuara, Kuvendi ekziston, funksionon, vepron, nxjerr ligje dhe e udhëheq jetën e këtij shteti.
Minoritetet e kanë fjalën e fundit në gjithçka që ka të bëjë me të drejtat e tyre si komunitete, por nuk kanë as fjalë të fundit dhe as veto në funksionalizimin e Republikës. Edhe njëherë, Republika ec, vazhdon, jeton, zhvillohet, përparon, deshën apo nuk dëshën minoritetet të marrin pjesë në jetën politike e juridike të vendit.
I kujt more është ky shtet? Ju vret Zoti dhe gjaku i dëshmorëve nëse harroni që në radhë të parë ky shtet është i shqiptarëve. Minoritetet janë të barabartë para ligjit e kushtetutës, por nuk janë pronarë dhe as titullarë të këtij shteti.
Populli shqiptar është pronar, titullar, është shtylla konstituive e kësaj Republike, prandaj i kemi 100 deputetë të zgjedhur direkt nga populli në Kuvend. Nuk mund që një Simiq apo një kushdo, a një recidivist delikuent si Enver Hasani, të zhveshë një popull të tërë nga e drejta e pronësisë mbi këtë shtet.
Kush është ky idiot, ky tru shpërlarë, çfarë i duket vetja këtij delikuenti shkencor që të sugjerojë që 100 deputetët shqiptarë, të zgjedhur direkt nga populli, janë të parëndësishëm e të pafuqishëm, janë jo ekzistent, nëse në fund të procesit nuk po zgjedhka një serb, një turk, apo një kushdo si nënkryetar?
Mos shpikni gjëra që as Ahtisari nuk i ka menduar, gjëra që as Serbia nuk i sheh as në ëndërr. Kjo çfarë po bëni është sabotim i funksionalizimit të shtetit, është TRADHTI.
Gjykata Kushtetuese duhet t’i hapë sytë mirë, e të mos ndihet e bullizuar e nën presion nga një delikuent shkencor si Enver Hasani. Gjykatësit duhet të mendojnë që në fund do të jenë përgjegjës para historisë dhe popullit. Dhe historia tregon që, nëse i bëhet padrejtësi, ky popull nuk të falë.