Në historinë e kulturës shqiptare, rrallë gjejmë figura që mbartin në mënyrë kaq të natyrshme një peshë trashëgimie artistike, e njëkohësisht, edhe një barrë personale dhimbjeje, siç është rasti i Eno Koços, biri i artistes së madhe Tefta Tashko Koço dhe muzikologut Kristaq Koço.
Eno mbeti jetim në moshën 4 vjeç nga nëna dhe në moshën 6-vjeçare nga babai. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi të bëhej një emër i respektuar ndërkombëtarisht, një misionar i muzikës shqiptare, por edhe një zë i përulësisë dhe i fisnikërisë në kulturën kombëtare. “Nuk është e thënë që të kesh një fatkeqësi për t’u bërë i fortë, por jeta të mëson të vuash, të luftosh, të mundohesh të fitosh…” – thotë ai në një rrëfim të ndjerë që s’e lë lexuesin pa një tronditje të brendshme. “Dritën nuk e pashë tek fëmijëria, por e gjeta tek tingulli. Dhe që atëherë, nuk e lashë më. Unë them se disa gjëra vdesin me njeriun. Dua të them se kam jetuar dhe kaluar profesionalisht tre faza në jetë. Faza e parë ishte ajo e violinistit që më bëri të kuptoja se nuk isha ndonjë violinist që shkëlqeja, por punova në opera për 6 vjet.
Faza e dytë ishte ajo e dirigjimit, profesion që e ushtroj edhe sot. Por, dëshiroj të theksoj se në botë ka dirigjentë shumë më të mirë se unë…. Asokohe, ne ishim dy dirigjentë në atë Shqipëri të mbyllur dhe të izoluar, Ferdi dhe unë në Radio që bënim edhe festivalet. Ferdi ishte i natyrshmi, unë isha i panatyrshmi…. Sepse më tërhiqte edhe kjo pjesa klasike….”, – do rrëfehej muzikologu dhe mjeshtëri i dirigjimit para një auditori të zgjedhur në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave me rastin e 80 vjetorit të tij të lindjes. Kjo nuk është vetëm historia e një individi, është historia e një fëmije që nuk u rrëzua nga trauma, por që ngriti mbi të një jetë të tërë përkushtimi ndaj artit.
RRËFYESI I HESHTUR
Nëna e tij, artistja e madhe Tefta Tashko Koço, ishte një zë magjepsës që solli në Shqipëri frymën elegante të muzikës franceze, por që e zhyti talentin e saj në shpirtin e muzikës popullore qytetare shqiptare. Një grua me një elegancë të rrallë, që përfaqësonte në vetvete një epokë. Dhe pikërisht ky frymëzim, i ardhur nga kujtimet, nga tingujt e turneve të saj, nga jehona e këngëve që ajo këndoi, u bë për djalin e vogël Eno, një udhërrëfyes i heshtur, por i sigurt dhe i fuqishëm. Edhe pse nënën e humbi fizikisht në moshë fare të vogël, kujtimi i saj, bashkë me figurën e të atit, (një tjetër njeri i letrave dhe muzikës), mbeti për të një amanet i pashlyeshëm që duhej jetuar, mbrojtur dhe nderuar. Rruga e tij nuk ishte e lehtë në një Shqipëri të varfër, të izoluar, në një kohë kur dhimbjet fëmijërore zakonisht mbuloheshin me heshtje…
.Ngase Eno Koço arriti të ruajë kujtesën e prindërve të tij si një akt dashurie, por edhe si një akt rezistence ndaj harresës. Ai nuk u mjaftua me nostalgjinë e së shkuarës që u tregua jo edhe aq bujare me të, por ndërtoi një karrierë të suksesshme akademike e artistike, duke promovuar muzikën shqiptare në skenat ndërkombëtare, duke hulumtuar, mbledhur, analizuar e publikuar gjithçka e lidhte me pasionin, ëndrrat dhe historinë e vërtetë të jetës artistike jo vetëm të familjes së tij, por edhe me gjerë…. Ai i dha zë asaj Shqipërie që kishte frikë të fliste për artin e vet, për trashëgiminë, për dhimbjet dhe krenaritë e saj të heshtura. Në jetën e Eno Koços shohim një simbolikë të rrallë: të rritesh nga rrënimi dhe të lulëzosh në përkushtim, të jesh një fëmijë i vetmuar prej fatit dhe ndërkohë të bëhesh një përfaqësues dinjitoz i një kulture që shpesh e lë talentin pa shtëpi. Ai është dëshmia më domethënëse për të na kujtuar se trashëgimia nuk është vetëm çështje gjaku, por është edhe zgjedhje, edhe përkushtim. Filmi artistik shqiptar “Koncert në vitin 1936”, e regjisorit të mirënjohur Saimir Kumbaro me skenar të Kiço Blushit, ku ridimensionohet figura e nënës së tij, është një shembull i fortë se arti ka fuqi të ringjallë të shkuarën, ta bëjë të dukshme përmes tingujve, imazheve, kujtesës. Dhe Eno Koço është nga ata njerëz që e kanë bërë këtë me përkushtim dhe përulësi.
Histori të tilla si ajo e maestro Eno Koços duhen rrëfyer jo vetëm për të nderuar individët, por për të frymëzuar dhe inspiruar brezat e rinj, për t’i kujtuar shoqërisë shqiptare se forca më e madhe buron shpesh nga plagët më të thella, se një artist i madh nuk lind vetëm nga talenti, por edhe nga dhimbja, kujtesa, dashuria dhe përkushtimi. Padyshim, Eno Koço mbetet një figurë e heshtur por e ndritur e kulturës sonë kombëtare. Një emër që nuk ka bërë zhurmë, por që ka lënë gjurmë të thella përmes studimeve dhe botimeve të shumta në libra, në analiza muzikore, në hulumtime, në promovimin e muzikës shqiptare kudo në botë, përmes vlerësimit të atij thesari të madh shpirtëror që shpesh harrohet: kënga qytetare shqiptare./Gazeta Panorama