Është kthyer në bisedë kuluaresh se Kampionati Europian Francë 2016 ka patur një konspiracion!
Atë të golave në minutën ’90.
Prandaj e kanë quajtur Europiani i golave në minutën e fundit.
Ky konspiracion e kapi edhe Shqipërinë në ndeshjen me Francën në Stadiumin Vélodrome – të Marsejës!
Të barazosh apo të humbasësh me një vend të vogël si Shqipëria sa një ish-bunker në zemër të Europës dhe kaq problematik! C’est incroyable!
Po si është e mundur që tifozeria shqiptare nuk ishte aspak huligane! Të paktën pak fare ! C’est incroyable!
Më në fund Didier Deschamps do të thosh: “Ishte një lojë e komplikuar, por në fund funksionoi!”
Që theksi në shqip tingëllon: ia hodhëm mirë!
Në betejën midis shqipeve dhe gjelave !
Ndeshja midis Shqipërisë dhe Zvicrës ishte ajo që s’duhej të ish.
Sepse kishte diçka që lidhej me kuintesencën shqiptare: Besën e Mikut!
Nuk ka dyshim se ajo lojë është luajtur që mundësisht të 90 minutat të mbaronin pa nisur! Ose të paktën brenda minutës të ‘5 kur shënoi Schär!
Pastaj doli kartoni i verdhë dhe në minutën e ’36 i kuqi për kapitenin Lorik Cana: që e la kombëtaren me dhjetë lojtarë dhe vetë mbeti jashtë fushës në ndeshjen e Shqipërisë me Francën.
C’est incroyable!
Ju e dini, Loriku është me tre pasaporta! Shtetas i Republikës të Shqipërisë, Republikës Franceze dhe Republikës të Kosovës!
Nuk dyshohet se ai zemrën e ka me shqipet,se është vetë një shqipe kuq e zi, por mos harroni se djemtë shqiptarë që luajnë me skuadrat europiane kanë një histori karriere që nis duke qenë bij refugjatësh. Të jesh bir refugjati nuk është e lehtë!
Kam parasysh me sa simpati flisnin për Lorikun komentatorët zviceranë. Kur nuk ia dhanë familjes së tij të drejtën e qëndrimit në Lozanë të Zvicrës e duke mos ditur nga t’ia mbante dhe kur nuk kishte shans tjetë, Loriku 17 vjeçar i hip trenit i vetëm për në Francë dhe shkoi drejt e në Paris Saint-Germain. Loriku nuk ia harron Francës që e priti dhe i krijoi mundësi si futbollist. Ka të drejtë! Prandaj thonë se shqiptarët luajnë me zemër! Kjo i bën shqipet të jenë të përveçëm.
Kjo bëri që Shqipëria të ishte zbulimi i EM 2016, pa diskutim.
Në ndeshjen me Rumaninë shqipet u çliruan nga komplekset!
Rumunët i mundëm pas 70 vitesh!
Pas tatëpjetës filloi e përpjeta!
Pas ndeshjeve me Konfederatën Helvetike, Francën mikpritëse dhe Rumaninë, shqiptarët besuan se do të kishin shans të përfshiheshin tek katërshja e skuadrave të treta!
Po ku të le konspiracioni europian!
Ai proverbi se topi është i rrumbullakët nuk funksionoi kësaj here për shqipet!
Në EM 2016, për në tetëshe kanë dalë tre skuadra të Britanisë së Madhe: Anglia, Wellsi, Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës!
Sikur të kishte marrë pjesë, edhe Skocia, edhe ajo do të kualifikohej në tetëshet!
Se për anglo-saksonët topi është i rrumbullakët!
Por të paktën entuziazmi i fitoreve këta të Mbretërisë të Bashkuar, le t’i mbajë në BE e sot në referendum të mos votojnë për Brexit!
Sa për shqiptarët, ata janë kuq e zi!
Më të mirët e botës!
Se janë çunat tanë, shqipet e shqipeve të shqipeve!
Dhe sepse i meritojnë fitoret!
Keni me i pa tash e mbas!
Komentet