VOAL

VOAL

Ekspertja amerikane: Rusia me plan të përshkallëzimit të konfliktit Kosovë-Serbi, ja strategjia e Moskës

December 13, 2022
blank

Komentet

blank

Deputeti gjerman: Mobilizimi i ushtrisë serbe, sulm ndaj Evropës

Deputeti gjerman Adis Ahmetoviç dhe Kryetar i Nënkomitetit për Politikë Ndërkombëtare të Klimës dhe Energjisë, ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e destabilizimit në Evropë.

Në një deklaratë për shtyp, Ahmetoviç ka theksuar se loja e rrezikshme e forcave autokratike në Ballkanin Perëndimor po sjell një dimension të ri në këtë krizë të përgjithshme.

Sipas politikanit socialdemokrat  mobilizimi ushtarak i forcave serbe në kufirin verior të Kosovës dhe deklarata e presidentit të “Republika Srpska-s”, Milorad Dodik, për shkëputje, janë sulme të qarta ndaj Evropës liberale demokratike. Këto veprime synojnë të shtyjnë kufijtë dhe kështu të shkaktojnë konflikte të mëtejshme në Evropë.

Ai është shprehur se është evidente që ka lidhje të ngushta mes  agresionit rus në Ukrainë dhe konflikteve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, por për këtë nuk janë të vetëdijshëm të gjithë në Komisionin e BE-së. Ai është i mendimit  se presidenti rus, Vladimir Putin, ka shfrytëzuar situatën për të krijuar paqartësi dhe tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Deutsche Welle.

“Me luftën në Ukrainë, Putini e ka kapërcyer portën e parë të sulmit në Evropën Lindore. Me këtë përpjekje të njëkohshme për të ringjallur konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor, siç po ndodh aktualisht në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, Perëndimi po vihet përballë një prove të mëtejshme, së cilës ne duhet t’i kundërvihemi me çdo vendosmëri. “

ë këtë kontekst, Ahmetovic bën thirrje për vendosmëri të shtuar nga Bashkimi Evropian. Ai thekson se porta e dytë për hyrjen në Evropën Lindore është e lëkundur nga agresioni rus dhe konfliktet në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë, është e rëndësishme që BE-ja të angazhohet në mënyrë më aktive dhe të mbrojë lirinë dhe sigurinë në kontinentin evropian.

Ahmetoviç përsërit thirrjen ndaj palës serbe për deeskalim të menjëhershëm në Kosovë dhe ndalim të grumbullimit të trupave serbe në kufi. Ai shton se kjo jo vetëm që do të ruajë  stabilitetin e rajonit, por gjithashtu do të siguronte kredibilitetin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Evropian.

Ai bën thirrje për veprime të menjëhershme nga Gjermania, shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-ja për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Evropë.

blank

BILD: Tirani i Kremlinit ka gisht te situata në Kosovë, Serbia duhet ndalur qoftë edhe ushtarakisht nga NATO

BILD

Frika e luftës është kthyer në fuçinë e barutit të Europës: Serbia ka vendosur trupat e saj në kufi të Kosovës, të cilën e urren.

A ekziston rreziku i një lufte të re ballkanike?

Tensionet në ish-zonën e luftës (1998-1999) u përshkallëzuan javën e kaluar kur 30 paraushtarakë serbë të armatosur rëndë në veri të Kosovës, sulmuan oficerët e policisë së Kosovës në një fshat të banuar me shumicë serbe. Një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë. Tre sulmues serbë vdiqën. Udhëheqësi serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, vendosi trupa në kufirin me Kosovën- në mënyrë më kërcënuese dhe më masive sesa ka bërë prej shumë vitesh!

BILD intervistoi ekspertë të lartë në rajon dhe sjell përgjigjet më të rëndësishme për krizën aktuale.

Sa e rëndë është situata në kufi?

Vendosja e trupave serbe ‘ishte shfaqje force dhe parandaluese kundër Kosovës, e cila filloi të vendoste policinë e saj speciale në veri disa muaj më parë,’ thotë Jakov Devciç, kreu i zyrës për Serbinë dhe Malin e zi në ‘Fondacionin Konrad Adenauer’.

Ish-kreu gjerman i trupave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali në pension Erhard Buehler thotë për BILD se zhvillimet aktuale në kufi janë ‘shqetësuese’.

Ai thotë se presidenti Vuçiç mban fajin kryesor. “Është hera e tretë në dy vite që Vuçiç dislokon trupat e tij- por kurrë nuk ka qenë më kërcënuese dhe masive se sa tani. Kjo duhet të marrë fund,” thotë Buehler.

Edhe Konrad Clewing nga Instituti Leibniz për Studimin e Europës Qendrore dhe Juglindore, tha gjithashtu për BILD: “Kësaj radhe situata është më e rrezikshme. Sepse trupat sigurisht mund të përdoren për sulme në territorin e Kosovës”.

A ekziston tani një kërcënim për një luftë të re në Ballkan?

Ekspertët argumentojnë për çështjen e luftës:

-Një luftë e nxehtë është me shumë gjasë e pamundur, sipas ekspertit ballkanik Devcic: “Shumica e serbëve nuk duan të njohin shtetin e Kosovës në asnjë formë, por gjithashtu nuk janë të interesuar të shkojnë në luftë për të”.

-Eksperti i Leibniz-it, Clewing e kundërshton: “Sot e konsideroj për herë të parë një luftë si të mundshme, por jo me gjasa të mëdha”.

Arsyetimi i Clewing: Në një fjalim drejtuar kombit të dielën në mëngjes, Vuçiç tha se ‘për të bëhet fjalë për sovranitetin serb dhe integritetin territorial (përfshirë Kosovën!), dhe se Serbia do të fitojë’. Nëse Vuçiç duket i tunduar nga mundësia për të ecur përpara, në ditët e muajt e ardhshëm mund të ndodhë një sulm në veri të Kosovës. Vuçiç ka qenë nën presion të konsiderueshëm brenda vendit prej muajsh.

Fakti që forca e KFOR-it, e udhëhequr nga NATO është vendosur që nga viti 1999 dhe lejohet të ndërhyjë ushtarakisht menjëherë, do të thotë se ‘kalimi i kufirit serb në Kosovë nga ushtria serbe çon në mënyrë të pashmangshme në luftë mes Serbisë dhe NATO-s’, thotë Clewing.

A ka gisht në lojë tirani i Kremlinit, Vladimir Putin?

Serbia është afër Rusisë dhe mund të jetë e sigurt për mbështetjen e Moskës.

Ish-komandanti i KFOR-it, Buehler thotë: “Rusia dhe Serbia, Putini dhe Vuçiçi mbështeten në konfliktet e ngrira etnike në Ballkan, të cilat mund t’i ringjallin në çdo kohë”. Putini është pa dyshim një pjesë aktive e konfliktit.

Historiani i Leibniz-it, Clewing është i sigurt: “Për Rusinë, përveç luftës së saj kundër Ukrainës, çdo dobësim dhe shpërqendrim i Perëndimit nga problemet kudo në botë dhe veçanërisht këtu në Europë, është shumë i mirëpritur”.

Çfarë duhet të bëjnë BE-ja dhe NATO-ja tani?

Ish-gjenerali Buehler kërkon pasoja të rënda: “Liderit serb, Vuçiç, duhet t’i tregohet se ky ishte fundi. BE dhe NATO duhet të vendosin sanksione kundër Beogradit”. Një gjë të tillë e ka kërkuar më parë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti.

Ushtria serbe listohet si ‘partnere’ nga NATO dhe ftohet në stërvitje. Por Buehler thotë: “Politikisht ne duhet të vazhdojmë të flasim, por partneriteti ushtarak tani duhet të ngrijë”.

Çfarë do të thotë përshkallëzimi aktual për Europën?

Kriza në Ballkan ka një ndikim të qartë edhe në Europën Qendrore dhe Perëndimore.

Eksperti i Ballkanit, Devcic, paralajmëron për një tjetër ‘pikë të hapur krize në Europë që do të na godasë pak përpara zgjedhjeve europiane dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2024’.

-Një vakum pushteti që rrethon zgjedhjet në Perëndim dhe që do ‘të kufizojë aftësinë tonë për të vepruar’.

-BE dhe KFOR duhet të vepronin më me forcë: “Pa më shumë prani perëndimore, dhe rrjedhimisht edhe gjermane në veri të Kosovës, nuk do ketë paqe dhe siguri”.

Historiani Clewing paralajmëron për një ‘destabilizim’ për Europën dhe një ‘turp të madh për BE-në’: “I ashtuquajturi dialog i ‘moderuar’ i BE-së mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka çuar pothuajse asgjëkundi”.

Përfundimi vjen nga Clewing: “Serbia duhet të ndalet- së pari diplomatikisht dhe politikisht. Por në një rast emergjence, edhe ushtarakisht përmes NATO-s”.

blank

Arkeologët hedhin dritë mbi historinë shqiptare me gërmime të reja

VOA

Gërmimet arkeologjikë kanë përfshirë këtë vit shumë zona në Shqipëri duke hedhur dritë me fakte të reja për shumë qytete antike dhe qendra arkeologjike.

Në qytetin antik të Finiqit, në Jug të Shqipërisë, arkeologët po zbulojnë periudhën romake duke zgjeruar hapësirat e zbuluara urbane.

Zbulimet e reja dëshmojnë jo vetëm rëndësinë historike, por i vijnë në ndihmë edhe zhvillimit të turizmit kulturor.

“Foinike antik” ngjan me një anije të përmbysur në kodrën mbi Finiqin e sotëm, ku arkeologët janë rikthyer edhe këtë vit me gërmimet, që synojnë të hedhin dritë për zhvillimin e qytetit në faza të ndryshme.

Prej vitit 2000 mes Universitetit të Bolonjës në Itali dhe Institutit shqiptar të Arkeologjisë ka një marrëveshje aftgjatë për gërmimet dhe kërkimet.

Ato kryhen çdo vit në këtë qendër të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë që ndodhet vetëm rreth dhjetë kilometër nga qyteti bregdetar i Sarandës.

Finiqi ishte në kohët antike kryeqendra e fisit të Kaonëve dhe më pas kryeqyteti i Epirit dhe njihet si qendra më e fortifikuar arkeologjike në Shqipëri.

Arkeologia Belisa Muka, bashkëdrejtuesja e misionit shqiptaro-italian, thotë se edhe këtë vit gërmimet po përqëndrohen në zonën publike të qytetit ku është zbuluar një rrugë e re që lidh godinat, mjaft elementë të rinj urbanë dhe objekte të shumta.

Kjo rrugë e zbuluar nga gërmimet e këtij viti lidh taracën e siëprme të hapësirës publike me taracën e poshtme e cila dëshmon madhështinë e Finiqit në periudhën romake. Gjithashtu këtë vit bëmë edhe disa kërkime në zonën e Nekropolit, të varrezës jugore të qytetit, pasi Finiqi ka disa të tilla, për të parë përmasat dhe kryer dokumentimet e e nevojshme.

Zonja Muka thotë se krahas gërmimit materiali arkeologjik analizohet dhe studiohet në sit.

Për të dytin vit radhasi ne e kemi ngritur laboratorin e arkeologjisë në sit. Pra bëhet mbledhja e materialit, larja, tharja, përzgjedhja, dokumentimi, gjithçka bëhet në sit edhe për të pësur një raport më të qartë, më tëdrejtë, midis statigrafisë dhe materialit.

Profesori i Universitetit të Bolonjës Guisepe Lepore thotë se gërmimet e këtij viti vijojnë të plotësojnë përpjkjet shumëvjeçare për arritjet shkencore dhe historike, përgatijene studentëve të arekologjisë, konservimin e zonës dhe valorizmin e saj për ta bërë më të prekshme nga turistët.

Së pari nga pikëpamja shkencore kemi zbuluar qytetin romak , Foiniken e periudhës romane. Ne vijojmë të përgatisim këtu studenët shqiptarë dhe italianë të arkeologjisë , të punojmë për mbrotjen dhe ruajtjen e struktuave që dalin në dritë nga gërmimet dhe t`i bëjmë ato më të prekshme nga turistët duke i dhënë zonës vlera të qëndrushme të vizitueshmërisë. Vitin tjetër do të khehemi sërish me misionin e ri, thotë zoti Lepore.

Arkeologia Belisa Muka që drejton edhe Institutin shqiptar të Arkeologjisë thotë se ky vit ka qenë me shumë misione arkeologjike në gjithë sitet.

Zonja Muka thotë se misionet janë zhvilluar nga arkeologët shqiptarë dhe të huaj dhe kanë sjellë të dhëna mjaft të dobishme për disa nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të vendit.

Kërkimet kanë qenë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, në të gjitha sitet dhe parqet arkeologjikë ku e ushtrojmë aktivitetin tonë si Institut, në bashkëpunim apo të vetëm. Rezultatet janë sipas rasteve por gjithnjë të rëndësishëme pasi shtojnë elemente të reja për pyetjet që ne kemi ngritur dhe përgjigjet që duam të marrim. Sigurisht ka pasur projekte që kanë pasur një gjetje më të madhe në raport me të tjerat. Kemi pasur projekte nga prehistoria, antikiteti, antikiteti i vonë dhe mesjeta.

Zonja Muka thote se e ka të vështirë të veçojë projekte specifike, por ajo përmend të dhënat e zbulimit të vendbanimit të lashtë të Linit, në Pogradec, që është datuar si më i vjetri në Europë.

Të gjithë janë po aq të rëndësishëm, por rasti i projektit “Lin 3” veçon për shkak të analizave dhe mundësisë për të përvijuar një fenomen edhe në hapësirat e tjera, pra për të krahasuar oipologjinë e vendbanimit yë palafit në një zonë më të gjerë ,më të shtrirë. Qyeti i Finiqit në periudhën romake është një element i jashtëzakonshëm, Lugina e Drinos ku ka të dhëna të reja, Bushati ka dhënë të reja shumë të rëdësishme, Durrësi qytet me antiekitetin e vonë dhe mesjetën, Butrinit gjithashtu vazhdon , çuka e Ajtoit. Kemi pasur kërkime në Koman, në Drisht, në Sart, në qytetin antik të Zgërdheshit.

Shumica e vendbanime dhe qendrave më të rëndësishme akeolgojike në Shqipëri kanë ende nevojë për gërmime dhe kërkime pasi vetëm një përqindje e vogël e tyre është zbualuar dhe kthyer në itinerare turstike.

Pas periudhës së pandemisë së koronavirusit, kur misionet arkeologjike u frenuan, tani ekipet e arkeologëve janë gjithnjë e më të pranishëm për të hedhur më shumë dritë për lashtësinë e trojeve shqiptare.

blank

William Walker: Pse KFOR-i lejoi të largohej grupi i armatosur i Banjskës

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit e ka alarmuar edhe ambasadorin William Walker. Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë thotë se për këtë ngjarje të rëndë duhet një investigim i plotë për të kuptuar se kush ishin ata persona të armatosur rëndë dhe se kush i ka autorizuar ata. Walker kërkon që të bëhet një investigim edhe ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

“Për këtë rast të rëndë duhet një investigim i plotë. Duhet të kuptojmë se kush janë ata persona, kush i ka autorizuar dhe ku e kanë marrë gjithë atë armatim. Kur palët janë duke negociuar për normalizim të marrëdhënieve atëherë si është e mundur që kjo të ndodhë? Vuçiç ka shumë pyetje për t’iu përgjigjur tani. Një investigim serioz duhet të bëhet edhe ndaj KFOR-it sepse ka zëra që thonë se ata negociuan dhe lejuan që sulmuesit të largoheshin, kur në fakt ata duhet të arrestoheshin dhe të ballafaqoheshin me drejtësinë”, – ka thënë ai për Tëvë1.

Diplomati amerikan në pension thotë se Serbia duhet t’i ekstradojë sulmuesit në Kosovë, dhe kështu te filloj një proces gjyqësor ndaj tyre. Pas asaj çfarë ndodhi më 24 shtator, Walker pret reflektim nga komuniteti ndërkombëtar sa i përket çështjes së themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Është e rëndësishme tani që Serbia ti ekstradojë sulmuesit për në Kosovë dhe kështu të fillojë një proces gjyqësor ndaj tyre. Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se Mitrovica e Veriut i takon Republikës së Kosovës dhe nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës. Ngjarja e rëndë e 24 shtatorit tregon edhe njëherë se sa i rrezikshëm mund të jetë formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku serbët mund të fitojnë autonomi në pjesën veriore të vendit. Besoj që tani komuniteti ndërkombëtar do të reflektoj pas asaj çfarë ndodhi me 24 shtator”, – shprehet ai.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që sulmuesit e Policisë së Kosovës dhe që ikën në Serbi, duhet të mbajnë përgjegjësi për veprën e tyre. /Marrë nga Tëvë1

blank

Rrushe Selim Breçani, gruaja që rrezatonte vetëm mirësi- Nga Ibrahim HAJDARMATAJ

Në fshatin e bukur piktoresk Markaj, vetëm pak kilometra mbi qytetin alpin Bajram Curri, lindi më 1930 dhe e kaloi rininë e saj, Rrushe Selim Breçani, në një familje me tradita të larta patriotike, në një shtëpi kah masivi i madh i gështenjave, të cilat iu pikojnë në oborret, arat e kashnjetet e tyre.

Familja e Rrushe Selim Zek Breçani u bë shtëpi bazë e partizanëve të Brigatës XXV-S të Tropojës. Vëllai i saj, Cen Selim Breçani u rradhitë partzan në Brigatën e Tropojës, bashkë me xhaxhallarët dhe kusherinjtë e tij, duke u bashkuar në rradhët e Brigatës XXV-S, si: lbrahim Breçani, Rexhep Breçani, Avdi Breçani, Shaban Breçani, Halil Breçani, Avdyl Breçani, Bajram Breçani, Zeqir Breçani.
Zeqiri ka qënë shumë vite Kryetar i fshatit Markaj dhe delegatë në Kongresin e Kooperativave Bujqësore, kurse baba i tij, Kasemi, në Dimrin e vitit 1943 ka strehuar 3 muaj Shtabin e KOSMET-it (Shtabi i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit) me Fadil Hoxhën, Mehmet Hoxhën, Hajdar Dushin e 3 partizanë të tjerë kosovarë.
Rrushja e familja e saj e madhe i priti e i përcolli partizanët me bukë e veshëmbathje, me fjalë gojëmbël, duke u tregur bujarë, fisnikë e me zëmër të madhe.
Vitet kalojnë dhe në Luftën e Fundit për Çlirimin e Kosovës martire (UÇK), prapa familja e vllaznia e saj u kthyen në bazë të kësaj Lufte (1997-1999) dhe ndër të parët nga Shqipëria rrjeshtohet me UÇK, në Brigada “Agim Ramadani” në Koshare të Kosovës, djali i vëllait të Rrushes, Bylbyl Hazir Breçani, i cili bie dëshmorë në luftë me serbët në fushën e luftës, më vonë shpallet “Hero i Kosovës” (Republika e Kosovës), është “Dëshmor i Atdheut” (Republika e Shqipërisë).
Nga shtëpia e Rrushes ka dalë edhe këngtarja e shquar, mbesa e saj, vajza e vllaut të saj, Fatmira Cen Breçani- Mjeshtër e Madhe, e vlerësuar me disa çmime në festivale folklorike kombëtare e ndërkombëtare.
Rrushe Selim Breçani u martua në qytetin Bajram Curri, me Ali Mus Lushaj nga Gegaj-Shipshan, në një familje me tradita të larta patriotike. Ali Mus Lushaj ka qënë partizan i Brigatës XXV-S të Tropojës dhe i Brigadës III-S të Tiranës, i dekoruar disa herë me urdhëra e medalje të luftës e të punës nga Presidentët e Shqipërisë, ka punuar e kontribuar në më shumë se një çerek shekulli në Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit të Tropojës, i cila la kujtime të mira, ndaj dhe sot përmendet për punën që ka bërë me ndërgjegje të lartë. Ai iu la brezave shqiptarë e historisë kombëtare edhe një monografi “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” (1999) dhe “Dëshmorët e Atdheut të Malësisë së Gjakovës” (2017, botue pas vdekjes). Ishte në Kryesinë e Komitetit të Veteranëve të Tropojës dhe

veprimtar i Komitetit Kombëtar të Organizatës të Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”, bashkëpunëtor i gazetës së përjavshme “Kushtrim Brezash” në Tiranë, etj.
Nënëmadhja Rrushe Breçani Lushaj ka rritur dhe edukuar mirë 6 fëmijët e saj, 4 djemtë Ramizin, Zenelin, Mehmetin e Arbenin dhe 2 vajzat: Zojën e Lumturien, prandaj dhe është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë me “Medalja e Argjentë e Nënës”. Djali i madh i saj, Ramiz Lushaj, është botues e kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve”, autor i mbi 30 librave, organizator i dhjetra veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare, i nderuar me dekorata e çmime të ndryshme. Djali i tretë i saj, shqiptaro-amerikan, Mehmet Lushaj, ka rreth tre dekada që punon në selinë e OKB-së në Nju Jork. Djali i dytë, Zenel Lushaj, merret me biznes të vogël privat në Itali, ndërsa Arbeni, më i vogli, ka ngritë një biznes të vogël privat në Tiranë.
Nënëmadhja Rrushe Breçani-Lushaj gjatë jetës së saj ka qënë një punëtore e dalluar në Ndërmarrjen e Artizanatit në qytetin Bajram Curri etj., derisa doli në pension dhe prej dy dekadash jetoi në Tiranë, tek djali i saj më i vogli, Arben Lushaj, e rrethuar nga përkujdesi i të gjithë fëmijëve të saj, i nipave mbesave të saj, në Tiranë e në shtete të Europës e Amerikës.
Rrushe Lushaj ndrroi jetë këto ditë në Tiranë, në moshën 93-vjeçare, e cila u përcollë me nderime të larta prej nga Tirana dhe u varros në Varrezat Publike të qytetit Bajram Curri, pranë bashkëshortit të saj të ndjerë, Ali Lushaj, në përcjellje e prani, me homazhe e Tpame nga qindra banorë të Tropojës, nga të pushtetit vendor të Tropojës, nga të ardhur nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Europa e Amerika, si dhe familjes së saj i arritën mijëra mesazhe ngushëllime për ndarjen e saj nga jeta.
Nënëmadhja shekullore Rushe Breçani-Lushaj do të ngelet në kujtime si një grua fisnike, e dashur, bujare, gojë ëmbël dhe punëtore e palodhur, duke lënë një emër e trashëgimi të mirë për brezat e saj, për kohën tonë.

*Antar i Këshillit të Komitetit Kombtar të Organizatës së
Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”
blank

’48 baza me sisteme kundër-ajrore e artileri të rëndë’- Qeveria e Kosovës: Ushtria serbe po lëviz në këto drejtime në kufi

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit  për lëvizjet e njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Qeveria thotë se lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme.

Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së pardjeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës.

Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.

Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”.

Prishtina zyrtare bën të ditur se për këto lëvizje të ushtrisë serbe po mban kontakte të vazhdueshme me SHBA-në dhe BE-në.

Gjithashtu Kosova i bën thirrje Serbisë që të tërheqë të gjitha trupat ushtarake pranë kufirit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë. I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë”.

blank

Sulmi terrorist në Banjskë, si u fut në Kosovë tërë ai arsenal armësh nga Serbia?

Pas sulmit terrorist që ndodhi në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, Policia e Kosovës konfiskoi një arsenal të tërë armësh si dhe autoblindë e vetura ushtarake. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, thanë se armët ishin prodhim i vitit 2021.

Pyetja që më së shpeshti është bërë, ishte se si arriti të futej brenda territorit të shtetit të Kosovës tërë ai arsenal armësh edhe të rënda, autoblinda e vetura ushtarake?

Njohës i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi në një prononcim për Telegrafin tha se nuk ka pasur kontroll të plotë të vijës kufitare me Serbinë.

Image

Sipas tij armatimi mund të jetë futur në pjesë të pakontrolluara mirë të vijës kufitare.

“Kufijtë në Kosovë janë porozë, dhe më herët është paralajmëruar që mund të futet armatim në pjesë të pakontrolluara mirë të kufijve tokësorë. Kohëve të fundit janë mbyllur rrugët alternative, janë bërë kontrolle… Pas incidentit të fundit që ndodhi, me kidnapimin, KFOR-i shtoi kapacitetin. Mirëpo shteti i Serbisë përmes inteligjencës ka futur arsenal të madh të armatimit në Kosovë”, ka thënë Ibishi.

Sipas tij, detyra e Policisë kufitare është që të kontrollojë vijën kufitare, por siç tha ai në aspektin e sigurisë ajo nuk mund të mbulojë fizikisht gjithë atë pjesë.

Ndërsa, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, beson se KFOR-i ka pasur dijeni për hyrjen e gjithë armatimit në Kosovë.

Image

“Nuk besoj që i gjithë ai armatim ka hyrë në Kosovë pa u vërejt nga inteligjenca e KFOR-it. Mendoj që KFOR-i e ka vërejt që ai armatim po hyn, por pastaj thjesht e kanë përcjell se nga po shkon… Besoj që ka diçka që fshihet pas kësaj. Edhe informacionet kanë rrjedh dikah për grupin terrorist… Ato informacione me gjasë janë shkëmbyer tek inteligjenca, qoftë e policisë apo të tjerëve prandaj dhe aksioni i së dielës ka përfunduar me sukses të plotë”, ka thënë Demhasaj.

Por cilat janë kompetencat e NATO-s në Kosovë?

Dikur rreth 50.000, sot afër 4.000 paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.

Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.

Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri. Por, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri.

Çfarë thotë rezoluta 1244 për misionin e KFOR-it?

Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, “duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të te gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.

Në rezolutë po ashtu thuhet se trupat ndërkombëtare kanë për mandat që të sigurojnë “tërheqjen [e trupave jugosllave] dhe parandalimin e kthimit të ushtrisë jugosllave në Kosovë, të policisë dhe forcave paramilitare”.

Po ashtu, aty thuhet se paqeruajtësit duhet të “çmilitarizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe grupet e tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës”.

Ndryshe, e diela e 24 shtatorit e gjeti Banjskën e Zveçanit nën sulmin e një grupi terrorist prej më shumë se 30 personave, të armatosur rëndë e me maska.

Ky grup fshihej në Manastirin e Banjskës, gjersa në sulmin ndaj Policisë së Kosovës mbeti i vrarë polici Afrim Bunajku, ndërkaq u plagos polici Alban Rashiti.

Pas situatës së krijuar Policia e Kosovës i është kundërpërgjigjur grupit terrorist, ku pas një videoje të publikuar u konfirmua edhe pjesëmarrja e nënkryetarit të Listës serbe, Milan Radoiçiq.

Policia e Kosovës kërkoi dorëzimin e këtij grupi por që u kundërshtua, ndërkaq në kundërpërgjigjet ndaj tyre vrau të paktën tre pjesëtarë të grupit.

Pas disa orësh të sulmit të armatosur, grupi është tërhequr dhe ka ikur në Serbi. /Telegrafi/

blank

Gazeta e madhe gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung: Vuçiç po vepron si Millosheviçi! Perëndimi të mos i besojë sërish gënjeshtrat

Beogradi po nxit dhunë në Kosovë dhe po e injoron BE-në. Në realitet, bëhet fjalë për kontrollin e territorit. Si në vitet ’90 nën Millosheviçin

Nga Michael Martens, Frankfurter Allgemeine Zeitung

Kur Jugosllavia u shpërbë 30 vjet më parë, Serbia luajti një lojë cinike: ndërsa trupat e financuara dhe të dërguara në betejë nga Beogradi, plaçkitën, vranë dhe pushtuan në Kroaci dhe më vonë në Bosnje, presidenti serb, Sllobodan Millosheviç reagoi si një engjëll i pafajshëm. Ai tha se vendi i tij nuk kishte asnjë lidhje me këtë, se ishte një konflikt ndërmjet serbëve vendas dhe shteteve fqinje. Ishte një gënjeshtër e hapur, e megjithatë vështirë se dikush në Perëndim foli kundër saj. Njerëzit preferuan ta shihnin Millosheviçin si partner negociator.

Putini kopjoi me sukses sistemin e Millosheviçit në Krime në vitin 2014: ‘Burrat e Vegjël të Gjelbër’ të tij ishin forca speciale të ushtrisë ruse, pa emblema kombëtare në uniformat e tyre. Zyrtarisht, Kremlini pretendoi se nuk dinte asgjë për këtë. Sot, kur gënjeshtra nuk është më e nevojshme, Moska mburret me ish-operacionin special për pushtimin e Krimesë. Gënjeshtra e djeshme është bërë akti heroik i sotëm.

Diçka e ngjashme po ndodh aktualisht në Ballkan. Veriu i Kosovës me popullsi serbe kontrollohet kryesisht nga Serbia. Pothuajse të gjitha punët varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Beogradi. Asgjë e rëndësishme nuk ndodh në veri pa dijeninë e qeverisë serbe. Një javë më parë, një grup prej 30 personash u shfaq papritur në veri. Të pajisur mirë, me armë zjarri, granata dore, mjete të blinduara dhe pajisje komunikimi, të kamufluar dhe me maska. Skuadra mbylli një rrugë, joshi një njësi të policisë së Kosovës në një pritë, qëlloi një oficer policie dhe më pas u barrikadua në një manastir ortodoks, kundër vullnetit të kishës serbe. Së paku tre prej tyre u vranë në një përleshje të armatosur më vonë me policinë e Kosovës.

Serbia qëndron pas operacionit komando

Nuk është plotësisht e qartë nëse luftimet ishin një provokim i Beogradit që doli jashtë kontrollit dhe cili ishte qëllimi i tyre. Por një gjë është e sigurt: grupi mund të ishte armatosur dhe mbështetur vetëm nga Beogradi. Edhe në veriun e egër të Kosovës, qytetarët e thjeshtë nuk kanë automjete të blinduara apo granata dore. Kur presidenti i fuqishëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tani pohon se emri i tij është Lepuri dhe se nuk dinte asgjë për këtë, duhet të jesh shumë naiv për ta besuar. Vuçiç përdor metodën e mësuesit të tij, Millosheviç, ministër i propagandës i të cilit edhe ishte: dhuna u jepet nënkontraktorëve të pavarur dhe promovohet sistematikisht, ndërsa në skenën evropiane njerëzit veprojnë të shqetësuar dhe pretendojnë të jenë të gatshëm për të negociuar, gjë që në realitet synon vetëm të fitojë kohë. Qëllimi i vërtetë është kontrolli i territorit.

Burrat e shtetit, që dikur besonin gënjeshtrat e Millosheviçit, tani duken qesharakë në rastin më të mirë. Kushdo që mban përgjegjësi sot dhe ende beson apo pretendon se Vuçiç është një njeri, fjalës së të cilit mund t’i besohet, duhet të mendojë se si do të jetë ky qëndrim pas dhjetë vitesh. Vuçiç po ndjek një strategji cinike në Kosovë. Është koha që t’i thërrasim me emrat e tyre. Jo vetëm në retrospektivë, si me Millosheviçin dhe Putinin, por tani. Shtrembërimi i fakteve është loja e Vuçiçit. Askush nuk po e detyron BE-në apo Berlinin të luajë së bashku me të.

blank

Kosovën më shumë e ka dëmtuar Edi Rama se sa Vuçiçi – Nga KIM MEHMETI

Nuk është aspak e vështirë të dëshmosh se frika nga fryma anti-krim që solli me vete ‘albinizimi’, se zilia e urrejtja ndaj Kurtit, janë ato që aq e kanë verbëruar Kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, sa nga ajo verbëri ai nuk mund ta sheh që është bërë bashkëpunëtori dhe shërbëtori më i neveritshëm i Vuçiçit.

Për ta dëshmuar këtë, mjafton të shohësh se si edhe në ditën e aktit terrorist serb ndaj Kosovës, ai nuk u ngrit dot të bënte as atë që e bënë serbët e arsyeshëm: ta dënonte këtë akt të dirigjuar nga Beogradi.

Apo mjafton t’ia numërosh veprimet e deritanishme ‘strategjike’ për të mirën e shqiptarisë, si për shembull: përkrahjen e ‘Botës Serbe’ nëpërmjet projektit për ‘Ballkanin e Hapur’; zbatimin e ‘masave’ ndërkombëtare ndaj Kosovës me anulimin e mbledhjes së dy qeverive; ripërsëritjen e kërkesës së Vuçiçit që, jo policia e Kosovës, por KFOR-i ta kontrollojë Veriun e saj; kërkesën për një konferencë ndërkombëtare që do e rishqyrtonte pozitën e Kosovës…, pra mjafton ta rikujtosh rolin e tij si zëdhënës i Vuçiçit, që ta kuptosh se ç’është ajo që atë e bën të sillet si të ishte Dodiku i ‘Republika Serpskës’ e jo Kryeministri i Shqipërisë.

Nuk duhet të jesh ligjërues i ndonjë universiteti të njohur të botës që ta kuptosh se nëpërmjet Veriut të Kosovës, të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, të ‘Republika Srpska’ në Bosnje dhe të rrymave proserbe në Maqedoni, Serbia i kontrollon pesë shtete të Ballkanit dhe mbetet me shpresë se nuk do mund t’i iket një konference të re paqësore ku do definoheshin kufijtë e Serbisë së Madhe, e që përfundimisht do e ‘stabilizonin’ Ballkanin?

Dhe duhet të jesh mbi mesataren idiot që të mos e kesh kuptuar se Veriu i Kosovës është fitil që mund ta kall tërë Ballkanin, por se këtë zjarrvënie mund ta bëjë vetëm Kisha Ortodokse Serbe nëpërmjet mjeshtërve të saj të luftës në Beograd.

Gjithashtu nuk është aspak e vështirë të shpjegosh pse Kryeministri i Shqipërisë bëri dhe pse është duke bërë çmos, që Kryeministrin e sotëm të Kosovës ta shpërfaqë para ndërkombëtarëve si burrështetasin më destruktiv të Ballkanit.

Pra, ai donë ta shpallë Kurtin destabilizues të Ballkanit sepse vetëm kështu mund ta mbrojë klasën e vet hajdutokrate politike, sepse e trishton e vërteta se të huajt gjithnjë e më shumë binden se shqiptarët kanë edhe burrështetas të cilët më shumë kujdesen për vendin dhe popullin që drejtojnë se sa për shtëpitë e tyre të ndërtuara nga hajnia dhe se, tërë bota është duke e kuptuar se ta krahasosh burrështetasin e mençur të quajtur Kurti, me ‘Piktorin’ batutaxhi që e drejton Shqipërinë, është njësoj si Çërçillin ta krahasosh me ndonjë drejtorë cirku.

Po pra, është lehtësisht e shpjegueshme ndjenja se Kosovën me shumë e ka dëmtuar Kryeministri i sotëm i Shqipërisë se sa Vuçiçi, por megjithatë, ka diçka të pakuptimtë e të pashpjegueshme për autorin e këtij teksti: si është e mundur që Shqipëria e kohës së internetit, që mëmëdheu ynë që ka me mija mendimtarë, profesorë, doktorë shkencash…, të ketë mbetur aty ku ishte në kohën e pas zhbërjes së Perandorisë Osmane –  të mos mund t’i dallojë ‘Esat Pashët’ e saj që do jenë heronj të Serbisë nga ‘Ismail Qemalët’ që dinë dhe duan të ndërtojnë shtet për shqiptarët.

blank

Ish-koloneli amerikan: Sulmuesit në Banjskë ishin të pajisur si një këmbësori ushtarake

Armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, 25 shtator 2023.

Doruntina Baftiu

Ish-koloneli i ushtrisë amerikane, Gian Gentile, thotë se grupi i armatosur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë ishte pajisur si një këmbësori ushtarake prej 120 apo 130 ushtarësh dhe se kishte potencial për të shkaktuar dëme të mëdha ndaj infrastukturës civile në Banjskë dhe forcave policore.

Pasi analizoi fotografitë dhe listën e armatimit të konfiskuar nga Policia e Kosovës – pas sulmit që la një polic të vrarë në pjesën veriore të vendit – drejtori i asociuar në Divizionin për Kërkime Ushtarake në institutin amerikan RAND Corporation, Gentile, thotë se është befasuar nga prezenca e disa prej llojeve të armëve.

“Kishte fotografi të mortajave 60-milimetërshe. Këto janë armë ushtarake dhe janë efektive ndaj një këmbësorie të armatosur lehtë në anën tjetër. Por s’do të ishin efektive nëse dëshiron ta ndalësh një tank, për shembull”, thotë Gentile për Radion Evropa e Lirë.

Sulmi në Banjskë ndodhi natën mes 23 dhe 24 shtatorit kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin e komunës së Zveçanit, duke lënë një polic të vrarë.

Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues.

Gentile beson se armatimi i konfiskuar nuk do të ishte shumë efektiv ndaj objekteve të përforcuara, si bunkerët, por thotë se, në një sulm ndaj një grupi të policëve, armatimi do të ishte shumë efektiv.

“Nëse qëllimi juaj i vetëm do të ishte mbijetesa, do të ishte më mirë të ishit në anën e sulmuesve me këto lloje të armëve. Llojet e armëve në fotografitë që m’i dërguat [të ekspozuara nga Policia e Kosovës], do ta shkatërronin një forcë lehtë të armatosur policore me vetëm pistoleta dhe ndoshta pushkë”, thotë Gentile.

Ai shton se forcat e policisë nuk kanë pajisje të nivelit të tillë ushtarak as në SHBA dhe se armatimi i tillë do të mund ta dëmtonte rëndë infrastrukturën civile, si shtëpitë përreth Manastirit të Banjskës, ku u strehuan sulmuesit.

“Kjo më shkoi në mendje… që këto janë llojet e armëve, pajisjeve dhe sistemeve me të cilat do të ishte e pajisur një kompani këmbësorie, e jo një forcë policore”, thotë Gentile, i cili shërbeu disa vite si profesor në akademinë ushtarake të SHBA-së, Westpoint.

Në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, dy automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë, po ashtu, për terrene malore, tha Policia e Kosovës.

Përveç dy motorëve, për të cilët thotë se nuk kanë ndonjë vlerë ushtarake pasi që vozitësi i tyre do të ishte i ekspozuar ndaj sulmeve, Gentile thotë se armatimi i konfiskuar është i llojit që ende përdoret kudo në botë.

“Ushtarët ukrainas dhe rusë patjetër që përdorin mortaja të kalibrit të vogël, mortaja 80-milimetërshe, dhe raketahedhës automatikë. Pastaj, edhe mitralozët [përdoren]. Kështu që, po, do të thosha që këto sisteme definitivisht përdoren nga forcat ushtarake edhe sot”, thotë Gentile.

Për përdorimin e disa prej pajisjeve të konfiskuara, Gentile thotë se nuk do të duhej as trajnim i gjatë. Njohuritë bazike për përdorim të armëve do të mjaftonin. Por, sipas tij, gjërat do të komplikoheshin nëse ato do të duhej të pastroheshin dhe të ripërdoreshin.

“Pastaj, kur flasim për eksplozivët e llojit C4. Dikush do të duhej të dinte se si të vendoste një tel shpërthyes aty, si ta instalojë pa e eksploduar veten”, thotë Gentile.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 27 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vlera e armatimit të konfiskuar është mbi pesë milionë euro. Por, i gjithë ky armatim i konfiskuar mund të shkatërrohet.

Sipas Kodit të Procedurës Penale në Kosovë, armatimi i konfiskuar mund të shkatërrohet, por mund edhe të shfrytëzohet nga organet e vendit.

Duke iu përgjigjur Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se vendimi për fatin e këtij armatimi “do të lëshohet nga organet e drejtësisë pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara ligjore”.

“Në raste të mëhershme me armë të konfiskuara, kur kanë përfunduar të gjitha procedurat lidhur me to, janë ndërmarrë veprime të ndryshme. Në shumicën e herëve janë shkatërruar”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Së fundi, armë të konfiskuara ishin shkrirë më 20 shtator – katër ditë para sulmit në Banjskë – dhe ishin përdorur për të prodhuar kapakë pusetash.

blank

Analiza e BIRN: Bumi turistik dështon të sjellë bum ekonomik

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri u rrit me 3.23% në terma realë, në tremujorin e dytë të këtij viti ndërsa deklaratat e qeverisë për bum turistik me rritje mbi 50% në numrin e turistëve apo në numrin e netëqëndrimeve duket se nuk përputhet me rritjen ekonomike reale as të turizmit dhe as të ekonomisë në tërësi. Rritja ekonomike prej 3.23% në tremujorin e dytë 2023 pason rritjen 2.72% në tremujorin e parë. Të dyja shifrat janë më të larta se sa parashikimi për rritjen ekonomike vjetore të Shqipërisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por ndjeshëm më të ulëta se sa potenciali i zhvillimit. Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet të rritet këtë vit me 2.25% ndërsa potenciali i rritjes së Shqipërisë vlerësohet në 4.5%. Ekonomia shqiptare është rritur nën potencial tashmë prej më shumë se një dekade. Korrupsioni, keqqeverisja dhe mungesa e atyre që në gjuhën e FMN-së njihen si “reforma strukturore” besohet se janë shkaku i rritjes më të paktë se sa potenciali zhvillimor. Potenciali i rritjes llogaritet duke marrë parasysh faktorë të shumtë, përfshirë nivelin e ulët ekonomik, burimet natyrore, fuqinë punëtore të disponueshme e të tjera.

Ekonomia e betonit

Dega “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera”, ku përfshihen shërbimet turistike, u rrit me 12% në tremujorin e dytë, pasi ishte rritur me 32% në tremujorin e parë. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ishte 33% më i lartë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë ndërsa numri i netëve turistike të kaluara nga shtetas të huaj gjatë kësaj periudhe ishte me rritje 51%.

Ndonëse rritja në sektorin e turizmit është e lartë, efekti i tij në ekonominë e përgjithshme të vendit është i papërfillshëm. Sipas INSTAT, rritja e sektorit “Arte, argëtim dhe çlodhje” me 12% ka kontribuuar në tremujorin e dytë me vetëm 0.26% të rritjes totale prej 3.23%. Në fakt, sektorët që kanë ndikuar më shumë janë Ndërtimi dhe Aktivitete të pasurisë së patundëshme. Sipas llogaritjeve të INSTAT, nga rritja ekonomike prej 3.23%, këto dy sektorë kanë sjellë 2.15%. Më një fjalë, 66% e të gjithë rritjes ekonomike të vendit është shkaktuar nga ekonomia e betonit, ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm për mirëqenien reale të popullsisë, të tilla si bujqësia dhe manifaktura, janë në fakt në rënie.

Sektori i bujqësisë pësoi një rënie të vogël në krahasim me një vit më parë. Ekonomia e këtij sektori ku punësohen zyrtarisht 40% e forcës së punës, ra me 0.04% në krahasim me një vit më parë. Sektori tjetër i goditur është manifaktura, e cila punëson dhjetëramijëra qytetarë dhe që në tremujorin e dytë pati rënie me 6% në krahasim me një vit më parë. Manifaktura duket se është goditur në veçanti nga forcimi i lekut përballë euros, gjë që gjerësisht besohet se është pasojë e parave me origjinë të dyshimtë të investuara në ndërtim dhe prona të patundshme./BIRN

blank

Sveçla publikon pronat luksoze të Radojçiqit: S’bëhet fjalë për ‘luftëtar lirie’, po për një Pablo Escobar multimilioner!

“Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund”, ka garantuar sot Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, duke publikuar pamjet e pronave luksoze të Millan Radojçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe, të dyshuarit kryesor si organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ministri Sveçla foli më tej për hetimet që po kryhen lidhur me këtë sulm: “Policia e Kosovës, – tregoi ai në Fb, –  në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojeviç i njohur me nofkën “Mami”.

Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojçiq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit.


Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist,” nënvizoi Ministri i Brendshëm i Kosovës.

Kujtojmë se sot Policia e Kosovës ka kryer bastisje në pesë godina në komunat në veri të vendit. Në orët e para të mëngjesit, ka bastisur edhe një vilë në zonën e liqenit të Ujmanit, e cila dyshohet se është në pronësi të nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Image


Send this to a friend