Sistemi i artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, gjatë një ushtrimi.
Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në një shkrim në Facebook, Maqedonci theksoi se “me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.
Ai e vlerësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe ndërvepruese me aleatët strategjikë të vendit.
Prodhuesi amerikan tha në një njoftim në uebsajtin e vet se Kosova pritet t’i pranojë sistemet e para brenda dy vjetëve të ardhshme.
Përveç sistemeve së artilerisë lëvizëse HUMAVEE Hawkeye, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte, sipas kontratës trivjeçare.
“Jemi krenarë të njoftojmë shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e përkushtimit tonë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake”, tha John Chadbourne, zëvendëspresident ekzekutiv për Zhvillim Biznesi në AM General.
HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila mundëson integrimin e një topi 105 mm mbi platformën e fortë dhe të dëshmuar në fushëbetejë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik krahasuar me sistemet e tërhequra tradicionale.
Vitet e fundit Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Turqia, përfshirë raketa dhe dronë.
Kjo nuk është hera e parë që ajo nënshkruan kontratë me AM General, pasi më 2018, në Kosovë mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee.
Kosova është në proces të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Përpjekja nisi më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile
Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.
Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro.



Po koncepti per ndarje te kosoves edhe qe sebija te njoh kosoven eshte koncept i tradhtis kombetare qe Thaqi do e bente per nje qellim te vetin personal . Duke iu shmangur drejtesis dhe per perfitime materjale te tia personalisht dhe ate te mbeter i paprekshem ne poziten e tija si lider