Eksperti Amerikan Edward P. Joseph, pyet në Twitter ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
Joseph shkruan se janë mbushur mbi 10 orë nga alarmet e Shtëpisë së Bardhë për mobilizimin ushtarak të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe ende as Hill dhe as faqja e ambasadës, nuk i ka shpërndarë këto alarme.
“Shtëpia e Bardhë e alarmuar po i bën thirrje Serbisë që të tërheqë trupat e saj të vendosur përgjatë kufirit me Kosovën. Sekretari Blinken “i nënvizoi” (Vuçiçit) nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën”. Mbi 10 orë dhe as ambasadori i SHBA në Serbi e as ambasada e SHBA në Serbi nuk kanë ripostuar mesazhet e krizës”, shkruan Joseph.
Ai rikujton një deklaratë të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright se “ajo që ka më shumë rëndësi në diplomaci, është ajo që thuhet publikisht”.
Joseph thekson se postimi i fundit i Hill është më 8 shtator, kurse i ambasadës më 26 shtator.
“Ambasadori Hill ka postuar për herë të fundit në Twitter më 8 shtator dhe ambasada e SHBA në Serbi më 26 shtator. Nëse do të ishit presidenti Vuçiç, çfarë mesazhi do të merrnit”, përfundon postimi i Joseph.