VOAL

VOAL

Eklipsi i pjesshëm i Hënës përmes objektivit të agjencisë AA

August 8, 2017

Komentet

Serbia ndan para për projekte për “forcimin e identitetit serb” në Bosnje e Hercegovinë

Ministri serb, Gjorgje Milliçeviq, gjatë takimit me përfaqësuesit e shoqatave dhe organizatave joqeveritare nga Republika Sërpska në Banjallukë më 25 korrik 2024.

 

Ministri pa portofol i Qeverisë serbe, Gjorgje Milliçeviq, ka nënshkruar në Banjallukë 13 kontrata për mbështetje financiare për projekte që synojnë “forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor serb” në Bosnje dhe Hercegovinë dhe entitetin serb, Republika Sërpska.

Mbështetja financiare kap vlerën prej 675 mijë eurosh, tha Qeveria serbe.

Kontratat u nënshkruan gjatë një takimi që Milliçeviq zhvilloi më 25 korrik me përfaqësuesit e “shoqatave serbe dhe organizatave joqeveritare nga Republika Sërpska dhe Bosnje e Hercegovina”.

Në njoftim u tha se “pjesa më e madhe e fondeve është destinuar për blerjen e pajisjeve për shoqëritë kulturore dhe artistike, për tekstet shkollore dhe tekstet e tjera për shkollat plotësuese serbe si dhe për pajisjet sportive për klubet serbe në diasporë”.

Pas nënshkrimit të kontratave, Milliçeviq tha se “interesat kombëtare dhe qëllimet e popullit serb në shekullin 21 janë paqja, stabiliteti ekonomia dhe mbi të gjitha uniteti”.

Ai tha se në kuadër të “kuvendit gjithëserb”, që u mbajt më 8 qershor në Beogradi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Republikës Sërpska, i cili nënkupton “forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijimin e lidhjeve edhe më të forta mes atdheut dhe serbëve që jetojnë jashtë Serbisë”.

“Unë gjithmonë them se Drina kurrë nuk ka qenë lumë që ndan Serbinë dhe Republikën Sërpka, por shtylla kurrizore që bashkon Serbinë dhe Republikën Sërpska”, tha Milliçeviq.

Në seancën e jashtëzakonshme, që nisi më 23 korrik, Parlamenti i Serbisë po debaton për “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të të ardhmes së përbashkët të popullit serb”. Deklarata, paraprakisht është miratuar nga Qeveria serbe.

Në këtë dokument, i cili po ashtu paraprakisht është miratuar nga Parlamenti i Republikës Sërpska, thuhet mes tjerash se populli serb përfaqëson një entitet unik.

Miratimi i këtij dokumenti u dënua nga anëtarët e Presidencës të Republikës Sërpska, Denis Beqiroviq, Zhellko Komshiq, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Pas mbledhjes së “kuvendit gjithëserb” në Beograd, Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje liderëve politikë në rajon “që të përdorim më mirë takimet e tyre për të promovuar stabilitetin dhe pajtimin rajonal”.

Bashkimi Evropian tha se sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues dhe identiteti ndërkombëtar i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të cenohet, duke shtuar se çdo veprim kundër këtyre parimeve do të çojë në pasoja të rënda.

Kroacia shpall persona të padëshiruar tre politikanë nga Mali i Zi

Politikanët nga Mali i Zi Millan Knezheviq, Andrija Mandiq dhe Aleksa Beçiq, të shpallur persona të padëshiruar nga Kroacia.

 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar sot Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se Zagrebi ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.

Zagrebi tha se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u tha në njoftim.

Sipas Ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian.

Kroacia tha se e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE.

“Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, u tha në njoftim.

Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.

Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.

Hyrja në ekzekutiv e Frontit Demokratik dhe të Partisë së Boshnjakëve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u prit me shqetësim, pasi Uashingtoni tha vuri në pah se në ekzekutiv kanë hyrë parti që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Politika e Frontit Demokratik është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Analisti serb: Sulmi i armatosur në Banjskë u zhvillua nga një strukture e organizuar

Lidhur me rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023, Prokuroria e Kosovës ka deklaruar se nuk pritet të ketë aktpadi para vjeshtës të këtij viti, ndërsa hetim paralel thuhet se po zhvillon edhe Prokuroria e lartë në Beograd. Prokuroria e lartë në Serbi ka thënë se EULEX-i nuk u ka dorëzuar raport lidhur me rastin e 24 shtatorit.

Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, thotë se hetimi për Banjskën nuk është kryer nga prokuroria serbe për shkak të komplikimeve të pritura.

“Nuk ekziston bashkëpunimin në mes organeve të ndjekjes dhe të tjerëve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërmjetës do të duhej të ishte EULEX-i. Pasi që rasti nga faktori ndërkombëtar është definuar si krim i organizuar me elemente të terrorizmit, ky është në kompetencë të EULEX-it”, tha Janjiq.

Analisti serb tha për “Nova” se marrja e përgjegjësisë për sulmin nga ana e Milan Radoiçiqit është një taktikë e mbrojtjes që të fitohet në kohë…

“Nuk ka dyshim se bëhet fjalë që të mbrohen nga shteti i Serbisë, jo vetëm Radoiçiqi, sepse ai e ka pranuar përgjegjësinë, por të gjithë atyre 140 njerëzve që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Pra është një risk i madh. Prandaj aty përdoren edhe mekanizmat, siç ishte rasti ‘Panda’, ku fshihen ekzekutuesit dhe krijohen kushtet për ikje nga përgjegjësia”, tha analisti serb, transmeton Telegrafi.

Lidhur me pasojat e sulmit terrorist në Banjskë, Janjiq thotë se menjëherë pas këtij rasti ka dalë me dy analiza në media, por dikush “në mënyrë miqësore” i ka thënë se është ngutur me deklarime.

“Ata që presin, fuqitë e mëdha e diplomatët kanë kohë të presin, por unë nuk mund të pres, sepse e ndjej nevojën ta zbulojë të vërtetën për vendin tim. Shtyrja nuk i konvenon Serbisë. Është gabim i madh i Serbisë që ka zgjedhur rrugën e shtyrjes së hetimit dhe duke sajuar kualifikime e rikualifikime të rastit”.

Ai tha se duhet të dihet se çfarë ka ndodhur në Banjskë, me kushtin që edhe kreu i shtetit e di se çfarë ka ndodhur atje.

“Aksione të tilla nuk mund të ndërmerren pa ndihmën asistimin e dikujt, sepse ato formacione paraushtarake janë stërvitur edhe në Rusi, edhe këtu edhe atje… Pra shteti [serb] në njëfarë mënyrë është aty, edhe BIA. Pasi ajo është aty, atëherë ata do të duhej të mbroheshin ndryshe… Kjo se si ata po mbrohen është reflektim i periudhës së Millosheviqit, siç ishte rasti ‘Panda’, kur dërguan dy paramilitarë nga Bosnja dhe i vrasin fëmijët serbë. Dhe ne he ne çfarë bëjmë, krijojmë mjegull …”.

Duke folur për rastin Banjska, ai thotë se ishte një aksion i mirë planifikuar, por që është zbuluar me kohë.

“Pjesëtarët e njësisë special britanike kanë qenë atje më herët [para ndodhjes së sulmit terrorist]… Ne e kemi parë momentin e tërheqjes [së terroristëve serbë], që  është bërë në marrëveshje me KFOR-in. Shihen edhe filmimet e tërheqjes”, ka thënë Janjiq.

Ai thotë se “personat që kanë marrë pjesë në operacionin ushtarak apo paraushtarak në Banjskë, kanë qenë një strukturë e organizuar. Ata njerëz kanë qenë të përgatitur dhe nuk bëhet fjalë për amatorë”. sn

Ministri i Mbrojtjes dhe ushtria serbe në kufi me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiç, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Milan Mojsilloviç, zhvilluan një vizitë pranë një baze ushtarake afër kufirit me Kosovën. Lajmi është konfirmuar nga vetë ushtria serbe përmes një deklarate.

“Ministri Gashiç dhe gjenerali Mojsilloviç gjatë vizitës së sotme me ushtarët biseduan për detyrat që kryejnë përgjatë vijës administrative me Kosovën, si dhe biseduan edhe për kushtet e jetesës dhe punës”, lexohet në njoftim.

Ata paralajmëruan se do të bëhen ndryshime në objektet infrastrukturore në bazat ushtarake serbe. Gashiç vizitoi dhe një kompleks qitjeje, të destinuar për stërvitje individuale dhe kolektive për situatë luftarake. Në javët e fundit ka pasur akuza të shumta nga krerët e institucioneve dhe inteligjenca e Kosovës se terroristët e Milan Radoiçiç po stërviten në disa baza ushtarake të Serbisë, për sulme të mundshme në veri. sn

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

VOA/Ali Salaj

Partitë e ish Frontit Demokratik pro-rus dhe Partia Boshnjake, u bënë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, pasi parlamenti malazez miratoi të martën me shumicë votash riorganizimin e saj, mes shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara, kundërshtimit të presidentit të vendit dhe të opozitës.

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe do të kenë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, ndërsa boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.

Qeveria do të ketë 24 poste ministrash dhe 7 poste zv/kryeministrash, gjë që e bën atë më të madhen në historinë e parlamentarizmit në Malin e Zi.

Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Milojko Spajiç vuri në dukje rëndësinë e qeverisë për të ardhmen e vendit.

“Kjo qeveri është një garantuese i qëndrueshmërisë dhe pjekurisë. Ne jemi shembull se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët, serbët dhe malazezët – të gjithë mund të jetojnë dhe punojnë së bashku. Ne do të jemi një fanar për gjithë Ballkanin”, tha kryeministri malazez.

Riorganizimi i qeverisë u kritikua nga partitë opozitare malazeze, të cilat thanë se hyrja e partive pro-ruse, nënkupton një qeveri që do të drejtohet nga Moska dhe Beogradi.

“Koka dhe truri janë në Moskë. Shefi i kësaj qeverie është (kryetari i parlamentit) Andrija Mandiç dhe në të nuk ka asnjë përfaqësues nga kombi malazez”, tha Andrija Nikoliç nga Partia Demokratike e Socialistëve.

Sipas opozitës këto parti “mbrojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebernicë dhe mbështesin kriminelët e luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç të dënuar në Hagë”.

Ky është riorganizimi i parë i qeverisë malazeze e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar, duke lënë në opozitë pas gati tre dekadash Partinë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit Milo Gjukanoviç.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se partitë dhe udhëheqësit që kundërshtojnë vlerat euroatlantike të mos jenë pjesë e pushtetit. Një qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe institucionet evropiane.

Të martën, ambasada amerikane në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj me përbërjen e re të qeverisë.

Jemi të shqetësuar për përfshirjen në qeveri të partive dhe udhëheqësve që nuk e dënojnë agresionin rus në Ukrainë, kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore“, tha ambasada amerikane në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

Si aleat dhe partner i ngushtë i Malit të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të parlamentit dhe qeverisë, duke vënë në dukje aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane, duke u bërë thirrje qeveria dhe deputetëve të qëndrojnë të përqendruar në qëllimin e përbashkët të anëtarësimit në BE dhe të shmangin çështjet që nxisin përçarje.

Para seancës së parlamentit, presidenti malazez Jakov Milatoviç, tha se “Mali i Zi sot është viktimë e tregtisë më primitive politike dhe papërgjegjshmërisë që kryeministri vazhdimisht e demonstron ndaj drejtimit të vendit”.

Në një postim në platformën e medieve sociale X, presidenti shkroi se “kur menduam që asgjë nuk mund të na befasojë më, sot jemi dëshmitarë të një tjetër mashtrimi dhe fyerjeje ndaj mendjes së shëndoshë të qytetarëve të Malit të Zi. Pasi u bë e qartë për qytetarët se ideja e ndryshimit është tradhtuar, rrënimi i jetës politike dhe i proceseve demokratike vazhdon. Mostransparenca, mungesa e parimeve dhe tregtia me interesat shtetërore, arrijnë kulmin me votimin e qeverisë më të madhe në historinë e Malit të Zi, qëllimi i së cilës është mbrojtja e interesave individuale, e jo përmirësimi i shoqërisë sonë dhe rruga evropiane e vendit”.

Mali i Zi, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2017, konsiderohej si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.

Por, për shkak të krizës politike dhe institucionale, që nga dhjetori vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një konferencë ndërqeveritare me BE-në, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.

Opozita serbe-qeverisë së Vuçiçit: Njihni Kosovën shtet

Opozita serbe ka paraqitur një plan ku përfshihen disa pika. Anëtarët e opozitës, Çedomir Stojkoviç dhe Ivan Videnoviç deklaruan se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ambasadori rus duhet të ndalohet, shërbimet e inteligjencës serbe duhet t’i nënshtrohen Perëndimit dhe Ukrainës duhet t’i jepet municion dhe armë.

Po ashtu, ata kanë theksuar se duhet të njihet shteti i Kosovës. Sipas opozitës, kjo është politika që e çon Serbinë në të ardhmen.

“Kjo politikë duhet të jetë si më poshtë: vendosja e sanksioneve kundër Rusisë në të njëjtën mënyrë si BE-ja dhe të gjithë anëtarët e saj; ndalimi i mediave të kontrolluara nga Rusia në territorin e Serbisë; dërgimi i armëve dhe municioneve në Ukrainë për mbrojtjen e saj; reforma e plotë dhe urgjente e shërbimeve inteligjente të Serbisë dhe strukturës dhe organizimit të saj sipas modelit dhe vlerave të shërbimeve perëndimore; barazimi i pozitës dhe statusit të personave të zhvendosur përkohësisht nga territori i Ukrainës me statusin që ata kanë në vendet e BE-së, kryesisht në Poloni, Republikën Çeke dhe Gjermani; Deklarimi i ambasadorit rus si persona non-grata në Serbi është një domosdoshmëri“, deklaroi Stojkoviç.

Ndërsa kolegu i tij Ivan Videnoviç theksoi se anëtarësimi i Serbisë në NATO, “aleancë me ushtrinë e Kosovës”, por edhe një politikë fqinjësie e hapur me Kosovën janë të rëndësishme.

“Postulati i dytë është parashtrimi i kërkesës së Serbisë për anëtarësim në NATO. Ne synojmë ta përkthejmë në realitet këtë politikë që kemi thënë këtu”, shtoi Stojkoviç./KlanMacedonia

Vuçiçi: Perëndimi po përgatitet për konflikt direkt me Federatën Ruse

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Perëndimi po përgatitet për luftë direkte me Rusinë, madje sipas tij më shpejt sesa shumëkush mund të shohë dhe kuptojë.

“Ata po përgatiten tashmë për një konflikt me Federatën Ruse dhe po përgatiten shumë më shpejt sesa disa njerëz pëlqejnë të shohin në çdo kuptim.

Ne e dimë këtë nga përgatitjet ushtarake, ne e dimë sesi po shkojnë ato. Po ju them se ata po përgatiten për një konflikt ushtarak”, tha Vuçiç.

Sipas tij arsyet e luftës janë strikt ekonomike dhe energjetike: Rusa ka shumë naftë, gaz, fosfate, ar dhe argjend dhe çdo gjë që Perëndimi ka nevojë.

Vuçiç po ashtu ka sjellë në vëmendje edhe ato që agjencia ruse e lajmeve Tass, i quan “ide nga vendet skandinave sipas të cilave Rusia nuk meriton të ketë një territor të tillë, pasi Rusia është provincë e të gjithë njerëzimit”. sn

Dorasi i policit në Serbi është vrarë, thotë Daçiqi

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.

Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.

Daçiq më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit, dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.

Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.

Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?

Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.

“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.

Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.

Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.

Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.

“Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë”, tha Artani në këtë incizim.

Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.

Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.

Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.

Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.

Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.

Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.

Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.

Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast.

Scholz në Beograd: Litiumi është po aq i rëndësishëm sa nafta dikur

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencë të përbashkët për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë të premten në Beograd se projekti Jadar, i cili parasheh krijimin e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, është gjë e mirë për këtë vend.

Scholz dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, kanë theksuar se gjatë mihjes së këtij minerali të rëndësishëm, do të respektohem standardet më të larta për ambientin.

Të dy zyrtarët kanë folur për përfitimet prej projektin për mihje të litiumit, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përballur me kundërshtimet e ambientalistëve dhe banorëve të zonës, të cilat kanë shqetësime për mjedisin.

Përgjatë Samitit për Lëndët e Para të Qëndrueshme në Beograd, blloku evropian dhe Serbia kanë nënshrkuar memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike.

Ky takim ka ndodhur pak ditë pasi Qeveria e Serbisë e ka rishikuar projektin Jadar, i cili parasheh hapjen e një miniere të litiumit në luginën e Jadrës në Serbi nga gjiganti botëror, Rio Tinto.

Scholz ka thënë në një konferencë të përbashkët me Shefçoviqin dhe Vuçiqin se Jadar është projekt evropian.

Sipas kancelarit gjerman, litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani.

Ai ka thënë se projekti është pozitiv për shumë arsye, përfshirë rritjen e perspektivës dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Serbi.

“Vendimi kërkon kurajë, po marrim një hap të rëndësishëm, duke nxjerrë litium në Serbi ne mund t’i përmbushim synimet për klimën”, ka thënë Scholz, duke shtuar se “kemi nevojë për bateri”.

Bashkimi Evropian është duke tentuar të zvogëlojë varësinë ndaj importeve të Kinës, derisa Gjermania është prodhuesja më e madhe e makinave elektrike në Evropë, të cilat funksionojnë me bateri të litiumit.

Vuçiq ka thënë pas nënshkrimit të memorandumit se është i lumtur “për atë që ka nisur sot”.

“Kjo është e rëndësishme për Evropën, për Gjermaninë, mirëpo për neve në Serbi është ndoshta me më së shumti rëndësi. Kjo përbën pikë kthese dhe mundësi të madhe për ne”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se bashkëbiseduesve nuk ua ka fshehur vështirësitë me të cilat përballet Qeveria e Serbisë për mihjen e litiumit.

Presidenti serb ka thënë se Serbia do të insistojë në mbrojtje të ambientit, duke e konsideruar “aspekt thelbësor”. REL

Autoritetet e Serbisë në kërkim të shtetasit të Kosovës për vrasjen e policit, Kurti bën thirrje për mospolitizim

Pikë kalimi në Lloznicë mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

 

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, ministria e Brendshme gjermane nuk e ka komentuar këtë rast.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së policit të vrarë, të cilin e ka përshkruar si hero.

“Jam jashtëzakonisht i tronditur me lajmin për vdekjen e zyrtarit policor, Nikolla Kërsmanoviq, i cili është vrarë në një sulm tinëzar derisa ka qenë duke kryer detyrën e tij të vështirë”, ka thënë Vuçiq përmes një komunikate të lëshuar nga Presidenca serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.

Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. REL

Beleri pritet nga Mitsotakis në Athinë, kryeministri grek: Duam që Shqipëria t’i afrohet BE, duke iu përmbajtur angazhimeve evropiane

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis priti sot në Athinë Fredi Belerin, eurodeputetin e zgjedhur të Demokracisë së Re, i cili është nisur drejt Strasburgut për të kryer betimin pas lejes së marrë nga autoritetet shqiptare.

“Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara”, tha Mitsotakis duke iu drejtuar Belerit.

Në të njëjtën kohë, kryeministri grek theksoi se Shqipëria po afrohet më shumë me Europën, për sa kohë që i përmbahet me përpikëri angazhimeve të saj europiane.

“Konsideroj se sundimi i ligjit, e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur nuk janë të vetëkuptueshme në vendin ku jetoj. Dua t’i ndihmoj ”, tha Beleri sipas medias greke Kathimerini.

Mëngjesin e sotëm Fredis Beleri kaloi portat e burgut të Fierit pasi siguroi lejen pesëditore që kishte kërkuar për të shkuar në Strasburg për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian.

Dialogu mes Mitsotakis dhe Belerit:

Mitsotakis: Kam shumë arsye, i dashur Fredi, të jem i lumtur t’ju mirëpres sot në Megaro Maximos. Së pari, më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si eurodeputet grek tani, në Bruksel dhe Strasburg, me Demokracinë e Re. Jam i sigurt se do t’i përmbushni plotësisht detyrat tuaja.

Më lejoni t’ju them se sa i lumtur jam që kjo aventurë e madhe duket se po i vjen fundi. Është e vetëkuptueshme, ju keni marrë licencën që të mund të ushtronit detyrat tuaja dhe të bënit betimin. Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të vazhdojmë përpara, të shohim përpara.

Beleri: Do të doja t’ju falënderoja personalisht që më keni mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe. Unë do të nderoj besimin që më keni dhënë duke më futur në fletën e votimit europian. Mendoj se në shtetin ku jetoj nuk është e vetëkuptueshme shteti ligjor, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Unë dua t’i ndihmoj ata. Të ndihmojë pakicën kombëtare greke të qëndrojë në shtëpitë stërgjyshore, por edhe që ky shtet të afrohet dhe të bëhet anëtar i familjes europiane.

Mitsotakis: Kjo është ajo që duam edhe ne, dhe ju duhet ta dini – përveç kësaj, unë mendoj se e kam vërtetuar këtë në praktikë – se unë qëndroj pranë njerëzve të pakicës kombëtare greke. Ne kemi të gjitha arsyet për të kërkuar një Shqipëri që bën progres në këto çështje, që i afrohet Evropës, por që i përmbahet rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Mendoj se ky është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë. bw

Fredi Beleri në Athinë: Mitsotakis dëshmoi se është udhëheqësi i gjithë helenizmit

Në Athinë ka mbërritur pak pas orës 12:30 Fredi Beleri, i cili u lirua sot nga burgjet shqiptare me një leje 5-ditore, për të shkuar në Strasburg për të bërë betimin si deputet i Parlamentit Europian.

Eurodeputeti i Demokracisë së Re u prit në aeroport nga ish-ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou dhe deputeti i ND-së, Angelos Syrigos. Fredi Beleri shoqërohej nga bashkëshortja e tij.

Në deklaratat e tij për gazetarët ai u shpreh “i lumtur dhe i emocionuar për të përqafuar sërish popullin tim”, por edhe “krenar që shkova të marr detyrën si eurodeputet, të luftoj për të mbrojtur të drejtën e atdheut tonë dhe të grekëve kudo që jetojnë”.

Fredi Beleri falënderoi “kryeministrin grek për besimin, për zgjedhjen e tij. Ai dëshmoi se është udhëheqësi i gjithë helenizmit dhe mbron grekët kudo që janë”.

Gjithashtu, ai tha “dua të falënderoj bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që më kanë qenë pranë që në momentin e parë. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Mediat që kanë qenë me mua që në fillim në këtë skemë të padrejtë. Aventurës sime po i vjen fundi. Lufta për demokraci, shtet ligjor dhe të drejta civile vazhdon”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë, ai nënvizoi se “unë jam i pafajshëm, këtë po thonë edhe shqiptarët” dhe se “mbështetja e familjes, miqve dhe mund të them shumicës së grekëve i jep forcë dhe kurajo”.

Po ashtu ai u dërgoi një mesazh himariotëve “që nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë për t’i mbrojtur, kërkesat e tyre janë të drejta, herët a vonë do të shfajësohen”.

Së fundi, ai theksoi se “BE nuk duhet të lejojë që vullneti i njerëzve të mos respektohet kudo që janë në Evropë në përgjithësi”.

Në këtë kohë, eurodeputeti i ND takohet me Kyriakos Mitsotakis në Megaros Maximos. bw


Send this to a friend