Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për takim , pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar kreu i AAK, Ramush Haradinaj.
Abdixhiku ka thënë se LDK ka përcjellë me shqetësim zhvillimet politike në vend dhe specifikisht atë që e ka quajtur qasje të papërgjegjshme të kryeministrit Albin Kurti në raport me SHAB, BE dhe NATO.
Në letrën që kreu i LDK ia ka kthyer presidentes, thuhet se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti dhe veprime e pa koordinuara kanë rrezikuar sovranitetin e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sipas pikëpamjeve tona, interesat e vendit tonë, përfshirë dhe ato të ruajtjes e të shtrirjes së sovranitetit të plotë në gjithë territorin e Kosovës, kanë gjasë vetëm nëse në krah kemi aleatët tanë, që popullin tonë e ndihmuan në rrugën e lirisë, pavarësinë dhe të demokracisë”, thuhet në letër. syri.net