Kam njohur në jetë shumë portrete nënash,
por pak prej tyre ngjanin me ty.
Kërkova pafund, me imagjinatë fëmije,
që secila, nga pak, të më sillte tek ti…
I shurdhët, i përhumbur në lojën pa lodra,
thërrisja, thërrisja kudo emrin tënd…
dhe botës së zbrazët rrotull iu solla,
me shpresën e vetme të gjeja veç një shenjë…
Nuk di ç’ke ndjerë, zemërdhembshura ime e bukur,
kur fati i pafat më shkëputi nga ti,
por një dhembje e kisha gjithmonë brenda dhembjes,
që, i lodhur e i pashpresë, jetoja vetminë.
Kam njohur në jetë shumë portrete nënash,
me sy të qeshur dhe shpirt Mona Lizë,
por asnjëra prej tyre s’ma solli kaq pranë
atë që kërkoja në jetë për çdo ditë…
Sa i gjatë, i mundimshëm ishte ky makth,
nuk di një mënyrë si ta tregoj.
Për diçka jam i bindur dhe s’kam drojë ta them:
je e vetmja dritë që unë sot jetoj…!
Tiranë, e enjte – 25 dhjetor 2025
Poezi – Ilir Çumani