Mestan Ujaniku ua vuri “kufirin te thana” jo vetëm ballistëve me Xhelal Staraveckën, por edhe komunistëve. Ballistët e quajnë Mestan Ujanikun si heroin e tyre edhe sepse u persekutua nga regjimi komunist. Ndërsa komunistët fanatikë si njeri të Ballit dhe armikun e tyre.
Si komandant i Çetës Plakë dhe i Shtabit, Mestani udhëhoqi LANÇ-in në Qarkun e Beratit. Në to spikati jo vetëm si prijës popullor për mobilizimin e njerëzve në luftë, por edhe si udhëheqës ushtarak për vendimmarrje të matura. Ai ishte dhe mbeti besnik i idealeve të lirisë dhe i pashoq për atdhetarizimin e tij.
Nga Elmas Guga
Në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të vendit si dhe promovimit të librit “Krahina e Tomorricës”, herët kam menduar një shkrim për veprën atdhetare të Mestan Ujanikut jo vetëm gjatë luftës antifashiste. Por – siç thotë populli- më mirë vonë se kurrë. Ideja e shkrimit u bë edhe më brilante kur lexova artikullin rreth traktit të Xhelal Staraveckës: “Largohem nga Partia komuniste e fëlliqur” (botuar nga gazeta Tema, dt.11.11.2019). Në atë shkrim autori shprehej i brengosur se megjithë luftën e tyre të gjatë nuk po na bindin dot që LANÇ-i na qënkësh luftë civile?!?!
Punë e tyre….kot e kanë. Ndërkaq rrekej të na mbushë mendjen se po publikon për herë të parë të dhëna dhe informacione të vërteta që i ka gjetur në Arkivin Qëndror të Shtetit (A.Q.Sh). Ky është një spekulim i radhës që autori bën me shkrimin e tij kundër luftës antifashiste. Ndaj është rasti të kujtojmë këtu se jo çdo e dhënë që del nga AQSH ka medoemos monopolin e të qënit e vërtetë.
Varet tërësisht nga burimi që e ka prodhuar informacionin dhe aspak nga vendi ku ruhet. Kurioziteti për vërtetësinë e tyre na shuhet shpejt kur mësojmë se këto të dhëna janë marrë nga arkivi i dokumenteve të KQ të Ballit që gjenden në AQSH. Të dhënat e artikullit përmes trakteve, dhe jo vetëm prej tyre, sjellin në vëmendjen tonë klimën e luftës politike të B.K në vjeshtën e vitit 1943 kundër Frontit Antifashist dhe Partisë Komuniste në Qarkun e Beratit. Në atë periudhë Balli Kombëtar (BK) kaloi tërësisht në shërbim të pushtuesve gjermanë duke u bërë njësh me ta. Një politikë e tillë pa krye dhe kundër popullit nuk mund të qëndronte në këmbë veçse me një propagandë plot demagogji e shpifje kundër Frontit dhe Partisë Komuniste. Të dhënat dhe faktet që servirte B.K. në ato kohë ishin më shumë se të pavërteta. Flitej për qindra partizanë që dezertonin dita ditës nga Fronti dhe mbushnin radhët e Ballit. Sikundër edhe për lumenj shpifjesh për amoralitetin e komunistëve dhe përdhunimet e grave dhe vajzave! Sa mirë do ishte për ballistët sikur vërtetë të ishte ashtu!!
Propaganda e tyre ishte një gënjeshtër e madhe që nuk ua mbushi mendjen shqiptarëve dhe ca më pak rreshtat e Ballit.
Nuk di të them për fatin dhe traktet e të gjithë atyre që përmenden në këtë artikull. Por gjithsesi dimë të themi mjaftueshëm të vërtetat që lidhen me Mestan Ujanikun e Xhelal Staraveckën si dhe traktet që lidhen me ta. E vërteta është se trakti në emër të Mestan Ujanikut u shkrua nga fillimi në fund nga Xh. Staravecka.
Sipas këtij trakti, Mestani deklaronte largimin nga Fronti dhe i bashkohej Ballit… Edhe në traktin e vet Xhelali deklaronte largimin nga Partia Komuniste dhe nga Fronti për t’ju bashkuar Ballit.
Të dy këto trakte që për fat të mirë i shohim të botuara, ngjajnë si dy pika uji mes tyre. Dhe nuk është e vështirë të kuptohet se janë shkruar nga e njëjta dorë. Në mesin e tetorit 1943 fletushkat e shkruara me traktin e Mestanit u shpërndanë dorë më dorë nga ballistët kudo në fshatrat e Beratit. Dhe çudia e këtij lajmi tronditës zgjati vetëm një javë. Sapo Mestani u kthye nga Lozhani, ku kishte marrë takim me Enver Hoxhën në Shtabin e Përgjithshëm, e denoncoi publikisht marifetin e Xhelal Staraveckës dhe rikonfirmoi vendosmërinë e tij për të vijuar rrugën e luftës kundër pushtuesve.
Në kushtet e një lufte politike mes partish, qoftë edhe me armë, siç ishte lufta, diversioni apo shantazhi politik mes palësh është dukuri normale. Në këtë kuptim veprimet e Xh. Staraveckës kundër P. Komuniste, Frontit dhe Mestan Ujanikut nuk duhet të na çudisin. Xhelali dhe Balli përveç shantazhit që i bënin P. Komuniste dhe Frontit e kishin përzëmër ta kishin Mestan Ujanikun në krahun e tyre, si një komandant me influencë jo vetëm në Qarkun e Beratit. Pikërisht për këtë arsye Xhelal Staravecka ndoqi politikën e faktit të kryer me traktin e Mestanit. Xhelali mendonte se Mestani për shkak të kontraditave të thella që kishte me komunistët e Qarkut, nuk kishte ku të shkonte përveçse tek Balli. E vërteta është se Mestan Ujaniku ua dogji kartat të dy palëve.
E theksuam më sipër që shantazhi politik ndaj Frontit Antifashist dhe Mestan Ujanikut jetoi dhe u fashit brenda një jave. Për fat të keq gënjeshtra e Straveckës ndaj Mestanit u ringjall përsëri në 1947 nga regjimi komunist. U përdor si alibi për të ngritur akt akuzën false sipas të cilës Mestan Ujaniku ishte pjesë e një grupi armiqësor që kishte marrë përsipër të ishte komandant i forcave të Ballit. Kanë kaluar mbi 75 vjet dhe gënjeshtra politike e Xh. Staraveckës vijon të ushqejë mendjet diabolike të dy krahëve. Ballistët e quajnë Mestan Ujanikun si heroin e tyre edhe sepse u persekutua nga regjimi komunist. Ndërsa komunistët fanatikë si njeri të Ballit dhe armikun e tyre.
E vërteta është se Mestan Ujaniku ua vuri “kufirin te thana” jo vetëm ballistëve me Xhelalin, por edhe komunistëve të cilët në vjeshtën e vitit 1943 deshën ta eliminonin por nuk ia arritën falë ndershmërisë dhe trimërisë së tij. Ndaj, për të kuptuar përmasat e veprës atdhetare të Mestan Ujanikut, lexuesi ynë duhet të njohë edhe pozitën e Xh. Staraveckës në raport me Partinë Komuniste, Frontin dhe Mestanin. Sikundër edhe sfidat e këtij të fundit me komunistët si dhe rrethanat kur Xhelali shkroi traktin në emër të Mestanit.
E themi që në fillim se Xh. Staravecka kaloi në Çetën Plakë si i infliltruar i fashizmit për të “minuar” lëvizjen antifashiste në Skrapar. Këtë të vërtetë më shumë se ata që e dinin e dëshmoi veprimtaria e Xhelalit, jo vetëm në Çetë dhe në Front, por edhe kur kaloi te Balli e më tej. Xhelali u rrit dhe edukua në Fier në familjen e tij, e cila qe shpërngulur herët nga Skrapari. Kishte kryer studimet e larta ushtarake në Itali dhe në vitet e para të pushtimit fashist ishte oficer karriere në Berat. Pas çlirimit të Skraparit më 5 shtator 1942, vërshuan operacionet ndëshkimore të fashizmit nga Berati, Korça e Gramshi për të shtypur lëvizjen antifashiste. Në këtë kuadër, Xhelal Staravecka, në krye të një detashmenti ndëshkues niset nga Berati dhe nga Therepeli hyn në Skrapar. Më 9 shtator, në Koritë (Radësh), Xhelali takon krerët e Çetës Plakë (Mestanin e Gjinin) si dezertor i fashizmit. Si provë devotshmërie për luftën kundër fashizmit u bë komunist. I ngarkuan edhe një detyrë në zonën e Potomit për të mobilizuar luftëtarë të rinj. Nuk mundi të mbledhë vëçse 10-15 luftëtarë sepse nuk njihej fare në Skrapar. Në fund shtatorit 1942, Çeta Plakë me mbi 160 luftëtarë u riorganizua në 4 çeta dhe Xhelali u bë komandant në njërën prej tyre. Shokët e luftës, Xhelalit dhe çetës së tij i njohin si meritë vetëm luftimet kundër garnizonit fashist në Përmet në tetor 1942. Xhelali njihej si fodull e tepër cinik në karakterin e tij. Kishte qejf të kritikonte cilindo dhe për çdo gjë. Këtë gjë e justifikonte me shkollimin e tij.
Me formimin e Brigadës së Parë Sulmuese, Xhelali u caktua komandant batalioni. Detyra e dhënë ishte jo vetëm një vlerësim për të, por edhe një testim nëse donte të luftonte fashizmin apo jo. Dhe vërtet Xhelali u shpreh i pakënaqur me detyrën që i besuan. Pretendonte postin e Mehmet Shehut si Komandant Brigade. Kësisoj filloi të gërmojë të metat në drejtimin e punës së Brigadës.
Në vjeshtën e vitit 1943 Xhelali vijoi diversionin në Shtabin e Qarkut Berat. Ai e njihte mirë Mestan Ujanikun për karakterin e tij të vendosur që nuk duronte dot as frymën sektare që shpesh i vinte nga Qarkori i Partisë Komuniste ku bënte pjesë dhe Xhelali si komunist. Komunistë nga qarkori nuk e shihnin me sy të mirë M. Ujanikun, jo vetëm pse nuk pranonte të ishte komunist, por edhe sepse shpesh ua kthente mbrapsht vendimet sektare që kërkoheshin të zbatoheshin nga Shtabi i Qarkut. Mestani nuk pranonte të përdorej dhunë për sekuestrimet në familjet e mesme dhe të pasura kur ato e ndihmonin luftën e për më tepër me djemtë e tyre partizanë. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë rast Mestan Ujaniku nuk lejoi që në Qarkun e Beratit të kryheshin përdhunime të grave dhe vajzave siç do të dëshironte Xhelal Staravecka dhe shpifësit e mëdhenj kundër LANÇ-it. Xhelal Staravecka dëshironte që klima e mosmarrëveshjeve të Qarkorit të partisë me Mestan Ujanikun të arrinte në atë pikë saqë Mestani ta kishte të pamundur të drejtonte Shtabin. Kësisoj, mendonte Xhelali, Mestani nuk kishte ku të shkonte veçse me Ballin. Dhe me gjasë, nën rrogoz, Xhelali ka ndikuar që mosmarrëveshjet me Mestanin të acarohen. Në javën e parë të tetorit 1943 në një mbledhje të Qarkorit të Partisë Komuniste shumë komunistë ishin shprehur se: “Mestani ose duhet të zbatojë çfarë i thotë Partia ose ndryshe do ta bindim ne me plumbin ballit”. Këto mesazhe kërcënuese Mestani i mori vesh nga shokët e tij komunistë por edhe nga Xhelali. Ndaj për të sqaruar situatën e krijuar, vendosi të thërrasë mbledhjen e Shtabit të Qarkut në Vërtop. Nga Shtabi për këtë mbledhje kishin ardhur vetëm Mane Nishova dhe Mahmud Shehu. Në kushtet e dështimit të mbledhjes, Mestani vendosi të marrë rrugën për në Shtabin e Përgjithshëm për të diskutuar situatën për Qarkun e Beratit. Bashkë me Mestan Ujanikun u nisën në Lozhan edhe Mane Nishova e Mahmud Shehu si dhe 25 partizanë për të siguruar udhëtimin. Në Shtabin e Përgjithshëm i pritën dhe dëgjuan me vëmendje gjithë anëtarët. Në fund, Enver Hoxha i dha të drejtë Mestanit dhe caktuan Ramadan Çitakun nga Shtabi i Përgjithshëm për të sqaruar situatën në Qarkun e Beratit. Theksojmë këtu se Mestan Ujaniku mbeti tepër i kënaqur nga Enver Hoxha në atë takim.
Bashkë më Ramadan Çitakun u larguan nga Shtabi i Përgjithshëm për në Berat. Meqë ishte kohë lufte, nisja e tyre u bë natën. Gjatë rrugës, tek Ura e Lozhanit, u gjendën në pritë. Pati shkëmbim të ashpër zjarri ku Mestan Ujaniku plagoset në dorë. Ishte ndoshta merita e tij që Ura e Lozhanit u kalua vetëm me një plagosje. Shumë vite më vonë, pas vitit 1990, Mihal Përmeti do të deklaronte pjesëmarrjen në pritën e Lozhanit. Mihali tregon se atë natë partizanët kishin marrë urdhër që të mos kalonte askush te Ura e Lozhanit!? Lexuesi mund ta kuptojë vetë mesazhin e asaj ngjarjeje. Me gjasë, nëse Mestan Ujaniku nuk do të kishte mbetur gjallë në atë pritë, atëherë dëshmia e pas vitit 1990 mund edhe të mos jepej. Sidoqoftë, pas incidentit tek Ura e Lozhanit, rrugëtimi i Mestan Ujanikut me shokë nuk pati probleme deri në Berat. U bë mbledhja e Shtabit të Qarkut ku u kritikuan të gjitha të metat e organizatës së partisë. Mestan Ujaniku doli nga ajo mbledhje me autoritet shumëfish si komandant i Shtabit të Qarkut duke fituar për të gjitha çështjet e diskutuara.
Këtu vlen të thuhet se që ditën kur Mestani u nis për në Korçë (për në takimin në Shtabin e Përgjithshëm) dhe deri sa u kthye në Berat (rreth 10 ditë), komunistët e qarkorit bënin propagandë të ethshme sipas të cilës Mestani kishte tradhtuar Frontin dhe i ishte bashkuar Ballit. Agjitatori i këtij lajmi të rremë ishte edhe Xhelal Staravecka, si një prej komunistëve të qarkorit. Kjo propagandë e ulët u sfumua nga e vërteta dhe dëshmitë e 25 partizanëve që Mestani kishte me vete në rrugëtimin e tij për në Korçë. Koha e shpifjeve kundër Mestan Ujanikut i shërbeu Xh. Staraveckës për të hedhur në publik traktin famëkeq në emër të Mestan Ujanikut. Në ato ditë, Xhelali me gjasë, mendonte që nëse Mestani do të mbetej gjallë nga të vetët do të kalonte me Ballin se nuk kishte nga të shkonte. Por llogaritë i kishin bërë gabim të dyja palët. Mestani u kthye në Berat si triumfator në krye të Shtabit të Qarkut. E denoncoi publikisht shpifjen e ulët të Xhelal Staraveckës, i cili në ato ditë kishte kaluar te Balli Kombëtar. Ky veprim i Xhelal Staraveckës nuk dëshpëroi askënd në radhët e Frontit, sepse nuk kishte qënë i tyre për asnjë çast edhe pse vegjetoi tek Fronti gati një vit.
Traktet e Xhelal Staraveckës në atë tetor të vitit 1943 ishin në një farë mënyre një raport pune për eprorët e tij të Ballit për të justifikuar veprimtarinë e tij përçarëse në gjirin e Frontit Antifashist. Koha provoi se Xhelalit nuk i vinte aq keq, sikundër shprehej, për gjakun e shqiptarëve të derdhur nga serbianët me sy të skuqur. Veprat e tij me gjak shqiptarësh i kalonin shumëfish edhe serbianët e urryer. Ndryshe nga Xhelali, Mestan Ujaniku ishte dhe mbeti besnik i idealeve të lirisë. Ai ishte i pashoq për shërbimet që i bëri popullit dhe atdheut të tij. Pikërisht për këto, e vërteta e veprës atdhetare të Mestan Ujanikut lipset të njihet nga brezi i sotëm dhe i atyre që do të vijnë pas nesh.
(Vijon)
Komentet