Ramleh (Aleksandrí), 15. 10. 1950
I dashtuni mik,
Mora letrën t’Ânde të k.m. e me gjithë përkthimin e dokumentavet latinë. Të falem nderës fort e shpresoj se s’kam me pasun mâ për do kohë mundime kaq të randa me Të dhânë.
Tash “Ndrekë Topija kishte vetëm sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram” sekretar slav qi din gjuhën e shkrimin slavisht? Ase kishte sekretar slav e ai vetë, Ndreka, dinte gjuhën e shkrimin slavisht? Apo tjetër? Ksi shtegu s’po T’ap tjetër mërzí.
Kishem me dashun qi bisedimet T’ona me këtë korrespondencë të kândshme qi kemi nisun të zhvillohen mbi thema historike. Me gjithë këtê mbasi po dishron me Të tfillue edhe nji lâmsh politike të tashme, edhe un po Të përgjigjem.
Balli Kombtar u krijue në Shqipní nën pushtimin italjan si lëvizje qëndreset prej prinjësve jugorë nën kryesín e Midat Frashërit. Lëvizje nacjonaliste në bashkëpunim të ngushtë me Nacjonalçlirimtaren, dmth. me komunistat deri ditën qi këtyne u a muer mêndja qi mund të veprojnë pa ta edhe kundra tyne madje. Si në çdo partí, edhe Balli kishte të djathtën e të mângjëtën e vet. E para kishte për leader Alì Këlcyrën dhe e dyta Abaz Ermenin, strukun ky nën hijen morale të Frashërit. Në mërgim ndryshim’i koncepteve e taktikës politike mbë nj’anë e antagonizmat personale në tjetrën e thelluen e e zgjânuen edhe mâ fort hendekun ndërmjet dý tendencave. E mangjëta me personalitetin e Frashërit, të njohun e të përkrahun edhe prej disa qarqeve inglize, me personalitetin e fortë të Prof. Abas Ermenit e me metodat gati komuniste mbërrini me shtí në dorë në mërgim krejt drejtimin e organizatës. Ksaj gjâje i ndihmoi edhe largim’ i Këlcyrës prej Italije tue ardhun me zânë vend këtu n’ Egjypt si protagonist nga ana e partís së vet, dmth. e anës së djathtë t’asaj partije, për nji bashkpunim edhe me Mbretin Zog. Duhet shënue edhe nji fakt me rândsí: komunistat kishin dijtun qysh në Shqipní me va mbushun mênden aljatvet qi Balli Kombtar kishte tradhtue kauzën e këtyne tue bashkpunue tinzisht si me Italjanët ashtu edhe me Gjermanët. Ky bashkëpunim, sidomos me Gjermanët, kishte ndodhun për njimênd kur Balli qe shtrëngue me hymë në shamatë me komunistat, ish shokët e vet. Kështu qi të vûmen kambë në Bari, qi ishte pushtue prej Inglizvet, si Frashëri ashtu edhe Këlcyra u kapën e u ndrŷn në nji fushim aljat. Frashëri, me ndihmën e miqve të vet ingliz, u lirue shpejt – ndoshta edhe tue i a veshun të tâna akuzat vetëm shoqit të vet, me sa ky tjetri mbet nja motmot e gjŷmsë i ishulluem në fushim.
Pra kur va deshi puna aljatvet me krijue nji komitet shqiptar antikomunist i a ngjitën dorën Midat Frashërit. Ky e formoi komitetin me Zef Palin, nji ish profesor shkodran qi në vênd t’vet për influencë në popull s’e njihshin as pulat e oborrit, si ka pasë thânë i shueti Dom Lazër Shantoja, e veten e tij si kryetar n’emën të Ballit.; me Abaz Kupin e Nuçi Kotën, të birin e ish-kryeministrit Kota n’emën të Lëvizjes së Legalitetit (monarqiste-zogiste) e me Seid Kryezín (të vllán e Cena Kryeziut të vramë dikur në Pragë e të Gani Kryeziut, sod gjallë në Jugoslaví) n’emën të nji partije të formueme ad hoc[1] mbë kâmb’ e në dorë, pse Inglizët kishin bashkëpunue me tê në Shqipní, si me Abaz Kupin, e prandej e dojshin me doemos në komitet. Partij’e tij u quejt Partij’e Katundarvet. Kështu qi u la jashta komitetit Bloku Kombtar Indipendent si grup ish kolaboracjonistash edhe Grup’i Kosovarvet edhe ky si kolaboracjonist e për mâ tepër edhe për mos me i ramë ndesh Titos.
Tash në dritën e këtyne tfillimeve krejt synthetike Ti sigurisht ke me dijtun me pamë disi qartë në veprën e në fjalët e Alì Klissurës qi ke lexue në gazetë. Ke me kuptue se komiteti qëndron mun ashtu si qe formue e se lëvizja e Aliut âsht jashta atij e kundra atij, së paku në formimin origjinal qi ruen ende. Balli, pjesa e mângjët, por n’ emën të krejt organizatës, ka hymë edhe në Frontin Antikomunist Agrar interbalkano-danubjan n’Amerikë. E Klissura me shokë thonë se kjo ka qenë nji e drejtë e partís së Kryeziut, se Balli s’âsht nji partí agrare. Kongresin e Bagnolit e bâni Aliu me shokët e vet tue përvetue emnin e organizatës së Ballit Kombtar, ndërsa tjerët, tue quejtun ata veten me at’emën e tjerët disidenta, kanë mujtun, formalisht me të drejtë, me e mohue atë kongres. Hasan Dosti, ish Ministër i Drejtsís në … kabinetin e Mustafa Krujës në mâ të shumën e kohës qi ka vazhdue kjo qeverí e dorhjekës mandej në shênj protestimi pse u varën tre komunistat e parë në bazë të ligjve qi ai vetë kishte hartue e nënshkrue si dhe tinzisht antar Ballit po n’atë kohë qi hartonte e firmonte ligjët antikomuniste, âsht nji qi Anglo-Amerikanët vûnë në krye të komitetit si diq Midati. Qe, kjo âsht Babelja shqiptare, lum miku! Të falem nderës fort se më ke bâmë me qeshë me atë frazë ashtu sikur qeshet P. Gjergji n’ Anzat e Parnasit “veç pse s’muj me kjá”… A proposito:[2] athue kishe mujtun me m’a gjetë nje-këtë libër qoftë edhe hua për do kohë? S’ ka libër tjeter qi i a ndiej mallin sa këtij në kto kohna.
Qyr sa e mêndshme kjo copë letër : mbaroi shi atje ku duhej, me gjithë qi pikën e mbrapme s’më la me i a vû! Me këto biseda kështu po m’a nxit mâ fort mallin për Tý. Sa i gzuem do të ishem me Të pasun afër! Por mjerisht s’po mundem as djalin t’em me e pasun këtu. Sa mizore âsht kjo jetë. Shumë e shumë shëndete të perzêmërta.
Mustafa
BOLZANO, me 21 tetuer 1950
Fort i dashtun Mik,
Pardje e mora letren tande e të falem nderës per tfillimin njimend sintetik por krejtë të kjartë qi më dhae mbi partín “nacjonaliste” BALLI KOMBTAR a e b . Ka pasë thânë dikund njiherë Fishta: “Mâ lehtas mblidhen nji grusht pleshta, se nji grusht Shqyptarë”.
Fjalët latine “Ndrekë Topija kishte sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram” Ti i paske perkthye kshtu: “sekretarë slav qi dín gjuhen e shkrimin slavisht”. Mndyra e dytë e perkthimit t’And âsht krejt e gabueshme, tue kenë se scientes, qi âsht plural, nuk mund të perkojë me subjektin Ndrekë Topija në singular. Mbas mendimit t’em do të ishte ndoshta mâ mirë po t’u perkthete kshtu kjo fjalí latine: “Ndrekë Topija kishte sekretarë slav e asish qi dijshin gjuhën e shkrimin slav” Ktu kemi nji et në mjedis e kjo lidhcë do të bashkojë dý pjesë të njaj fjalije. E para pjesë âsht: “Ndrekë Topija kishte sekretarë slav”, e dyta pjesë: “ai kishte “scientes sclavicam linguam et litteram” = conoscenti la lingua e la scrittura slava: Kjo âsht fjalë per fjalë. Taman shqyp: “Asish qi dijshin gjuhen e shkrimin slav”. E kta qi dijshin gjuhen e shkrimin slav, mbas të tana gjasësh do të jén kenë shqyptarë, mjesá sekretarët po na i paska pasë slavë, e kta kuptohet vetvetiut se kanë dijtë gjuhen e shkrimin slav.
Ndoshta edhe ky perkthimi i em âsht teper me hamende, por tjeter mndyrë s’dij as vetë.
Pvetjet e mija kso here janë:
1) Atentati i Vjenës, kúr Ndokë Gjeloshi e shoku i tij paten dashtë me vrá Ahmet Zogun: kush i pat shtî kta me bâ ket atentat?
2) Austrija e para luftës së parë europjane si ka dashë me e rregullue punen e Shqypnís, merret vesht po të kishte dalë fituese ?
3). A din me më kallxue veçanerina permbi at kafazin e Ambashjatës hinglize n’Ankara qi i vodh ksaj dokumenta aq me randsí e u a dorzoi gjermanvet? Tash së vonit ka dalë nji liber me titullin: ” Der Fall Cicero”, shkrue prej Atasheut ushtarak n’ ambashjaten gjermane t’Ankarasë. Ky atasheu âsht nji austriak e thirret Ludwig Moyzich. Ky âsht kenë qi drejt për drejt i ka marrë dokumentat prej atij shqyptarit e i ka percjellë per Berlin. Ket akt spijunazhit e çmojnë shum gazetarë si mâ të randsishmin e ksaj lufte, prandej më intereson me dijtë sa mâ shum per ket shqyptar qi ka fitue nji famë botnore me ket “bravuren” e vet.
Sa per “Anzat e Parnasit” tash i shkruej nji kolegës s’em tue e pvetë pale a e ka a jo. Un drue se edhe ai do të jét në të njajten gjendje si vetë. Kúr na, ai e gjith tjerët, patem lanë Shqypnín perpara, punët ishin ndryshej e nuk e mendojshim kurrkund se do të kishin per t’u sjellë kaq mbrapshtë. Librat shqyp kurrkuj s’i ka rá nder mend me i marrë me vedi. Me gjithkta un tash mundohem per sa të jét e mundun.
Po të ishem vetë atje, fort me ande do të kishem bisedue per sa çashtje shqyptare, e shum sende do të kishem me i kuptue mâ mirë, po të mujtte njeri me folë gjanë e gjatë. Me letra jo gjithmonë mund të shkojë njeri gját.
T’ uroj me gjith zemer shndet e të gjitha të mirat
Miku i yt
- P. Margjokaj O.F.M.
[1] Ang. : posaçërisht
[2] It. : me që ra fjala
Komentet