VOAL

VOAL

E ardhme e paqartë për afganët në Kosovë

May 26, 2022

Komentet

ASK thotë se edhe serbët po marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

Dhjetë ditë pasi në Kosovë ka nisur regjistrimi i popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar mbi 200.000 banorë rezidentë, nga të gjitha komunitetet.

Avni Kastrati, kryeshef ekzekutiv në ASK, gjatë një konference për media më 15 prill, tha se deri më tani janë regjistruar edhe banorë të komunitetit serb nga katër komunat veriore të Kosovës.

“Ka edhe pjesëmarrës nga komuniteti serb nga të gjitha komunat e veriut. Ne mendojmë që në ditët në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit”, tha ai.

Ky njoftim vjen pasi më 5 prill, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas statistikave që ASK-ja publikoi në një konferencë për media, deri më tani janë regjistruar rreth 206.000 mijë banorë të deklaruar si shqiptarë, afër 2.000 të deklaruar si serbë dhe në shifra më të vogla nga komunitetet e tjera në Kosovë.

Sipas të dhënave, 93 persona deri më tani kanë preferuar mos të deklarojnë mbi etninë.

Në konferencën për media më 15 prill, zyrtarët e ASK-së po ashtu thanë se kanë pranuar disa ankesa mbi punën e regjistruesve në terren.

“Kemi qenë të detyruar t’i shkëpusim disa kontrata të regjistruesve për shkak se i kanë tejkaluar kompetencat që kanë marrë gjatë trajnimeve”, tha Kastrati, pa specifikuar arsyet.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj. REL

Clinton thotë se Kosova ka arritur “përparim të rëndësishëm” drejt barazisë gjinore

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se Kosova ka shënuar “përparim të rëndësishëm” drejt arritjes së “barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë”.

Clinton iu adresua përmes një videoje Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po zhvillon edicionin e dytë në Prishtinë.

Ndër sukseset e Kosovës në fushën e të drejtave të grave, Clinton përmendi reparacionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se “jeni përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e paqes, në zgjerimin e mundësive ekonomike dhe dëshmuat se bashkëpunimi sjell më shumë përftime sesa konflikti”.

“Paqja nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, veçmas tani kur tensionet në rajonin e Ballkanit edhe një herë po përshkallëzohen, teksa lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe forcat antidemokratike në botë nxisin përçarje dhe urrejtje. Prandaj, forume të tilla janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë. Gratë janë promovuese të paqes dhe përparimit”, tha Clinton.

Edicioni i dytë i forumit përqendrohet në temën e dhunës seksuale gjatë konflikteve dhe në sigurinë klimatike.

Clinton tha se ky forum është i rëndësishëm, pasi shfaq vendosmërinë për të amplifikuar zërat e grave dhe për të forcuar pjesëmarrjen e grave në të gjitha sferat e jetës dhe “për të siguruar një balancë gjinor në vendimmarrjen për paqe dhe siguri në Kosovë dhe në mbarë botën”.

Ajo tha se po punon me Departamentin amerikan të Shtetit dhe Institutin Georgetown për krijimin e një qendre rajonale të ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë, që do të ketë selinë në Kosovë.

“Demokracitë tonë janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë janë të përfshira dhe trajtohen të barabarta dhe veçmas kur gratë udhëheqin”, tha Clinton në adresimin e saj.

Forumi dyditor, që zhvillohet nën patronazhin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mbledh përfaqësues nga më shumë se 40 shtete në mbarë botën.

Osmani, gjatë hapjes së punimeve të forumit, tha se në kohën kur në botë po zhvillohen disa konflikte, përfshirë atë në Gazë dhe Ukrainë, “agjenda për siguri dhe paqe të grave është më e rëndësishme se kurrë”.

Ajo tha se gratë dhe vajzat në zonat e konfliktit përballen me sfida të shumta, por “shpirti i tyre mbetet i pathyeshëm. Ato luftojnë për mbijetesë, luftojnë për liri”, u shpreh Osmani, duke shtuar se derisa ato e kanë të pamundur të përdorin zërin e tyre, e gjithë bota duhet të bëhet zëri i tyre.

Organizimi i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë kishte qenë zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci që u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.

Forumi këtë vit përqendrohet në përpjekjet për të luftuar dhunën seksuale në konflikte, por edhe për të gjetur mënyrat për të ndihmuar gratë dhe vajzat të navigojnë në mënyrë të sigurt teksa përballen me kërcënimet e sigurisë klimatike.

“Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet ndaj sigurisë së grave, teksa po shfaqen sfida të reja të sigurisë, me qëllimin kyç të bashkimit të forcave për të çuar përpara agjendën e forumit”, thuhet në ueb-faqen e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. REL

MPJD: Serbia po bën fushatë të egër kundër Kosovës në Këshillin e Evropës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që “është jashtëzakonisht e egër”.

Sipas MPJD-së, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.

Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Megjithatë, së fundi autoritetet serbe kanë formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

“Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, tha MJPD-ja përmes një njoftimi për media.

MPJD-ja ka njoftuar se kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti, gjenden në Strasburg, ku më 16 prill, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të votohet për aplikimin e Kosovës në Këshill.

Gërvalla dhe Ahmeti do të zhvillojnë “takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, tha MPJD-ja.

Më 27 mars, në Komitetin për Politikë dhe Demokraci u votua raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që thoshte se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate.

Pas kësaj, raporti duhet të debatohet dhe votohet në Asamblenë Parlamentare, ndërkaq nëse aty kalohet, çështja shkon në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës që mblidhet në maj, i cili jep fjalën përfundimtare.

MPJD-ja tha se në Asamblenë e Përgjithshme kërkohen 2/3 e votave që çështja t’i rekomandohet Këshillit Ministror.

“Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti”, u tha në njoftim.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.REL

Kosovë, shënohet 14 prilli – dita përkujtimore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

VOA/Leonat Shehu

Organizatat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë bën thirrje të dielën për përkrahje istitucionale dhe të shoqërisë në vend në mënyrë që të luftohet stigma dhe paragjykimet ndaj të mbijetuarave.

Këto thirrje ishin pjesë e shënimit të 14 prillit, Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Të rrisim ndërgjegjën e shoqërisë së Kosovës në raport me këtë krim i cili edhe sot kur jemi mbledhur këtu ende nuk flitet nëpër familje për shkak të stigmës dhe kulturës paragjykuese”, tha Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.

Në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017.

Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, dhe deri më tash sipas institucioneve janë paraqitur rreth 2 mijë kërkesa ndërsa afër 1 mijë e 600 personave u është njohur statusi i viktimës.

Vasfije Krasniqi-Goodman, që ishte viktimë e përdhunimit nga forcat serbe bëri thirrje për mbështetje për gratë e përdhunuara gjatë luftës.

“14 prilli është ditë shumë e vështirë për mua, është një ditë e mërzitshme por unë nuk dua ta çuaj dita kur unë isha viktimë e dhunës seksuale por të quhet dita e forcës sepse forcën që e kam dhe që kam arrit ta thyej tabut në Kosovë dhe të filloj shoqëria e Kosovës të na sheh neve si viktima të dhunës seksuale dhe dëshiroj që të na përkrahni, jo vetëm me 14 prill por për çdo ditë edhe të jeni sa më mendjehapur se sigurisht keni viktima nëpër shtëpitë tuaja, nëpër familjet tuaja por që nuk e dini”, tha zonja Vasfije Krasniqi-Goodman.

“Ju kisha lut që të mos jetë vetëm 14 prilli dita e përkrahjes, na përkrahni çdo ditë se lufta nuk harrohet, krimet nuk harrohen por nëse ato nuk i përkujtojmë ato harrohen”, Shyhrete Tahiri, e mbijetuar e përdhunimeve nga forcat serbe.

Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, bëri thirrje për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

“Dëshirojë të përgëzojë për forcën dhe kurajën që kanë shumë gra, vajza e burra për me vazhdu tutje këtë fushatë, fushatën për drejtësi e cila mendoj se është momenti i fundit për me pas hapa konkret institucional në mënyrë që drejtësia të vendoset në vend për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, tha ajo.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se frika nga stigmatizimi ka bërë që shumica e personave të përdhunuar gjatë luftës të heshtin. Edhe më tej nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve por besohet se ky numër është rreth 20 mijë.

Osmani dekoron dëshmorin e UÇK, Francesco Bider me Urdhrin ‘Hero i Kosovës’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot pas vdekjes, post mortem,  pjesëtarin e UÇK-së, Francesco Bider, me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar dje me Urdhërin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

Presidentja Osmani, Urdhërin ia dorëzoi, vëllait të heroit, z. Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.

Presidentja Osmani theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyen Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes.sn

Sveçla: Ndëshkimi i ekstremistëve është garanci e mospërsëritjes së sulmeve në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kriminelët duhet të ndëshkohen që të mos përsëriten sulme si ato në veri vitin e kaluar.

Në takim me shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, Sveçla ka shprehur shqetësim për qasjen destruktive të Serbisë.

Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, me theks në veri.

“Kam shprehur shqetësimin për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë si dhe për gjuhën e veprimet e saj kërcënuese në raport me Republikën tonë. Theksova rëndësinë e ndëshkueshmërisë së ekstremistëve të dhunshëm e terroristëve, si garancë e mospërsëritjes së sulmeve me të cilat jemi ballafaquar së bashku me pjesëtarët e KFOR”, ka thënë ai.

Të premten, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se NATO po ashtu duhet t’i trajtojë me seriozitet lëvizjet e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën, kur takoi Viehen. Ai ka theksuar se vendosja e trupave serbe është kërcënim për stabilitetin. sn

Maqedonci: NATO të trajtojë me seriozitet lëvizjet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, kërkoi nga NATO-ja që të trajtojë me seriozitet vendosjen e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Gjatë një takimi me shefen e divizionit për operacione në Shtabin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake perëndimore, Ariella Viehe, Maqedonci tha se dislokimi i trupave serbe përreth kufirit me Kosovën “përbën kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit” Perëndimor.

Maqedonci tha po ashtu se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke shtuar se objektivi i shtetit është anëtarësimi në NATO.

Që kur janë rritur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas një sulmi të armatosur të një grupi serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit shtatorin e kaluar, zyrtarët në Prishtinë disa herë kanë akuzuar Serbinë për vendosjen e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

Në mars të këtij viti ishte hera e fundit që Kosova pretendoi se Serbia kishte dërguar njësite ushtarake pranë kufirit, por këto pretendime të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u hodhën poshtë nga autoritetet serbe.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Që nga ngjarjet në Banjskë, KFOR-i ka rritur praninë ushtarake në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë./ REL/

Bazat serbe në kufi me Kosovën në “formë patkoi”- Policia kosovare armatoset për të…

Përpara se policia kosovare të fillojë patrullimin e saj në kufirin me Serbinë, ata e ngarkojnë makinën me armatim: “AK-47” janë të lidhur në pjesën e pasme të ulëseve të veturës, pistoletat poshtë këmbëve dhe dronët dhe jelekët antiplumbë të mbushur në bagazhin e Land Rover.

Ky është tani protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian.

Kur njerëzit e pyesin Venton Elshanin, zëvendëskomandantin e Policisë në veri të Kosovës se si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që bën para patrullimit.

“I shihni armët?” tha ai, para se ta nxirrte grupin e xhirimit të Telegrafit në kufi, “këto janë për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë.

“Që kur Kosova fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në një luftë që përfundoi në vitin 1999, ajo ka pritur një komunitet të vogël serbësh etnikë në rajonin kufitar verior. Tensionet me shumicën etnike shqiptare janë rritur së fundmi. Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka lënë të kuptohet për një pushtim. Nacionalistët i kërkojnë atij që të veprojë për të “mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën “sundimin” kosovar.

Frika e një lufte të re u rrit në vitin 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmuan përtej kufirit në fshatin verior të Banjskës dhe u barrikaduan në manastirin e tij. Tre nga 30 militantë të dyshuar u vranë në një shkëmbim zjarri. Një nga njerëzit e komandant Elshanit humbi jetën në shkëmbim zjarri.

Që nga ajo ditë, oficeri dhe ekipi i tij kanë kryer patrulla ditore në rajonin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar rrugë të paligjshme në Serbi të llojit të përdorur nga personat e armatosur në sulmin e tyre.

“Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo”, tha komandanti Elshani për The Telegraph, ndërsa patrulla përshkoi rrugën e saj nëpër male.

“Serbët nuk mund të shkojnë asnjë rrugë që ne nuk do ta gjejmë.

“Në numërimin e fundit, policia identifikoi 65 rrugë të paligjshme, të gjitha të bllokuara me kanale të mëdha të prera në beton. Edhe 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht nëpërmjet dronëve. Prezenca e vazhdueshme në rajonin me shumicë serbe i dërgoi mesazh Beogradit se Kosova po i mbronte kufijtë e saj”, tha komandanti Elshani.

“Banjska ndryshoi lojën, e vendosi lojën në një nivel tjetër për shkak të vdekjeve,” tha ai.

“Kur gjaku derdhet, atëherë është problem”.

Analistët paralajmërojnë se propaganda e Kremlinit po nxit trazira në veri në një komb ku 93 për qind janë shqiptarë dhe 4 për qind serbë. Shumica e serbëve në Kosovë ende e konsiderojnë Beogradin, i cili kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si qeverinë e tyre.

Pas rrethimit, autoritetet zbuluan një depo të madhe armësh që sulmuesit kishin fshehur në ndërtesat e papërdorura përreth fshatrave veriore. Vetëm pak javë më parë ata zbuluan pesë raketahedhës të tjerë, një shenjë e shkallës së sulmit të planifikuar.

Në një intervistë për The Telegraph, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, paralajmëroi se zoti Vuçiq, presidenti i Serbisë, kishte në plan të pushtonte. Ai tha se Serbia kishte ndërtuar baza operative përpara rreth kufirit në një “formë patkoi” për të “mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën”.

Shpërqendrimi nga lufta në Ukrainë

Bazuar në fjalët e vetë presidentit Vuçiq, Kurti beson se presidenti serb po kërkon kohën e tij për një mundësi për të pushtuar.

Miqësia e Vuçiqit me Vladimir Putinin është e njohur dhe Kurti beson se është në interesin e liderit rus që Serbia të pushtojë Kosovën, pasi kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë.

Pas Urës së Mitrovicës që ngrihet mbi lumin Ibër, flamuri i Serbisë i kuq, i bardhë dhe blu valëvitet gjithandej. Dikur kjo urë ishte një “pikë e nxehtë” – një ndarje joformale midis rajonit kufitar verior të Kosovës dhe jugut etnik shqiptar.

Gjërat duken paqësore, ndërsa këmbësorët ecin lirshëm midis dy anëve.

Por ka tension nën këtë panoramë. Disa banorë etnikë serbë nga veriu e shohin këdo që kalon në jug si tradhtar, një njeri që tradhton plagët e pashëruara nga gjakderdhja e viteve 1990.

Makinat ende nuk lejohen të kalojnë mbi urën, e penguar nga bllokada dhe prania 24/7 e dy policëve me Land Rover, njëri i parkuar me pamje nga jugu dhe tjetri nga veriu.

Policia tha se këto masa paraprake ishin thelbësore për të ruajtur stabilitetin në zonë.

Thashethemet flasin se Putini ka rekrutuar serbë për të luftuar në ushtrinë e tij kundër Ukrainës dhe ndërsa The Telegraph udhëtonte në veri, solidariteti me Rusinë ishte i gjithëpranishëm.

Shkronja “Z” ishte grafituar në anët e dyqaneve, kafeneve dhe shtëpive lokale.

Albin Kurti thotë: “Kjo është pishina nga ku ata [Rusia] do të rekrutojnë paraushtarakë të ardhshëm të Wagner-it për Ukrainën dhe Ballkanin”.

Në një tabelë rrugore, dikush kishte shkruar fjalët “F— k Nato”, një paralajmërim për praninë paqeruajtëse të bllokut të KFOR-it, i cili është stacionuar në Kosovë që nga viti 1999.

Ashtu si policia, ata kryejnë patrullime, duke vigjiluar në atë që e quajnë si vijë kufitare administrative, një shtrirje tokësore prej 237 miljesh që ndan Kosovën dhe Serbinë.

Togeri i parë Caldëell i Gardës Kombëtare të Gjeorgjisë, i cili përbën kontributin e Amerikës në KFOR, tha se detyra e tyre ishte të zbulonin këdo që synonte të ndiqte veprimtari armiqësore.

Ai theksoi rëndësinë e “ndërprerjes” së rrugëve ilegale për të ndaluar kalimin e kontrabandistëve në Kosovë. Sipas tij më shumë ndërprerje rrugësh po kryheshin sa herë që ishte e mundur.

Për komandant Elshanin njerëzit e tij janë në stërvitje për sulm.

“Nuk është surprizë që Vuçiq dëshiron të pushtojë”, tha ai.

“Ata mund të na qëllojnë, por nuk mund të na trembin. /rtsh

Kremtimet e Fitër Bajramit në Kosovë

VOA/Leonat Shehu

Me thirrjet për paqe e tolerancë, mijëra besimtarë falën nëpër xhamitë e Kosovë, fitër Bajramin, që shënon edhe përfundimin e muajit të Ramazanit. Në ceremoninë qendrore me rastin e fitër Bajramit, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava foli për rëndësinë e familjes në shoqëri.

“Në Islam, familja konsiderohet si njësi bazë për rritjen e brezave të rinj, ajo siguron një mjedis të sigurtë e të qëndrueshëm. Sa më shumë që të jetë struktura e familjes e shëndoshë, e ngritur dhe e përkushtuar aq më shumë do të kemi një shoqëri homogjene të integruar dhe solidare, një shoqëri që plotëson njëra-tjetrën”, tha myftiu Tërnava.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji u përcolli udhëheqësve të Bashkësisë islame dhe besimtarëve urimet për paqe e dashuri mes njerëzve…

“Uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjella, që të konfirmojnë edhe njëherë paqen, lirinë dhe vëllazërinë mes veti”, tha ipeshkvi Dodë Gjergji.

Në urimet e tyre për fitër Bajramin, edhe udhëheqësit politikë të vendit vunë theksin në përkushtimin ndaj një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Unë dua t’i falenderojë për bashkëpunimin myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij në mënyrë që sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë dhe shteti ynë t’i tejkalojmë sa më parë e sa më mirë”, tha presidentja Vjosa Osmani.

“Muaji i Ramazanit ishte muaji i sakrificës dhe solidaritetit dhe të gjithë e dimë nga përvoja dhe historia se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi”, tha kryeministri Albin Kurti.

“Të jemi më të barabartë, që të krijojmë një shoqëri më të drejtë e barabartë, që të jemi së pari më së afërmi me ata që kanë nevojë e që nuk kanë atë që dëshirojnë”, tha kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca.

“Një festë e rënndësishme dhe shumë e veçantë e cila karakterizohet me shumë gjëra të mira porn ë mënyrë të veçantë me forcën e besimit me qëndrushmërinë dhe sakrificën karakteristika këto të koombit tonë por edhe rrugëtimit të popullit të Kosovës për të pasur këtë ditë që e gëzojmë sot lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

“Le të punojmë që këto vlera të jenë të përditshme, që lidhja me njëri-tjetrin, lidhja me familjen dhe koontributi për vendin të jenë pkjesë normale e jona”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Ta gëzojmë të gjithë bashkë në Kosovë, ta gëzojnë shqiptarët, vërtetë gjatë këtij muaji u dëshmu përkushtim, e dëshmu edhe sakrificë pra solidaritet dhe njëkohësisht e humanizmi”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përgëzime me rastin e kësaj kremteje besimtarëve u kanë shprehur edhe udhëheqës të tjerë vendas e ndërkombëtarë të cilët kanë nënvizuar se Kosova ka qenë gjithmonë një shembull i rrallë i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i harmonisë në mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare.

Sveçla akuzon Serbinë për terrorizëm, publikon pamjet e mjetit me eksploziv

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të një makine në Leposaviq, nën të cilën ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Këtë akt, Sveçla e ka cilësuar si tendencë të Serbisë për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë.

Ai pohon se “kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha”.

Sveçla deklaron se “zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”.

“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm”, shkruan Sveçla.sn

DASHURIA E NENAVE E SHPREHUR NE TINGUJ, Dhurata Lazo piano, Sihana Badivuku violinë Nga Rafet Rudi

Koncert u mbajt në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare

 

 

Dhurata Lazo një prej emrave më të respektuar të pianizmit shqiptar, është prezente pareshtur në skenën koncertale të Tiranës, Prishtinës por atë e gjejmë prezente edhe në podiumet ndërkombëtare, qoftë me recitale, qoftë si soliste me Orkestra të ndryshme apo në koncertet e shumta që ajo mban në duo me bashkëshortin e saj Zija Bejleri, saksofonist i shkëlqyeshëm. Që në paraqitjet e para të saj, ajo fuqishëm ka hyrë në skenën muzikore shqiptare si talente e jashtëzakonshme. Nuk është e rastësishme fakti që kompozitori Çesk Zadeja në vitin1989 i dedikon Dhuratës, atëherë si pianiste fare e re, veprën “Improvizim, Prelud dhe Toccata”, premierën e së cilës pikërisht ajo e realizon po atë vit. Aktivitetet e saj vazhdojnë për 19 vite në Itali e në decenien e fundit edhe në Gjermani ku aktualisht jeton. Vetëm në vitin e fundit Dhuratën e gjejmë prezente në podiumet e Sofjes, në Strazburgut etj. Ajo ka tërhequr vemendjen qysh në paraqitjet e para të saja në festivalet tona, para më shumë se dhjetë vjetësh. Ende e kemi te freskët prezentimet e saja shumë të sukseshme me Filharmoninë e Kosovës, me Koncertet e Shopenit e të Shostakoviqit.

Dhuratën e kam njohur për herë të parë dy-trembëshjetë vite më parë kur ajo më është drejtuar me lutje që të propozoj një vepër të cilën ajo do ta luante bashkë me violinistin Klaidi Sahatçi në koncertin e tyre në Prishtinë dhe që e njejta vepër do të jnë një CD, që kjo duo Sahatçi-Lazo ishin duke e përgaditur për botim. Unë i propozova asaj “Fantazinë in Si” dhe si alternativë tjetër ‘Rondon’ nga Sonata ime violinistike e shkruar qysh në rininë time. Më vonë, në disa raste e kam dëgjuar dhe gjithmonë më bënte përshtypje interpretimi i saj rafinuar dhe angazhimi gjithmonë të njerrë nga vepra më të mirën.

Kujdesi i saj për popullarizimin e muzikës shqiptare është i vazhdueshëm. Në recitalet e saj gjenden gjithmonë veprat e kompozitorëve Tonin Harapit, Çesk Zadejës, Feim Ibrahimit, Albert Paparisto etj. Në vazhdën e këtij orientim duhet parë edhe botimin e CD-së “ ” bashkë me violinistin Klaidi Sahatçi – emrin eminent të artit interpretativ shqiptar (Koncert-mjeshër i parë i Orketrës Skala të Milanos dikur, e në vitet e fundit edhe violina e parë e Orkestrës Tonhale të Cyrihut), me vepra të shquara violinistike shqiptare, si të P. Gacit, A. Paparistos, Ç. Zadejës, N. Zoraqit, F. Ibrahimit, R. Rudit, Th. Simakut dhe E. Rushitit. Këtë CD, të realizuar në Zvicër – teknikisht deri në perfeksion – e konsideroj se një prej publikimeve më cilësore dhe më serioze të krijimtarisë shqiptare në promovimin e saj në botë. Madje, mendoj se violinistët e ri në Prishtinë e në Tiranë, duhet ta kenë si referencë të obligueshme kur bëhet fjalë për krijimtarinë violinistike shqiptare.

Sihanën e përcjelli që nga fëmijëria e saj e hershme në rrugëtimin. Për të, për artin e saj, publiku kosovar i din po thuaj se të gjitha. Ajo, në fakt, në ambientin tonë është bërë sinonim i violinës. Sigurisht me plot meritë. Sihana është emri i rrallë në jetën tonë muzikore, me të cilin gjatë tërë këtyre viteve kam pasur bashkëpunim të ngusht dhe shumë përmbajtësor. Si fëmijë njëmbëdhjetëvjeçare, ajo e realizoj një ‘Rondo’ timen. Sot, kur e dëgjoj video – regjistrimin e ruajtur të interpretimit të kësaj vepre, çuditem me talentin e jashtëzakonshëm që ka treguar qysh si njëmbëdhjetëvjeçare dhe guximin që ka pasur që të luan një vepër jo dhe aq të lehtë. Si shtatëmbëdhjetëvjeçare arrin ta regjistroj (në një konkurencë e talentëve nga gjithë bota), Konzervatorin në Bashkimin Sovjetik, ndoshta shkolla më prestigjioze violinistike në planetë në atë kohë. Atje qëndroi për tetë vite me rradhë. Përkundër ofertave të ndryshme për të vazhduar karierën artistike jashtë, ajo u kthye në Kosovë. Filloi punën pedagogjike , krijoi kuadrot e para te ne. Dhe, si rezultat i këtij angazhimi, të gjithë violinistët, antarë të Filharmonisë, kaluan nëpër shkollën e saj.

Bashkëpunimi me Sihanën do të vazhdoj pandërprerë për disa decenie. Frut I këtij bashkëpunim, unë do t’i kompozoj dy vepra të dedikuara pikërisht asaj: në vitin 1996 kompozoj veprën me emërtim sinjifikativ ‘Fantasia in SI’ (SIhana) dhe tjetrën 26 vite më vonë ‘Concert fantasy’ për Violinë e Kor, vëpër të cilën bashkarisht e realizuam në tre muajt e kaluar, më parë në Prishtinë, pastaj në Tiranë dhe së fundi javën e kaluar në Romë, gjatë turneut që pati këto ditë Kori i Filharmonisë në Itali.

̈ ̈ ̈

Dhurata Lazo dhe Sihana Badivuku janë sot në Prishtinë për një ngjarje tepër të veçant, ato sot do të mbajnë një koncert tematik, të emërtuar “Nënat për fëmijët e tyre autik“. Do të luajnë veprat e L.v. Beethoven, C. Frank, R. Rudi, R. Shqedrin

Dy ditë më parë këto dy artistet tona me renome i pamë, që të dyjat në marshimin e qytetarëve të Prishtinës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit. Ato kishin dalë të tregojnë humanitetin e tyre dhe, siç thot Dhurata, të “sfidojnë autizmin”- me dashuri, ashtu siç vetëm nënat mund të bëjnë.

Ndoshta humanizmin dhe shpirtin e artisteve tona të jashtëzakonshme më së miri e reflektojnë fjalët e Dhuratës Lazos, që rastësisht unë i gjeta në Internet. Ato më ‘tronditën’ me butësinë që vetëm NËNA mund t’i drejtohet fëmiut të vet:

“Claudio im mbushi 30 vjeç. 30 vjet plot ngjarje, një pjesë e mirë e rëndësishme e jetës. Sa herë u rrëzuam së bashku po sa herë u ngritëm së bashku. Nuk patëm biseda të gjata por ne komunikuam me botën tonë shpirtërore, me ndjenjat me shikimet me përkujdesjen për njëri-tjetrin. Sa shumë ka për të rrëfyer, por di që ne shohim qiellin me yjet e shndritshëm, ne shijojmë natyrën që ka ende për të zbuluar detaje të reja, ne duam kafshët…oh kafshët, insektet, zogjtë që ti dëshiroje libra pa fund dhe i pikturoje aq bukur me bojra uji…Ne edhe mund të rrëzohemi përsëri por prapë do të ngrihemi sepse te Familja jonë mbizotëron: DASHURIA! U rrita me ty dhe bëra detyrën sublime të nënës, por mësova aq shumë nga ty, ëngjëlli im që kurrë nuk the: jo! Ne e sfidojmë Autizmin!

Shoh sytë e tu të bukur si dy oqeane të pafund dhe nuk mbytemi në një pikë uji mjerimi… Ti je perla ime, kreativiteti im, tingulli im sekret, ti je (në rininë time të herëshme e përdornim këtë frazë) BOTA!

U bëfsh shekullor!”

Dhurata dhe Claudio

Me Dhurata Lazon e kompozitoren Eriona Rushiti

Sihana, Dhurata dhe ARTI

R.Rudi, Prishtinë, 4/4/2024

Masakra e Rezallës, Osmani kërkon dënimin e përgjegjësve: Autorët serbë të dalin para drejtësisë

“Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës. Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to! Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, përfundoi presidentja.

Kujtojmë se gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa mbi 1.600 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.bw


Send this to a friend