Trafik i rënduar. Ndaloj pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Visar Zhiti më kërkon ndjesë që u vonua pak. Ndjekim automobilat që lëvizin ngadalë. Në kryqëzimin që të shpie te stadiumi “Air Albania” presim gjatë. Po shkojmë për të ngrënë drekë diku që Visarit i ka pëlqyer, një vend nën pemë. Jemi pranë një pallati madhështor. Ndryshe nga të tjerët. Ai që e ka ngritur duhet të jetë shumë i pasur them me vete. Luks i tëri.
– Të bën përshtypje.
– Si të jetë ndërtuar në Uashington.
– Është bërë në tokën e dikujt tjetër, thonë.
– Aha “Pushtues” i ri.
– Më keq akoma.
– Çfarë.
– Pallatet përreth i kanë zënë frymën shtëpsë së pronares. Po rrënohet. Në vend që të kthehet në një muze.
– Kush është ajo.
– Musineja.
– Musine Kokalari, shkrimtarja, politikania, themeluesja e partisë Social-Demokrate të vërtetë në 1943. Që e lanë të vdesë në mjerim.
– Po, heroina…
***
Përhumbem në çfarë më ka treguar Mërgim Korça, një mik i vjetër. Musinenë s’e kishin lënë të vizitohej te ndonjë mjek specialist. Kishte pasur dhimbje të forta në pjesën e poshtme të barkut. Humbje peshe. Gjakderdhje. Probleme me urinimin. E internuar në Rrëshen, nuk i lejohej të shkonte në Tiranë pa aprovimin e “Çlirimtarëve”.
– E ke njohur doktor Nunin.
– Doktor Naum Theodhosin. Specialistin e dëgjuar. Po, është kushëriri i mikut tim të ngushtë, mjekut Grigor Nosi. E shpëtoi Grigorin nga një sëmundje e rëndë.
– Po, ai. Këtë që do të të them, dua që ta shkruash. Ashtu siç ma ka treguar Nuni.
***
– Të ngacmon emri i lokalit.
Visari tregon me dorë hyrjen madhështore të pallatit.
– I paska vënë emër biblik, “Grail”.
– Ironia qëndron te përballja e asaj që, në sipërfaqe, duket se është e vërtetë me atë që është në të vërtetë.
– E të mendosh që i referohet “Kupës së Shenjtë”. Kupës që përdori Krishti gjatë Darkës së Fundit.
– Këtu vazhdon të përdhoset ç’do gjë e shenjtë. Janë po ata, miku im.
***
Musineja pas shumë përpjekjesh dhe refuzimesh – nga mjekë të partishëm, kishte mundur të takonte doktor Naum Theodhosin. Doktori rridhte nga një familje që “Çlirimtarët” e kishin halë në sy. E padëshiruar për ta.
– Mërgim, më duhej ta shikoja brenda. Ajo ishte e lexuar dhe dyshonte: tumor brenda shtresës së brendshme të mitrës.
Nunit iu drodh zëri. Filloi të marrë frymë thellë, të zvogëlojë stresin, të kontrollojë ndjenjat.
– Musinenë e kapën të qara, me dënesë, nuk po e kuptoja, nga dhimbja, hidhërimi… Prita të qetësohej. Por ç’të shikoja. Ishte e virgjër. U drithërova. Bisturia m’u bë plumb. Perëndi, thirra me vete, mëshiromë.
Kanceri i kishte përparuar shumë. Nuni s’mundi ta shpëtojë.