Ish presidenti
Kodin atomik i dorëzon
Presidentit të ri.
Mendoni :
Kodin atomik !
Mjafton një lajthitje
Prej aventurieri e zotëruesit
Dhe me një të shtypur të butonit të kuq,
Të kthehej në lëndë inorganike
Sërish mbarë planeti …
Si miq të rrejshëm,
Duke i shkundur fort
Duart shtrëngojnë
Dhe ndahen
Ndoshta si dy epoka …
Të sapozgjedhurit i sjellin veturën
E hapur,
Mos po ju duket si katafalk?
Jo, kurrsesi…
Garda republikane
Me motoçikleta prin përpara,
Me kuaj të lartë parade, prapa vjen,
Teksa avionët gjëmojnë dhe,
Qiellin ngjyrosin me flamurin tringjyrësh të kombit,
Sepse,
Në këtë ditë festive
Edhe qielli vetë është një dekor…
Kohë e bukur në zemër t’Europës,
Populli në shesh
I tëri është.
Jehojnë brohoritjet , ndrit entuziazmi,
Lart
Qesh e aprovon
Dielli.
Gjithçka ndodh bota po e sheh,
Transmetohet historia drejtpërdrejt!
Sa i pranishëm shteti, sa i përhershëm,
Sa i sigurt,
Sa mizorisht i sigurt !
Rrëzëllin te kopsat e uniformave,
Rrapëllin me motorët,
Rëndon me vulat e zyrave dhe bronzin
E emblemave;
Tremb me fytyrat
Çuditërisht të përsëritshme të rojave,
Me arkivat tremb , me urdhërat, burgjet,
Sekretet, përgjimet
Dhe krimin e organizuar…
Por, le t’i lëmë këto,
Presidenti duket me humor,
I rëndësishëm njëherësh
Dhe çehremirë.
Madje, tek rri më këmbë drejt
Mes veturës që feks
Që tani ka marrë
Aureolë lideri.
Flamujt trikolorë flatrojnë n’erë,
Populli brohorit, përshëndet,
Ja, presidenti mbërrin në shesh,
Nga vetura zbret;
Mos e largësoi sakaq
Pompoziteti i ceremonisë ?
Jo, aspak ;
Zbriti i mallëngjyer,
Duke mbetur
Krejt i natyrshëm
Dhe, këqyreni !
Ka shumë seksapil.
Flokët që ia shprish era
S’ ngurron herë pas here
T’i ndreqë me dorë
Përballë kamerave .
Takon veteranët e luftës,
Shtrëngojnë duart, përshëndeten,
Por të tejplakurit,
Mos nënqeshin pak mes mustaqeve?
Nënqeshin vërtet ata , por presidenti
Di çfarë të shohë , çfarë të mos shohë di…
Shtyhen turmat , vorbullohen, shkelen,
Më keq se edhe vetë turmat në Lindje të Europës…
Dhe presidenti s’resht së tokuri,
Së përshëndeturi s’resht
Shokë shkolle, kameradë , të panjohur gjithfarësoj,
Që mundën të bëjnë karrierë,
Që s’mundën të bëjnë karrierë…
O, ja edhe një dashnore e tij e hershme,
Bionde sensuale dhe provokuese !
Përmbajtshëm e përshëndet ai,
Gjithë ftohtësi fine,
Sepse tashmë është president
Dhe, si president
Tjetër etikë morale i kërkohet…
Jo më kot
Në mitingjet elektorale
Ku shfaqej besimplot ndër tribuna
Bëri mea maxima culpa
Coram populo …
Në përmbyllje
Tek obelisku , në shesh,
Pishtarin regëtitës ndez
Gjithë përkushtim religjioz
Si të kryente një akt ringjalljeje…
Po përse gjatë rrugëtimit ceremonial
Mes pështjellimit
Të stuhisë së brohoritjeve ,
Kërcëllimës së duartrokitjeve ,
Gjëmimit të avionëve dhe
Trokut mitik të kuajve,
Disa herë iu bë
Sikur përshkonte
Kalvarin e Krishtit ?
Eh, për aq kohë
Sa do t’i shërbente kombit
Do t’i ndiente thershëm
Dhembjet e plagëve
Nga gozhdët në duar dhe këmbë…
Sidoqoftë
Sa mirë do t’ish
T’i mbetej përgjithmonë
Ai gjesti spontan
I ndreqjes së flokëve me dorë…
1991