Në gjendjen ku është sot urbanistika e Tiranës, gjej vend e ndërto kullë, problem është që, në krye të punëve, të jetë dikush që mund të na tregojë në perspektivë daljen nga kjo gjendje.
Kush më mirë se Gent Kaprata mund ta bëjë këtë? Urbanist, autor i disa librave për çështjet urbane, për shumë kohë ekspert në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Urbane, sot pedagog në UET, Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës.
Kush ka ndjekur shtypin urban, e di që Kaprata ka kritikuar me baza logjike planin Boeri për Tiranën 2030.
Për dijeni, ky plan po kritikohet në Milano dhe po has kundërshtime në Romë, ku duan ta zbatojnë. Problemet e urbanistikës, ku hyn dhe infrastruktura- kanalizimet, ujësjellësi- janë çështje jetike. Kush më mirë se ark. urb. Kaprata mund t’i japë rrugë. Arkitektura dhe urbanistika janë bazë e qytetërimit. Këto probleme janë ngarkuar me vite paaftësie dhe korrupsioni dhe nuk do jetë e lehtë zgjidhja.
Por të paktën kemi njeriun e duhur. Shohim përditë në tv kandidatët e opozitës që vijnë nga shoqëria civile të cilët, në shumicë, janë sorosioanë. Akoma PD nuk ka hequr dorë nga këta? Pse demokratin e hershëm, qëndrestarin, pjesëmarrësin në luftën për teatrin, për bashkinë, për rrugën e lirisë, ku qe ngujuar Kryetari i PD, nguron ta promovojë.
Kur vjen puna për protestë, duhet të jemi ne, kur është për detyrë, duhet të jenë ata të mençurit e ‘shoqërisë civile’. Po të shohësh rrjetet sociale, vëren se Gent Kaprata i përket konsevatorizmit, familjes, fesë. Në Greqinë e lashtë zgjedhja e Rektorit bëhesh me ballafaqim ndërmjet kandidatëve, duke i drejtuar pyetje njëri tjetrit. Për arsyet që shpjegova, Kaprata do ishte fitues.
Ai, si disa kolegë të tij, mund të ishte vegël e pushtetit, por jo. Sulivan thotë: Në punën e vet arkitekti duhet të tregojë se është qytetar demokrat dhe jo laké, se ai është perfaqesues i demokracisë dhe jo vegël e formës dhelparake të anarkisë. Rruga drejt Kryetarit të Bashkisë është e vështirë për shumë arsye që ju i dini dhe nuk po i radhis. Por vendosje e njeriut të duhur do jetë shenjë e mirë për gjithë ata demokratë qëndrestarë, ku, pa modesti, hyj edhe unë që nga viti 1990.