Vetëm revolta dhe rezistenca e opozitës bashkë me qytetarët mund ta rrëzojë këtë qeveri, që e ka lakun në fyt.
Shteti është zhytur në afera korruptive dhe ka rënë, kurse zgjidhja do të ishin dorëheqja, qeveria teknike dhe zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë, lokaleve dhe të përgjithshme.
Kështu tha sot në studion e “News 24” ish-deputeti Lefter Maliqi. Ai e sheh suksesin e opozitës vetëm tek bashkimi dhe përballja, sepse në të kundërt Rama nuk ngopet me pushtete dhe do i kapë të gjitha.
“Sot do jetë vendimmarrje, revoltë popullore. Qeveria ka rënë, duhet vetëm qëndresë qytetare dhe opozitare e fortë. Së shpejti do të dalin edhe informacione e përgjime të reja të Ergys Agasit dhe të tjerëve dhe përgjimet që ai ka bërë”, tha ish-ligjvënësi, njëkohësisht kandidat për deputet i opozitës në disa zgjedhje në qarkun e Beratit.
Maliqi e konsideron situatën alarmante, kurse qeveria ka si plane të saj vetëm të përçajë opozitën, siç bëri me Berishën dhe Metën. Sipas tij, kjo qeveri nuk ka as mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-ve.
“Jemi në një situatë alarmante, shpopullim masiv, tenderët janë përqendruar në një grup të qeverisë. Duke blerë McGonigalin dhe përçarë PD-në. Duke futur në burg zotin Meta dhe duke vënë nën arrest liderin e opozitës Berisha, këto janë mënyrat e kësaj qeverie. Opozita e dha një shenjë bashkimi që në zgjedhjet e pjesshme lokale të nëntorit. Por ka edhe parti të tjera që duan të faktorizohen, si Lapaj dhe Shehaj, dhe mirë bëjnë, sepse edhe ato kanë nevojat e tyre”, vijoi ai.
Maliqi shtoi se qëllimi i opozitës duhet të jetë vetëm rrëzimi i qeverisë nëpërmjet dorëheqjes dhe synimi i një qeverie teknike që çon drejt zgjedhjeve të reja.
“Por synimi është dorëheqja e qeverisë Rama dhe Ballukut, qeveri teknike për një vit dhe më pas zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në një kohë. Qëllimi është rrëzimi i kësaj qeverie. SHBA-të nuk i kanë bërë asnjë urim qeverisë Rama për zgjedhjet e 11 majit, ka lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, niveli i lartë i korrupsionit. Rezolutën popullore nuk e ndalojnë dot”, tha ish-deputeti.
Ai informoi edhe për zhvillimet e fundit nga dosja e bujshme e AKSH-it, ku vuri theksin tek përgjimet që ka bërë i akuzuari nga SPAK, Ergys Agasi, por edhe tek aferat e zv/kryeministres Belinda Balluku, që gjithashtu sipas tij, mban peng kryeministrin me mesazhet e saj.
“Rama nuk ngopet me pushtet dhe kërkon që t’i marrë të gjitha. Kur Ergys Agasi ka bërë gjithë këto përgjime, imagjinoni se çfarë përgjimesh ka bërë Balluku, mjafton të shohësh edhe mënyrën se si komunikon, duke i thënë “palloshi i gjatë”. Atij i është afruar laku, tani po hetohet edhe AKSH-i, i kanë ikur shefat e kabinetit dhe po i hetohen. Ai po kërkon të mbrojë veten e tij me çdo kusht”, përfundoi Maliqi.