VOAL- Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zonja Donika Gërvalla po merr pjesë në takimin e Kartës SHBA-Adriatik që po mbahet në Bosnjë. Në faqen e saj në fb, zonja Gërvalla thekson përparësitë e palëkundshme të politikës zyrtare të Republikës së Kosovës ndaj zhvillimeve në vend dhe në botë:
Republika e Kosovës vjen në A5 me institucione të forta të sigurisë, me luftë të palëkundur kundër korrupsionit dhe vullnet për bashkëpunim të thelluar, me fqinjësinë e mirë si parim pune dhe garanci sigurie. Përmes prioritizimit të kërcënimeve reale, llogaridhënies dhe kapaciteteve të përbashkëta sjellim më shumë siguri për qytetarët tanë dhe stabilitet të qëndrueshëm për mbarë rajonin.
Nga takimi i sotëm i Kartës SHBA-Adriatik (A5) kërkova dënim të qartë të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, me kërkesë të drejtpërdrejtë për përgjegjësi ndaj autorëve të sulmit dhe gjithë mbështetësve të përfshirë.
Kërkova të ndalet menjëherë praktika e ndalimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës, nga Serbia si shkelje e lirisë së lëvizjes dhe e standardeve evropiane.
Po ashtu kërkova hapjen e procesit teknik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në A5, duke u mbështetur në rolin tonë aktiv si vëzhguese që prej vitit 2012 dhe në kontributet konkrete për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Kosova është e përkushtuar për demokraci funksionale, sundim të ligjit, siguri dhe integrim euro-atlantik. Në anën tjetër qëndron kursi destabilizues i Serbisë i lidhur me aleanca autokratike dhe me veprime që minojnë sigurinë rajonale. Data 24 shtator 2023, sulmi paramilitar në Banjskë, si akt i hapur agresioni ndaj një shteti fqinj, i organizuar, i financuar dhe i mbështetur nga Serbia, mbetet një tjetër provë që Serbia minon drejtësinë dhe rrezikon stabilitetin dhe sigurinë rajonale, aty ku mbeti i vrarë Heroi i Kosovës, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Republika e Kosovës përballet drejtpërdrejt me kërcënime hibride të rritura pas agresionit rus kundër Ukrainës në vitin 2022. Realiteti ynë i përditshëm përfshin sulme kibernetike, fushata dezinformuese, propagandë dhe tentativa për destabilizim institucional. Megjithatë, qëndrimi i Kosovës mbetet i palëkundur: mbështetje për Ukrainën dhe qytetarët e Ukrainës deri në fitore dhe mbrojtje e rendit demokratik evropian ku bëjmë pjesë.