UVIL ZAJMI/ Fundvitet 1970. Kur në mënyrë spontane nga tribuna “A” e kombëtarit “Qemal Stafa”, edhe nga ata përballë ndërmjet thirrjeve të tifozerisë do të tërhiqte vëmendjen edhe një fjalë: “Tito, Tito”.
Asgjë më shumë se sa shkurtimi i emrave, me të cilat sportdashësit u drejtoheshin futbollistëve të ekipit të tyre. Por, një fjalë, që koincidonte me një emër aspak komod, jo i pëlqyer, përkundrazi. Me kalimin e kohës, do të kthehet në një ritual sistematik, në ato shpërthimet të tifozerisë, kryesisht asaj tiranase. Duke u bërë shqetësues, për sistemin, kur gjatë një ndeshje futbolli, në një mjedis sportiv të madh kombëtar, të dëgjohej, “O Tito, o Tito…”. Të konsideruara edhe provokuese për mekanizmat shtetërorë, deri edhe personelin e ambasadës jugosllave në Tiranë.
Padyshim edhe për forcat e rendit të pranishme në stadium. Ndaj individëve tifozëve tipikë do të kishte reagime, duke aplikuar disa forma ndëshkimi: Larguar me forcë nga stadiumi, izolimin e tyre në rajonet e policisë, apo dërgimin me gazin e saj në periferi të Tiranës, me pamundësinë e ardhjes së shpejtë e ndjekur vazhdimin e lojëse.

TIFOZERIA
Ka qenë më shumë se lojtari i 12 në fushë. Tifozeria e pamunguar në dekada në ndeshjet e kampionateve kombëtare. Kudo, në të gjitha stadiumet e Shqipërisë. Secila me mënyrën, traditën e saj. Jo sektorë për tifozerinë e ardhur, pasi shumë pak, në raste të veçanta, skuadra mund të ndiqej nga mbështetësit, jashtë fushës së saj. Për shumë arsye. Kur takimet luheshin të shtunën, si ditë pune ishte e pamundur lëvizja; udhëtimi, që në ato vite, ishte i kufizuar, vetëm me tren dhe që duhet të korrespondonin oraret. Ishte e mundur për dikë që kishte motor privat, ndërsa lëvizja me automjete, organizim tifozërie nuk funksiononte, vetëm diçka rastësore. Kryeqytetasit ishin më të favorizuar për të ndjekur ekipet e tyre, por në qytetet e afërta, vajtje-ardhje me tren, si në Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnje. Jo banera, flamurë, vetëm shpërthime kur shënohej një gol, apo për një padrejtësi të arbitrave. Në Qemal Stafa, ka qenë një spektakël i vërtetë, veçanërisht në takimet derbi, një stadium që priste, vërshimin e tifozerisë së klubeve kryeqytetase. Madje të të pozicionuar në sektorë, duke krijuar edhe traditën. Rregullisht vetëm stadiumin kombëtar, pasi në stadiume të tjera në mungesë të tifozerisë së ardhur, nuk funksiononte ky proces.
TRIBUNA “A”
Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, tribuna “A” e tij, është e njohur mbahet mend, edhe sot kujtohet si ajo e tifozerisë së zjarrtë të 17 Nëntorit. Në vite, dekada për entuziazmin, që përcillte ai grup njerëzish tek lojtarët, përkrahjen e tyre dhe anasjellas, raportet që ishin veçanërisht me atë sektor gjatë 90 të minutave. Dhe ishin thuajse, të zakonshmit, që frekuentonin tribunën “A”. Deri edhe shitësit e biletave, ja garantonin këtë mundësi. Ndryshe me tifozët e Partizanit, Dinamos, që nuk e preferonin tribunën A, duke ditur se ishte e atyre tiranas, kundërshtarë, duke u sistemuar, tek ajo “B”. Një e tillë mbante rreth 1200 tifozë ulur. Në mes ishte tribuna e udhëheqjes. Poshtë tyre, për shumë vite kanë funksionuar edhe portativet, me 6 shkallë, por jo me prefernca tifozerie. Sigurisht tribuna “A” ishte më kryesorja, më e frekuentuara, pasi poshtë saj dilnin, futeshin futbollistët, arbitrat ishin stolat e skuadrave. Tensioni rivaliteti në fushë transmetohej, përcillej edhe në ato sektorë e anasjelltas. Ndryshe ishte ajo përballë dhe ato anësore. Po kështu edhe në stadiumin “Dinamo”, nuk ishte ai impakt, nuk ndjehej ajo atmosferë si në “Qemal stafa”. Në sfidat derbi, ajo arrinte kulmin. 30 lekë ishte çmimi i një bilete. Edhe biletasitësit i njihnin tifozët e skuadrave, duke mundësuar dhënien e biletave, sipas tifos, pasioneve të tyre. Kur kërkesat ishin të mëdha, mjaft futeshin edhe pa biletë, nisur nga njohjet me biletaprerësit që ishin të njëjtit persona. Duke e ndjekur ndeshjen në këmbë. Edhe forcat e rendit ishin të shumtë në numër, të kujdesshëm, të shpërndarë në shkallët e tribunë për të mbajtur rregullin, ndërsa grupe të tjera qëndronin në pistë me vështrim nga tribuna, për të kontrolluar çdo veprim, sjellje të konsideruar të gabuar prej tyre. Nisur nga fakti se aty vinin qeveritarë, deri edhe anëtarë të byrosë politike, ministra që kishin vendqëndrimin në tribunën VIP të tyre.
ASTRIT, PETRIT, EMRA POPULLORË
Te 17 Nëntori i Tiranës, në periudhën e viteve ‘70- ‘80-të ka qenë një grup me disa futbollistë, me emra të ngjashëm: Astrit Nurishmi, mbrojtësi i skuadrës së madhe, Petrit Brahja, edhe ky mbrojtës krahu i atij grupi. Më pas Petrit Dibra, sulmuesi i njohur, shpërthyes; Astrit Nallbani, portieri i fitimit të Kupës së Republikës 1876; Seit Hyseni, një tjetër mbrojtës i fortë, stoper; Astrit Ramadani, mesfushor sulmues me Tiranën e Mingës, Kolës e Muçës. Nga miq, shokë, spektatorët në zhargonin ditor, shkurt “Titi” apo “Tito”. Kjo evidente në stadium, gjatë një ndeshje kur luante “17 Nëntori”
NGJARJA
Në fillim si rastësi, pa tërhequr vëmendjen, për t’u bërë vërtet shqetësuese në vijim. Kur thirrja, emri “Tito, bjeri, Toto futja, Toto mos e le, bravo Tito”, etj., nis të krijojë situata delikate dhe si përcillej nga spektatorët dhe impakti që reflektonte ajo fjalë. Si e kujtojnë sot, disa nga protagonistët, të evidentuar nga policia, si jo korrektë, shqetësues, provokatorë, të asaj tifozerie të zjarrtë tiranase në tribunën “A”. Orët e kaluara në polici, kthimi në këmbë në mesnatë nga Dajti apo Kërraba dhe sërish në fundjavë në stadium, për të ndjekur 17 “Nëntorin”, pa harruar: “O Tito, Tito, Tito………”.
******

Pasioni për “17 Nëntorin”, që i çonte tifozët deri në qelitë e policisë
Një ndër djemtë aktivë, të njohur të Rrugës së Durrësit, kafe “Florës”, “Derrit”. Bashkë me një grup, tifozë të deklaruar të “17 Nëntorit”, të pamunguar në tribunën “A” të “Qemal Stafës”. Në çdo ndeshje kur ekipi i tyre do të luante aty. Duke iu rikthyer asaj kohe e lidhur me tifozerinë, skuadrën, lojtarët, prag sfidat, situatën pas tyre, debatet, diskutimet e zjarrta, Arben Stërmasi, nga Rimini ku prej vitesh jeton me familjen kujton: “Biletat na i siguronte biletashitësi Agim Gjonçe, tejet i veçantë në Tiranë, dashamirës, mik i yni, edhe pse ishte tifoz i Partizanit. Po kështu edhe ata që prisnin biletat në hyrje”, – thotë Stermasi për gazetën “Panorama”. Pa harruar edhe forcat e rendit, pjesë të pandara në mjaft ngjarje, situata qemalstafase.
Z. Stërmasi, çfarë kujtoni nga ajo tifozeri?
Shumë pasionante. Ishim një grup, miq. Unë, Vova Konomi, Nard Gjoka, Osmani. Nxënës në shkollën e mesme, shumë të rinj. Një pasion, simpati për “17 Nëntorin” e trashëguar nga familjet dhe si banorë të Rrugës “Fortuzi”. E njohur për traditën dhe sportistët që ka nxjerrë.
Të zakonshëm në tribunën “A”
Kishim vendin tonë, në tribunën “A”. Pata dëgjuar kur “17 Nëntori” triumfonte në mesvitet ‘60-’70 luante në “Qemal Stafa” ndiqej, mbështetej nga një tifozeri e zjarrtë. Ndër ta, përmendej Dik Seferi, një njeri i mrekullueshëm, që ka pak kohë i ndarë nga jeta, për të cilin pati shkruar edhe “Zëri i popullit”, duke e akuzuar si një tifoz të sëmurë.
“Tito”, një emër i dashur por edhe jo?
Para çdo fillimi të ndeshjes dhe gjatë saj ne ishim në fokusin e policisë. Veçanërisht kur dëgjohej emri “Tito”. Petrit Dibra ishte fejuar me motrën e Vovës, familje e njohur mjekësh. Pra, një detaj më shumë për të bërë tifo për të, e mbështetur në çdo aksion: “Bravo Tito, forca Tito, o Tito ktheje kokën”. Ose “Tito, o doktor, na bëj një gol…”.
Si reagonte policia?
E kujtoj mirë qëndrimin e tyre. Një burrë i shkurtër, ishte njëri prej tyre, i përhershëm në ndeshje. Jo tifozë, nuk shihnin lojën, duke qëndruar me fytyrë nga tribuna. Me Dinamon nuk kishim shumë “inat”. Por, pikërisht kur lunte Dinamo policia ishte edhe më prezente. Ishte skuadra e dikasterit të tyre. Ndryshe me Partizanin, tensioni, ashpërsia në fushë dhe në tribuna ishte më i madh.
Nga një takim tek tjetri jeni në shënjestër?
Komunikonin me zë, i urdhëronte ai polici që ishte shefi i tyre. “Ti zijosh pusho, mbylle gojën”. Apo “merre atë nxirre jashtë”, – i thoshin një kolegu që ishte pranë nesh. Ne refuzonim, kundërshtonim, ata të nxirrnin me forcë. Kishte reagim edhe nga tifozeria, që na bashkohej, tentonin të na mbronin.
Si vepronin, ka disa mënyrat për të izoluar tipat e “rrezikshëm”
Para sheshit të stadiumit të priste “Gazi” i policisë. Të fusnin brenda e të çonin larg, në periferi të Tiranës. Në QafëMollë, Shëngjergj, aty e kanë lënë Osmanin, apo edhe tifozë të tjerë. Për t’u kthyer në këmbë, apo me automjete të rastit, në mbrëmje vonë, kur ndeshja kishte përfunduar.
Vijnë edhe provokime nga ai sektor i tribunës?
Kur tifozët u informuam, e kuptuan se çfarë efekti për policinë e qeveritarët në stadium, sa i shqetësonte ai emër, prej tyre nxitej më shumë “O Tito, o Tito…”. Në një rast me Nard Gjokën, na dërguan në rajonin e policisë, sot pranë urës. Orë të gjata qëndrimi, të izoluar aty. Erdhi djali i një ish-anëtari të Byrosë Politike, që bisedoi dhe na liruan. Kishin vendosur të na mbanin, të na procedonin. Ky person e kishte pasur tim atë pedagog në universitet.
Sa rrezikonte ajo tifozeri e juaja?
U bëmë problem, pati një periudhë që edhe ne u tërhoqëm. Ndërkohë kishim krijuar miqësi edhe me punonjës, zyrtarë tifozë të Dinamos, pasi njerëz ishin edhe ata. Takoheshim rrugës, debatonim. Po kështu me fëmijët e qeveritarëve, sa “kundërshtarë” ishim në stadium, aq miq jashtë. Siç ishte rasti i atij që na nxori nga policia, edhe pse ishte tifoz i njohur i Partizanit.
******

Nallbani, Dibra dhe Hyseni, tre “Titot” që tronditën shtetin
I vetmi që bënte ndryshim ishte Astrit Nallbani, portieri, që nga tifozeria thirrej edhe me një tjetër emër, pseudonim: “Xof”. “Ma kishte vënë Skënder Hyka, lojtar i njohur i ‘17 Nëntorit’ legjendar, bashkë me Gavrosh Lëvonjën, edhe ky basketbollist i shquar i atij klubi. Jo vetëm për ngjashmërinë që kishte në portë me të famshmin, italianin Dino Xof, por edhe për një fakt unikal: Nuk kishte pësuar gol për 1170 minuta, 13 ndeshje, një rekord absolut për një portier shqiptar. Që do t’i thyhej në takimin gjysmë final për Kupën e Republikës, 7 mars 1976 kur në minutën ‘85, në takimin 17 Nëntori-Lokomotiva, Mir Hima do të realizonte nga porta jugore në minutën e ’85 duke barazuar 1-1. Por në finale do të kualifikohej ‘17 Nëntori’ që kishte fituar 1-0, gol i Fori Llambit sfidën e parë. Një koincidencë edhe me Dino Xof, gati një vit pa pësuar gol në ndeshjet me ekipin përfaqësues të Italisë në veprimtaritë ndërkombëtare. Rrëfimi i Nallbanit për gazetën “Panorama”.
Zoti Nallbani, jeni disa futbollistë “Tita” në një ekip?
Janë disa kampionate kur në skuadër ishim: Petrit Dibra, Seit Hyseni dhe unë, pra tre lojtarë që në stërvitje, stadium kudo na thërrisnin shkurt “Tito”. Jo vetëm gjatë ndeshjes, por edhe në pauzat e vogla kur topi dilte në korne, apo rifillimi i lojës, kishte reagime, me fraza të njohura nga tifozët e Tiranës për ne lojtarët, arbitrat. Deri provokuese, ngacmuese për forcat e rendit, veçanërisht kur shënohej gol, apo për ndonjë vërshëllimë e gabuar kundër ekipit tonë.
Cilët ishin më të preferuarit nga tifozeria?
Petrit Dibra, i admiruar si e tribunës qendrore dhe asaj përballë. Sulmues i djathtë, i fuqishëm, me shpërthime në vijë anësore. Pra, kontaktin e kishte të afërt me spektatorin e këtyre sektorëve. Veçanërisht, asaj “A. që shquhej për ‘agresivitetin’, që kishte, përcillte, për mbështetjen ndaj ekipit, lojtarëve. Kur driblonte, shënonte, afrohej te tribuna për të festuar, nga ku shoqërohej, dëgjoje thirrjet, brohoritjet “Tito, bravo Toto”, etj..
Pak më ndryshe me Seit Hysenin?
Që fatkeqësisht nuk jeton, është ndarë nga jeta. Si mbrojtës, i kërkohej të ndërhynte fort, të mos lejonte, pengonte, ndalonte kundërshtarin në lëvizje, manovrime. Edhe nga natyra ishte lojtar i fortë. “Bjeri Toto, mos e le Tito”, fraza nxitëse për të. Nga fillimi deri në fund të ndeshjes.
Për të ardhur edhe tek ju?
Po kështu edhe me mua, “Tito, Tito”, që kur dilnim për nxehmje, futeshim, dilnim për ndeshje, në pushim dhe kur mbaronte loja. Përgëzimet, apo kritikat për ne të tre ishin të pranishme, nuk mungonin. “O Tito”…. Bashkë me shprehjet e zakonshme me duar dhe gjeste.
Kur më shumë ishte tensioni?
Në takimet derbi, ato ndaj Partizanit, ku rivaliteti në fushë, transmetohej në tribuna. Tit Dibra, Tit Hyseni dhe unë ishim të parët ku edhe shpërthenin. Tit Dibra kur shënonte apo gabonte, Tit Hyseni, kur mbulonte, markonte, por dhe kur kundërshtari e shmangte dhe unë, kur shpëtoja portën apo pësoja ndonjë gol. “Bravo Tito, je i madh Tito, o Tito çfarë na bërë?
Flasim pak për “Tito”, kur dhe si u bë shqetësues?
Krejt rastësisht, askush nuk e kishte menduar, se mund të krijonte probleme. Na ato fillime, ishte një fjalë, që nuk u vu re. Thjesht emri i një futbollisti, siç thirreshin edhe të tjerët, Beni, Goni, kudo në stadiume apo mjedise sportive. Në rastin tonë, pa e kuptuar se koincidonte me Titon, emrin presidentit aso kohe të Jugosllavisë.
Vetëm në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”?
Po, pasi aty, çdo sjelle, reagim, shprehje krijonte, tërhiqte vëmendjen. Kryesisht nga tifozët e tribunës “A”, të njohur edhe si më të “rebeluarit” kundërshtarë të qeverisë, e që atë inat, pakënaqësi e shprehnin aty, kur luante “17 Nëntori”. Shoqëruar me thirrje për ndonjë padrejtësi të arbitrave apo me entuziazmin pas shënimit të një goli.
Shqetësimi që vjen në rritje, ka reagim?
Diku është biseduar, trajtuar si një fenomen provokues, shqetësues. Me sa kujtoj, deri edhe ambasada jugosllave u informua, sepse kjo fjalë dëgjohej edhe në transmetim televiziv. Si në Kupën Ballkanike, kur ata ishin të pranishëm në stadium, në ndeshjen 17 Nëntori-Radnicki, viti 1975. Pati një reagim nga personeli i saj, një shqetësim që erdhi në rritje. Jo shqetësim në stërvitje, apo në qytete të tjera, stadiumin “Dinamo. Impakt të madh kishte vetëm në “Qemal Stafa”.
Një emër që nis të bëhet më tingëllues?
Sa herë që nga tribuna dëgjohej “Tito, Tito”, që tifozët i drejtoheshin Tit Dibrës, Tit Hysenit apo mua, sipas situatave, momente që sillte loja ishte normale. Por nga tribuna qendrore i vriste veshin qeveritarëve, të pranishëm në stadium. Mendoni, kur dëgjonin: “O Tito, bjeri Tito, bravo Tito” – tipike fraza tifozerie, etj.. Por për ta tingëllonte jo mirë ai emër, aspak i pëlqyer prej tyre.
Si sillej policia, masat që merrnin?
Kur luante Tirana, ishin të kujdesshëm edhe për të ndaluar, paraprirë çdo situatë ishin tejet rigorozë, të vëmendshëm. Por ishte e pamundur t’i frenonin nisur nga rrethanat që krijoheshin. Merrnin individë, duke i nxjerrë me forcë jashtë stadiumit i çonin larg Tiranës. Kjo vazhdoi deri kur në ekip nuk kishte më asnjë futbollist Petrit, Astrit, pra jo më një lojtar “Tito” në fushë.
/Gazeta Panorama




Kjo.ka.domethenie.konkrete.sic.dihet.shqiptaret ngelen.endacak.dhe.negjithe.boten.keshtu.qe.dukemos.patur.ase.kultur.dhe.dije.cfar.gjuhe.do.flisnin.vec.shqipes sikurse.sot.ne.autobuzat.ne.athinedegjon.vetem.gomar.qe.pullasin.ata vetem.ne.gjuhen.shqipe.poooo