NDEJA E TRETË ME 27-XII-1918
Mbledhja u hap në orën 3,30 pasdreke ndër Kryesin e Z. Mehmet Konicës, i cili muer fjalën duke thânë se shpresohet qi Qeverija Italiane do të njofi vêndimin e dhânun prej mbledhjes kombëtare mbi themelimin e Qeveris së përkohëshme Shqiptare. Shton se Qeverija e përkohëshme do të ketë në programin e qetësisë përmbrenda e mbrojtjen e të drejtavet të kombit Shqiptar në konferencë të paqes në qark të kufivet ethnografike. Pastaj duke hapë bisedimin mbi pjesën e dytë të urdhënit të ditës, paraqitun në mbledhjen e parë me 25 Dhetuer tregoi mêndimin e Qeveris mbi themelimin e nji pleqësije, e cila do të jetë e përbâme prej dy misësh nga çdo prefekturë, qi do të zgjedhen nga ana e këshillavet administratore e përlimtarakë mbasi këto të jenë trajtuem mbas nomit.
- Idhomen Kosturi – Paravên qi misët e pleqësisë të zgjidhen nga ana e mbledhjes kombtare atypëraty.
- Kacimbra – Duke dalë nga qarku i bisedës paravû qi mbledhja Kombtare të kthehet në parlament, Kryetari i të cilit të zgjidhet menjiherë e t’i epet e drejta qi t’a mbledhi kurdoherë qi të shofi nevojën.
- Kryetari e z. Myfid Bej Libohova – Folën kundra kësaj paravûme.
- Mustafa Kruja – Difton se z. Kacimbra ka dalë jashta bisedimit e tregon se zgjedhja e bâme drejtpërsëdrejti prej popullit në mënyrën e paravûme prej Qeverrisë kishte me i dhânë mâ tepër pushtet e rândsí pleqësis, sesa kur të bahej prej mbledhjes Kombtare.
- Mehdi Frashëri – Tregon ndryshimin ligjuer ndërmjet të mbledhjes kombëtare e parlamentit ; thotë se nji pleqësi âsht e nevojshme po jo me pushtete parlamenti. I del zot edhe ai mënyrën e paravûme prej anës Kryetarit.
- Qemal Bej Vrioni – Thotë se, përpara se të vêndohet mënyra e zgjedhjes së pleqësis, duhet të ipen hollësina me të drejtat e saja.
- Mustafa Kruja – Përgjigjet se detyra e të drejtat e kësajë pleqësije nuk mund të kufizohen hollësisht nga ana e mbledhjes, po do të caktohen në nji rregullore të veçantë prej anës së Qeveris.
- Myfid Bej Libohova – Thotë se pleqësija duhet të ketë vetëm tagër konsultative, d.m.th. do t’i japi këshilla Qeveris mbi plotësimin e nevojavet t’ Administratës e të popullit.
- Qemal Bej Vrioni – Kërkon qi pleqësija të ketë të drejtë t’a kontrollojë e t’a rrëzojë Qeverinë.
- Mehdi Frashërri – Bashkohet me Myfid Bej Libohovën, duke vûe përpara arsyet ligjore për të cilat pleqsija s’mund t’a kishte atë të drejtë.
- Qemal Bej Vrioni – Kthehet prap në tezën e tij duke ngulun kâmbë për përgjigjësín e Qeveris përpara nji organi kombëtar të zgjedhun.
- Mehdi Frashëri – Pastaj difton gjânësisht edhe të vështirat praktike t’atij vêndimi edhe tha se kjo Qeveri âsht për nji kohë fort të shkurtën gjersa të bâhet pagja e atëherë ka me ju përgjegjë Qeveris së rregullshme të Shqipnis.
- Xhavid Leskoviku – Proponon nji pajtim ndërmjet dy mêndimevet duke thânë se, në qoftë qi pleqësija shef qi Qeverija po punon kundra interesavet të vêndit, të ketë të drejtë të ftojë popullin për me gjykue me anën e nji mbledhjeje kombtare.
- Mehdi Frashëri – Mori prap fjalën duke tregue edhe nji herë të vështirat e zgjedhjevet të reja.
- Myfid Libohova – Vuni parasysh se vêndi i ynë gjindet mjerisht ndër pushtetin ushtarak të huej e prandej tha s’e kemi në dorë të bajmë zgjedhje e mbledhje sa herë të duem vetë.
- Kacimbra – Thotë se Qeverija duhet të lêhet me veprue lirisht në bashkpunimin me pleqësin.
- Shefqet Verlaci – Përkrah programën e Qemal Vrionit dhe u lutet pjesëtarvet të Qeveris të mos e marrin për keq mêndimin e tij.
- Mustafa Kruja – Kërkon qi n’êmën të Qeveris të vênë në vota programën e Z. Kacimbra të përmbledhun në kët urdhën të ditës:
“Me qenë qi Qeverija qi bâmë âsht e përkohëshme, dhe i dhamë besim e meqenëse do të zgjedhet nji pleqësi, duhet Qeverija me Pleqësin të bashkpunojnë e të jenë të lira të shërbejnë për të mirën e Shqipnís brênda edhe jashta”.
- KACIMBRA
- Dhimitër Tutulani – Thotë se duhet me u votue mâ parë proponimi i Z. Qemal Bej Vrionit.
- Myfid Bej – I kundërshtohet pas së drejtës pushtetore e kërkon qi piksëpari të votohet mbi proponimin e Z. Kacimbrës qi ka pranuem Qeverija.
Kryetari ven atëherë proponimin e Z. Kacimbros me vota êmnore e dalin për të këta 26 zotni…. dhe kundër këta 13….
Kështu pra proponimi i Z. Kacimbra, i pëlqyem nga ana e Qeveris, pranohet me 26 vota, kundra 13 edhe proponimi i Qemal Beut bje poshtë.
Delegatët e të gjitha visevet të Shqipnis të mbledhun sot në nji kongres Kombtar në qytet të Durrësit : tuj njoftue se qyteti i Shkodrës â qênë gjithmonë Kryeqyteti moral i Shqipnis.
Tuj kundrue se qyteti i Shkodrës gjindet ma i afërmi e prandej me nji përpjekme të drejtë me të gjitha vêndet e Kosovës, të cilat shpresohet e urohet të bashkohen me trupin e gjithmarrëshme të Shqipnis.
Tuj dijtë se qyteti i Shkodrës i ka me vedi të gjitha cilësit e nji qyteti të madh si kah pikpamja e ndërtesavet si kah pikpamja e gjallnís e klimës.
E në fund tue marrë parasysh se marrëdhânjet e të përpjekunat e Shkodrës bâhen të lehta sidomos me anë të detit si me vênde të përmbrêndshme të Shqipnis sikurse edhe me Shtete të hueja.
Shpallim Shkodrën sikurse Kryeqytet të përtardhun të Shqipnis.
MUSTAFA ASIM KRUJA
Revista “Hylli i Dritës” Nr. 6 – 7 Qershor – Korrik 1944
Komentet