08:15
Nga protesta paqësore në përplasje
Debati brenda Kuvendit është shoqëruar me protesta jashtë tij.
Qytetarë dhe përfaqësues të kategorive të dala nga lufta u mblodhën të hënën pranë Kuvendit, duke kërkuar që deputetët ta përfundonin votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen.
Protesta u përshkallëzua gjatë ditës. Persona nga turma tentuan të kalonin rrethojat e Kuvendit dhe hodhën mjete piroteknike dhe gjësende të tjera në drejtim të objekteve shtetërore. Policia ndërhyri pasi situata u përkeqësua, ndërsa përplasjet vazhduan edhe gjatë mbrëmjes.
Protestuesit bllokuan edhe hyrjet dhe daljet e Kuvendit, duke kërkuar që deputetët të mos largoheshin pa e votuar projektligjin në lexim të dytë.
Situata jashtë Kuvendit të Kosovës përmes fotografive
Shfaq më shumëShfaq më pak
08:10
Specialja kaloi pengesën e parë, mbeti e dyta
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara kaloi të hënën në lexim të parë, por deputetët nuk arritën ta votonin edhe në lexim të dytë.
PDK-ja, e cila e ka iniciuar projektligjin, kërkoi që procedurat të përfundonin brenda së njëjtës ditë dhe që pas shqyrtimit të amendamenteve në komisione, Kuvendi të mblidhej sërish për votimin përfundimtar.
Ndryshimet e propozuara prekin disa elemente të funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Ato parashohin, mes tjerash, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Por, procesi është ndërthurur me negociatat për presidentin.
PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë ndryshimi i ligjit dhe më pas të diskutohet zgjedhja e presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të dyja çështjet të zgjidhen brenda afatit kushtetues.
Pavarësisht takimeve mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të PDK-së, Bedri Hamza, partitë hynë në ditën e fundit pa marrëveshje për presidentin.
08:03
Dita e fundit për presidentin
Kosova ka hyrë më 6 tetor në ditën e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri – një afat që, rrjedhimisht, mund të përcaktojë edhe fatin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kuvendi ka kohë vetëm deri në fund të ditës për ta zgjedhur presidentin.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e tij ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Kjo do të nënkuptonte edhe fundin e mandatit të kësaj përbërjeje të Kuvendit dhe, rrjedhimisht, pamundësinë që ajo ta përfundojë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
08:00
Mirëmëngjesi!
Unë jam Valona Tela dhe do të jem me ju gjatë ditës për t’ju sjellë zhvillimet më të fundit nga Prishtina.
Sot është një ditë vendimtare: 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet – çka do të linte të papërfunduar edhe procesin e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara një ditë më parë në lexim të parë.
Protestat për ndryshimin e këtij ligji, që të hënën u përshkallëzuan në dhunë, pritet të vazhdojnë edhe sot. REL

