Velipojë,
në rërën
dhe valët e tua të njelmëta
kërkova gjurmët
e motrës sime,
por askund
nuk i gjeta.
.
I trishtuar,
u nisa drejt Shkodrës
dhe u ngjita në kala.
.
Nisa të numëroj,
gur më gur
e rrasë më rrasë,
mos vallë do të gjeja
ndonjë gjurmë të gishtërinjve
apo të hapave të saj.
.
As aty
s’gjeta asnjë shenjë —
shiu i kishte fshirë,
e toka i kishte përpirë
në honet e veta.
.
Dhembja më kaploi,
duke m’i trazuar
shpirtin dhe zemrën.
.
Zemërthyer,
ika drejt Prizrenit;
ndjeva erën
e gjakut ende të patharë.
.
U mallëngjeva,
nisa me dënesë
të qaj.
.
Mallkova
14 korrikun 2012,
me orën e tij të zezë.
.
Motër,
nuk u pamë
vite e vite.
.
Ike
pa më thënë:
“Udhë të mbarë!”
.
Më le zemërlënduar,
e me mallin prush për ty,
sa të jem gjallë.
.
Por shpresoj
se një ditë
do të takohemi
në përjetësi.
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 14 korrik 2015