Një pjesë jo e vogël, thjeshtë nuk e duan këtë pushtet të korruptuar, pa ju shkuar mendja se kanë shokët e tyre edhe në opozitë. Në protestë mund të dalin edhe ata që janë mllefosur prej përgjimeve të kompanisë “Pronto”, ata që s’kanë punë dhe as shpresë së do të punësohen pa intervenca. Mund të dalin ata, të cilëve familjarët u dergjen spitaleve.
Ata që vuajnë në skamje e prehen në dëshpërim me liderë e politikanë që kanë ndërtuar piramida milionëshe, teksa 100 mijë bashkëkombës ia mësynë Evropës për të kërku jo shpëtim, por shpresë e dinjitet. Janë pa fund arsyet që mund të nxjerrin në rrugë të pakënaqur të vendit, të cilit veç telat i mungojnë për ta shpallë kamp administrues të të pashpresëve, të të pakënaqurve dhe të përhumburve.
Flakën këtij vendi mund të ia qitni në emër të Demarkacionit, porse s’mund t’i sanoni pasojat në emër të çfarëdo kauze. Pra, ky nuk është modeli. Nuk ka zgjidhje radikale për probleme komplekse. Ka zgjidhje racionale për probleme madhore. E kjo i takon para se gjithash pushtetit, pastaj opozitës.
Eskalimi i situatës është kurrgjë më shumë se sa vazhdim i agonisë së shtetit të brishtë. Veprimet radikale deri tashti nuk kanë arritur të zbrapsin asnjë proces. A është pastruar Qeveria nga të korruptuarit-JO. A është pastruar gjyqësori nga të korruptuarit, sërish JO.
A është zhvilluar ekonomikisht Kosova -JO. Pra, asgjë nuk mund të arrini me dhunë! Prandaj presioni i përcjellur edhe me institucionin e votës mbetet instrumenti i vetëm që mund ta prodhojë një situatë të re, klasë politike pak më të përgjegjshme (sepse transformimi bëhet në proces), porse jo me tamtame lufte. Binduni se dhuna e forcon pushtetin – ata i shndërron në viktima- ju në planprishës e terroristë!
Komentet