VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dëshmia e rrallë e ish-atentatorit, kolonel i Artilerisë: Si e vramë Haziz Sharrën, pas urdhërit me shkrim që na dha…

By | June 3, 2020

Komentet

Dëshmia e ish-komunistes: Si na i therën shokët në Kampin e Prishtinës dhe tentativa e Sigurimit, për të eliminuar bashkëshortin tim

Publikohet historia e panjohur e Luigj Filipit dhe bashkëshortes së tij, Aleksandra Priftit, të cilat gjatë periudhës së pushtimit 1939-’44, ishin dy nga komunistët aktivë të Qarkorit të Tiranës, duke marrë pjesë në disa aksione të bujshme, siç ishin dhe ai i rrëmbimit të Shtypshkronjës “Gutenberg”, që ndodhej fare pranë Kuesturës. Dëshmia e Aleksandra Filipit, se si u arrestuan nga gjermanët ajo dhe bashkëshorti i saj, Luigji, ku pasi u mbajtën disa kohë në burgun e Tiranës, në gushtin e vitit 1944, i nisën për në Kampin e Prishtinës, së bashku me shumë komunistë të tjerë nga Shkodra.

Masakra çnjerëzore që kryen gjermanët ndaj të burgosurve shqiptarë në 23 tetorin e 1944-ës, ku pjesën më të madhe të tyre, i maskaruan me thika e bajoneta. Funksionet dhe detyrat që kreu Luigj Filipi pas mbarimit të Luftës, ku si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ai bënte një jetë shumë të thjeshtë dhe nuk shkoi kurrë me makinë në punë. Emërim i tij në rradhët e Sigurimit të Shtetit te ‘Shtëpia me Gjethe’, dhe largimi që andej në mënyrë demonstrative, për shkak të makinacioneve që përdoreshin aty ndaj njerzëve të pafajshëm dhe tentativa e “kolegëve” të tij, për të eliminuar fizikisht.

“Pak kohë pasi unë me të fejuarin tim, Luigj Filipin, hymë në shtëpinë e tij që ndodhej diku tek Kodra e Kuqe, unë pashë xhandarët tek dritaret të cilët hynë brënda me zhurmë dhe na arrestuan mua, Filipin, e vëllanë e tij Markun. Pak minuta para se të vinin xhandarët për të na arrestuar, Luigji kishte fshehur tek tjegullat e shtëpisë disa nga dokumentet kryesore të Partisë, ndërsa unë fsheha në trup një letër që ai ma kishte dhënë për ta ruajtur”. Njeriu që dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Aleksandra Prifti, bashkëshortja e ish-komunistit të vjetër Luigj Filipi dhe e bija e dëshmorit Jovan Prifti, e cila rrëfen gjithë historinë se si u arrestua nga gjermanët në gushtin e vitit 1944, së bashku me Luigjin dhe vëllanë e tij Markun, të cilët më pas i dërguan në Kampin e Prishtinës.

Kush ishte Luigj Filipi, cila ishte e kalura e tij dhe çfar aksionesh kreu ai gjatë periudhës së Luftës? Cilat ishin funksionet e larta që ai mbajti pas mbarimit të Luftës dhe përse Sigurimi i Shtetit i ngriti grackën për ta eleminuar fizikisht dhe si mundi ai që të shpëtonte prej tyre?

Arrestimi i Luigjit nga gjermanët
Çfar ndodhi më pas me Luigj Filipin dhe të fejuarën e tij? Lidhur me këtë, bashkëshortja e tij, Sandra Prifti, ish punonjëse e laboratorit fotografik të ATSH-së, dëshonte: “Arrestimi i Luigjit, i imi dhe i vëllait të tij, Markut, u bë për arsye se gjermanët kishin të dhëna të sakta për të gjithë veprimtarinë tonë ilegale. Pasi na arrestuan në shtëpinë e Luigjit, ne të tre na çuan në Kuesturë dhe atje na mbajtën për rreth një javë, duke na pyetur për lidhjet tona dhe aktivitetin që kishim kryer. Mua më pyesnin se çfar lidhje kisha me Filipin, dhe kur u thosha se e kisha të fejuar, ata nuk më besonin, duke më thënë: ‘Kështu thoni ju komunistët sa herë që u kapim’. Gjatë atyre ditëve që na mbajtën në Kuesturë, unë munda të zhdukja në ËC një letër shumë konspirative, të cilën ma dorëzoi Luigji pak para ardhjes së gjermanëve, duke menduar se isha femër dhe ata nuk do të më kontrollonin në trup ku e kisha fshehur. Pasi na mbajtën për një javë aty në Kuesturë, mua, Luigjin dhe vëllanë e tij Markun, na dërguan në burgun e Tiranës. Pas një jave aty sollën dhe motrën time, Ksanthipin, së bashku me Vitoren, motrën e Luigjit. Në atë kohë aty në atë burg ndodheshin dhe shumë komunistë e aktivistë të Lëvizjes Antifashiste, si babai i Vasil Shantos me të bijën Bojkën, Kostë dhe Taqi Mema, dy vëllezërit Papuçiu nga Fieri, Av. Sulo Bogdo, Kin Dushi, Gjikë Kuqali, Spiro Velko, Ramazan Shijaku, Niko Avrami, Gaqo Floqi, Grigor Gjika, Xhelal Glina etj”, tregon Aleksandra për ish-komunistët që mbaheshin të izoluar nga gjermanët në burgun e Tiranës në gushtin e vitit 1943.

Nga Tirana në Prishtinë
Pasi i mbajtën për rreth dy-tre muaj në burgun e Tiranës, Luigj Filipin, së bashku me vëllain, Markun, e motrën Vitoren, si dhe të fejuarën e tij, Aleksandrën, e motrën e saj Ksanthipin, i dërguan në kampin gjerman të Prishtinës, së bashku me shumë komunistë të tjerë të burgosur që mbaheshin aty. Lidhur me këtë Sandra tregonte: “Më 26 gusht të vitit 1944, ne të burgosurit politik që mbaheshim në burgun e Tiranës, na urdhëruan të dilnim të gjithë në oborr, ku drejtoria e burgut së bashku me gjermanët na bënë apelin, duke na thirrur të gjithëve emrat për prezencën e tyre. Më pas me disa kamionë ushtarak në të cilën ndodheshin nga një oficer e dy ushtarë gjerman të armatosur, autokolona u nisëm drejt rrugës nacionale të Veriut, ku pas çdo makine qëndronte nga një autoblindë gjermane. Ne nuk kishim dijeni se ku pa na çonin dhe transferimin tonë nga burgu i Tiranës e mësuam vetëm në mbrëmjen e 25 gushtit, ku para burgut u mblodhën shumë nga familjarët e të dënuarve. Kur autokolona mori rrugën në drejtim të Milotit, kuptuam se po shkonim drejt qytetit të Shkodrës, por përsëri nuk e dinim destinacionin e saktë se për ku n’a kishin nisur. Kur mbërritëm në Shkodër, bashkë me ne u bashkuan edhe disa të burgosur të tjerë që kishin qenë në burgun e atij qyteti, ku midis të cilëve më kujtohen: Llazar Siliqi, Sabah Hilmia, Gac Mazi, Stefan e Vasil Pistoli, Seit Boshnjaku e Qemal Jashari, si dhe motrat Marie Varfi dhe Despina Trimçiev. Të nesërmen, udhëtuam drejt rrugës Pukë-Kukës-Prizren dhe në mbrëmje autokolona e makinave gjermane mbërriti në fushë të hapur aty ku ishte kampi”, kujtonte Aleksandra Filipi atë ditë të largët të gushtit 1944, kur të burgosurit politik të Tiranës u dërguan në Kampin e Prishtinës.

Masakra e Prishtinës

Gjatë asaj periudhe që Sandra me Luigjin ndodheshin të izoluar në kamp, ndodhi dhe një nga masakrat më të mëdha të gjermanëve: pushkatimi i 104 të burgosurve shqiptar. Lidhur me këtë ngjarje Sandra tregonte: “Ishte dita e 23 tetorit të vitit 1944, një ditë e bukur në mëngjes, që si për çudi në mesditë koha u vërenjt e filloi një shi i hollë sikur parashikonte se diçka do të ndodhte. Barakat e rrethuara me tela me gjëmba që dikur kishin qënë stalla kuajsh, përbënin dhe strehën e të burgosurve. Aty ishim disa qindra të burgosur dhe gjermanët na kishin ndarë në kausha të veçantë. Në një kaush ishin të burgosurit të Shkodrës dhe pak më tej ai i grave. Trajtimin që na bënin gjermanët aty ishte kafshëror, sepse na fusnin në punë të rënda dhe na ushqenin shumë keq. Sëmundjet, torturat dhe puna e rëndë, e pakësonin çdo ditë numrin e të burgosurve, por celula e komunistëve që vepronte në ilegalitet të plotë, mundohej ta mbante lart moralin e shokëve. Në atë kohë, gjermanët ishin egërsuar shumë nga disfatat që kishin pësuar në Frontin e Lindjes dhe nga frika e ndonjë revolte të brendëshme në kamp, ata organizuan masakrën e ekzekutimit të 104 shokëve tanë. Nga që në këtë kamp gjermanët nuk dispononin krematoriume e dhoma me gaz, e vetmja mënyrë për të ushtruar terror në ekzekutimin e të dënuarve, ishin thika dhe plumbi, të cilat ata nuk i kursyen asnjëherë kundër shokëve tanë. Në mëngjesin e 23 tetorit, ata duke uluritur si bisha, dhanë urdhër që të burgosurit të rreshtoheshin përpara kapanoneve. Ndërsa ne u rreshtuam në kollonë për pesë, menduam se ata na kishin nxjerrë për të marrë ndonjë masë të rëndë disiplinore dhe kurrësesi nuk na shkonte mëndja, se do të ndodhte ajo masakër që ndodhi më pas. Mbasi u rreshtuan të gjithë, ata zgjodhën 100 shokë e shoqe nga rradhët tona, të cilët i veçuan në një anë. Ndër shokët që u vranë veç, ishte dhe Spiro Velko (Kosova) me profesion mësues, i cili ishte dhe përgjegjësi i celulës së Partisë në kamp. Ndër shokët e tjerë që më kujtohet aty, ishin dhe Musa Agolli e Hektor Shyti. Fillimisht ata boshatisën kaushin e grave, që po të hipje në tavan, komunikonte me kaushin e të dënuarve shkodranë. Nazistët pasi i kryen të gjitha formalitetet, morën nga rreshti edhe 100 shokë të tjerë dhe i çuan në një luginë aty afër, ku nën kërcënimin e kërbaçit i detyruan të hapnin një gropë të madhe në formë kanali. Pas hapjes së gropes, shokët i kthyen në kapanonet e tyre dhe për pak minuta aty mbretëroi një heshtje e plotë. Më pas nga kapanoni i grave ku i kishin futur shokët tanë, gjermanët filluan t’i nxirrnin ata dy e nga dy dhe pasi i kalonin tek zyrat ku i zhvishnin lakuriq, i çonin dhe i pushkatonin atje ku ishte hapur gropa e madhe. Disa nga shokët që ishin në kaush, kur e kuptuan se ç’po ndodhte, hipën në tavan dhe kaluan në kaushin tjetër të shkodranëve. Ndërsa Musa Agolli dhe Spiro Velko mundën të kalonin, Hektor Shyti mbeti në tavan, sepse i hynë gozhdat e dërrasave në bark, ngaqë ishte i shëndoshë. Kur dëgjuan ulërimat e tij, gjermanët hynë brenda dhe pasi e nxorrën jashtë, e therrën me thika. Pas kësaj, ata u futën në kaushin e shkodranëve, ku morën Musa Agollin dhe Spiro Velkon. Spiron e ekzekutuan të parin, ndërsa klithmat e Musait u ndien shumë të fuqishme. Pas një heshtje varri, gjermanët nxorrën nga kaushi Shyqëri Greblleshin, i cili u përlesh me ta dhe mbeti i vdekur ashtu lakuriq i copëtuar nga thikat, plumbat e bajonetat e tyre. Më kujtohet se kur gjermanët hynë në kaushin e grave, rrobat e tyre ishin me njolla gjaku të shokëve tanë. Masakra zgjati rreth një orë e gjysëm dhe midis 104 shokëve tanë, mbetën të vrarë: Musa Agolli, Spiro Velko, Hektor Shyti, Xheladin Fishta, Shyqëri Greblleshi, Gjikë Kuqali etj. Pas asaj masakre, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, gjermanët na nxorrën me zor nga kaushi për të na dhënë darkën që përbëhej nga 120 gr. buk”, e përfundon rrëfimin e saj Aleksandra Filipi, lidhur me masakrën që kryen gjermanët në kampin e Prishtinës, në 23 tetorin e vitit 1944, ku ajo ishte së bashku me bashkëshortin e saj Luigj Filipin.

 

Luigj Filipi, guerilasi që rrëmbeu shtypshkronjën “Gutenberg”

Sipas dëshmive të znj. Aleksandra Filipi, bashkëshoirti i saj, Luigji, lindi në 18 tetor të vitit 1918 në qytetin e Shkodrës dhe origjina e hershme e familjes së tij është nga Vranina. I ati i Luigjit quhej Filip Jaku dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ai shërbente si përkthyes i austro-hungarezëve, pasi njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja. Filipi dhe bashkëshortja e tij, Maria, përveç Luigjit kishin dhe tre fëmijë të tjerë: Vitoren, Zinën dhe Markun. Luigji mësimet e para i mori në Kolegjin Françeskan të qytetit të Shkodrës, ku kishte shokë të ngushtë Nikolla Shurbanin, dhe një nga profesorët që kujdesej më shumë për të, ishte Padër Gjergj Fishta. Nisur nga gjëndja shumë e keqe ekonomike në të cilën jetonte në qytetin e Shkodrës, aty nga fillimi i viteve ’30, babai i Luigjit, Filip Jaku, u shpërngul nga ai qytet dhe u vendos në Tiranë, duke marrë një shtëpi me qera tek Kodra e Kuqe. Për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij, Luigji, i cili i ndërpreu studimet në vitin e tretë të Kolegjit Françeskan, kur erdhi në Tiranë, nuk e vazhdoi më shkollën, por u fut në punë si tipograf në Shtypshkronjën “Luigj Gurakuqi”. Ai e njihte mirë profesionin e tipografisë, pasi qysh në bankat e Kolegjit Françeskan të Shkodrës, ai kishte bërë praktikën mësimore në Shtypshkronjën “Nikaj” të atij qyteti. Aty nga vitet 1936-’37, Luigji u lidh me degën e Grupit Komunist të Shkodrës që vepronte në Tiranë, për shkak të pjesmarrjes së tij në krye të aktiviteteve sindikaliste të punëtorëve të shtypshkronjave. Në ato vite, ai u zgjodh Kryetar i Sindikatave të shtypshkronjave dhe organizoi disa greva kundër punëdhënësve dhe administratës shtetërore. Si rezultat i asaj veprimtarie sindikale, ai u pushua nga puna dhe nuk u lejua që të punonte më në asnjë prej shtypshkronjave që kishte nisur që me krijimin e grupeve të para, ai e vazhdoi edhe pas pushtimit fashist, ku që në ditët e para të prillit të vitit 1939, ai ishte një nga organizatorët e demostratave antifashiste që u zhvilluan në Tiranë. Luigji ishte shok e mik i ngushtë i Vasil Shantos e Qemal Stafës, që nga vitet kur ata kishin jetuar në Shkodër dhe atë miqësi ai e ruajti edhe gjatë kohës që ata erdhën në Tiranë. Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, Luigj Filipi u lidh ngushtë me Gogo Nushin që drejtonte Qarkorin e Tiranës dhe bashkë me Mihali Durin, mori pjesë në disa prej aksioneve më të rëndësishme që kryen asokohe gueriljet komuniste të Tiranës, ku Luigji ishte një nga antarët më aktiv. Aty nga viti 1942, pasi Luigji u pranua në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë-së, Qarkori Komunist i Tiranës dhe personalisht Gogo Nushi, i ngarkuar atij detyrën e organizimit të dy çetave partizane të Dajtit dhe Erzenit, të cilat ai i kreu me sukses. Duke qenë se Luigji kishte një përvojë të madhe pune si tipograf, detyra kryesore që i’u ngarkua atij nga Qerkori Komunist i Tiranës, ishte përgatitjen e teknikës për shtypin e PKSH-së. Në kuadrin e asaj detyre që i’u ngarkua gjatë asaj periudhe, Luigji kreu dhe aksionet më të guximshme, siç ishin ato për rrëmbimin e Shtypshkronjave “Gutemberg” dhe asaj “Dielli”, e cila ndodhej ngjitur me oborrin e Kuesturës. Për shkak të veprimtarisë së tij ilegale, Luigj Filipi u arrestua dhe u burgos nga italianët që në fillimin e vitit 1942. Pas lirimit nga burgu, atij i’u ngarkuan detyra e përgatitjes së teknikës për nxjerrjen e gazetës “Zëri i Popullit”, numrin e parë të së cilës ai e përgatiti në Gurin e Muzhaqit në Çermenikë, së bashku me Sofokli Budon dhe vëllezërit, Andon e Qirjako Deçka. Në muajin gusht të vitit 1944, Luigji u arrestua në shtëpinë e tij së bashku me të fejuarën, Aleksandre Priftin dhe vëllanë e tij, Markun. Pasi u mbajtën për një javë në Kuesturë, në 25 gusht të atij viti, ai u internua në kampin gjerman të Prishtinës, së bashku me të fejuarën Aleksandrën, motrën e saj, Ksanthipin, si dhe vëllanë e tij, Markun e motrën Vitoren. Nga ai kamp ata u liruan nga në fundin e vitit 1944. Pas mbarimit të Luftës, Luigji punoi në detyra të rëndësishme, si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe Kryetar i Këshillit Popullor të Tiranës. Duke qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe komunist idealist, gjatë gjithë asaj periudhe që Luigji punoi në krye të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ai nuk pranoi asnjëherë që të shkonte në punë me makinën e tij. Për këtë ai shprehej: “Si mund të vete unë me makinë në punë, kur aty tek dera e Komitetit, më presin me dhjetra fshatarë që na kanë strehuar gjatë Luftës, të cilat na kërkojnë një thes miell se i kanë fëmijët pa bukë”?! Aty nga viti 1948, Luigji u caktua të punonte në Sigurimin e Shtetit tek “Shtëpia me Gjethe” dhe akoma pa mbushur një vit në atë detyrë, ai dha dorëheqjen dhe u largua që andej, për shkak të makinacioneve që përdoreshin aty ndaj njerëzve të ndershëm. Për largimin e tij në mënyrë demonstrative nga Sigurimi i Shtetit, atij i’u ngrit një grackë, ku do të eleminohej fizikisht me anë të një aksidenti automobilistik. Por një natë para se ai të nisej me “shërbim”, Luigji u lajmërua nga një mik i tij i ngushtë, për grackën e ngritur prej Sigurimit dhe ai nuk doli fare nga shtëpia, duke u bërë si i “sëmurë”. Pasi u largua nga Sigurimi i Shtetit, Luigji i’u kthye profesionit të tij të vjetër të tipografit, duke punuar si teknik dhe si Drejtor i Ndërrmarjes Tipografike, deri sa doli në pension në vitin 1976. Nga ajo kohë e deri sa u nda nga jeta në 19 gusht të vitit 2002, Luigj Filipi mbeti një njeri i thjeshtë dhe tepër i zhgënjyer nga ideali komunist, që ai kishte përqafuar që në rininë e tij, familjarisht./Memorie.a

Dosja e objektit nr.206, ja si përgjohej ambasada gjermane

Autoriteti publikon dokumentet: Qytetarët e larguar do të vëzhgoheshin edhe jashtë Shqipërisë – Ngjarja e ambasadave e 2 korrikut të 1990, ku mijëra shqiptarë shpërthyen dyert e ambasadave perëndimore ishte shfaqja më e guximshme e qëndrimeve antiqeveritare dhe një prelud i ngjarjeve që do të ndodhnin në muajt në vijim. Dyndja e qytetarëve shqiptarë në ambasada në dokumentet e Sigurimit cilësohej se ishte një “veprim i kryer nga një masë njerëzish me pakënaqësi politike e me pikëpamje kundër pushtetit popullor, njerëz të degjeneruar vjedhës e aventurierë, huliganë e vagabondë që janë dënuar disa herë, njerëz të papunë e me mendimin për tu punësuar jashtë shtetit, njerëz të pakënaqur nga të ardhurat ekonomike, të rinj të paformuar e të gënjyer nga shokët e tyre si dhe njerëz që kanë të afërm dhe të njohur jashtë shtetit”.

Numri i personave që do të futeshin dhe do të largoheshin nëpërmjet ambasadave sipas informacioneve të Sigurimit ishte rreth 4.795 qytetarë, ku rreth 3.163 vetë do të largoheshin në drejtim të RFGJ-së. Në dokumentet e Sigurimit të Shtetit vërehet një shqetësim i madh që ky grup njerëzish mund të përdorej për rrëzimin e sistemit komunist. Duke pasur parasysh kontekstin e kohës, ku Shqipëria kishte ngelur bastioni i fundit komunist në Europë dhe ku presionet ndërkombëtare për liberalizimin e sistemit po shtoheshin, kjo frikë ishte e justifikuar. Në një raport sekret të Sigurimit të Shtetit shkruhej se “duhet bërë çmos që kjo masë njerëzish për tani dhe të ardhmen të mos kthehet në kontingjent të armikut. Në Shqipëri ata kanë njerëzit e tyre, familjet, farefisin dhe shokët që në tërësi bëhen me dhjetëra mijëra persona. Edhe në këtë rast duhet evituar që përmes tyre, armiku i jashtëm apo i brendshëm, të gjejë një shtresë apo grupe të favorshme penetrimi e veprimtarie kundër popullit e atdheut tonë”.

Edhe pse pushteti komunist ishte në grahmat e fundit në Shqipëri, gjuha dhe taktikat e përdorura nga Sigurimi i Shtetit, organi kryesor ku mbështetej diktatura komuniste, ishin të njëjta. Qytetarët e larguar nëpërmjet ambasadave do të vëzhgoheshin edhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë kryesore Sigurimi i Shtetit, do ta përqendronte në Gjermani ku do të vendosej dhe numri më i madh i të larguarve. Do të hartohej një plan masash me qëllimin evidentimin e veprimtarisë së refugjatëve në Gjermani. Në një dokument të 25 korrikut 1990 përcaktoheshin këto masa:

  1. Pas miratimit të vendimit dhe planit të masave, do të plotësohet sipas rregullit fashikulli i kësaj çështjeje të veçantë dhe do kryhen veprimet për regjistrimin e tij në Kartotekë.
  2. Sipas listës emërore që do të sigurohet, do të bëhet kontrolli i refugjatëve në Kartotekat e Drejtorisë së Tretë dhe Drejtorisë së parë për të marrë dhe studiuar materialet që janë në ngarkim të tyre.
  3. Të studiohen materialet e disa bp. që kanë ikur me këtë kontingjent dhe të shikohet mundësia e punës me ta.
  4. Me anën e një letre operative do të njoftohet rezidentura e Bonit mbi ndjekjen e këtij problemi si çështje e veçantë, – do t’i dërgohet lista emërore e refugjatëve dhe do të udhëzohen të kryejë detyrat e të marrë masat përkatëse, si:
  5. Të aktivizojë bashkëpunëtorin “6761” me detyrë konkrete në këtë drejtim, të interesohet për stabilizimin dhe qëndrimin fillestar të refugjatëve.

b.Me detyra të ngjashme aktivizohet dhe bashkëpunëtori “6759”, i cili ka mundësi të futet dhe në ambientet gjermane për të mësuar lidhur me këtë problem.

  1. Të shfrytëzojnë kontaktet me burimet e tjera legale e ilegale për t’u informuar mbi vendndodhjen, qëndrimin, deklaratat e ndryshme që mund të bëjnë e intervistat që mund të japin, të cilat duhet t’i grumbullojnë e dërgojnë në Qendër, të evidentojnë lëvizjet e tyre në vendet e tjera.
  2. Të shfrytëzojnë të gjitha rrugët e mundësitë për të mësuar mbi interesimin që do të tregojnë ndaj këtyre refugjatëve për t’i shfrytëzuar për interesat e tyre të arratisurit ose XXX e ndonjë tjetër, si dhe mbi përgatitjen agjenturore që personave të veçantë mund t’u bëhet nga organet e rendit.
  3. Rezidentura të hartojë dhe dërgojë planin e masave për këtë çështje.

Në një dokument tjetër me të njëjtin motivacion, parandalimin e aktivitetit armiqësor të refugjatëve të ambasadave përcaktoheshin disa masa të tjera, si:

  1. Do të aktivizohen elementët patriotë, kosovarë, miqtë e dashamirësit e vendit tonë për t’iu kundërvënë fushatës propagandistike të të larguarve, për t’i larguar ata nga rruga armiqësore, për t’u bërë presion e për të kërcënuar elementë të veçantë aktivë.
  2. Do të intensifikohet puna në drejtim të mbajtjes nën kontroll dhe përpunim të krerëve të emigracionit shqiptar, si Leka Zogu, Zef Camaj, Ndue Gjokmarkaj etj., për të mësuar mbi interesimet, kontaktet dhe përpjekjen për shfrytëzimin e këtij kontingjenti për qëllime propagandistike apo diversive.
  3. Në aspektin informativ do të synojmë të mësojmë:
  4. Puna e zbulimeve të huaja para dhe pas largimit nga vendi ynë të qytetarëve që u futën në ambasadat e huaja dhe pas largimit nga vendi ynë të qytetarëve që u futën në ambasadat e huaja (cilat ishin nxitësit direktë, cilët ishin elementët drejtues e organizatorë të ngjarjes së 2 korrikut; mbi mundësinë e rekrutimeve të bëra gjatë qëndrimit në ambasada; mbi masat për kontrollin e përgatitjen agjenturore të tyre në kampet apo strehimet ku janë vendosur etj.
  5. Mbi tendencat e të larguarve për grupim e krijim partish apo organizatash politike, gjatë kohës që gjenden nëpër kampe apo në ndikimin e synimeve të emigracionit reaksionar.
  6. Mbi synimet politike të shteteve që i nxitën dhe i strehuan.

Agjentë të Sigurimit u infiltruan ndërmjet refugjatëve. Në një dokument kërkohej nga agjenti i inflirtuar “1472” të interesohej për këto çështje: “qëndrimi zyrtar gjermanoperëndimor ndaj të ardhurve, premtimet që iu jepen, seleksionimi i tyre, regjimi në vendet e përqendrimit, tendencat për grupime politike, nëse ka sinjale për aktivizim të shpejtë të tyre me detyra diversive, organizatorët e ngjarjes, lidhjet eventuale me zbulimin gjermanoperëndimor, elementët e penduar që mund të shfrytëzohen nga ne, elementët më të armiqësuar të evidentuar deri tani, trajtimi dhe puna që po bëhet me intelektualët etj”. Ky problem kërkohej të ndiqej me përparësi.

Në një tjetër dokument jepej porosi nga ministri i brendshëm që:

  1. Të bëhen përpjekje për të siguruar sa më shumë informacion nga përpunimi i refugjatëve që ikën nëpërmjet ambasadave, me synim për të zbuluar organizatorët që kanë mbetur brenda vendit. Kjo do të ishte një goditje e madhe për të sqaruar këtu situatën dhe goditur elementin armik.
  2. Të studiohen e shfrytëzohen kosovarët për sa thuhen në germën “a”.
  3. Qoftë edhe duke paguar diçka, të siguroni filmimin e refugjatëve në kampe, kushtet e punës dhe të jetesës duke theksuar anën negative të problemit.

Dosjet e Sigurimit mbi ambasadat përmbajnë informacione dhe për refugjatët që mbanin qëndrim negativ ndaj regjimit komunist, por dhe për elementët e penduar që kërkonin të ktheheshin në Shqipëri dhe mund të përdoreshin nga propaganda komuniste. Ka dhe informacione të takimit të elementëve zogistë me refugjatët. Pjesë e dokumenteve të Sigurimit ishin dhe profili, biografia e refugjatëve që ishin kundër regjimit, hetimi, kush ishin organizatorët e ngjarjeve në ambasada, etj.

Sipas Mit’hat Frashërit edhe Esat Pashë Toptani u kishte premtuar serbëve korrigjim të kufirit – Nga Isuf B.Bajrami

Atë të diel të 13 qershorit të vitit 1920, në vend të 2 plumbave nga pistoleta “Smith Wesson” Esad Pashë Toptani mund të kishte marrë edhe një tufë me lule si dhuratë për ditëlindje.

Më 13 qershor të vitit 1920, ditën që do festonte 57 vjetorin e lindjes, Esad Pashë Toptani, një nga personazhet më kontroverse të shtetit shqiptar, Avni Rustemi e qëlloi për vdekje para hotel “Continental” në Paris.

Ishte ora 13.00. e 13 qershorit kur Esad Pashë Toptani doli nga hotel “Continental” në Paris.

Atë ditë mbushte 57 vjeç dhe kishte vendosur që ditëlindjen ta festonte në “L’Escargot d’Or” një nga lokalet më luksoze të Parisit në shoqërinë e dy personave: të dashurës franceze 22-vjeçare Eliz Dyfur, me të cilën bashkëjetonte prej dy vitesh si dhe me Xhemil Bej Vlorën, nipin që ishte ardhur nga Franca.

Porositi te recepsionisti një makinë, e cila u parkua përpara hotelit dhe ndërsa Xhemili dhe Eliz u futën brenda saj, Esadi po ecte disa metra prapa tyre.

Por në këtë moment, krejt papritur, studenti Avni Rustemi iu afrua Esadit nga prapa dhe pa i thënë asnjë fjalë e qëlloi me pistoletën dy herë.

Herën e parë plumbi e kapi në pjesën ku qafa bashkohet me kurrizin, e ndërsa Esadi po rrëzohej, e qëlloi sërish përpara në anën e zemrës.

Esad Toptani vdiq në vend ndërsa veprimi tjetër i atentatorit ishte hedhja e pistoletës mbi trupin e viktimës.

Avni Rustemi nuk bëri ndonjë përpjekje për tu larguar nga vendi i krimit dhe kjo i dha mundësinë që dy roje të sigurisë së hotelit dhe disa kalimtarë të rastit ta kapnin duke ushtruar dhunë, ndërsa mbërritja e një polici që kaloi aty rastësisht u shoqërua me shtrëngimin e prangave në kyçet e duarve të tij.

Asnjë dokument dhe artikuj të tjerë nuk janë gjetur në banesën e shqiptarit Aveni Rustem , vrasësit, që mund të dëshmojë  ndonjë ndikim në lidhje me vrasjen e kryer. E vetmia gjë që dihet është së ai përfaqëson vetem vetën e tij.

Autopsia e cila është e nevojshme të bëhet në bazë të ligjit francez, do të bëhet nesër (qershor, 1920), dhe marrja në pyetje me hollësisht e të burgosurit,  pastaj ndoshta do të  të shërbejë për të zbuluar nëse krimi ishte, siç pohoi ai, një impuls i papritur, apo nëse ishte kulmi i një komploti të përbashkët politik.

Është deklaruar se Avni Rustemi, i përkiste një klani i cili ishte në armiqësi me  Esat Pashën.

Një rastësi e çuditshme kishte ndodhur me gazetën franceze “Temps”,e cila vetëm disa minuta para se Esat Pasha të vritej, kishte marrë një intervistë nga Esati.

Ai kishte realizuar memorandumin e tij të fundit të gjatë mbi çështjen shqiptare, dhe në mënyrën se si duhet të kishte trajtuar Konferenca e Paqes atë.

Në këtë dokument Esat Pasha trajton në detaje  veprimet e tij që prej shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, dhe deklaroi se “Unë, që e kisha vënë të gjithë besimin tim në përkrahje të Fuqive të Antantës, duke shpallur të drejtat e kombësive të vogla, e gjeta veten në mërgim  po nga vendi im, në emër të të cilit unë kisha marrë veprime gjigante në betejën botërore”. The Times: Fjalët e fundit të Esat Pashë Toptanit në Paris, 1920

Në një shkrim-studim të kryer nga Mit’hat Frashëri, ku shpalosi jetën dhe të bëmat e Esat Pashë Toptanit, u përmend edhe një detaj interesant për të.

Mit’hat Frashëri ka shkruar se Esat Pashë Toptani, në fillim të vitit 1919, ka shkuar në Paris, aty ku bëri jetë që i kushtonte më shumë se dy milionë franga.

Pa pasur asnjë funksion zyrtar, Esat Pashë Toptani, atje e ka prezantuar veten si kryetar të Qeverisë shqiptare e të delegacionit shqiptar.

“Në fillim të vitit 1919, Esati erdhi në Paris; ai nuk kishte asnjë funksion zyrtar, mbasi ndërkohë një qeveri ishte formuar në Shqipëri dhe një delegacion ishte dërguar në Paris, gjë që nuk e pengonte pashanë tonë t’i jepte vetes tituj si kryetar i qeverisë shqiptare dhe kryetar i delegacionit”, shkruante Frashëri.

Në studim u shpalos se jeta e Toptanit në Paris shihej si e lehtë, pasi veç e dashura e tij, i kushtonte më se dy milionë franga me qejfe, automobil etj., pa llogaritur shpërdorimet e ujit nëpër qytete.

Kur vendi atë kohë kërcënohej dhe përçahej, Frashëri tha se Esat Pashë Toptani, asnjëherë nuk e ngriti zërin, porse u paraqit në Paris si kryetar i shqiptarëve.

Në muajin maj të atij viti, për vizitë Toptanit i shkuan katër shqiptarë:

Imzot Koleci, peshkop katolik,

Bajram Veizi,

Fuat bej Toptani dhe

Ymer bej Shijaku.

Shkuan për të biseduar më Esatin dhe u përpoqën të depërtonin edhe një herë në mendimet e tij.

Esat Pashë Toptani vazhdimisht atyre u ka deklaruar se;

  1. Serbia i jepte një pension mujor për shkak të simpatisë që kjo qeveri kishte për të, por se këto shuma nuk ishin aspak një borxh i Shqipërisë;
  2. Nuk kishte asnjë konventë ndërmjet vetë Esatit dhe Malit të Zi;
  3. Në të kundërtën, ai u kishte premtuar serbëve një korrigjim të kufirit në favor të tyre dhe të bashkimit doganor e ushtarak.

“Esati u bë kaq naiv sa e dorëzoi vetë tekstin e marrëveshjes së tij me Jugosllavinë, ashtu sikurse është paraqitur nga një memorandum i kësaj mbretërie në Konferencën e Paqes;

  1. Hasan Rizai në fakt ishte vrarë nga Osman Bali, por ai pretendonte se kjo nuk ishte bërë aspak me urdhër të tij. Nga ana tjetër, kur ai nuk dinte ku ishte dhe xhindosej, betohej të hakmerrej me të gjithë armiqtë e tij politikë, nëse do të arrinte ndonjëherë të shkelte në Shqipëri”, shkruan Mit’hat Frashëri.

 “Kjo zhdukje (vrasje) është për të ardhur keq. Së pari se Esad Pasha ishte miku ynë dhe gjithashtu edhe miku juaj (francezëve)” Nikolla Pashiq, kryeministër i Serbisë në gazetën franceze “Le temps”, 1920

Esat Pasha ishte;

Dy herë kryeministër,

Ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit,

Ministër i Luftës në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit,

Komandant vali i Shkodrës,

Komandant i Xhandarmërisë së Janinës dhe deputet i Sanxhakut të Gjirokastrës.

Esad Pashë Toptani padyshim ishte i implikuar direkt në 10 vrasje.

I akuzuar për 20 vjedhje, grabitje prone e abuzime të këtij lloji.

Në tre raste kishte tradhtuar hapur Shqipërinë duke dhuruar territore në këmbim të parave.

Ishte vënë në shërbim të Italisë, Serbisë, Malit të Zi, Francës, Greqisë, në interes të pushtetit të vet dhe kundër Shqipërisë.

Vrasjen e Esad Pashë Toptanit nuk e mendonte vetëm Avni Rustemi.

 “Akti heroik i Avni Rustemit në Paris nuk ishte një atentat i thjeshtë, ai nuk kishte karakter terrorist apo anarkist.

Jo!

Akti i Avni Rustemit kishte një kuptim të madh politik dhe ideologjik.

Plumbat e Avni Rustemit që shtrinë përdhe Pashën e Toptanit mu në zemër të Parisit, ishin sinjal, ishin një kushtrim i atij revolucioni të popullit shqiptar që po ngrihej kundër feudalizmit”.

Enver Hoxha,në mitingun e zhvilluar në Libohovë më 28 maj 1969 në kujtim të Avni Rustemit. (Libri “Avni Rustemi” faqe 18).

 

Vendi i Lekës;13.06.2020

Aleksandër Meksi: E vërteta e takimit Berisha-Nano, në Trieste dhe çfarë ndodhi në të

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi tregon detaje të takimit të shumëpërfolur të Triestes, në shkurt të vitit 1992. Takimi në të cilin ishte i pranishëm kreu i atëhershëm i PD-së, Sali Berisha, kreu i PS-së, Fatos Nano, Mentor Çoku, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Myslimanë në Itali, dhe vetë ish-kryeministri Meksi, është diskutuar shpesh në media dhe opinion, madje është hedhur hipoteza se gjatë tij është arritur një marrëveshje e fshehtë për rotacionin e pushtetit.

Ish-kryeministri i qeverisë së parë demokratike e hedh poshtë në mënyrë kategorike arritjen e një marrëveshjeje të tillë në atë takim. Ai kujton me detaje se çfarë është diskutuar në takimin e 21 shkurtit. Duke iu referuar kësaj hipoteze që “mbin” herë pas here në media, Meksi thotë se “në Shqipëri gënjeshtra besohet dhe e vërteta duhet të provohet”.

Rrëfimi i Aleksandër Meksit për takimin e Triestes

Kemi qenë në Trieste më 21 shkurt 1992 me ndërmjetësinë e Mentor Çokut, që në atë kohë ishte kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Myslimanë në Itali. 

Një person i arratisur menjëherë pas luftës, që siç rezultoi më vonë kishte miqësi me tim atë dhe dajallarët e mi. Ne morëm pjesë në një simpozium të organizuar nga Partia Socialiste italiane.

Kemi mbërritur dhe na priste me makinë një djalë nga Tirana, Ylli Jasaj, i familjes Jasa që e kanë pasur shtëpinë diku pranë Ministrisë së Jashtme dhe unë e mbaj mend se atje është gjetur një mozaik, pra kam shkuar në atë shtëpi. 

Na futën në një hotel dhe jemi ulur menjëherë për të ngrënë darkë. Jemi ulur menjëherë për të ngrënë darkë dhe ka edhe fotografi. 

Ai ka botuar fotografi të asaj darke që ka vazhduar disa orë deri vonë natën, pastaj kemi dalë duke ecur në rrugë. Unë nuk e di të jetë bërë ndonjë marrëveshje dhe s’ka si të mos e dija nëse do të kishte marrëveshje. Në tavolinë janë bërë lloj muhabetesh lidhur me gjendjen e Shqipërisë dhe zgjedhjet në Shqipëri etj. 

Dihej që pas një muaji ishin zgjedhjet. Unë po ju dërgoj një fotografi ku jemi të ulur në një anë, siç ishte zakoni dhe vazhdon të jetë: nuk ulen kundërshtarët në të njëjtin vend. Jam unë megjithë Saliun dhe mbrapa nesh është profesor Mentor Çoku. 

Foli më gjatë Saliu, më pak Fatosi. Nuk u tregua ndonjë interes për atë fjalë që mbajti Fatosi apo një person te pala që ishte opozita dhe që synonte të merrte pushtetin, pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri. Mbaroi ajo dhe ne jemi nisur për në Milano. 

Në aeroportin e Triestes, unë, Mentor Çoku, Sali Berisha, dhe jemi ndarë nga Mentor Çoku në aeroport. Para se të ndaheshim, u largua për pak minuta Sali Berisha dhe biseduam vetëm për vetëm me të dhe dha një ndihmë për Partinë Demokratike. 

Unë doja që të ishte e njëjta gjë dhe ai tregoi se kishte më shumë besim te unë, por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Unë e kam pritur dhe herë të tjera në Shqipëri, më shumë si mik sesa si kryeministër. 

Ai pati ndërhyrë dhe në Libi, ku na siguroi dy ngarkesa nga 20 mijë tonë naftë, por që u refuzuan për shkak të aleatëve tanë që nuk deshën. Kemi qeshur atëherë sepse i thashë se djali i Gedafit dhe vetë Gedafi kanë aksione te Juventusi.

Mentor Çoku ndihmoi që një nga ministrat tanë, zoti Xhaja, shkoi me delegacion dhe u prit mirë nga Gedafi. Ndërkohë, dha dhe një ndihmë prej 2 ngarkesash nga 20 mijë tonë naftë, të cilat nuk i morëm sepse aleatët tanë të mëdhenj thanë se nuk duhej të merrnim ndihma nga një person që ishte negativ për botën demokratike.

Po flas për fjalët e përgjithshme që tha Berisha. Ishin mbi nevojën e përmbysjes reale të komunizmit në Shqipëri, mbi ngritjen e një partie opozitare antikomuniste që synonte të merrte pushtetin dhe të kryente reforma politike të demokratizimit të vendit dhe të respektimit të të drejtave të njeriut dhe reformat ekonomike të tregut të lirë. 

Këto ishin në përgjithësi dhe bindja siç e kemi zakon ne shqiptarët që “ne do t’i fitojmë zgjedhjet”, të njëjtën gjë thoshte dhe Fatosi. Është për të ardhur keq që disa herë ky muhabet është bërë në Shqipëri, thuaj sa të duash të vërtetën, mbetet lapidare një thënie e imja se në Shqipëri gënjeshtra besohet dhe e vërteta duhet të provohet. 

Nxorrën një fotografi ku kemi dalë në rrugë ne, atje të katërt, Çoku, Sali dhe unë megjithë Fatosin. Quajtën Sulo Gradeci Çokun dhe kemi qenë në ’88-n në mënyrë të fshehtë në Itali. 

Është shumë e vështirë sepse ata që janë në dijeni nuk flasin apo flasin në mënyrë të përgjithshme, dhe ata që nuk dinë thonë çfarë ju volit dhe çfarë kanë dëgjuar, nuk kanë qenë të pranishëm. Unë dëgjova në një intervistë të Ylli Jasës, edhe ishte habitur që folën për sende që nuk u folën kurrë atje. / dita

Historia rrëqethëse e Qerime Bomes – Tregon e bija Çiljeta Bome

 

Historia rrëqethëse e Qerime Bomes, e burgosur nga regjimi komunist ditën që lindi vajzën. Me gjak e gjinjtë që i kullonin qumësht, e mbajtën në qeli për ta dënuar me 15 vjet heqje lirie, vetëm se ishte e bija e Ramo Bomes, aktivist i Ballit Kombëtar, i arratisur në SHBA me Mid’hat Frashërin

 

Çiljeta Bome me gjyshen që e rriti

Të gjithë kemi historitë tona të vogla që nënat na i kanë treguar për ditën e lindjes, por Çiljeta Bome, mund ta quajë pa frikë ditën e saj të lindjes, si ditën më ogurzezë për nënën e saj, Qerime Bome. Ishte viti 1972 në Shqipërinë komuniste. Pikërisht atë ditë kur duhej të gëzohej, për sjelljen në jetë të vajzës së saj, Qerimja u mor përdhunshëm nga shtrati i spitalit nga sigurimi i shtetit dhe u dërgua në qeli, duke mos i dhënë mundësinë të ushqente me gji foshnjen e saj. Edhe pse lehonë, regjimi komunist nuk e kurseu, por e torturoi në  mënyrën më çnjerëzore dhe e dënoi pa bërë asnjë krim.

 

Qerime Bome

Çiljeta nuk e ndjeu dashurinë e nënës në vitet e para të jetës së saj, por e ka ndjerë dhimbjen e saj deri në palcë. Ajo do që ta ndajë këtë histori me të tjerët, si një kujtesë për vuajtjet e nënës së saj e nënave e vajzave të tjera, në atë regjim të egër.

Dëshminë e saj, duke iu referuar tregimeve të nënës, ajo e publikoi për kujto.al, arkivën online të krimeve të komunizmit, dhe vjen i plotë më poshtë:

“Historia e nënës time është nga më tragjiket e kohës së regjimit diktatorial. Të gjithë të persekutuarit meritojnë respekt për vuajtjet e tyre, por kjo e nënës time është më tepër se e dhimbshme.

Nëna ime, Qerime Bome rrjedh nga një familje e ndershme, atdhetare kolonjare! Babai i Qerimes (Ramadan Bome) ishte një tregtar kolonjar, atdhetar, nacionalist, por regjimi komunist pas 1944, i bën gjyqin në mungesë dhe e dënon me vdekje si armik, tradhëtar. Gjyshi shkon në Amerikë dhe aty ka qenë gjithmonë i aktivizuar tek Vatra, sepse ishte mik dhe shok besnik i Mid’hat Frashërit.

Këto m’i ka treguar gjyshja ime Selvi Bome, që më ka rritur. Aty fillon kalvari i vuajtjeve të familjes Bome. Gjyshja me shtatë vajzat që mbetën pas, u internuan dhe iu konfiskua e gjithë pasuria. Familja kryen dënimin në internim me tela në 1945-1950 dhe kur mbaron internimin, me ndihmën e disa kolonjarëve të njohur, familja vendoset në një lagje në Tiranë, me qera. Vajzat martohen dhe mami im, si më e vogla, qëndron me gjyshen. Mami im njihet me babin tim, i cili kishte ardhur nga Gostivari, ishte student muzike. Mami ka mbaruar degën për pikturë dhe arti i ka bashkuar të dy. Këtu fillon lufta akoma më e ashpër. Mami martohet me babain, Daut Mustafai, por pa celebrim, sepse babai ishte nënshtetas i huaj.

Çiljeta Bome bebe

Pas martese i japin një hyrje në Lushnje, sepse u hap një artistike atje dhe mamin tim e vendosën të bëhej shefe e prodhimit, të mësonte punëtoret. Në 1972, erdhi koha që do lindja unë, mamaja ishte në muajin e nëntë të shtatzanisë dhe kishte ardhur tek gjyshja në Tiranë, që të lindte. Kur po priste që të vinte babai ta merrte e ta çonte në maternitet, mëson se atë e kishte arrestuar sigurimi disa ditë më parë në tren, duke ardhur për Tiranë. Kishin arrestuar Dautin si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, nipin Robert Burimi, tezen Afërdita Hajrullai (Bome), ca kushërinj e farefis që nuk dua t’i lëndoj duke i përmendur.

Në fund, kur Qerimeja (mamaja) paraqitet në maternitet të lindë, vjen sigurimi i shtetit dhe i thotë: Kemi një pyetje për ty, dhe e marrin mamin në hetuesi. Aty asaj i fillojnë krizat e lindjes, pak presion, frika, dhe pas shumë ore krize, vendosin ta çojnë në maternitet për të lindur. Por sigurimi e priste jashtë dyerve të spitalit. Pas një lindjeje të vështirë, mamin e marrin ashtu me gjak nëpër këmbë dhe me gjinj të fryrë nga qumështi dhe e fusin përsëri në qeli, në hetuesi. Siç më tregonte ajo, vetëm në një qeli 1 metër katrorë të errët, ku kishte vetëm një dritare të vogël shumë lart.

Aty në qeli, vinte doktori dhe i lidhte gjoksin mamit për t’i hequr qumështin nga gjiri. Mamaja më ka thënë që muret e qelisë ishin lyer me qumështin e saj… një tmerr i paimagjinuar për një grua lehonë. Aty vinte hetuesja Dolorez Velaj dhe hetuesi Helam Gjika dhe e akuzonin; Ti je armike, ke dashur të përmbysësh pushtetin popullor, kemi fakte për këto. Kjo Dolorezi ia ka tërhequr flokët nënës nëpër qeli, duke i thënë fjalë fyese. Helami, hetuesi e provokonte duke i thënë: kemi burrin tuaj këtu, nipin, motrën dhe ata pohojnë se ti je shkaktare e burgut të tyre. Çfarë nuk i kanë ngarkuar përsipër në hetuesi. Në ballafaqim me Dautin (babin), i cili qe mbuluar në gjak, ai i pëshpërit mamit në vesh: “Më fal Qerime në kam thënë diçka, shpirti ma di, siç më shikon, çfarë kam hequr”. I nxjerri, nipin, Robertin, asokohe fëmijë rreth 18 vjeç, që mezi rrinte në këmbë, pastaj i nxjerrin dhe motrën Afërditën.

Mami u shkatërrua psikologjikisht kur i pa njerëzit e vet e bërtiti; “Lironi Afërditën se është me diabet, ma kaloni mua dënimin e saj”. Aty Qerimeja mori veten dhe tha: “Ju jeni kriminela, nuk kam bërë politikë deri tani, po tani po më mbushet mendja që ju jeni kafshë, vrasës, kriminelë. Poshtë ju të gjithë dhe do e firmos aktakuzën, se ju urrej deri në vdekje.” I japin një laps e letër të firmosë dhe ajo thyen majën e lapsit me forcë (ata e kuptuan mesazhin e thyerjes se lapsit). E pyetën se si do e quante foshnjes e saj të sapolindur dhe ajo tha: Ju më mbyllët jetën në moshë të re, ndaj unë do e quaj fëminë tim Çil Jetë – Çiljeta.

Qerimeja u dënua me 15 vjet si kryetare e grupit armiqësor me gjyq ushtarak. Tezja, nipi, e babi kryen nga 5 vjet burg secili. Unë qëndrova në maternitet nja dy muaj dhe erdhi gjyshja, firmosi dhe më mori. Një doktor aty,  e lajmëroi gjyshen; hajdeni merrni foshnjen se është bërë një plan për ta zhdukur dhe s’keni për ta gjetur më. Qerimeja u dërgua në burgun e Qytetit Stalin si fillim, pastaj në Kosovë Elbasan në repartin 318.  Aty ishte dhe tezja, Afërdita. Babi im, Dauti ka qenë në burgun e Burrelit, nipi po ashtu.

Mami im doli në vitin 1983 me dekret të veçantë, se amnistia nuk e zuri, pasi unë dhe gjyshja nuk lamë letra pa bërë. Unë dhe gjyshja që më rriti, mbetëm dyerve të burgjeve, sa në Kosovë, Elbasan dhe në Burrel. Qerimeja ka pasur një sjellje të shkëlqyer në burg, shoqërohej me gratë ruse të dënuara, pasi ajo më ka thënë “kishe ç’mësoje prej tyre”. Mami ka qenë shumë shoqe (motër) me Nadjeshda Sidorovën në burg.

Mami im ka vdekur në 1992, nga një sëmundje e rëndë, ishin pasojat e burgut. Babi po ashtu, ka vdekur pak vite më vonë, në 1997. Të dy shumë të rinj. Unë u rrita si u rrita, ku me bukë e ku pa bukë, se gjyshja s’kishte pension.

Ishim të terrorizuar, gjithmonë kontrolloheshim nga ata të frontit dhe të degës. Mua gjithmonë më thërrisnin reaksionare, kjo fjalë më është ngulitur në kokë. Ne fëmijët e të persekutuarve kërkojme drejtësi morale, që shpirti i atyre që ikën nga kjo jetë me kaq dhimbje, të qetësohet, të prehet në paqe. E kemi për detyrë t’i tregojmë më të rinjve se çfarë i bëri terrori diktatorial, çfarë i bëri intelegjencës shqiptare diktatura terroriste bolshevike”.  /kujto.al

Beteja e Kosovës, viti 1389, dhe Shqiptarët – Nga Qerim Dalipi, historian

Burimet e kohës që ruhen në arkiva, kisha dhe biblioteka japin të dhëna krejtësisht të tjera nga ato që na i afron historiografia serbe.

Historiografia serbe vazhdimisht është përpjekur dhe po përpiqet që Kosovën gjatë sundimit të Nemanjidëve (fundi i shek. XII deri në vitin 1371) dhe në përgjithësi në periudhën para sundimit osman, ta paraqesë të banuar vetëm nga serbët. Pretendimeve të këtilla tendencioze një përgjigje të merituar shkencore u ka dhënë medievisti ynë J. Drançolli, i cili thekson: “Burimet e kohës që ruhen në arkiva, kisha dhe biblioteka japin të dhëna krejtësisht të tjera nga ato që na i afron historiografia serbe”. Para se t`i paraqesim këto të dhëna, vlen të përmendet një konkludim shumë i qëlluar i studiuesit francez A. Dyselje, i cili pranon se Kosova gjatë shek. XIII-XIV ka qenë qendra ekonomike dhe politike e mbretërisë mesjetare serbe, por në mënyrë shkencore vëren se vendosja e një qendre të pushtetit politik dhe ekonomik në një territor të caktuar nuk garanton aspak, veçanërisht në mesjetë, karakterin etnik sundues të atyre që e kanë pushtetin politik. Në këtë mënyrë, ai merr shembull despotatin e vogël “serb” të Serit në Greqinë Veriore, i cili mundi të sundonte nga viti 1355 deri më 1371 një popullsi, pjesa më e madhe e së cilës ishte greke.

Prania e popullsisë serbe në Kosovë sipas burimeve të shkruara dëshmohet që në shek. XI, ndërsa në një farë mase fillon të shtohet në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII, atëherë kur Kosova hyri në kuadrin e Shtetit të Nemanjidëve. Një rritje e dukshme e popullsisë serbe në Kosovë, pa dyshim, bëhet atëherë kur Serbia fitoi statusin e Perandorisë. Në atë periudhë kohore, popullsia e viseve veriore serbe filloi të depërtojë me të madhe në drejtim të jugut, pra edhe të Kosovës. Në çfarë raporti arriti ajo ndaj popullsisë vendase arbërore, nuk mund të thuhet kurrgjë.

Të dhënat burimore, po ashtu dëshmojnë se arbërit gjatë gjithë mesjetës vazhduan të jetojnë në trevat e tyre autoktone të Kosovës. Kjo provohet nga vetë dokumentet qirilike të shek. XIII-XIV, në të cilat, krahas antroponimeve shumicë serbe, hasen në masë të konsiderueshme edhe asi të pastra arbërore, si dhe arbërore të sllavizuara. Kur jemi te të dhënat burimore qirilike, vlen të përmendet se në to hasen edhe familje të përziera në aspektin antroponomik. Kështu p.sh., sipas një të dhëne që i përket viteve 1293-1302, mësojmë se në vendin Ship të Klinës, në mesin e banorëve të tij është edhe Dobrosllavi, bir i Gjinit. Rast të njëjtë hasim edhe në krisobulën e manastirit të Deçanit (1330) ku thuhet: “Gjoni dhe djemtë e tij, Radosllavi dhe Bogosllavi”. Nga të dy rastet shihet qartë se prindërit mbanin emra arbërorë, kurse djemtë e tyre emra sllavë (serbë), respektivisht emrin e serbit ka mundur ta mbajë edhe arbëri. Duke marrë parasysh faktin se pushteti politiko-kishtar ishte në duart e klasës politike-kishtare serbe, atëherë, lirisht mund të thuhet se arbërit plotësisht u janë nënshtruar formave të diskriminimit, me të vetmin qëllim që t`i sundonin më lehtë dhe tek e fundit nëpërmes antroponimisë së imponuar sllave t`i identifikonin si sllavë. Prandaj, antroponimia e tyre në masë të konsiderueshme u humb në atë sllave (serbe).

Prania e etnosit arbëror provohet edhe nga burimet latine, përkatësisht raguzane. Kështu, më 1369, përmenden tre tregtarë prizrenas që i kishin borxh Raguzës, dhe sipas emrave që mbanin (Liepur-Lepur, Lumasius-Lumi dhe Jovanich-Gjon) na dalin arbërorë. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe Dhimitër Drançin dhe presbit Gjinin nga Novobërda, të cilët më 1382 mbanin lidhje afariste me Raguzën. Prania e arbërve në Kosovë gjatë feudalizmit të zhvilluar, mund të shpjegohet edhe me disa shembuj nga sfera e toponimeve të përkatësisë arbërore. Vend të rëndësishëm në këtë drejtim zënë toponimet: Unjemir (Ujmiri i sotëm), Lloçan dhe fshati Arbanas. Në krisobulën e Stefan Dushanit të vititi 1348 (mbi themelimin e manastirit të shenjëtorëve Mihal e Gabriel në Prizren), zihen në gojë edhe një sërë fshatrash arbërorë: Gjinovci, Magjerci, Peggogllavci, Flokovci, Çruca, Çaparçi, Gonovci, Shpinadinci dhe Novaci, e mbi të gjitha aty arbërit përmenden me emrin e tyre etnik. Ky fakt jo vetëm që dëshmon praninë e popullsisë arbërore në Kosovë, por njëkohësisht, në aspektin juridik, atë e paraqet të nivelizuar me popullsinë serbe. Jo rastësisht shkurtazi përmendëm praninë e arbërve në Kosovë, sepse pikërisht në territorin e tyre u zhvillua beteja e famshme e Kosovës (15, përkatësisht 28 qershor 1389).

Beteja e Kosovës ishte një nga përpjekjet më të vendosura të popujve ballkanikë, për ta ndaluar ekspansionin e mëtejmë osman në Gadishullin Ballkanik. Për ta aritur këtë qëllim ata bashkuan forcat e tyre në një koalicion të përbashkët, të cilit i printe sundimtari serb Lazar Hreblanoviç dhe vendosën t`i bënin ballë ushtrisë osmane, e cila udhëhiqej nga vetë Sulltan Murati I dhe djemtë e tij, Bajaziti dhe Jakupi. Përgatitjet serioze, numri i madh i ushtarëve të ushtrive kundërshtare, rrjedhat e betejës, rezultatet dhe pasojat, kontribuan që ajo të hyjë në analet historike dhe njëkohësisht të shërbejë si motiv për krijimin e njërit nga ciklet më të mëdha dhe më të bukura të epit ballkanik. Në fushatën e tyre për pushtimin e brendisë së Gadishullit Ballkanik, ushtritë osmane të kryesuara nga Sulltan Murati, më 1386, depërtuan në Serbi, ku pushtuan Nishin. Më pas, te Ploçniku (sot fshat pranë Prokuples), Murati u ndodh përpara sundimtarit të Serbisë, Lazarit. Ky i fundit nuk guxoi të konfrontohej në një betejë të hapur me Sulltanin, por i premtoi Muratit dhënien e një tributi, si dhe një trupe ndihmëse ushtarake prej 1000 vetësh, mirëpo shumë shpejt hoqi dorë nga premtimi i dhënë.

Në këtë kohë edhe Shteti i Balshajve kalonte qaste të vështira. Në të vërtetë për shkak të veçantisë së brendshme feudale dhe nën sulme të vazhdueshme osmane, ku për pasojë territori i Gjergjit II Balsha u ngushtua bukur shumë (përfshinte vetëm Shkodrën, Drishtin, Ulqinin dhe Tivarin), dhe për të mos humbur krejtësisht zotërimet e mbetura, ai pranoi që të hynte nën vasalitetin osman. Sipas Orbinit, kjo u bë në vitin 1386, respektivisht para 27 janarit të vitit të njëjtë, sepse po të ishte në këtë kohë në armiqësi me osmanët, Gjergji nuk do të mund t`u siguronte liri tregtarëve raguzanë në trevat e tij. Nga ana tjetër mospërmendja e osmanëve nga ana e Gjergjit, lë vend për t’u konkluduar se ai e kishte pranuar sovranitetin osman vetëm formalisht. Duket se, për të hequr qafe sovranitetin formal osman, Gjergji planifikoi t’u jepte atyre një godtije vendimtare. Në këtë drejtim, përderisa në njërën anë i nxiti dhe u premtoi ndihmë osmanëve kundër Bosnjës (me mbretin e së cilës, Tvërtkon, deri atëherë ishte në marrëdhënie të këqija), në anën tjetër fshehurazi vuri në lëvizje planin e dëshiruar antiosman, duke u afruar me vjehërrin e tij Lazar Hreblanoviqin dhe me Tvërtkon. Njëkohësisht, planet e tij duhet t’i jenë bërë të njohura edhe Raguzës, për arsye se më 23 gusht 1388, aty u ndodh i deleguari i Gjergjit, Gjoni, i cili siç thuhet “erdhi për shkak të bisedimeve me osmanët, për të mirën tonë”.

Planet antiosmane arriti t’i konkretizojë në verë të vitit 1388. Forcat osmane, nën komandën e Lala Shahinit, që në këtë kohë depërtuan në Bosnjë, u thyen rëndë nga forcat aleate të Tvërtkos, Gjergjit II Balshës dhe Lazarit. Në këtë disfatë të osmanëve, rolin udhëheqës e kishte pasur Gjergji, sepse, siç pohon Bitlisi, ai ishte bërë shkak për vrasjen e 10 deri 15 mijë luftëtarëve. Pas kësaj disfate të osmanëve, Gjergji duhet të ketë hequr qafe sovranitetin formal osman, sepse Neshriu, duke përshkruar rrethanat që sollën në konfliktin e Bosnjës, Gjergjin II Balshën e cilësonte “të nënshtruar të sulltanit”, kurse Bitlisi, duke përshkruar përgatitjet e pjesëmarrësve udhëheqës të Koalicionit ballkanik për ditën e mynxyrës së Kosovës (1389), e radhitëte atë në mesin e “banditëve” dhe të “pafeve”. Mospërmbushja e detyrimeve nga ana e Lazarit, disfata në Bileqe të Bosnjës dhe roli vendimtar i Gjergjit II Balshës në atë disfatë që iu shkaktua osmanëve, u bë, siç thotë kronisti osman Idris Bitlisi, “e domosdoshme dhe detyrë ndaj vullnetit perandorak që të përgatiteshin për të vënë në vend nderin e ushtarëve të vrarë dhe të likuidonin intrigat dhe ngatërresat e kokëfortëve”. Pra, siç mund të shihet, parapërgatitjet që u paralajmëruan nuk kishin për qëllim që në një betejë vendimtare të thyenin vetëm qëndresën e sundimtarit serb Lazarit, siç pretendon historiografia serbe, por, në fakt synohej që të thyheshin sundimtarët ballkanikë.
Përgatitjet e osmanëve në krye me Sulltan Muratin, për një ndeshje vendimtare me sundimtarët ballkanikë, sipas të gjitha gjasave kishin filluar që në fund të vitit 1388. Murati dha urdhër perandorak, ku u bënte thirrje komandantëve të Anadollit dhe të Rumelisë, respektivisht të gjithë bejlerbejve të vilajeteve, djemve të tij, Bajazitit dhe Jakupit, disa princave nga Azia e Vogël, si dhe sundimtarëve të krishterë, të cilët kishin pranuar vasalitetin ndaj shtetit osman, që me forcat e tyre të mblidheshin dhe të drejtoheshin për t’i mposhtur sundimtarët ballkanikë. Përveç të sipërpërmendurve, Sulltanit i erdhi ndihmë “edhe nga persët edhe nga arabët”, dhe në këtë mënyrë u krijua një ushtri e madhe në krye të së cilës qëndronin Sulltan Murati dhe dy djemtë e tij, Bajaziti dhe Jakupi. Përmendëm pjesëmarrjen e këtij spektri të gjerë forcash në kuadër të ushtrisë osmane, nga shkaku se në historiografinë serbe, jo vetëm që anashkalohet kjo e vërtetë, por nga ana tjetër synohet që të minimizohet Koalicioni ballkanik, duke theksuar se ”lajmet e mëvonshme osmane janë krejtësisht fantastike, ku, sipas të cilave, Lazarin e ndihmuan edhe… arbërit, vllehët dhe hungarezët”, dhe gjithnjë sipas tyre, “duhej ta paraqitnin fitoren osmane sa më të rëndë dhe sa më të rëndësishme”. Po të kishte qenë me të vërtetë ashtu, atëherë kronistët osmanë nuk do të përshkruanin edhe spektrin e gjerë të ushtrisë osmane /duke përmendur si pjesëtarë të saj edhe turqit nga principatat selxhuke të Kastamonisë dhe të Karamanisë, të cilat hynë nën mbrojtjen e Sulltan Muratit vetëm formalisht (1387), ngase ato edhe më tej ruajtën autonominë e tyre, dhe madje gjatë shek.XV u gjendën në luftë me shtetin osman, përderisa u pushtuan prej tij; si dhe ndihmën që i erdhi asaj nga persët dhe arabët, por do të kënaqeshin me përshkrimin e pjesëmarrësve të Koalicionit ballkanik.

Me qëllim që ta kishin më të lehtë këtë fushatë, forcat e mbledhura të ushtrisë osmane mendonin që atë ta nisnin në pranverë, prandaj dimrin e kaluan në Pllovdiv të Bullgarisë. Përgatitjet e Muratit i shqetësuan dhe i vunë në lëvizje sundimtarët e vendeve të ndryshme të Ballkanit. Për t`i bërë ballë rrezikut, zotërit e tyre lanë mënjanë grindjet dhe konfliktet e vjetra dhe formuan një koalicion nën kryesinë e sundimtrit serb, Lazar Hreblanoviçit. Gjergji II Balsha, i cili që prej kohësh e kishte ndjerë rrezikun osman, siç duket shumë kohë përpara Betejës së Kosovës, d.m.th. qysh në vitin 1388, ishte angazhuar në përgatitjen e koalicionit antiosman. Vitin në fjalë, atë së bashku me Vuk Brankoviqin, i ndeshim te vjehërri i tyre Lazari. Prandaj, sipas kësaj të dhëne mund të dyshohet se ata u morën vesh për një aksion të përbashkët kundër osmanëve.

Pjesëtarët e Koalicionit patën kohë të mjaftueshme për t`u përgatitur dhe për t`u mbledhur në momentin e duhur. Kjo dëshmohet nga vetë kronistët osmanë, të cilët flasin mbi traktativat diplomatike ndërmjet të të deleguarve të Muratit dhe udhëheqësit të Koalicionit, Lazarit, ku preken çështjet për zgjidhjen e konfliktit të tyre dhe ku njëkohësisht mësohet për përgatitjet ushtarake të palëve kundërshtare. S`ka dyshim se një rol udhëheqës në përgatitjen e Koalicionit ballkanik patën edhe arbërit. Në këshillimin për mënyrën e strategjisë së luftës (të cilën do ta zbatonin sundimtarët ballkanikë kundër osmanëve) të zhvilluar në prag të betejës, jo rastësisht kaloi propozimi i Jorgjit (Gjergj Kastriotit- gjyshi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), që konflikti me osmanët të zhvillohej ditën dhe jo natën, siç kishte propozuar udhëheqësi i Koalicionit, Lazari. Jo vetëm që gjykimi i tij qe i drejtë, por edhe miratimi i propozimit të tij në mënyrë unanime nga sundimtarët pjesëmarrës (duke përfshirë këtu edhe vetë Lazarin), është një dëshmi tjetër se sa autoritativ kishte qenë ai në mesin e pjesëmarrësve të Koalicionit, aq më tepër kur dihet se kishte një forcë të rëndësishme ushtarake.

Le të ndalemi tani pak në çështjen e dilemave që ekzistojnë në historiografi lidhur me identifikimin e Jorgjit dhe me numrat e ushtarëve të ushtrive kundërshtare. Disa studiues Jorgjin e identifikojnë si Gjergji II Balsha, kurse disa studiues të tjerë si Gjergj Kastrioti. Ne konsiderojmë se mund të mbështetet qëndrimi i dytë, ngase kronistët osmanë Gjergjin II Balshën e cilësuan “Sundimtar të Shkodrës Arbërore”, por pa i shtuar këtij emërtimi emrin e tij, me ç’ka u la vend për t’u kuptuar se nuk bëhet fjalë për Gjergjin II Balshën, por për Gjergj Kastriotin. Po ashtu duhet shtuar se disa studiues kanë shprehur mendimin se gjyshi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Gjergji, do të jetë quajtur Gjon, kurse studiues të tjerë duke u mbështetur në njoftimet e Gjon Muzakës, se i ati i Skënderbeut quhej Pal, përcaktohen për këtë emër. Ndërsa lidhur me numrat e ushtarëve të ushtrive kundërshtare në burimet osmane dhe në ato serbe ata janë tepër të ekzagjeruara, ku për pasojë në shkencën historiografike janë paraqitur mendime të ndryshme. Ne konsiderojmë si më të pranueshëm konkludimin e studiuesit P. Thëngjillit, i cili duke analizuar këtë fenomen ka ardhur në përfundim se numri prej 20000-25000 ushtarësh në anën serbe (Koalicionit) dhe prej 30000-40000 ushtarësh në anën osmane, i paraqitur nga studiuesit serbë, me qëllim që të minimizohet Koalicioni ballkanik, është tepër i zvogëluar. Studiuesi në fjalë ka lënë vend që të kuptohet se duhet mbështetur numra më të mëdhenj, nga ata që na i ofrojnë studiuesit serbë. Kurse ne konsiderojmë se numrat në fjalë duhet zmadhuar edhe ca, ngase njëri nga kronistët osman, siç është Oruçi, duket se është më afër realitetit. Ai thekson: “Ai (Sulltani-Q.D.) me pesëdhjetë-gjashtëdhjetëmijë ushtarë shkoi dhe doli në fushën e Kosovës”).

Pas trajtimit të dilemave në fjalë i rikthehemi vazhdimit të problematikës së sipërpërmendur, gjegjësisht rolit udhëheqës që patën arbërit në përgtitjen e Koalicionit ballkanik. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe rolin e rëndësishëm të princit nga Kosova, Milosh Kopiliqit (kronisti osman Enveri, Milosh Kopiliqin e përmend me titujt: “Princ” dhe “Ban”; humanisti raguzan Feliks Petançi, “Princ Ilir”; humanisti arbëror nga Kosova, ipeshkvi i Ulqinit, Martin Seguni, “Baron”; arqipeshkvi i Tivarit, Andrea, “Ban”; kurse humanisti ynë Marin Beçikemi e vë atë në cilësinë e “Perandorit të Mizisë”), i cili për kryezot kishte Vuk Brankoviqin. Se sa personalitet me peshë kishte qenë ai në radhët e krerëve të Koalicionit, vërtetohet nga një e dhënë e Enverit, ku thuhet: “Lazari i dha Miloshit një gotë me pije duke i thënë – thonë për ty që je bërë tradhtari im…- Miloshi i`u përgjigj – nesër ke për ta parë tradhtarin, ke për të parë nëse jam njeri i drejtë apo tradhtar.- Lazari në atë moment e mori në dorë gotën e dollisë dhe e piu”. Përshkrime afërsisht të ngjashme të këtij momenti na ofrojnë edhe humanistët raguzanë Feliks Petançi, A. Cerva – Tuberoni dhe Mauro Orbini, si dhe humanisti slloven Benedikt Kuripeshi. Ngritja e dollisë nga ana e Lazarit, vetëm atëherë pasi u sigurua për besnikërinë e Kopiliqit, flet qartë se ai ishte një nga princat kryesor të Koalicionit, dhe një prestigj të tillë e kishte arritur, padyshim, pasi që ishte përfaqësuar me një forcë të rëndësishme ushtarake.

Po pse u vendos që beteja të zhvillohej pikërisht në fushën e Kosovës? Rrethanat e karakterit ushtarak e strategjik, si dhe fakti se agresioni osman tashmë i kërcënonte drejtpërsëdrejti trevat e Ballkanit Qendror, bënë që beteja të zhvillohej në Kosovë, në afërsi të Prishtinës, në një rajon ku mund të organizoheshin më mirë ushtritë e shteteve feudale ballkanike, por që ishte njëkohësisht një pikë ku kryqëzoheshin rrugët nga mund të depërtonin më tutje osmanët. Në rrethana të këtilla, ushtritë e Koalicionit, të kryesuara nga sundimtarët e tyre, në mëngjes të 15, përkatësisht të 28 qershorit 1389 zunë nga një pozicion të veçantë në fushën e Kosovës. Në burimet osmane, të cilat me të drejtë janë cilësuar si shumë më të pasura se burimet serbe e bizantine, dallohen dy grupe kryesore lidhur me pjesëmarrësit në betejë: nga njëri grup, pjesëmarrësit përmenden në mënyrë të papërcaktuar, ku thuhet se krahas ushtrive të Lazarit morën pjesë edhe arbërit, boshnjakët, vllehët, çekët, hungarezët, polakët dhe frëngjit; dhe nga grupi tjetër, pjesëmarrësit përcaktohen drejtpërsëdrejti, si më kryesorë serbët, arbërit dhe boshnjakët, duke i dalluar këta nga forcat e tjera ndihmëse.

Ushtria e Koalicionit u rreshtua në fushën e luftimit, duke pasur në qendër Lazarin, djathtas Vuk Brankoviqin dhe majtas fisnikun boshnjak Vlatko Vukoviqin dhe atë arbëror Dhimitër Jonimën, zotërimet e të cilit shtriheshin në zonën midis Lezhës dhe Rrëshenit, kurse kronisti osman Mehmet Neshriu, e quan atë i biri i Jundit, Dimitri. Përndryshe prijësat e tjerë ballkanikë dhe arbërorë ishin rreshtuar në të dy krahët e ushtrisë së Koalicionit. Nga kjo shihet se ndonjë nga zotërit arbëror (kuptohet jashta trevës së Kosovës) merrte pjesë me forcat e veta pikërisht në krahun e djatht, ndërsa forcat e arbërve të Kosovës, logjikisht ishin në kuadër të forcave të Vukut, dhe shikuar nga këndvështrimi i kritikës historike, pse aty, si vasal i Vukut, me forcat e veta të mos ishte edhe Milosh Kopiliqi. Rreth pjesëmarrjes, apo mospjesëmarrjes së Gjergjit II Balshës në Betejën e Kosovës, është shkruar bukur shumë në historiografi. Studiuesit sllavë kryesisht e mohojnë pjesëmarrjen e tij. Ndërsa, historiografia shqiptare e mbështet në tërësi pjesëmarrjen e tij.

Nëse u besojmë kronikave osmane, atëherë del qartë se ai ka marrë pjesë në betejë. Në të vërtetë, duke marrë parasyshë faktin se Gjergji II Balsha në kronikat osmane cilësohet “Sundimtar i Shkodrës Arbërore” dhe “Sundimtar i Shkodrës së Arbërve”, atëherë, të dhënën që na e ofron Bitlisi lidhur me përgatitjet e pjesëmarrësve të Koalicionit ballkanik për ditën e mynxyrës së Kosovës, në mesin e të cilëve përmend “Sundimtarin e Arbërve”, s’është gjë tjetër, veçse është fjala për Gjergjin II Balshën. Pjesëmarrjen e tij e mbështesin edhe njoftimet e këngëve epike serbe. Sipas tyre, ai i ishte përgjigjur thirrjes së Lazarit për ndihmë, duke shkuar në Kosovë me një ushtri prej 6000 vetësh. Në njërën nga këngët në fjalë madje thuhet se kishte marrë pjesë në betejë “Balsha me trimat e Zetës dhe arbërorët e rreptë”. Në Betejën e Fushë-Kosovës morën pjesë edhe sundimtarë të tjerë të fuqishëm arbërorë, si: sundimtari i Despotatit të Beratit, Theodori II Muzaka, i cili me vete kishte një ushtri të madhe arbërore; zotër të tjerë të Arbërit, në mesin e të cilëve ishin edhe zotër feudal arbërorë të Himarës dhe të Epirit. Arbërit kishin mbushur gjithashtu edhe radhët e shigjetarëve të ushtrisë së Koalicionit, të cilët ishin të parët që filluan betejën.

Sipas kronistëve osmanë, beteja filloi në mëngjes. Të njëjtën gjë e pohon edhe Anonimi nga Firenca, kurse sipas kujtimeve të Konstandin Jeniçerit, ajo filloi të mërkurën dhe përfundoi të premten. Konfrontimi ndërmjet ushtrive kundërshtare qe i ashpër. Pas disa sukseseve fillestare të ushtrisë së Koalicionit, ku ajo theu krahun e majtë të ushtrisë osmane që udhëhiqej nga Jakupi, me ndërhyrjen e Bajazitit që komandonte krahun e djathtë, sukseset ushtarake u kthyen në të mirë të osmanëve, të cilëve përfundimisht u takoi fitorja. Por humbjet në njerëz nga të dy palët ishin të mëdha, saqë, po të hidhej vështrimi, në çdo anë nuk shihej gjë tjetër veçse koka të prera. Në mesin e të rënëve mbetën edhe dy udhëheqësit e betejës, Murati dhe Lazari. Aty u vranë edhe Theodori II Muzaka dhe vrasësi i Sulltanit, Milosh Kopiliqi.

Pas vrasjes së Muratit, Bajaziti u tëhoq për në Edrene me qëllim që ta siguronte marrjen e fronit të zbrazur. Te pjesëmarësit e Koalicionit ballkanik kjo tërheqje krijoi përshtypjen se osmanët u thyen. Kështu, mbreti i Bosnjës, Tvërtko, në letrën e tij të shkruar disa ditë pas betejës (1 gusht 1389) njoftonte qytetin e Trogirit, se ”duke fituar me triumf fushën e luftës, u shaktuam disfatë atyre (osmanëve) … i vramë, saqë nga ata mbetën pak të gjallë”. Lajmi i fitores duket se ishte përhapur me të madhe. Për këtë dëshmojnë: a) Në letrën e datës 20 tetor 1389 që qytet-shteti i Firencës i dërgonte Tvërtkos, (në përgjigje të njoftimit të tij për fitoren mbi osmanët) i bënte të ditur se këtë lajm të gëzuar e dinte që më parë, dhe se atë e kishte marrë përmes zërave të përhapura dhe letrave të shumta. Prandaj e dinte mirë ngjarjen e 15 qershorit, ku në fushë të Kosovës kishte mbetur i vrarë edhe Murati, kurse në atë betejë të lavdishme, fitorja i kishte takuar Mbretërisë; b) Udhëpërshkruesi francez i shek. XIV, Filip de Mezier, në veprën “Ëndrra e Pelerinit të moçëm”, të shkruar në muajin tetor të vitit 1389, theksonte: “Murati… u mposht plotësisht nga të krishterët”. Në fakt, këta ishin përshtypje të gabuara, pasi, siç kemi cekur më lart, fitorja u takoi osmanëve, të cilëve njëherit iu hapën dyert për të depërtuar në pjesët e Ballkanit Veriperëndimor.

Më lart, kalimthi përmendëm se në betejë morën pjesë edhe arbërit e Kosovës. Por, problemi i pjesëmarrjes së tyre në betejë është prekur pak në historiografi, sepse mungojnë të dhënat historike të drejtpërdrejta mbi këtë problematikë. Në qoftë se më lart dëshmuam për praninë e arbërve në Kosovë, atëherë ata nuk do të mund të qëndronin të mënjanuar dhe të mos merrnin pjesë në ngjarjet e mëdha politike-ushtarake të kohës, të zhvilluara në truallin e tyre autokton. Mospërmendja në mënyrë të drejtpërdrejtë në burimet historike e pjesëmarrjes së tyre në betejë, shpjegohet me faktin se autorët e kohës që ishin sllavë, bizantinë e osmanë janë kënaqur me paraqitjen e pjesëmarrjes së formacioneve politike-shoqërore e të sundimtarëve të tyre, kurse, si zakonisht, nuk i kanë marrë parasysh masat popullore. Ajo është mbuluar me paraqitjen e pjesëmarrjes në luftë të sundimtarit serb të Kosovës, Vuk Brankoviqit dhe ushtrisë së tij.

Në favor të këtij vlerësimi, vlen të përmendet e dhëna e Shën Denisit, ku thuhet: ”Mbreti i Kosovës mblodhi një ushtri jo vetëm nga feudalët, por edhe nga popullsia e rëndomtë” d.m.th. arbërore. Përkundër faktit se kronika ka të bëjë me Betejën e Rovinës të vitit 1395, përmendja e pjesëmarrjes së popullsisë vendase në një betejë jashtë territorit të saj, është një sinjal i fortë se popullsia në fjalë do të ketë marrë pjesë edhe më masovikisht (në kuadër të ushtrisë së kryezotit të saj, Vuk Brankoviqit) në Betejën e Kosovës, ngase ajo u zhvillua pikërisht në territorin e saj. Humanisti raguzan Tuberoni, nënshtetasit e Lazarit i quan dardanë, ilirë dhe maqedonas, ndërkaq Lazarin mbret të dardanëve, të cilët gjatë betejës mbroheshin me aq guxim, saqë turqit mezi bënin ballë. S`ka dyshim se është fjala për popullsinë arbërore të Kosovës, që autori e përmend me emrin e saj të vjetër. Se arbërit e Kosovës kishin marrë pjesë masovikisht në betejë, dëshmohet edhe nga një e dhënë tjetër, ”despoti Lazar i Sërbisë, bullgarët … dhe sundimtarë të Arbërit nga Dardania … u mblodhën … u hapën luftë turqve, por Lazari dhe shumë të tjerë humbën jetën në betejë”. Tek e fundit, Filip de Mezier, jorastësisht këtë betejë e vendosi në pjesët e Arbërit, me çka la vend që të kuptohet drejt karakteri etnik arbëror i Kosovës, pasi kuptimi gjeografik, parimisht nuk e mohon kuptimin etnik.

Është e vërtetë se përmes traditës popullore nuk mund të ndërtohet historia, posaçërisht nëse ajo nuk gjen mbështetje në burimet historike. Por, tradita jonë popullore që i kushtohet Betejës së Kosovës, me një kuadër të hollësishëm të ngjarjeve për: organizimin dhe nisjen e ushtrive osmane nga Anadolli, itinerarin e tyre në Ballkan, marshin nëpër Selanik e Shkup dhe arritjen në Fushë-Kosovë; si dhe për zhvillimin e luftimeve, vrasjen e Sulltan Muratit dhe fundin e Miloshit, gjen një mbështetje pikërisht në burimet historike osmane, të cilat poashtu na njoftojnë për këto ngjarje. Prandaj, si e tillë, ajo mund të merret në konsideratë në trajtimin e ngjarjeve për këtë betejë. Pikërisht pjesëmarrjen e arbërve të Kosovës në këtë betejë e dëshmon ekzistenca e këngës së vjetër arbërore – shqiptare mbi Betejën e Kosovës, që në fakt është këngë e popullsisë vendase arbërore të Kosovës, sepse të gjithë botuesit e varianteve të ndryshme të këngës në fjalë, japin shënime të qarta se personat nga të cilët ata i kanë mbledhur këto këngë, që të gjithë janë nga Kosova. Pra kënga lindi në Kosovë, sepse popullsia e saj mori pjesë në betejë. Vargjet e fundit të këngës popullore arbërore – shqiptare flasin për largimin e një pjese të popullsisë arbërore të Kosovës pas disfatës në betejë. “Një çik oms (d.m.th. të ëmës) ça kish pas thon
– Ku po shkojmë mori non?
– Na po ikim prej turku, i ka thon
– E kur vim ko, mori non?
– Kur çartojet turku, sikur na”

Mendojmë se ky emigrim mund të gjejë mbështetje në faktin se, qysh në vitin 1390, në Raguzë tanimë jetonte familja Kopiliqi, aq më tepër kur dihet fakti se përveç ekzistimit të oazave arbërore që jetonin gjatë gjithë mesjetës në pjesën jugore të bregdetit Adriatik gjer në Raguzë, si dhe në prapatokë (pra, edhe në troje të Bosnjës e Hercegovinës, si dhe të Malit të Zi) gjatë shekujve XIV-XV në trojet e përmendura, veçmas në Raguzë, ndeshim shumë mërgimtarë arbërorë, të cilët lëshuan atdheun e tyre për shkaqe të ndryshme. Pjesëmarrja e arbërve të Kosovës në betejë mund të shtrihet deri aty sa të pretendohet me të drejtë e të diskutohet edhe për përkatësinë etnike arbërore të Milosh Kopiliqit, përndryshe hero i Betejës së Kosovës. Emri dhe mbiemri i tij ka zgjuar interes që prej kohësh, që së paku duke e analizuar atë në dritën e të dhënave antroponomike t`i afrohet zgjidhjes së çështjes së përkatësisë së tij etnike. Por, në këtë drejtim, historiani serb i shek. XVIII, P. Julianac, më 1765, nuk zgjodhi kritere (për ta identifikuar atë më lehtë si serb – Q.D.) dhe ia tjetërsoi mbiemrin nga Kopiliq /Kopil(i) ose Kobil(i) më vonë e ka marrë sufiksin sllav Kopil(iq) – Kobil(iq)/ në Kobiliq – Obiliq, term i cili u pranua nga historianët pasardhës të historiografisë serbe.

Përkundër faktit se mbiemri i Miloshit te kronisti osman Ashik Pashazade i shkruar me grafinë osmane, në radhë të parë mund të lexohet si Kopila e pastaj Kobila, studiuesit G. Elezoviq dhe A. Olesnicki, në rastin konkret përcaktohen dhe përdorin variantin Kobila, kuptohet që në bazë të termit serb kobila-pelë, të lihej vend që përkatësia e tij etnike të kërkohej vetëm në mesin e serbëve. Mirëpo, studiuesi K. Jireçek, lidhur me këtë problematikë, që prej kohësh me të drejtë sinjalizonte se në shekullin XVIII emri që rridhte nga pela ishte i pahijshëm, prandaj e tjetërsuan, duke i dhënë për bazë termat (serbë) obilan dhe obilje. Nga ana tjetër, rezultatet shkencore nga fusha e gjuhësisë, megjithatë dëshmojnë origjinën thjeshtë arbërore të emrit dhe mbiemrit të tij. Kështu, prapashtesat osh, ush dhe oshe janë të përhapura sot e kësaj dite në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Edhe rrënja Mil (Mill) lidhet me emrat shqiptarë, si, bie fjala, Mëhill, Mhill, Milo, (humanisti raguzan F. Petançi e përmend Miloshin me emrat: Milon dhe Milo) dhe diç të ngjashme.

Studiuesi ynë E. Çabej duke analizuar përkatësinë gjuhësore të një varg fjalësh pohon: “Një problem më vete përbëjnë disa fjalë që janë të përbashkëta për shqipen, sllavishten ballkanike e rumanishten, pjesërisht dhe për greqishten e re, fjalë të cilat kryesisht me ndërmjetësinë e rumunëve kanë depërtuar edhe në disa gjuhë të tjera, si në çekishten, sllovakishten, polonishten e ukrainishten. Hyjnë aty ndër të tjera: balgë, buzë, gushë, katund dhe kopil”. Studiuesit F. Miklosiq dhe P. Skok mendojnë se bëhet fjalë për term (d.m.th. kopil) me prejardhje shqipe, përkatësisht për një huazim nga shqipja. Në të vërtetë, emri Kopil është shumë i hershëm, dhe në dokumente të shkruara përdoret në krisobulën e Shën Shtjefnit të Banjskës së Kosovës në vitin 1313, kurse si Kipil haset në fshatin Çabiq, i regjistruar në krisobulat e Deçanit. Përndryshe, supozohet se emri Kopil ka prejardhje iliro-thrakase, i cili në gjuhën e vjetër arbërore-shqiptare ka kuptimin e fëmijës të cilit nuk i dihet prindi-babai, ndërsa në gjuhën rumune ka kuptimin e fëmijës. Në këtë drejtim, duket se enigmën e ka zgjidhur studiuesi J. Drançolli, i cili pohon: “Emri Kopil, gjithashtu është një emër me prejardhje thjeshtë shqiptare. Përveç të tjerave, sot në shqipe fjala kopil, ka kuptimin e sythit të mbirë në një rrënjë, trung a në degë të një bime”.

Është e njohur se në traditën mesjetare fshati merrte emrin e zotërisë e së këndejmë fshati Kopiliq i Drenicës, përgjithësisht njihet si vend i Milosh Kopiliqit, aq më tepër kur këtë fshat (përkatësisht Kopiliqin e Epërm dhe Kopiliqin e Poshtëm) e hasim në regjistrin osman të vitit 1455, kushtuar krahinës së Brankoviqëve. Përkatësia thjesht arbërore e heroit të betejës, dëshmohet edhe nga vetë kënga arbërore – shqiptare për Betejën e Kosovës, ku ai del si figurë kryesore e këngës. V. Çajkanoviq duke shpjeguar motivet e këngës arbërore – shqiptare, të botuar nga ana e G. Elezoviqit, e karakterizon atë, “epopeja shqiptare… nuk është gjë tjetër veçse kënga për Miloshin”. Ai më tej shton se gjatë qëndrimit të tij në afërsi të Elbasanit, në rrethanat e luftës ballkanike (1912), i kanë treguar për disa shqiptarë vendas se janë pasardhës të Milosh Kopiliqit. E gjithë kjo, vazhdon më tej ai, tregon se hero Miloshi kishte kultin dhe traditën e tij në mesin e shqiptarëve. Ndërsa M. Gjurgjeviq (shumë kohë përpara këtij të fundit) që qëndronte në Prishtinë si zyrtar austro-hungarez në vitet 60 të shekullit XIX, e ka vlerësuar përshkrimin e Betejës së Kosovës, sipas traditës gojore vendase, si më reale sesa të dhënat e shpjegimit historiografik serb të modifikuara nga prirjet politike shoveniste.

Kënga në fjalë është një poemë me një lëndë origjinale dhe autentike, me tipare të dalluara nga ato të këngëve epike serbe për Betejën e Kosovës. Në të nuk i këndohet knjaz Lazarit ose figurave të tjera të bujarëve feudalë serbë që morën pjesë në betejë, siç ndodhi në epikën serbe. Pavarësisht nga roli pozitiv që luajtën në luftën kundër vërshimit osman, ato mbeteshin të huaja për botën arbërore-shqiptare, e cila epopenë ia kushtoi pikërisht heroit që doli nga gjiri i saj. Në këtë truall, te shqiptarët, paralel me këngën, organikisht jetojnë edhe një sërë legjendash, kujtimesh, toponimesh etj. Sipas legjendës popullore: “Miloshi ka pas lindur në Kopiliqin e Epërm, por më vonë është vendosur në Kopiliqin e Poshtëm”. Pleqtë e Drenicës tregojnë se “Milosh Kopiliqi â kanë prej ktuhit” (Drenicës). Ata vënë një vijë të qartë demarkacioni: “Car Lazari â kanë i serbëve, Milosh Kopiliqi i yni”; “Milosh Kopiliqi â kanë më i madhi kreshnik i shqiptarëve në luftën e Kosovës”. Në Kopiliq të Poshtëm ka vende që quhen: “Te trolli i Miloshit”, “Veneshta e Miloshit”, “Te kisha e Miloshit” etj. Në Sallabajë gjendet “Vorri i Milosh Kopiliqit”. “Miloshi e mbante ushtrinë në pyjet e Çiçavicës e të Kukës” (pyje të Drenicës). “Car Lazari… venin e tij e ka pas kah Kraleva dhe jo në Kosovë”.

Qerim Dalipi
Historian
25-02-2005

Historia e mirditorit që luftoi maleve kundër komunistëve: Plumbin që mora e kam ende dhe sot pas 60 vitesh në mushkëri

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Zef Pren Ndocit me origjinë nga fshati Spaç i Mirditës, familja e të cilit gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pati shumë probleme dhe atyre u’a dogjën kullat, pasi një nga burrat më të dëgjuar të saj që ishte diplomuar në Vienë, shërbente si sekretar dhe këshilltar i Kapidanit të Oroshit, Gjon Markagjonit dhe morri pjesë në kryengritjen e Mirditës në vitin 1921. Shkollimi i Zef Ndocit në Internatin e Oroshit dhe në Shkollën Bujqësore amerikane të Golemit, ku ai pasi denoncoi idetë komuniste që përhapnin nxënësit e asaj shkolle, si Mhill Doçi, Pal Mëlyshi, Rexhep Doda etj., u bashkua me forcat e çetës së Abaz Kupit, duke marrë pjesë në disa luftime që zhvilloi ajo kundër italianëve. Mospranimi i Zefit për t’u larguar nga Shqipëria në nëntorin e ’44-ës me eksponentët e tjerë të Ballit dhe Legalitetit dhe kthimi nga Shkodra në Mirditë, për të organizuar rezistencën antikomuniste në atë krahinë. Qëndimi i tij në malet e Mirditës deri në vitin 1947, duke marrë pjesë në shumë luftime kundra Forcave të Ndjekjes, ku dhe u plagos dy herë prej tyre.  Si pranoi Zefi dhe 100 burra të tjerë mirditorë të dorzoheshin pas një amnistie që dha qeveria komuniste e Tiranës, pasi i kishin vënë dy kushte Bardhok Bibës. Dënimi i Zefit me pushkatim dhe thyerja e burgut të Pukës para se ai të ekzekutohej, dhe arrestimi i tij për herën e dytë, pasi e preu në besë familja nga Gjegjani i Pukës ku ai qëndroi i strehuar, nga ku ai përfundoi burgjeve dhe internimeve deri në vitin 1977.

“Nga mbarimi i Luftës e deri në shtatorin e vitit 1947, unë qëndrova nëpër male me grupet e rezistencës antikomuniste që udhëhiqeshin prej Mark Gjonmarkajt, duke rënë disa herë në përpjekje me repartet e Forcave të Ndjekjes dhe ato të Sigurimit të Shtetit që drejtoheshin prej Kryetarit të Degës së Brendëshme të Mirditës, Bardhok Bibës. Në një nga ato përpjekje të zhvilluar në fshatin Dom afër Gjegjanit, unë u rrethova prej tyre dhe mbeta i plagosur nga një plumb të cilin edhe sot pas 60 vjetësh e kam akoma në mushkëri. Duke mos pasur asnjë rrugëzgjidhje tjetër, në shtatorin e vitit 1947, unë bashkë me 100 burra të tjerë të Mirditës, u dorëzova pas një amnistie të dhënë nga qeveria komuniste e Tiranës”. Kështu e kujtonte periudhën kur ishte në arrati, Zef Pren Ndoci, me origjinë nga fshati Spaç i Mirditës, ish- pjestar dhe komandant i grupeve të rezistencës antikomuniste në vitet 1945-1947, i cili na rrëfente të gjithë historinë e tij, që nga periudha e Luftës kur luftonte në çetën e Abaz Kupit, dhe më pas me Komitetin e Maleve që udhëhiqej nga djemtë e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit.

Mosmarrëveshjet me Mbretin Zog

Zef Ndoci u lind në vitin 1924 në fshatin Spaç të Mirditës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila asokohe kishte tre kulla të mëdha. Më i njohuri i fisit të tyre ishte një nga kushurinjtë e parë të Zefit, i quajtur po me emrin Zef Ndoci, i cili ishte diplomuar në Vjenë të Austrisë dhe shërbente si këshilltar e sekretar i Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit. Pas Kryengritjes së Mirditës në vitin 1921, Zef Ndoci u largua për në Jugosllavi dhe në atë kohë shtëpia e tyre u dogj nga forcat qeveritare, të cilat kishin marrë pjesë në shtypjen e asaj kryengritje irredentiste. Dy vjet më vonë, në vitin 1926, Zef Ndoci u kthye nga Jugosllavia dhe mbeti i vrarë në Orosh të Mirditës, në një përpjekje me forcat qeveritare. Që nga ajo kohë familja Ndoci ra në një armiqësi dhe në mosmarrveshje të vazhdueshme me Ahmet Zogun, të cilat u sheshuan aty nga viti 1928, kur Nikoll Pjetër Ndoci, u vesh si oficer Xhandarmërie me gradën e kapitenit. Në atë detyrë Nikolla shërbeu deri në vitin 1932, kur u vra për probleme hasmërie nga disa persona që ishin kundër Gjonmarkajve. Pas vrasjes së Nikollës, Mbreti Zog dekretoi si oficer (kreshnik) në rezervë, kushëririn e tij, Ndue Pjetër Ndocin dhe që nga ajo kohë, problemet e familjes Ndoci me Mbretin Zog, pothuaj u normalizuan plotësisht. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë e gjithë familja Ndoci njihej si mbështetëse e Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit dhe në prillin e vitit 1939, kur ai mblodhi forcat për të shkuar e luftuar në Durrës, u bashkua me ta me armë në dorë edhe babai i Zefit, Pren Ndoci.

Në çetën e Abaz Kupit

Zef Ndoci mbaroi shkollën unike me bursë shtetërore në Internatin e Oroshit në Mirditë dhe më pas ai ndoqi mësimet në shkollën Teknike-Buqësore Amerikane të Golemit të Kavajës, bashkë me patriotët e tij nga Mirdita, Pal Mëlyshi, Mhill Doçi, Ndue Pjetër Gjomarkaj dhe Rexhep Doda nga Reçi i Peshkopisë. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e tij pas mbarimit të asaj shkolle, Zef Ndoci kujtonte: “Gjatë kohës që isha student në Bujqësoren e Golemit, ashtu si shumë të rinj të asaj kohe, edhe unë u njoha për herë të parë dhe rashë në kontakt me idetë komuniste. Por pasi u njoha mirë me atë doktrinë demagogjike nëpërmjet broshurave të ndryshme që na sillnin nga Tirana, që në mbledhjen e parë të celulës unë u largova duke i denoncuar hapur idetë komuniste. Kjo gjë ka ndodhur aty nga viti 1942 dhe pas marrjes së diplomës në gushtin e atij viti, unë vendosa të bashkohesha me forcat e Abaz Kupit, ku ishte dhe axha im, Ndue Pjetër Ndoci. Atë vendim timin e bërë realitet menjëherë, duke shkuar në fshatin Shënmëri të Krujës, ku ishte Abaz Kupi me shtabin e tij. Që nga ajo kohe e deri në datën 6 maj të vitit 1944, unë kam qenë efektiv i çetës së Abaz Kupit, ku bashkë me axhën tim, kemi marrë pjesë në disa luftime kundra italianëve. Nga ato luftime mund të përmënd ato në fshatin Mallkuç të Krujës, ku na u vra major Marka Jaku nga Kurbini, bashkë me tre të tjerë dhe betejën kundra garnizonit italian të Burrelit më 31 korrik të vitit 1944. Ato luftime të cilat u zhvilluan bashkarisht edhe me forcat partizane, u udhëhoqën nga Abaz Kupi, Bilal Kola, Kurt Sulkurti, Isuf Beg Selmani dhe të tjerë krerë nacionalistë. Më pas unë mora pjesë edhe në betejën e Qaf-Shtamës, ku nën komandën e Abaz Kupit, ne i zumë pritë forcave italiane që u tërhoqën nga Burreli, ku mbeti i vrarë komandanti i tyre me gradën e kolonelit. Pas asaj beteje ne kemi luftuar edhe kundra gjermanëve që erdhën me tre kamionë në Krujë, ku u asgjesuam një pjesë të madhe të tyre. Aty nga fundi i pranverës së vitit 1944, kur forcat partizane nisën operacionet kundra krahinës së Mirditës, Gjon Markagjoni dha kushtrimin që të mblidheshin të gjithë burrat nën armë. Por unë me axhën tim, Ndue Pjetër Ndocin, nuk mundëm që të shkonim në Mirditë, pasi ishim me forcat e Abaz Kupit. Më datën 6 maj të atij viti, xhaxhai im Ndueja, më nisi për në fshatin Gjurë të Matit, ku ishte shtëpia që streohej Cen Elezi me krerët e tjerë nacionalistë dhe oficeret anglezë që ishin atashuar pranë shtabit të Abaz Kupit. Aty në atë shtëpi unë u takova me Abaz Kupin dhe i tregova për kushtrimin që kishte lëshuar Kapidani i Mirditës. Pasi më dëgjoi deri në fund, Abaz Kupi më tha: “Të mblidhni forca dhe të shkoni në Mirditë tek Gjon Markagjoni, për të luftuar në front kundra komunistëve”. Që nga ajo ditë bashkë me axhën tim, Nduen, e disa të tjerë shkuam në Mirditë dhe pasi u takuam me Gjon Markagjonin, morëm pjesë në luftimet kundra forcave partizane që përbëheshin nga Brigada e VI-të, e VII-të dhe e XVII-të, ku luftimet më të ashpëra i bëmë në fshatin Gëziq”, kujtonte Zef Ndoci atë kohë kur luftonte në çetën e Abaz Kupit dhe nën komandën e Gjon Markagjonit, kundra forcave partizane që kishin filluar operacionet për nënshtrimin e Mirditës.

Vrasja e babait të Zefit

Aty nga fundi i shtatorit të vitit 1944, në shtëpinë e Gjon Fushës në fshatin Bulger të Rubikut, u zhvillua një mbledhje e gjatë ku morën pjesë disa nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Legalitetit, Ballit Kombëtar, si dhe të Bllokut Indipendent. Në atë mbledhje ku mori pjesë dhe Zef Ndoci, krerët nacionalistë diskutuan gjatë rreth masave që duhet të merrnin për t’u mbrojtur nga goditjet e partizanëve që kishin nisur një mësymje në shkallë të gjerë kundër tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Zef Ndocin në nënprefekturën e Shpalit të Mirditës, ku pas vrasjes së xhaxhait të tij, Ndue Pjetër Ndocit, ai kishte marrë komandën e forcave në vënd të tij. Lidhur me këtë dhe ngjarjet që rrodhën më pas, Zef Ndoci dëshmonte: “Unë i kisha të gjitha mundësitë që të largohesha nga Shqipëria, ashtu si shumë eksponentë të tjerë nacionalistë, por mendova se lufta kundër komunistëve duhej të zhvillohej vetëm këtu në Shqipëri. Aty nga fillimi i dhjetorit të vitit 1944, kur ndodheshim ende në qytetin e Shkodrës, Mark Gjonmarkaj më ngarkoi si detyrë që të kthehesha në malet e Mirditës, me qëllim që të riorganizonim luftën kundër forcave komuniste. Ndonëse ajo gjë ishte tepër e vështirë dhe krejtësisht e pamundur, unë së bashku me Frrok Mëlyshin, Ndue Gjet Simonin, Ndrec Pren Tucin, Ndue Bajraktarin dhe disa mirditorë të tjerë, u kthyem në Mirditë për të zbatuar detyrën e ngarkuar. Aty nga data dhjetë janar e vitit 1945, forcat partizane të Divizionit të VIII të Mbrojtjes Popullore që vazhdonin operacionet në Mirditë, të udhëhequra nga Bardhok Biba, Mat Doda, Mark Dodani, Pal Mëlyshi etj., m’i dogjën shtëpitë në fshatin Spaç dhe na i sekuestruan të gjitha pasuritë që kishte familja jonë. Pas kësaj ata më morën peng, babanë tim, Pren Ndocin, të cilin e mbajtën me vete në një udhëtim të gjatë duke përshkuar rrugën: Mirditë-Tiranë- Korçë-Shkodër. Bashkë me babën tim, si peng të komunistëve ishin dhe disa burra të tjerë mirditorë, si: Gjet Vokrri nga Fani, Gjet Ndoi nga Oroshi, Ndue Përnoci etj. Babai im Preni, vdiq në tortura në një nga qelitë e burgjeve që kishin hapur asokohe komunistët në qytetin e Shkodrës, saqë e dhe sot nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij”, kujtonte Zef Ndoci, lidhur me hakmarrjen e komunistëve kundër familjes së tij dhe për vrasjen e të jatit që komunistët e mbajtën si peng për shumë kohë.

Plagosja në përpjekje me Sigurimin

Po si rrodhën më pas ngjarjet me Zef Ndocin dhe familjen e tij? Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Në atë kohë pas vrasjes së babait, unë ndodhesha i arratisur në mal bashkë me Pjetër Lleshin, Nikoll Ndue Përdedën, Bardhok Markagjokën, Gjon Gjinajn etj., dhe në mal mësova se komunistët kishin internuar familjen tonë në qytetin e Beratit dhe më pas në qytetin e Lezhës. Që nga ajo periudhë e deri në shtatorin e vitit 1947 që unë qëndrova i arratisur nëpër malet e Mirditës, së bashku me shumë shokë të tjerë kemi rënë në përpjekje dhe jemi rrethuar rreth 25 herë nga Forcat e Ndjekjes. Sipas situatave të ndryshme, unë hera herës kisha dhe detyrën e komandantit të çetës, por të gjithë ne ishim nën urdhart dhe komandën e Komandantit të Përgjithshëm të Rezistencës Antikomuniste, Mark Gjonmarkajt, i cili u vra më 13 qershor të vitit 1947, në fshatin Prosek. Në atë betejë të përgjakshme me forcat komunisite, bashkë me Markun, mbeti i vrarë dhe vëllai im, Nikoll Ndoci. Disa ditë më vonë, më 17 korrik, unë së bashku me Pjetër Kimzën dhe Dedë Laloshin, në fshatin Dom afër Gjegjanit, u rrethuam nga forcat e Sigurimit që i udhëhiqte Bardhok Biba. Pas çarjes së rrethimit nga dy shokët e mi, unë mbeta krejt i vetëm dhe u fsheha në një zgavër të madhe lisi, ku qëndrova pa lëvizur për disa ditë me rradhë. Në atë betejë unë mbeta i plagosur rëndë nga një plumb, të cilin edhe sot pas 60-vjetësh e kam akoma në mushkri. Ashtu i plagosur qëndrova nëpër male duke u strehuar nëpër shpella, deri në muajin shtator të atij viti, kur qeveria komuniste e Tiranës shpalli një amnisti për të gjithë të arratisurit. Në atë kohë shumë prej nesh u arratisën nga Shqipëria dhe dolën në Perëndim, kurse unë së bashku me 100 burra të tjerë, vendosëm të dorzoheshim. Atë vendim, si unë ashtu dhe të tjerët, e morëm jo për vete, por për të lehtësuar vuajtjet e familjeve tona që ndodheshin nëpër internime. Vendimin për t’u dorzuar, ne e morëm vetëm pasi i vumë dy kushte Bardhok Bibës. Kushti i pare, ishte që të mos na e kërkonin se kush na kishte mbajtur me bukë gjatë kohës që ishim në arrati dhe kushti tjetër, ishte falja e jetës. Vetëm pasi u pranuan këto dy kushte nga ana e Bardhok Bibës që në atë kohë ishte Kryetar i Degës së Brendshme, unë bashkë me 100 burra të tjerë mirditorë u dorzuam në fshatin Shpal, që ishte qëndra e nënprefekturës së Mirditës. Por Bardhok Biba nuk e mbajti besën e dhënë dhe pas dorzimit, ku na prisnin forcat e Divizionit të VIII-të, ne na lidhën të gjithëve me tela dhe të hipur në tre kamionë, na nisën për në Degën e Brendshme të Shkodrës”, kujtonte Zef Ndoci lidhur me dorzimin e tij pas amnistisë që kishte nxjerrë qeveria e Tiranës në vitin 1947.

Dënimi me vdekje dhe arratisja

Po si rrodhën ngjarjet më pas me Zef Ndocin dhe antikomunistët e tjerë që u dorzuan në besë të Bardhok Bibës? Lidhur me me këtë, ai dëshmonte: “Në qytetin e Shkodrës ne gjetëm edhe 150 burra të tjerë nga Veriu i Shqipërisë, të cilët ishin dorzuar si ne. Në mes tyre kishte dhe emra shumë të njohur, si: Mark Mala, Pal Thani, Mark Sadiku, Lek Vojvoda, etj., dhe gjyqi kundër nesh u zhvillua në shtëpinë e familjes Pogu, ku ndër 17 të pandehurit e parë isha edhe unë. Në fillim, pretenca e prokurorit kërkoi për të gjithë dënimin me vdekje, por më pas ne na dhanë dënimin me burg të përjetshëm. Gjatë asaj kohe që unë isha në burg për atë dënim, u akuzova edhe për disa vrasje politike dhe për atë akuzë u mbajta për gjashtë muaj i lidhur kokë e këmbë. Kjo gjë vazhdoi deri në 11 janarin e vitit 1948, kur unë dhe shumë të burgosur të tjerë, u liruam pas një amnistie që u dha nga qeveria komuniste me rastin e tre vjetorit të Shpalljes së Republikës. Një muaj pasi isha liruar nga burgu, më thirri Bardhok Biba dhe më kërkoi që të bashkëpunoja me Sigurimin, por unë nuk pranova duke e refuzuar atë në mënyrë kategorike. Në fillimin e gushtit të vitit 1949, kur u vra Bardhok Biba, unë ndodhesha i shtruar në spitalin e Shkodrës nga plumbi që kisha në mushkri. Ato ditë pasi ishin arrestuar dhe internuar me qindra mirditorë për atë vrasje, në burgun e Shkodrës më erdhi nënkryetari i Degës së Brendshme të Pukës, Mat Doda dhe deshi të më arrestonte. Por mua më mbrojti Dr. Mborja i cili u tha: Unë nuk u lejoj që ta merrni tani, sepse kam për detyrë që ta shëroj. Pastaj ju po të donin mund ta pushkatoni. Po atë ditë mua më arrestuan dhe më nisën për në Degën e Pukës, ku dy gardianë që dikur kishin qenë dhe karabinierë, më treguan se donin të më pushkatonin. Pas kësaj ashtu i lidhur, unë theva burgun dhe u arratisa që andej. Ajo gjë shkaktoi alarm të madh dhe ardhjen e forcave të shumta ushtarake nga Tirana, Shkodra, Kukësi etj., të cilat nuk lanë vënd pa kontrolluar. Pas 15 ditësh mua më kapën, pasi më preu në besë një familje nga Gjejgjani i Pukës ku isha i strehuar. Pasi më lidhën këmbë e duar, më dërguan përsëri në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku më lanë për tre vjet me rradhë në një birucë. Në vitin 1951 më nxorrën në gjyq dhe më dënuan me shtatë vjet burg, pastaj më ulën dy vjet dhe si përfundim unë u lirova në vitin 1954, pasi vuajta katër vjet burg në kampin e artizanatit të Tiranës. Pas daljes nga burgu, qëndrova në fshatin tim në Mirditë, ku u arrestova përsëri në vitin 1966 dhe pasi vuajta një vit në burg, në vitin 1967 më internuan në fshatin Shtyllas të Fierit, ku qëndrova deri në vitin 1977”. Kështu e përfundonte rrëfimin e tij, Zef Ndoci, një nga ish-pjestarët më aktivë të grupeve të rezistencës antikomuniste, që luftoi përreth tre vjet nëpër malet e Mirditës me Forcat e Ndjekjes, prej të cilëve ka si “kujtim” një plumb automatiku që e ruan edhe sot në mushkrinë e tij./Memorie.al

Si u dha çmimi i parë Nobel për letërsinë Nga Dr. Gunnar Ahlström (Anëtar i Akademisë Suedeze)

Pas shumë hezitimesh, diskutimesh, zvarritjesh dhe pikëpyetjesh edhe pa përgjigje, Akademia suedeze, i jep më 1901 dhe për herë të parë Çmimin Nobel të Letërsisë, Sully Prudhomme, René-François Prudhomme, anëtar i Akademisë franceze. Vendimi u bë publik në Stokholm, më 10 dhjetor 1901.

Ja si shkruan një nga gazetat suedeze: “Pra nuk zgjidhet as Tolstoi, as Ibsen, as Bjôrnson, as Mommsen, as Swinburne, as Zola, as Anatole France, as Carducci, as Mistral, as Hauptmann as edhe Echegaray, por zgjidhet Sully Prudhomme”.

Ky konstatim, me negativitet si dhe me hamendjet e tij, fsheh një debat të gjatë në vazhdim. Ai shfaq një farë situate të brendshme të vendit i cili jep Çmimin, dhe po ashtu ndriçon në një farë mënyre, situatën letrare në vendin e fituesit.

Duke parë se Franca ishte zgjedhur vendi i cili dukej që do të priste dhënien e Çmimit, brezat e ardhshëm mund të pyesin se përse nuk iu dha Zolës apo Anatol France. Kritika letrare foli për një gjuhë ndryshe të përdorur nga personalitetet e kohës. Çmimi Nobel, ishte një terren i veçantë, i mbjellë nga një tokë akademike, me mendimtarë të rëndësishëm brez pas brezi, me njohuri të rrënjosura nga një ideal thelbësor.

Për shumë vite me radhë, fjala “ideal” diku e rrezikshme, duhej patjetër të luante një rol tepër të rëndësishëm në diskutimet relative për dhënien e Çmimit, duke u peshuar mirë në zgjedhjen e kandidatëve fitues.

Në kohën kur Alfred Nobel kishte rezervuar në testamentin e tij një çmim për letërsinë, përkrah asaj të mjekësisë, fizikës, kimisë dhe të veprave në favor të Paqes, çmimi i Letërsisë duhej dhënë nga “Akademia”.

Ky autorizim, i dha të drejtën dhe ia besoi detyrën, Akademisë suedeze, kësaj asamblejeje të rëndësishme, e cila ishte krijuar që më 1786 nga “Roi Soleil” (Mbreti i diellit) të Suedisë, Gustave III, mbështetur në përvojën e Akademisë franceze. Në fillimet e saj, kjo detyrë e papritur, u ndesh përballë situatave të vështira. Akademia presupozohej të kishte detyrime kombëtare të rëndësishme, drejt letërsisë dhe gjuhës suedeze, por jo të merrte përsipër rolin e ndërgjegjësimit internacional.

Po ashtu, Akademia u përball me komente keqdashëse ndaj literaturës së re. Viheshin në dyshim kompetencat e Akademisë.

Shpirti i saj konservator tradicional ishte në kundërshtim me letërsinë e vërtetë realiste e cila ishte kapur rreth veprave të August Strindberg në epokën e Ibsenit dhe të Bjôrsonit. Po ashtu, kishin filluar ta konsideronin Akademinë si një ngatërresë në rritje dhe një reagim drejt obskurantizmit.

Kjo ishte arsyeja që u bënë përpjekje për kalimin e vështirësive duke u kërkuar zgjidhje të reja për misionin tepër delikat. Në vitin 1900 u hap biblioteka e cila do të ndiqte zhvillim e literaturës botërore, dhe mes anëtarëve të Akademisë, u krijua një Komitet special i ngarkuar të punonte për përgatitjen e dhënies së çmimit. Thembra e Akilit ishte Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë, Dr. Carl David af Wirsén. Si poet ai ishte tepër kërkues, katolik dhe po aq paqësor.

Si kritik i letërsisë moderne, kishte një karakter luftarak. Në gjirin e Komitetit të Akademisë ai përballonte një punë të madhe dhe shumë shpejt mori masa administrative. Mbështetur në rregulloren e vendosur për dhënien e çmimit, të gjitha aktet e kandidaturave duhet t’i nënshtroheshin kontrollit të Akademisë suedeze nga Akademia franceze, spanjolle dhe suedeze; sekretarët e burimeve njerëzore të Akademive të tjera; anëtarë të institucioneve dhe shoqatave të ngjashme me Akademinë, nga profesorë të universiteteve, mësues të estetikës, të letërsisë dhe historisë.

Pra, kjo nuk përbëhej nga një trup i vogël elektoral, dhe ndaj u duheshin notifikuar të drejtat e tyre. Për këtë arsye u hartuan dhe shpërndanë fletoret zyrtare në gjuhën gjermane, angleze dhe franceze, të cilat u dërguan me zell në katër pikat më të rëndësishme. Propozimet duhet t’i paraqiteshin Akademisë para 1 shkurtit 1901. Rrjeta u hodh në gjithë Europën dijetare. U prit me muaj të kapej peshku i gjetur.

Hap pas hapi filluan të vijnë përgjigjet nga njëri vend në tjetrin. Ato filluan të analizohen nën fshehtësinë më të madhe. Kërshëria rritej dhe kjo për arsye që kuptoheshin. Bëhej fjalë për një shumë të konsiderueshme të hollash në jetën letrare. “Shkrimtarët e huaj për herë të parë, fillojnë të shohin larg, drejt Akademisë në Stokholm”, shkruante një figurë e shquar suedeze. “Në gjithë botën, njerëzit e letrave filluan të presin me padurim mbi cilën muzë Danaë, Këshilli suedez, do të derdhte lumin e arit?”

Tani, pas kaq vitesh, kur mund të zbulojmë sekretin e fshehur prej kohësh nëpër dokumentet e vjetra, jemi të lumtur të ndjekim çdo etapë mbështetur në ato që dëshmohen. Bëhej fjalë për një anketë internacionale, të pa parë ndonjëherë, dhe konstatohet me kënaqësi që Akademia e vogël e mjekrave të bardha (të vjetra) kaq herë e kritikuar, po shfaqej plotësisht në lartësinë e duhur për misionin e saj të vështirë e fisnik.

Të gjitha përgjigjet e ardhura nga vendet e ndryshme me fletoren zyrtare, ishin regjistruar me kujdes sipas rendit alfabetik të dërguesve për t’u shpërndarë më pas të rikopjuara, tek gjithë anëtarët e Akademisë, në përgjithësi dhe Komitetit Nobel në veçanti.

Në krah të Sekretarit të Përgjithshëm me shpirt luftarak, ndodhej një profesor i historisë tepër i njohur në gjuhën romane, po ashtu në letërsi; gjuhëtar i shquar i gjuhëve skandinave herë pasardhës e herë homonim i Esaias Tégner, “mjekra klasike” e Suedisë, i vetmi poet cilësor, Konti Carl Snoilsky, drejtor i Bibliotekës mbretërore të Stokholmit.

Fletët e grumbulluara njëra pas tjetrës mbi tavolinat e Akademisë suedeze, japin në një farë mënyre imazhin tipik të letërsisë europiane, në fillim të shekullit.

Britania e madhe, ky vend ishullor, gjithmonë i rezervuar, paraqitet një njollë e bardhë në hartë. Asnjë propozim, asnjë emër i shënuar. Polonia prezantohet hijshëm me Henry Sienkiewicz kandidatura e të cilit mbrohej me inteligjencë nga dy historianë të njohur suedez.

Gjermania një vend me kokën pas nga impulset energjike të Guillaume II, kërkon t’i dëgjohet zëri në një dokument (plein d’emphase). Një profesor në Dresde rekomandon me forcë që të merret në konsideratë një këngëtar pothuajse i panjohur, për “talentin e tij lirik tepër të madh”.

Po ashtu një grup i shoqëruar nga një figurë e njohur në fushën e historisë, një shtytje e madhe e shkencës emri i të cilit sot është bërë i njohur nga publikimet klasike. Gjuhëtari roman, me në krye profesorin e vjetër të Ienas, W.Cloetta, e kthejnë kokën nga bregu i Rinit dhe i Ronit duke tërhequr vëmendjen tek një poet provincial Frédéric Mistral.

Përballë këtyre veprimeve të shpërndara, shpesh me kërshëri, siguria e rutinës bie në përgjigjet e herëpashershme të Francës, vend nga i cili prej shumë kohësh, jemi mësuar të marrim të veçanta akademike të rekomanduara.

I madhi Marcelin Berthelot nuk ka nevojë për shumë fjalë në prezantimin e kandidaturës së Emil Zolas; I zgjedhur në Akademinë franceze më 1900, në cilësinë e anëtarit, propozon një shkrimtar të frymëzuar nga shkencat natyrale dhe liberalizmi demokratik. Edmond Rostand nuk ka nevojë as ai për elozhe të shumta : u propozua nga Paul Hervieu në garancinë e Cyrano de Bergerac dhe Aiglon. Gjithçka është shprehur qartë dhe në mënyrë të përmbledhur.

Përsëri fjalë e argumente disi më të ngatërruara, i janë kushtuar një tjetër kandidati ku dukej hapur mbështetja energjike dhe një marrëdhënie sigurie e padiskutueshme

Larg hapësirave të Parnasse, pak i njohur si jashtë si edhe në Suedi, bëhej fjalë për René Vallery-Radoti, cili u bë shkak i një veprimi të bashkërenduar në favor të biografisë së vjehrrit të tij “Jeta e një Pastori”.

Duke qenë se ishte nipi i Eugène Sue dhe Emile Legouvé, bashkëpunëtori i parë i Buloz tek “Revue des deux Monde”», (Revista e dy Botëve) ai ishte familjarizuar me sukseset e letërsisë. Nuk do të gabohej supozimi që prania e tij mes nobelistëve rezulton si goditje e fortë alarmi. Ai u propozua si fillim nga Melchior de Vogué, më pas Stokholmi u bombardua në disa ditë rresht, nga tekste të mrekullueshme, miratuar nga figura të njohura si Ernest Legouvé, Albert Vandal, Gabriel Hanotaux, Albert Sorel, Sully Prudhomme e Henri Lavedan. Të gjithë shfaqin mendimin se “Jeta e një Pastori” është një vepër letrare e jashtëzakonshme në kuptimin e idealizmit. Zhurma e kësaj fushate kishte mbërritur deri në Paris u hapi rrugën manifestimeve të pakënaqësisë nga ana e Kolegjit të Francës ku Paul Meyer rekomandon Mistral, me një shënim anësor “Vallery-Radot propozuar nga Vogué, është një arritje…”.

Një rrëmujë e tillë nuk kishte gjë tjetër për qëllim, veçse të shpërqendronte vëmendjen e Komitetit. Efekti i tij, në fakt u ekuilibrua nga Akademia -simotër e Parisit-e cila gjeti mbështetje nga firma të tjera letrare, me propozimin e një kandidature fisnike, e shkallës së parë.

Sully Prudhomme hyn mes kandidaturave të nobelistëve nga një tekst tepër i rëndësishëm datuar më 10 janar 1901 dhe firmosur nga Gaston Paris, Gréard, Paul Bourget, Gaston Boissier, André Theuriet, Henry Houssaye, François Coppée, Ludovic Halévy, Henri de Bornier, José-Maria de Hérédia, Jules Lemaitre, C.de Freycinet e Emille Deschanel. Tekst aprovohet po ashtu edhe nga Emile Olivier, Costa de Beauregard e Emile Faguet.

Ky manifestim masiv i natyrës gjysmë zyrtare, eklipsoi në votimin e shpërndarë shteteve të tjera si Italia, Greqia, Norvegjia madje dhe vetë Suedia ku Gaston Paris ishte rekomanduar nga një kolegët e tij adhurues, në Universitetin e Upsalas.

Me gjithë këto ndërhyrje të gjata, zgjedhja nuk ishte dhe aq e vështirë, ku pas marrjes së vendimit përfundimtar nga Akademia në një seancë plenare më 14 nëntor, Sully Prudhome, u lajmërua se çmimi i ishte akorduar “në mirënjohje të meritave të veçanta që ai ka treguar si autor deri në vitet e fundit, dhe në veçanti për poezinë e tij e cila dëshmon një idealizëm të arrirë, në një përsosmëri artistike dhe me një ndërthurje kaq të rrallë të cilësive të shpirtit dhe të gjeniut”.

Që në 19 nëntor mbërriti një letër me një përgjigje tepër elegante ardhur nga Châtenay, vendi ku ai banonte. “Ndiej krenari të pakufishme dhe lumturohem duke menduar nderin e një instance kaq të lartë dhe kërkuar nga shumë shkrimtarë të tjerë më lartë se unë, kjo fitore i shkon atdheu tim, të cilit i detyrohem për këtë nderim e vlerësim të veprës sime”.

Dhe duke qenë se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fitore, por edhe 208.950 franga, fituesi jep me kënaqësi të dhënat e llogarisë së bankës në Paris.

Publiku nuk ishte ende në dijeni dhe fituesit i ishte lutur, të mbante fshehtësinë, derisa të behej dorëzimi zyrtar i çmimit më 10 dhjetor, datë e vdekjes së Alfred Nobel.

Dihej mirë që profesor Roentgen, ndodhej në Grand Hotel, dhe prania e tij kuptohej, ishte e justifikuar për Çmimin në Fizikë. Vetëm të ftuarit e dinin që ambientet për letërsinë nuk do të ziheshin.

Që në fillim, Sully Prudhomme, kishte deklaruar se për arsye të një sëmundjeje të gjatë, nuk mund të paraqitej. Kjo në fakt i prishte pak planet e organizimit. Prania e tij nën uniformë, natyrisht që do të bënte efektin e vetë të veçantë gjatë ceremonisë. Nën kujdesin e Komitetit të Nobelit, përkthimi i esesë së Gaston Parisit rreth Sully Prudhomme, u publikua në Francë në koleksionin “Mendimtarë e poet”, shpërndarë në të gjitha libraritë suedeze, në të njëjtën ditë të dhënies së Çmimit Nobel.

Me modelin e epokës së vjetër ceremonia u organizua në sallën e Festave, të Akademisë së Muzikës, zbukuruar me shtylla ndriçuara magjishëm, gjithë lule, në praninë e përfaqësisë, të qeverisë dhe po ashtu zbukuruar nga një pjesë e madhe fisnikësh.

Gjithashtu më pas ceremonia u shoqërua nga një banket pritjeje gjithë hijeshi i të njëjtit nivel, ku buronte latinishtja me vargjet “Ad anniversarium primun institutionis Nobeliane” (Në përvjetorin e parë të Institucionit të Nobelit). Jetohej në atë epokë ku zinin vend fjalët e mëdha me frazat e gjata, të ngatërruara, të cilat përmbanin një amalgamë kuptimesh nga një anë ezoterike dhe po aq dehëse.

Çmimi i akorduar Sully Prudhomme në emër të tij dhe në emër të atdheut, u tërhoq nga Ministri Francës, zoti Marchand, ku “veshja e thjeshtë dhe demokratike”, sipas komenteve të shtypit, “as një kordon në kostumin e tij të zi”, nuk bënte kontrast para shkëlqimit të gjelbër suedez.

Por çfarë mendonte vetë Sully Prudhommme i tërhequr në Francë ? Disa ditë më vonë i intervistuar nga një gazetar i “Le Figaro”, ai shfaqej i gëzuar dhe i çuditur për çmimin që i ra si nga qielli, po ashtu dhe shuma pothuajse e njëjtë me ato që kishte fituar nga poezitë e tij, në këto tridhjetë e pesë vjet.

“Mendoj kolegët e mi të rinj, të cilët nuk kanë mundësinë të botojnë poezitë në fillimet e tyre. Kam dëshirën që një pjesë t’ua fal atyre që nuk munden të botojnë librin e tyre të parë me poezi. Deri tani kam marrë një lumë kërkesash, shuma e të cilëve e kalon krejt Çmimin”.

Sully Prudhomme nuk ishte i pari që u çudit. E papritura nuk ishte po aq e vogël edhe në Suedi, ku çmimi i tij provokoi një reaksion të veçantë.

Katër ditë pas shpalljes së çmimit, një peticion i firmosur nga 43 shkrimtarë dhe artistë të njohur me në krye Auguste Strindberg e Selma Lagerlof, publikuan:

“Leon Tolstoit,
Me rastin e marrjes së çmimit Nobel të Letërsisë që iu akordua për herë të parë, ne të nënshkruarit, shkrimtarë, artistë dhe kritikë suedezë, dëshirojmë t’ju shfaqim habinë tonë. Ne nuk shohim në personin tuaj vetëm një patriark të nderuar të letërsisë moderne, por edhe një nga poetët më të mëdhenj që sipas mendimit tonë, duhej marrë në konsideracion, dhe pse ju vetë, personalisht, asnjëherë nuk keni kërkuar një shpërblim. Ne besojmë se është detyra jonë që t’Ju drejtohemi, pasi mendojmë se institucioni i ngarkuar për të dhënë çmimin në fjalë, duke parë përbërjen e tij aktuale, në asnjë moment nuk është shprehur në favor të artit, apo konform opinionit në përgjithësi. Nuk pranohet prej jashtë kufijve, arti i mendimit të lirë dhe krijimit të lirë e ky nga vetë ana e popullit të largët, nuk është vlerësuar si më i miri dhe më i qëndrueshmi”.

Sipas këtij dokumenti, mund të krijohet idea se Léon Tolstoi paraqiste në Suedi një rëndësi të madhe, i vetmi, dhe se vepra e tij kishte lënë gjurmë të thella në letërsinë e vendit. Por ja që nuk ishte kështu.

Ishte një klasik, dhe një simbol i pastër i cili stimuloi mendimin e pavarur në Rusinë e carëve, por asgjë më tepër. Përsa i përket Çmimit Nobel, ai krijonte një trampolinë të favorshme politike dhe një sulm kundër armikut të përjetshëm: Akademia suedeze.

I moçmi i Jasnaia Polianas as nuk i shkonte mendja qe do të përdorej si një instrument polemike, por nuk mund t’i shmangej simpatisë. Përgjigjja e tij, drejtuar protestuesve suedezë, ishte karakteristike:

“Jam ndier shumë i kënaqur që nuk m’u dha Çmimi Nobel. E para, kjo do të më krijonte mjaft ngatërresa, të paturit e kësaj shume, para që sipas mendimit tim do të më sillnin vetëm të këqija, ngatërresa dhe e dyta, jam ndier i nderuar dhe i kënaqur pa masë, të shoh shprehjen e një simpatie kaq të madhe të figurave të rëndësishme dhe po ashtu të atyre që nuk i njoh fare”.

Pra, i pari Çmim Nobel nuk mori as vlerësime dhe as preference letrare. Nën dritën e përvojave këto dhjetë vitet e fundit, karakteri i saj zyrtar i lëvizjes internacionale të mirësjelljes është vënë mjaft në dukje.
Nderi nuk u bëhej aq poetëve melankolikë të epokës së Parnasse se sa Francës letrare që prej kohësh mbetet një stimulues i rëndësishëm.

Përgjatë ceremonisë, sekretari elokuent dhe organizuesi i Çmimit, i dërgoi Akademisë franceze, një nderim “nga simotra e saj suedeze që ishte e lumtur t’i niste nga vendi i Tegner dhe Geijer, një dëshmi të nderuar, vendit i cili kishte parë lindjen e figurave si Racin, Corneille e Viktor Hygo”.

Po kështu, në të njëjtën atmosferë pritej Çmimi Nobel i Sully Prudhomme. Akademia suedez me kënaqësi dhe krenari hodhi në Gazetën Zyrtare “Journal Officiel”, letrën e falenderimit të simotrës së saj franceze, letër kjo e firmosur nga Gaston Boissier: “I ngarkuar nga anëtarët e Akademisë franceze që me ftesën e Akademisë suedeze, ka propozuar me zgjedhjen e saj Sully Prudhomme, ju lutet ta falënderoni, në emrin e tyre, për çmimin që iu atribuua. Nderi i bërë, u mirëprit në gjithë vendin. Zoti Sully Prudhomme, është i vlerësuar dhe i dashur nga të gjithë për karakterin dhe talentin e tij. Ne i jemi mirënjohës dinjitetit të jetës së tij, vlerësimit të ndjenjave e mbi të gjitha të besimit ndaj çështjes së idealit, që ky çmim ka dashur t’ia vër në dukje.

Akademia franceze së cilës ai i përket prej njëzet vitesh, ndihet krenare për të; ajo i dërgoi në zyrën e tij ku është tërhequr për shkak të sëmundjes, falënderimet, e veçanërisht për rrezatimin që i transmetoi gjithë vendit. i lumturuar që me këtë rast, jam përçuesi i simpatisë së saj kundrejt një shoqërie letrare me të cilën ne ndihemi të bashkuar, dhe pse larg, nga një organizim i ngjashëm, nga përbërja e punës dhe i të njëjtit kult të letrave”. /ExLibris

Përktheu nga frëngjishtja Mimoza KUCHLY

Misteri i katër vetëvrasjeve, nipi i Mehmet Shehut tregon historitë e pathëna të familjes

Memorie.al publikon historitë e panjohura të familjes së ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, kur pas kthimit të tij nga internimi në Francë, ai dhe e gjithë familja e tij u lidhën me Lëvizjen Antifashiste, duke qëndruar maleve deri në mbarimin e Luftës. Ngjarja e llahtarshme e vitit 1944, kur vëllai i Mehmetit, Arshiu, për të mos u zbuluar nga forcat gjermane që po kalonin aty afër me një autokollonë, hodhi në greminë, vajzën e tij gjashtë muajshe, që qante papushim. Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, vijnë ekskluzivisht për Memorie.al nga intervista me Kujtim Shehun, djali i vëllait të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, i cili tregon disa nga historitë më të përfolura të familjes së tyre, si: vrasja e oficerit italian që Mehmeti e kishte pasur shok shkolle në Modena dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij dhe trajtimi i gabuar që i ka bërë i biri, Bashkim Shehu asaj ngjarje në librin e tij, “Vjeshta e ankthit”. Raportet e Mehmetit me Koci Xoxen dhe tentativat për ta arrestuar në vitin 1947, kur ai u detyrua të fshihej në fshatin e tij, Çorush, marrëdhëniet e acaruara me Enverin, fejesa e Skënderit me Silva Turdiun dhe si u prit ajo nga vëllezërit e tij?! Si e mësuan ata në Fier lajmin e vdekjes së Mehmetit, ardhja e tyre në Tiranë dhe qëndrimi pranë xhenazes në vilën e xhaxhait në Bllok, që ishte rrethuar me roje me mitroloza! Varrimi i kryeministrit Shehu të nesërmen vetëm me njerzit e familjes nën survejimin e rreptë të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, si dhe dhe trajtimi çnjerzor që u bë më pas ndaj familjes së tyre, që çuan në vëtëvrasja e kunatit që u hodh nga kati i pestë në Fier, e deri tek eleminimi fizik i vëllait të Mehmetit, Arshiut, babait të Kujtimit, që u gjet i vdekur në Urën e Mbrostarit në Fier, etj.

“Në paraditen e 18 dhjetorit të vitit 1981, si çdo ditë tjetër të zakonëshme, unë ndodhesha në punë pranë Parkut të Automjeteve të Naftës në Fier, ku punoja si inxhiner mekanik dhe nuk dija asnjëgjë se çfarë kishte ndodhur në Tiranë me xhaxhanë tonë, Mehmetin, kryeministrin e Shqipërisë. Aty nga pasdreka e asaj dite, xhaxhai tjetër, Durua, kishte telefonur nga Tirana në shtëpinë tonë dhe i kishte thënë babait tim, Arshiut, që të nisej urgjent për në Tiranë tek shtëpia e vëllait, Mehmetit. Gjatë asaj bisede të shkurtër telefonike, Durua, nuk i kishte treguar fare babait se çfarë kishte ndodhur me vëllanë e tyre, por e kishte mbyllur telefonatën, duke i thënë se: atë urdhër për të shkuar urgjent në Tiranë, e kishte dhënë vetë Enver Hoxha. Pas kësaj, babai më mori mua në telefon dhe të dy dolëm e shkuam tek Kryetari i Komitetit, Ligor Çifligu, i cili u tregua shumë i gatshëm, duke na dhënë autoveturën e tij për të ardhur në Tiranë. Kur erdhëm në kryeqytet, aty nga ora gjashtë e mbrëmjes, nuk shkuam direkt tek vila e xhaxhait në Bllok, por tek shtëpia e motrës sime, Shqiponjës, e cila ishte rritur dhe kishte dalë nuse nga shtëpia e Mehmetit. Aty ne mësuam rreth  asaj që kishte ngjarë, pasi kunati ynë, Pirro Stefani, që punonte si Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Jashtëme, na tha se i kishin mbledhur në një mbledhje urgjente në Ministri dhe u kishin komunikuar lajmin, duke u thënë se: Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe me atë xhest ai ishte një armik i Partisë. Pak minuta më vonë, atë gjë ne e dëgjuam edhe në njoftimin zyrtar të Komitetit Qëndror që u transmetua nga Radio-Televizioni Shqiptar, në edicionin e lajmeve të orës 20, pas së cilës u dha një emision me muzikë popullore! Pas atij lajmi zyrtar, unë me babanë, Arshiun, u nisëm për në drejtim të vilës së Mehmetit në Bllok, dhe gjatë gjithë rrugës që nga “21 Dhjetori” e deri tek postoblloku në hyrje të Komitetit Qëndror, na ndiqnin nga pas disa oficerë të Sigurimit të veshur civilë, të cilët unë i njihja si fytyra. Aty tek Blloku, ishin shtuar masat e sigurisë si rrallë ndonjëherë dhe përveç oficerëve të shumtë, ishin dubluar dhe ushtarët që mbanin në krahë mitroloza të lehtë. Tek postoblloku, pa na vonuar shumë, na lanë të hynim, pasi unë i thashë oficerit se isha i nipi i Mehmetit dhe babai im, ishte i vëllai i tij”.

Dëshmon për herë të parë ekskluzivisht për Memorie.al, është Kujtim Shehu, nipi i ish-kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, i cili rrëfen rreth të gjithë historinë e panjohur të familjes së xhaxhait të tij dhe mardhëniet që ata kishin me Enver Hoxhën. Një nga dëshmitë më të bujshme dhe të rralla, që djali i vëllait të ish-kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i bënë publike për herë të parë, është ajo që ngjau në vilën e familjes Shehu dhe rrotull saj, nga mbrëmja e 18 dhjetorit 1981, e deri të nesërmen që u krye varrimi i Mehmetit, në varrezat publike të Sharrës. Nga përshkrimi i të gjitha atyre momenteve të ndodhura minutë pas minute aty në vilën ku ndodhej trupi i pajetë i ish-kryeministrit, nipi i tij, Kujtim Shehu, hedh dritë e zbardh shumë nga enigmat e misteret që e kanë mbuluar atë ngjarje të pazakontë të ndodhur atë natë të largët dimri në “Bllokun” ku jetonin krerët më të lartë të udhëheqjes komuniste të shtetit shqiptar. Po cila ishte familja Shehu, çfarë mardhëniesh kishte ndërtuar Mehmeti me prindërit, vëllezërit dhe njerëzit e afërt të familjes së tij dhe si rrodhën e u zhvilluan ato, që nga periudha e Luftës e deri ditën e fundit të jetës së tij? Cili ishte takimi i parë i Enver Hoxhës me familjen Shehu dhe përse Mehmeti bëri debat të ashpër me babanë e tij, Sheh Ismailin, për fjalët që ai i kishte thënë “Usta Hasanit” siç njihej me pseudonym Enveri në atë kohë? Si shpëtoi pa u eleminuar fizikisht Mehmeti në vitin 1947, kur u shkarkua nga funksioni i Shefit të Shtatmadhorisë dhe kush ishin personi që e mbrojti për dy muaj me rradhë, duke i qëndruar me automatik në dorë në shtëpinë e tij në Çorush? Çfarë ndodhi në familjen Shehu pas fejesës së djalit të dytë, Skënderit dhe si u prit ajo fejesë nga vëllezërit e Mehmetit? Cilat janë versionet që jep nipi i ish-kryeministrit shqiptar me dëshmitë e tij, në lidhje me vdekjen e xhaxhait, Mehmetit, babait, Arshiut dhe Vladimirit, ç’farë faktesh të reja sjell ai dhe përse insiston që ata të tre nuk kanë bërë vetëvrasje, por janë eleminuar nga Sigurimi I Shtetit me porosi nga lart? Lidhur me këto mistere e shumë fakte e ngjarje të tjera të panjohura deri më sot nga historia e familjes Shehu, na njeh intervista ekskluzive e Kujtim Shehut për Memorie.al, duke filluar nga numri i sotëm.

Zoti Kujtim, çfarë vutë re kur shkuat aty, si ishte situate rreth “Bllokut të udhëheqjes?

Para se të afroheshim tek hyrja kryesore e Bllokut, unë i thashë babait, se ishin duke na ndjekur nga pas disa njerëz të Sigurimit të Shtetit, të cilët na ishin qepur nga prapa që nga shtëpia e motrës sonë, tek “21 Dhjetori”. Por Arshiu, i cili ishte bërë vrerë, m’u përgjigj duke më thënë se: ata kishin punën e tyre. Pasi i’u prezantuam se kush ishim, nga postoblloku tek hyrja e Komitetit Qëndror, e deri tek hyrja kryesore e vilës së Mehmetit, ne na shoqëruan përsëri disa njerëz të Sigurimit dhe situata aty ishte tepër mbytëse.

Njerëzit e Sigurimit që i’u shoqëruan për aty, ishin ata të grupit të shoqërimit dhe shërbimit që kishte pasur Mehmetit, apo të tjerë?

Ata që na shoqëruan për tek hyrja kryesore e vilës, ishin fytyra krejt të panjohura për ne dhe gjatë gjithë kohës që ne ishim aty, nuk pamë asnjë nga oficerët e grupit të shoqërimit apo të shërbimit, që kishte pasur Mehmeti deri në atë kohë.

Po Ali Çeno a ndodhej aty?

As Aliu nuk ndodhej aty.

Kush i’u priti kur u futët brenda në vilë?

Sapo u futëm tek dera kryesore e vilës së Mehmetit, na dolën përpara Vladimiri me Bashkimin, të cilët pasi na përqafuan, na shoqëruan për në katin e dytë, ku ndodheshin edhe njerzit e tjerë.

Cilët njerëz gjetët në ato momente aty brenda në vilën e familjes Shehu?

Pas Ladit dhe Bashkimit që na pritën në hyrje të shtëpisë, ne më pas u takuam me Fiqreten, e cila së bashku me dy djemtë, na shoqëroi për në dhomën ku gjendej trupi i pajetë i Mehmetit. Në atë dhomë, unë me babanë u takuam edhe me dy xhaxhallarët, e njëkohësisht vëllezërit e Mehmetit, Duron dhe Nexhipin. Po ashtu aty në atë dhomë, ishin dhe bashkëshortja e Vladimirit, Fatbardha, bashkëshortja e Bashkimit, Marjeta me gjithë babanë e saj. Lefterin, si dhe gruaja e xhaxhait, Duros, Afërdita. Nga familja e Mehmetit, aty mungonte vetëm Skënderi, i cili ndodhej me studime në Suedi.

Nuk kishte të afërm të tjerë aty në shtëpi?

Përveç këtyre që përmënda, nuk kishte asnjë njeri tjetër.

Po nga personeli i shërbimit, a kishte njeri aty?

Nga personeli i shërbimit të familjes Shehu, aty brenda ndodhej vetëm njëri nga mjekët, Miltua.

Po trupin e Mehmetit ku e kishin vënë?

Trupi i pajetë i Mehmetit i veshur me kostum, ndodhej aty në dhomën ku ishim të gjithë ne dhe ai ishte vënë mbi një nga divanët që gjendej aty. Trupi i tij ishte në një pozicion, disi jo të zakontë, duke e pasur dorën e majtë, me gishtin e madh pak të mbledhur dhe të mbështetur mbi bark, e dorën e djathtë të hapur dhe pak më poshtë së majtës.

Si e shpjegoni atë gjë?

Ndoshta trupi tij ishte vënë në atë pozicion për të treguar se ai ishte vetëvrarë.

Çfarë bisedash bënit me njëri tjetrin gjatë asaj kohe që qëndruat aty në atë dhomë?

Aty bisedat ishin fare të pakta, për të mosh thënë që nuk flitej fare. Të gjithë ishim të pikëlluar dhe të vetmet biseda që bëheshin në mes vëllezërve të Mehmetit dhe ne të tjerëve që ndodheshim aty, ishte ajo se si e bëri Mehmeti atë punë, duke vrarë veten?!

A i pyetët ju dy djemtë, Ladin me Bashkimin, apo Fiqretin se si kishte ndodhur ngjarja?

Që në momentet e para kur hymë brenda, unë e pyeta Vladimirin, se si kishte ndodhur puna dhe a kishin dëgjuar krisma.

Çfarë i’u tha Ladi?

Ladi na tregoi se se deri nga ora 01.00 e natës, ata e kishin përgjuar Mehmetin dhe pas asaj ore ata kishin rënë për të fjetur dhe nuk kishin dëgjuar asnjë krisëm. Unë e pyeta përsëri Ladin, duke i thënë se si ishte e mundur që nuk e kishin dëgjuar zhurmën e pistoletës, por ai m’u përgjigj, duke më thënë: “Ishim shumë të lodhur dhe nuk kemi dëgjuar gjë.

A erdhi njeri tjetër gjatë natës aty në vilën e Mehmetit dhe sa kohë qëndruat ju aty?

Gjatë gjithë natës së 18 dhjetorit dhe deri sa u gdhi në mëngjezin e 19 dhjetorit, aty nuk erdhi asnjë njeri tjetër. Ndërsa nga ne që ishim aty, vetëm Durua iku nga ora 12 e natës dhe aty mbeti bashkëshortja e tij, Afërdita, e cila kujdesej për Fiqretin dhe nusen e Vladimirit, Bardhën, e cila ishte shtatëzanë dhe priste me minutë për të lindur. Po kështu edhe Ladi, largohej herë pas here nga dhoma ku ishim, e kujdesej për Bardhën. Të gjithë ne të tjetër që ishim aty, e gdhimë duke pirë cigare në holl dhe duke qëndruar aty në dhomë, në më të shumtën e kohës pa folur fare.

 A u kthye më Durua aty tek ju?

Jo, ai nuk erdhi më aty, sepse atë nuk lejoi Kadri Hazbiu të vinte. Atë gjë ne e kemi mësuar jo atë natë, por më vonë.

A patët ndonjë shenjë nga pjestarët e familjes se mos bisedat përgjoheshin, sepse nga dëshmi të ndryshme, është thënë se kohët e fundit, Mehmeti me Fiqreten e fëmijët, kur kishin ndonjë gjë me rëndësi për të biseduar, dilnin në lulishte, sepse e dinin që bisedat e tyre përgjoheshin?

Shenja për të mos biseduar ne nuk patëm nga asnjeri, por ndoshta gjithsecili nga ne që ishim aty dhe që kishim pasur informacion se si ishin zhvilluar ngjarjet deri në atë kohë, e mendonte atë gjë në vetëvehte dhe ndoshta për atë fakt, bisedat tona ishin të pakta.

Po telefonta a patët atë natë?

Vetëm motra ime Shqiponja, mori dy herë në telefon dhe duke qarë, kërkoi që të vinte aty, por Ladi i tha që më mirë të mos vinte dhe ajo nuk erdhi.

Po njeri tjetër jo i familjes, a i’u telefonoi atë natë?

Asnjë telefonatë tjetër nuk u bë më, sepse pas orës 12 të natës, telefonat e familjes u ndërprenë dhe nuk punuan më.

Po nga njerzit e personelit a erdhi njeri tjetër gjatë natës në vilë?

Me përjashtim të mjekut të familjes, Miltos, i cili u kujdes gjithë natën për babanë tim, Arshiun, duke i bërë qetësues, atë natë nuk erdhi asnjë njeri tjetër aty. Ajo natë ishte shumë e lodhshme për ne dhe jashtë vazhdimisht binte një shi, që nuk pushoi as të nesërmen.

Po nga vilat e tjera që dukeshin nga ajo e Mehmetit, a kishte drita të ndezura natën?

Nga ai pozicion ku gjendej dhoma që ishim ne, nuk dukej asgjë. Nga aty nuk mund të shikohej asnjë nga vilat e tjera.

Po në mëngjezin e 19 dhjetorit a erdhi njeri aty në vilë dhe si rrodhën ngjarjet gjatë asaj dite?

Aty nga ora 8.00 e asaj dite, Ladi me gjithë gruan e Duros, Afërditën, dolën nga shtëpia dhe shkuan në lagje për të nxjerrë lejen e varrimit. Ata u kthyen në vilë aty nga ora 10.00 dhe na treguan se i’u kishin nxjerrë shumë pengesa dhe mezi u’a kishin dhënë lejen e varrimit. Ata na treguan gjithashtu, se rreth e rreth vilës, kishte shumë ushtarë dhe oficerë të armatosur, deri me mitrolozë të lehtë.

Me kë komunikoi Ladi dhe përse shkoi ai për të nxjerrë lejen e varrimit, a nuk erdhën njerzit e personelit të shërbimit që të merreshin me ato punë?

Edhe të nesërmen aty nuk erdhi asnjë nga njerzit e personelit të shërbimit dhe gjatë gjithë natës, kafet i bënin vetë gratë. Aty mungonte edhe personeli i guzhinës dhe nuk kishte asnjëlloj furnizimi me ushqime. Kështu që Ladi me gruan e Duros, kishin blerë bukë me djathë në një dyqan aty afër dhe na i sollën ne për të ngrënë. Unë nuk e di se me kë komunikoi Ladi që shkoi për të nxjerrë lejen e varrimit, por ndoshta atë gjë i’a kishin komunikuar me telefon, ata që ishin caktuar për atë punë.

Po gjatë natës, a u diskutua aty në mes jush se si do të bëhej ceremonia e varrimit?

Aty nuk u diskutua fare për ceremoni varrimi, sepse siç po shihej situata, kuptohej lehtë se nuk bëhej fjalë fare për ceremoni varrimi nga shteti. Por me sa mbaj mënd unë, atë gjë Ladit i’a kishin komunikuar oficerët përkatës, që varrimi i Mehmetit do të bëhej në Sharrë.

Kur dolët nga vila për të shkuar në varreza?

Pasi erdhi Ladi me Dritën, pas tyre erdhi dhe një punonjës i Komunales, i cili solli arkivolin që ishte krejt i zakonshëm. Pasi ne të gjithë që ishim aty, e puthëm Mehmetin për herë të fundit, punonjësi i Komunales e mbylli kapakun e arkivolit. Pas kësaj u vendos që në varreza do të shkonim unë me Ladin, Bashkimin, Nexhipin, Lefterin e Marjetën. Ndërsa Fiqretja, me gruan e Duros, do të rrinin aty për t’u kujdesur për Bardhën, e cila priste makinën për të shkuar në maternitet për të lindur. Pas kësaj, ne të gjashtë, morëm arkivolin dhe dolëm jashtë në oborrin e vilës, ku tek hyrja e saj, kishte ardhur makina e varrimit, një “Zuk”, i vjetër, që përdorej nga Komunalja për popullatën.

Kur dolët nga vila me arkivolin e Mehmetit, si ishte situata rreth saj, a kishte përforcime në rojet e shërbimit?

Para se të përgjigjem për këtë, në parantezë desha të them se: ai shi i madh që kishte nisur dhe binte pa pushim që nga mbrëmja e një nate më parë, pushoi sikur ta kishte ndaluar njeri mje dorë, sapo ne dolëm nga hyrja kryesore e vilës dhe në atë kohë doli një rreze dielli. Po kështu, sapo ne futëm arkivoloin në makinën e funeralit, shiu filloi përsëri të binte, njësoj si më përpara. Kjo që po i’u them është më se e saktë dhe mua më kanë mbetur në mëndje si një diçka e pazakontë, pasi si pasardhës i një familje shehelerësh, unë jam shumë besimtar dhe them se ajo gjë s’ishte thjesht një rastësi. Ndërsa për masat e sigurisë rreth vilës dhe gjithë Bllok-ut, ato ishin të përforcuara, ashtu si një ditë më parë, me ushtarë dhe oficerë të shumtë, gjë e cila dallohej akoma më mirë atë ditë.

Përveç jush, aty jashtë a kishte njerez të tjerë që do të vinin në varreza dhe çfarë itinerari përshkuat për të shkuar në Sharrë ku do bëhej varrimi?

Përveç ne të gjashtëve, nuk kishte ansjeri tjetër për të ardhur në varreza. Pasi e vendosëm arkivolin në makinën “Zuk” të funeralit, ku ishte vetëm shoferi i ndërmarrjes Komunale, makina u nis duke kaluar në rrugën prapa Komitetit Qëndror të asaj kohe, nga ana jugore aty ku sot është Kryesia e Kuvendit Popullor, rrugë e cila shpie në drejtim të Lanës. Ndërsa makina ecte para, pas saj ishin Ladi, Marjeta e Bashkimi dhe pas tyre ecja unë me xhaxhanë, Nexhipin, e vjehrrin e Ladit, Lefterin. Ndërsa ne ecnim pas makinës, nga brenda murit rrethues me kangjella të Komitetit Qëndror, pamë që kishin dalë shumë punonjës të Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Jashtëme, godina e së cilës asokohe ndodhej ngjitur me të. Sapo kaluam godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtëme, pamë të ndaluar një autobus të vjetër tip “Zis”, (nga ato që prodhoheshin asokohe në Shkodër), të cilin e kishin nxjerrë për të na marrë ne për në varreza. Ai autobus ishte fare i vjetër dhe pjesa më e madhe e dritareve ishin pa xhama, por ne zumë vënd aty pa folur fare. Pasi makina kaloi pas lulishtes ku sot ndodhen bustet e “Vëllezërve Frashëri”, u kthye majtas, duke përshkuar të gjithë rrugën buzë Lanës, deri tej Ura e “Vasil Shantos”. Nga aty nuk u kthyem për nga rruga që të çon tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, por vazhduasm drejt Lanës dhe dolëm në rrugën nacionale që të shpie për në Kombinat, e më pas në varrezat e Sharrës.

Përse kaluat andej dhe jo nga rruga kryesore, ku kalonin zakonisht makinat e kortezheve?

Makinën e varrimit dhe autobuzin i komandonte tjetër njeri, pa na pyetur ne dhe shoferët zbatuan urdhërat që kishin marrë prej atyre që kishin organizuar atë kortezh prej gjashtë vetësh.

Po kur shkuat në varreza, a kishte ndonjë njeri tjetër që kishte ardhur aty?

Në Varrezat e Sharrës ne mbërritëm rreth orës 11 e 30, ku vazhdonte të binte ende shi dhe aty nuk kishte asnjeri tjetër të gjallë, përveç nesh. Sapo zbritëm arkivolin, makina “Zuk” e funeralit dhe autobuzi u larguan menjeherë prej aty. Kur arritëm tek varri i hapur, (parcela e fundit, rreshti i tretë nga balli, ulëm arkivolin përmbi pirgun e dheut dhe në atë kohë, vumë re se në një distancë rreth 20-25 metra larg nesh, disa punonjës të Sigurimit të Shtetit që u vendosën në formë harku me fytyrë nga ne. Pasi nxorrëm arkivolin, Ladi nxorri një letër nga xhepi dhe foli rreth një minut, duke e lexuar atë që kishte shkruar. Pas fjalëve të tij që ishin dhe lamtumira e fundit, aty erdhën dy punonjës të varrezave, të cilët me lopatat që ishin aty, filluan të mbulonin varrin me dhe, duke u ndihmuar edhe nga ne. Kaq ishte e gjithë ceremonia e varrimit, që zgjati jo më shumë se 10 minuta.

Me çfarë u kthyet nga varrezat në shtëpi?

Ne u larguam me një “Gaz” gjashtë vëndësh, që e kishin sjellë enkas për ne, pasi aq persona bëheshim gjithsej. Edhe ai automjet që e kishin marrë në Gardën e Republikës, ishte shumë i vjetër dhe në vënd të ndenjësve, kishte stola druri.

Deri ku shkuat me atë automjet?

Ai automjet na la diku te Libri Universitar dhe pasi zbritëm aty, për të shkuar në vilë, nuk dolëm nga rruga kryesore e hyrjes për në Bllok, pra aty te Komiteti Qëndror, por i ramë nga lulishtja që është përballë godinës së Presidencës së sotme. Aty na ndaluan rojet dhe oficeri i shërbimit na tha se kishte urdhër, për të mos na lënë që të futeshim brenda.

A reaguat ndonjë prej jush?

Pasi na lanë nja 30 minuta në shi, ku ne u bëmë ujë, unë fillova të bëja fjalë me oficerët e shërbimit, duke u thënë se në vilë kisha babanë e sëmurë. Por Ladi filloi të më fliste, duke më thënë që të mos bëja fjalë me oficerët, pasi ata vetëm sa zbatonin urdhërat që ua kishin dhënë të tjerët.

Si e justifikonin ata atë gjë, pra urdhërin për të mos I’u lënë juve të fiteshit në vilë?

Mesa kuptuam ne, aty kishte kontradita në urdhërat që ishin dhënë për të na penguar ne dhe pas insistimit të Ladit, ajo gjë u sqarua dhe ne na lanë të futeshim. Kur u futëm në shtëpi, takuam Fiqretin dhe ndërsa ne i treguam se si shkoi varrimi, ajo na bëri kafet.

Sa qëndruat aty?

Unë nuk qëndrova shumë dhe bashkë me babanë, Arshiun, dolëm për të kapur trenin për të shkuar në Fier. Gjatë gjithë rrugës, edhe në tren, ne kishim njerëz të Sigurimit të Shtetit që na survejonin, pothuaj haptaz, pa tentuar të fshiheshin.

Gjatë udhëtimit me tren për në Fier, a biseduat ndonjë gjë me babanë?

Që kur hipëm në tren, ne na ngushëlluan fatorinot dhe njerëz të tjerë fierakë që na njihnin mirë. Babai gjatë gjithë rrugës, pothuaj qëndronte i heshtur dhe vetëm një herë foli me zë të ulët, duke më thënë: “Mjerë ju ku do përfundoni, por ishalla i lënë bashkë ata tre djem”, duke e pasur fjalën për Ladin, Skënderin dhe Bashkimin.

Po kur shkuat në shtëpinë tuaj në Fier, a kishte njerëz që kishin shkuar për ngushëllim?

Atë natë që ne ndodheshim në Tiranë, në shtëpinë tonë kishte shkuar për ngushëllim, Sekretari i Dytë i Komitetit të Partisë së rrethit, Vullnet Radovicka, i cili më pas e “pagoi shtrenjtë” atë gjë, pasi e përjashtuan edhe nga Partia, duke e dërguar mësues në fshat. Pas asaj dite, situata për familjen tonë u bë shumë e rëndë dhe duke e ditur atë gjë, babai u dërgoi fjalë të afërmëve dhe miqve tanë, që më mirë të mos na vinin në shtëpi, se do kishin probleme dhe pasoja. Mua më dërgoi babai në Patos tek shtëpia e Alush Manes, vëllait të Qamail Mane Islamit, mikut të ngushtë të Mehmetit. Unë i’a dhashë porosinë e babait, pra që të mos ndiheshin, por edhe Alushi u godit më pas me gjithë familjen e tij.

Si rrodhën më pas ngjarjet me familjen tuaj?

Pas ngjarjes së Mehmetit, familja jonë ishte vazhdimisht nën survejimin e njerëzve të Sigurimit të Shtetit dhe pasi tentuan disa herë që të na nxirrnin edhe nga shtëpia, neve na e hoqën të drejtën e ushtrimit të profesioneve që kishim pasur. Ndrësa ngjarja më tragjike ishte ajo e kunatit tonë, Llazi Polo (bashkëshorti i motrës sonë të madhe), të cilit në atë kohë i’u bënë shumë presione duke e thërritur disa herë në Komitetin e Partisë. Si rezultat i tyre, ai pësoi një depresion të rëndë dhe u shtrua gjashtë muaj në Spitalin Psiqiatrik. Vetëm dy javë pasi doli që andej, në kushtet tepër të rënduara psikologjike, ai i dha fund jetës, duke bërë vetëvrasje, pasi u hodh nga kati i pestë i pallatit ku banonte. Pas kësaj, motra ime mbeti e ve vetëm me dy fëmijët jetimë pa baba. Po kështu një fat të tillë pati edhe motra e tretë, Merushja, bashkëshorti i së cilës, (A.S.) që punonte si Oficer Sigurimi, u soll shumë poshtërsisht me të, duke i’a marrë fëmijët pasi manipuloi gjyqin dhe e la motrën tonë në gjëndje çmëndurie.

Po me babanë tuaj, Arshiun, çfarë ndodhi?

Që nga ngjarja me Mehmetin, babai mbeti vetëm se i’u larguan të gjithë dhe si fliste më njeri me gojë. Në fillim atë e përjashtuan nga Partia dhe më pas e ripranuan përsëri dhe e gjithë ajo bëhej që ta detyronin atë të fliste kundër vëllait të tij, Mehmetit. Deri aty nga fillimi i vitit 1985, babai kaloi momente tepër të vështira dhe strese të jashtëzakonëshme. Më datën 7 mars 1985, ndërsa unë isha duke punuar, djali i motrës sime erdhi dhe më tha se kishte humbur gjyshi. Unë shkova menjëherë në shtëpi dhe dy motrat e mija, Merushja me Pranverën, kishin dlaë për ta kërkuar dhe e kishin gjetur në afërsi të Urës së Mbrostarit, anës trasesë së trenit, në një pellg të vogël me pak ujë që e kishte lënë lumi që kalonte aty afër. Fytyra e tij ishte e mbuluar me balë dhe ai dha shpirt në duart e tyre.

Ç’kishte ndodhur me të, ishte vdekje natyrale, (se mund të ishte rrëzuar), vrasje, apo vetëvrasje?!

Ajo vdekje ngjalli shumë dyshime për familjen tonë, por unë as sot nuk e mendoj se babai kishte bërë vetëvrasje, siç u tha në atë kohë nga ana e Mjeksisë Ligjore. Këtë gjë unë e shpjegoj thjesht me deduksion llogjik, se: po të donte për të vrarë vetën, babai mund të hidhej e të mbytej te Ura e Mbrostarit dhe jo ku u gjet atje te një pellg me fare pak ujë dhe shumë baltë. Po kështu, ka dhe një fakt tjetër që e rrëzon versionin zyrtar të vetëvrasjes. Pak para asaj ngjarje, pra vdekjes së tij, rreth 1 km. larg atij vëndi, babai është parë nga disa njerëz, që të takohej me një person, (banues në Fier dhe me origjinë nga Veriu i Shqipërisë), i cili njihej nga të gjithë që punonte për Sigurimin e Shtetit. Ajo gjë s’mund të ketë qenë thjesht rastësi?! Ashtu siç kam dyshuar gjithnjë për vdekjen e babait tim, Arshiut, unë kam dyshuar edhe për atë të djalit të xhaxhait, Vladimirit, që edhe për të thanë se u vetëvra. Po kështu unë kam shumë dyshime edhe për vdekjen në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura të Fiqretit, në Burgun e Shënkollit.

Ku i bazoni ato dyshime?

Ato i bazoj në shumë gjëra dhe fakte të ndryshme, por preferoj që të mos flas tani për to. Tani gjej rastin t’ju them vetëm konkluzionet që unë kam nxjerrrë prej tyre: Sigurimit të Shtetit, gjithnjë sipas udhëzimeve që merrte nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, i interesonte vdekja e Vladimirit dhe e babait tim, Arshiut, për të thënë atë që tha dhe Partia, pra që; “Ata u vetëvranë, ashtu si dhe Mehmet Shehu”. Pra, duke hapur versionin e vetëvrasjes së tyre, i thuhej popullit, se: “Ashtu si Mehmeti, edhe Arshiu dhe Vladimiri, i dhanë fund jetës, pasi e kishin në gen vetëvrasjen”. Pra gjithçka bëhej për të mbuluar vrasjen e Mehmetit.

Pse ju besoni se Mehmetin e kanë vrarë?

Që Mehmet Shehun e kanë vrarë, atë e di e gjithë Shqipëria. Por nuk ka shumë rëndësi se kush e tërhoqi këmbzën e pistoletës. Mehmeti ishte “vrarë” disa muaj përpara dhe në mesnatën e 18 dhjetorit 1981, atij vetëm sa i’u bënë “formalitetet e fundit”.

Nëse një luftë e re shpërthen (Mbi vendimin e Presidentit Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Gjermania) – Nga Janusz Bugajski

Në një periudhë krize në SHBA dhe Europë, aleanca e NATO-s mbetet një shtyllë e qëndrueshme e unitetit trans-Atlantik. Plani i Presidentit Donald Trump për të tërhequr një të tretën e trupave amerikane nga Gjermania mund të dobësojë sigurinë europiane dhe amerikane, të provokojë mosmarrëveshje midis aleatëve, të inkurajojë Moskën të përshkallëzojë agresionet ndaj fqinjëve të saj perëndimorë dhe si përfundim të futë Amerikën në një konfrontim më të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Shtëpia e Bardhë ka aprovuar një propozim për tërheqjen e afro 10,000 trupave amerikane nga bazat në Gjermani deri në shtator, gati një e treta e (trupave) amerikane të vendosur në shtetin kryesor të Europës.

Vendimi nuk është marrë me një përllogaritje të shëndoshë strategjike, por në bazë të konflikteve personale të Trump me Kancelaren Angela Merkel dhe të politikës së brendshme, meqë presidenti kërkon të qetësojë elementet vetë-izoluese në mesin e mbështetësve të tij politikë.

Trump beson se Gjermania e ka shfrytëzuar ekonomikisht SHBA për dekada të tëra. Ai e sulmon shpesh Berlinin që ka dështuar të përmbushë (detyrimet) e marrëveshjeve të NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen kombëtare dhe përllogarit se më pak trupa amerikane do të bëjnë që Gjermania të shpenzojë më shumë.

Por vendimi i Presidentit bazohet në supozime të gabuara në lidhje me misionet dhe operacionet e NATO-s. Shumica e shteteve më të mëdha europiane, përfshirë Gjermaninë, kanë rritur ose janë angazhuar për të rritur shpenzimet e tyre për mbrojtjen gjatë viteve të ardhshme.

Në të njëjtën kohë, vetëm 5% e buxhetit të përgjithshëm të mbrojtjes së SHBA shkon për mbrojtjen e Europës. Është po aq e rëndësishme të përllogaritet se si burimet kombëtare ndahen sipas efektivitetit optimal ushtarak dhe se si SHBA përfiton nga prania e saj parësore në Europë.

NATO u krijua në prill 1949 me Traktatin e Uashingtonit, si një angazhim multi-nacional për mbrojtjen kolektive. Pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore, lidhja e Europës me Amerikën e Veriut me një pakt sigurie jo vetëm parandalon një luftë tjetër në Europë, por gjithashtu siguron një mbrojtje të vijës së parë për SHBA.

Tridhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, forcat amerikane janë të vendosura në Europë jo për altruizëm, por për të mbrojtur interesat e SHBA dhe për të zbuluar, ndaluar dhe mposhtur kundërshtarët përpara se ata të ndjehen të fuqizuar për të goditur tokën amerikane.

NATO është mekanizmi kryesor që mbështet ndikimin gjeopolitik amerikan në të gjithë Europën dhe e zhvillon atë në rajone të afërta, si Lindja e Mesme dhe Mesdheu. Si i pari që i përgjigjet çdo sfide të madhe sigurie, NATO monitoron të gjitha kërcënimet kundrejt sigurisë së Aleatëve dhe po zhvillon një arsenal të gjerë të jo vetëm në arenën ushtarake, por edhe në hapësirën kibernetike, (në luftën) kundër terrorizmit dhe formave të tjera të luftës bashkëkohore.

Prania e trupave amerikane në Gjermani është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme në rreth 35,000 nga pothuajse 300,000 që ishin në fillim të viteve 1990.

Presidenti Vladimir Putin ka përfituar nga tkurrja amerikane për të shumëfishuar forcat ruse përgjatë kufijve të NATO-s dhe për të kërcënuar sigurinë e Europës. Kjo është e dukshme në pushtimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë nga Rusia, në rindërtimin e përshpejtuar ushtarak të saj, përfshi militarizimin e Krimesë së okupuar dhe rajonit të Kaliningradit në Detin Balltik, dhe fushatën e saj të tejzgjatur për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.

Rusia heton në vazhdimësi mbrojtjet e disa shteteve europiane dhe ka zgjeruar stërvitjet e saj të papritura (ushtarake) duke vënë në shënjestër veçanërisht Poloninë dhe shtetet balltike. Ajo ndërmerr provokime të përsëritura kundër hapësirës ajrore të Aleatëve dhe ujërave (të tyre) territoriale dhe kërcënon lëvizjen e lirë të trafikut tregtar në Detin e Zi.

Një Europë e pasigurt pa një strehë të fuqishme të NATO-s pa një prani frikësuese amerikane teksa kufijtë e saj janë pre e kërcënimeve të vazhdueshme nga një Rusi armiqësore, përbën rrezikun më të madh ndaj sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dobësimi i NATO-s përmes tkurrjes amerikane do të provokojë agresion më intensiv rus. Dhe nëse një luftë e re shpërthen, kostoja përfundimtare për SHBA do të jetë shumë më e madhe se sa investimi në fjalë, sipas planifikimeve paraprake. Uashingtoni nuk do të mund që thjesht të vetë-izolohet ndërsa interesat e tij ushtarake, politike dhe ekonomike do të jenë duke u sakatuar.

Mënyra më efikase për të parandaluar konfliktin e armatosur është që NATO-ja të shfaqë forcën e vullnetit, koherencën dhe aftësitë e saj.

Në një raport të sapopublikuar, me tre kolegë të mi në Qendrën mbi Analizën e Politikave Europiane (CEPA), përfshirë ish-komandantin e ushtrisë amerikane në Evropë, gjeneral-lejtënant në pension Ben Hodges, ne kemi rekomandime konkrete për forcimin e krahut të prekshëm lindor të NATO-s.

Çfarëdo dobësimi i lidhjes trans-atlantike përmes një reduktimi të konsiderueshëm të trupave amerikane thjesht fton agresione të reja nga Kremlini dhe, si rrjedhojë, mund të rezultojë në një luftë nga e cila Amerika nuk do të jetë në gjendje të largohet.

Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ende një plagë e hapur

Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 76-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”

 

FATJON CUKA

Çamëria është një krahinë gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Detit Jon dhe qendrat kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Lura, Margëllëçi, Arta, Paramithia, Parga dhe Preveza. Emri Çamëri e çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Thiamis), sot Kalama.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.

Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse dhe pikërisht pas këtij vendimi do të fillonte tragjedia për popullatën çame.

Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 76-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, shkruan Anadolu Agency (AA).

Këtë vit slogani dhe mesazhi për aktivitetet përkujtimore për gjenocidin është “Mos e harro Çamërinë”, që sipas përfaqësuesve të komunitetit çam u drejtohet Qeverisë së Greqisë dhe popullit grek, gjithashtu edhe Qeverisë së Shqipërisë për përkujtimin e 27 qershorit dhe për zgjidhjen e çështjes çame.

Gjenocidi dhe persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Pasi pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha shtetit grek, filluan edhe masakrat dhe presionet e ndryshme ndaj popullatës çame me qëllim spastrimin etnik dhe largimin me forcë nga trojet e tyre.

Popullsia çame për disa dekada u përndoq dhe masakrua, me masakra të cilat filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur.

Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore të disa arkivave të vendeve evropiane, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin e egër ndaj tyre.

Vetë shqiptarët e Çamërisë që kanë përjetuar gjenocidin, ende në ditët e sotme i kanë të freskëta masakrat, të cilat sipas tyre nuk kursyen as fëmijët dhe as gratë shtatzëna. U masakruan me armë të ftohta, me varje, zjarr, ndërsa bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.

Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë. Për të ndihmuar refugjatët çamë, u angazhuan edhe institucionet ndërkombëtare, duke ngritur kampe në Shqipëri, siç ishte kampi në Kavajë.

Të ndodhur përballë gjenocidit, shqiptarët e Çamërisë u larguan nga vatrat e tyre, duke u vendosur kryesisht në Shqipëri, dhe vende të tjera, ndërsa një numër i madh i pjesëtarëve të këtij komunitet ndërtuan jetën e tyre në emigrim në disa shtete të botës, si në Turqi, Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Itali dhe disa vende të tjera evropiane.

Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar që nga jugu i vendit, si në Sarandë, Konispol, pastaj në Shqipërinë e Mesme, Tiranë, Elbasan, si dhe në Fier, Lushnje dhe Kavajë.

Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.

Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar.

Çështja çame në Shqipëri

Përveç persekutimit ndaj personaliteteve me origjine çame, çështja e Çamërisë gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1991) mbeti në heshtje. Heshtja mbi 45-vjeçare mbi çështjen çame gjatë sistemit komunist do të përfundonte me rënien e regjimit, ku komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë u riorganizua në shoqata, parti politike dhe grupime të tjera, për të unifikuar qëndrimet dhe kërkesat në lidhje me kauzën e tyre.

Çështja çame në tri dekadat e fundit arriti të kombëtarizohet, por edhe të trajtohet nga përfaqësuesit e këtij komuniteti edhe në organizma ndërkombëtare.

Pjesëtarët e këtij komuniteti që jetonin në Shqipëri, që kishin ruajtur kulturën, traditat dhe fenë e tyre, historinë, krijuan fillimisht në vitin 1991 Shoqatën Patriotike “Çamëria”, e cila në vitet e para të tranzicionit, por edhe në vijim u angazhua për ruajtjen e kulturës, historisë dhe traditave të çamëve.

Shqiptarët e Çamërisë i kushtuan rëndësi edhe përfaqësimit politik, ku aktualisht vepron Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), ku përfaqësuesit e saj kanë pasur edhe poste të rëndësishme në institucionet e shtetit shqiptar. Ajo publikisht dhe zyrtarisht shprehet se është “Partia e kauzave kombëtare dhe çështjes çame”.

Kështu, zhvillimet gjatë tranzicionit në Shqipëri në lidhje me çështjen çame ishin të karakterit legjislativ, politik dhe përkujtimor, ku ndër më kryesoret mund të përmendim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1994 për të miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu më 8 prill 2004 miratoi edhe një rezolutë për “çështjen çame”, e cila hyri në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare nëntë vite pas miratimit, ku ndër të tjera në kohën e miratimit të saj vlerësonte se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët (Shqipëria dhe Greqia).

Rezoluta e cila është në fuqi ngarkon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.

Gjithashtu me anë të saj, i kërkohet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare.

Po ashtu, rezoluta i kërkon Qeverisë së Shqipërisë që nëpërmjet grupeve të posaçme të punës të bashkëpunojë me palën greke dhe të përshpejtojë fillimin e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi.

Një moment tjetër i rëndësishëm për kauzën çame sidomos në aspektin e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, është edhe ndërtimi i “Varrezave Monumentale për Shqiptarët e Çamërisë”, në Sarandë, ku për çdo vit në muajin qershor organizohen marshime-pelegrinazhi për të përkujtuar shqiptarët që humbën jetën gjatë gjenocidit dhe vuajtjeve pas shpërnguljeve nga tokat e tyre. Përfaqësuesit e këtij komuniteti kërkojnë që këto varreza të shpallen zyrtarisht varreza monumentale që të ketë ceremonial shtetëror për ceremonitë përkujtimore të homazheve.

Çështja çame u përfshi edhe në programin e Qeverisë së Shqipërisë disa vite më parë. Në programin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, gjatë mandatit të parë qeverisës (2013-2017), thuhej se “Ne (Qeveria e Shqipërisë) do të synojmë trajtimin e çështjes çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.”

Edhe pse kanë kaluar dekada nga masakrat ndaj popullsisë çame, tragjedia çame është ende një plagë e hapur, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti nuk mund të kthehen në tokat e paraardhësve të tyre, por shumë prej tyre nuk kanë varr për të kujtuar të afërmit e tyre.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të tjerë të organizuar në shoqata dhe grupime të ndryshme, kanë kërkuar ndër vite, por edhe kërkojnë ende që politika në Shqipëri dhe veçanërisht institucionet e shtetit shqiptar të unifikojnë qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes çame.

Nga ana tjetër pritet me interes nga shqiptarët e Çamërisë, por edhe me gjerë nëse në marrëveshjet për çështjet e hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë, do të përfshihet edhe çështja çame, pasi shteti shqiptar obligohet në mbrojtjen e të drejtave të tyre, sidomos pas insistimit të përfaqësuesve të çamëve që në negociatat mes dy vendeve të përfshihet edhe zgjidhja e çështjes çame.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) që mbron të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë ka insistuar vitet e fundit që pjesë e bisedimeve Shqipëri-Greqi të jetë edhe zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

Edhe në ditët e sotme, kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë ato të lëvizjes së lirë, të gëzimit të pronave të tyre dhe të njohjes dhe pranimit të gjenocidit, që mbetet një plagë e hapur edhe sot, pasi as ata që lindën në Çamëri, por edhe pasardhësit e tyre nuk mund t’i vizitojnë trojet e të parëve.

Pelegrinazhet, ekspozitat, aktivitetet përkujtimore dhe të tjera janë pjesë e “Javës Çame” që organizohet çdo vit në muajin qershor, ku synohet të sillen në vëmendje vuajtjet dhe të mos harrohet gjenocidi, por edhe të ruhet dhe transmetohet kultura çame në Shqipëri dhe më gjerë.

75 vjet më parë u nënshkrua Karta e OKB-së

Më 26 qershor 1945 – përfaqësuesit e 50 shteteve në San Françisko nënshkruan Kartën e OKB-së. Më 24 tetor 1945 hyri në fuqi Karta e OKB-së.

VOAL –Dështimi i Lidhjes së Kombeve: Organizata paraardhëse e kombeve të bashkuara dështoi në mënyrë të vajtueshme, sepse ajo kishte një pikë të dobët: fuqitë e mëdha nuk dëshironin të merrnin pjesë në Lidhjen e Kombeve, që ishte themeluar pas Luftës së Parë Botërore. Lidhja e Kombeve ishte e pafuqishme në kohën që Gjermania dhe Japonia nxitën Luftën e Dytë Botërore.

Ish presidenti i SHBA-së Frenklin Rusvelt që në kohën e luftës ndërmori iniciativën. Ai e dinte që për të pasur një organizatë botërore kishte nevojë për bashkëluftëtarë të fortë. Në fillim ai u konsultua me kryeministrin britanik Uinston Çurçill dhe më pas ftoi dhe Kinën dhe Bashkimin Sovjetik në tryezën e bisedimeve. Këto shtete skicuan në shtator të 1944 bazat për organizatën që do të themelohej një vit më vonë në San Francisco. Eduard Stetinius, ministër i jashtëm në periudhën e qeverisjes së Rusveltit tha pas përfundimit të luftës: “Ne duam t´ju kujtojmë se Gjermania mundi të mposhtej, sepse kombet e bashkuara i bashkuan fuqitë e tyre për një qëllim të përbashkët. Paqja do të vetëm atëherë e qëndrueshme, kur këto shtete do të qendrojnë të bashkuara. Duhet krijuar organizata për të cilën jemi bledhur këtu për të diskutuar.”

Themelimi i OKB-së

Rusvelti, Çhurçilli dhe Stalini donin të mënjanonin mundësinë që Kombet e Bashkuara të kishin kontrollin mbi këtë organizatë. Dhe për këtë arsye ata nuk i dhanë kompteneca të plota asmblesë së përgjithshme, ku ishin të përfaqësuar të gjithë antarët, por krijuan një Këshill të fortë Sigurimi, në të cilin ata kishin një vend të përhershëm dhe mund të vendosnin veton e tyre. Tomas Veis, ekspert i shkencave politike ne universitetin e Nju Jorkut “City university” shprehet: “Arsyeja që Shtetet e Bashkuara u futën në OKB, ndërkohë që nuk kishin dashur të antarësoheshin në Lidhjen e Kombeve, ishte e drejta e vetos. Kjo ishte gjithashtu edhe arsyeja e antarësimit të Bashkimit Sovjetik në OKB.”

Në fillimet e saj OKB-ja ishte një organizatë shpresëdhënëse. Në 1948 u shpall Deklarata e të Drejtave të Njeriut, një gur themeli i rëndësishëm për të drejtën ndërkombëtare. Por me kalimin e kohës brenda radhëve të aleatëve të luftës filluan të krijohen edhe armiqtë e betuar midis tyre; nisi kështu konflikti mes shteteve komuniste dhe botës së lirë perendimore, gjë që çoi në përçarjen e Këshillit të Sigurimit. Fprumi më i pushtetshëm në botë ndodhej në qorrsokak, sepse pesë antarët me të drejtë vetoje e vinin shpesh herë në përdorim veton e tyre. Kur prekeshin direkt interesat e fuqive të mëdha ShBA dhe Bashkimi Sovjetik OKB-ja paralizohej. Kjo situatë zgjati deri nga fundi i viteve 80-të.

Rënia e perdes së hekurt

Me rënien e murit të Berlinit dhe me fundin e konffliktit Lindje-Perëndim përfundoi edhe periudha e bllokadave në Këshillin të Sigurimit. Megjithatë të 5 shtetet pjestare të Këshillit të Sigurimit rrallëherë vazhdonin ta përdorin veton e tyre. Sidoqoftë për OKB-në nisi një periudhë e frytshme bashkëpunimi.

Kjo u duk veçanërisht në misionet e paqes. Në vitin 1988 kjo organizatë u nderua me Çmimin Nobel të paqe. Më pas u shtua shumë edhe numri i helmetave të kaltra, të dërguara në misione paqjeje nga kjo organizatë. Nga viti 1988 deri në vitin 1993 kishte më shumë misione të helmet-kaltërve për paqe sesa në 40 vitet e mëparshme. Por këto misione paqësore nuk mundën të shuanin konfliktin civil në Somali dhe nuk mundën të menjanojnin vrasjet në Ruandë. Trupat blu u kritikuan edhe për faktin se nuk e ndaluan masakrën e Serbrenicës në Bosnje. Megjithatë misionet në paqe kanë patur edhe anën e tyre pozitive, mbi të gjitha kur ndihmuan për rindërtimin e institucioneve shtetërore. David Hajeri ka vëzhguar dhe analizuar shumë misione të kaskave blu, ai shprehet: “Ka shembuj të shumtë që dëshmojnë ndihmën e misioneve të paqes në zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e paqes si p.sh.: në Kamboxha, në Mozambik si edhe ne Ballkan. Në këto vende ka qenë shumë efektive prezenca e misioneve të paqes së OKB-së.”