Në lashtësi, nuk kishte tanke. Në vend të tyre përdornin elefantët: lëkura e tyre ishte e trashë dhe vështirë se shpohej nga shigjetat. Siç thotë Plutarku, Aleksandrit të Madh i bënin aq përshtypje elefantët persianë sa natën para betejës së Gaugamelës (331 p.e.s.) i bëri fli Fobit, perëndisë së Frikës. Një shekull më pas fama e tyre u rrit edhe më. Hanibali u nis për të pushtuar Romën, duke marrë me vete edhe elefantët, të përkryer për shkatërrimin e vijave armike.
Nëse elefantët ishin tanket e para në botë, derrat në flakë qenë predhat e para antitanke. Të lyer me zift, ndizeshin dhe më pas liheshin të lirë të bënin kërdinë. Sipas shkrimtarit romak Gaius Plinius Secundus, kjo armë ishte tepër efikase pasi «elefantët trëmben edhe nga kuisja më e vogël e derrit».
Kur derrat në flakë kishin sukses, fitoret e tyre ishin të shkëlqyera. Më 266 p.e.s. Megara u mbrojt prej pushtuesit maqedonas Antigon II Gonatus duke përdorur derra të lyer me rrëshirë. Elefantët e Antigonit u zmbrapsën gjithë tmerr. Megjithatë, në shumicën e rasteve, taktika kishte disavantazhe të rënda. Meqenëse jetëgjatësia e derrit në flakë është e shkurtër, largësia e qitjes është nën 120 metra. Kjo do të thotë se armikun duhej ta kishe pak a shumë para syve. Në rast të kundërt, derrat nuk do kishin kurrfarë efekti. “Predhave” gjithashtu i mungonte një sistem komandimi, kjo i bënte tej mase të pasaktë. Edhe kur i drejtoje nga armiku, ata zakonisht vraponin sipas qejfit, duke ndezur zjarre për hesap të vet.
E bëra këtë prantezë, disi të gjatë, me që jemi në fushatë zgjedhore dhe tek ne, në Shqipëri, pra, zgjedhjet marrin karakterin e luftës midis rivalëve që lakmojnë pushtetin, duke përdorur çdo lloj arme dhe taktike. Sivjet, me sa duket, partia në pushtet zgjodhi ta nisë me derrat në flakë. Ju kujtohet se si kryeministri ynë përdori ca media, sidomos Top cannel, ca gazetarë në Tiranë e Prishtinë, ca pseudoheronj, ca servilë e ca të paguar në Shqipëri e Kosovë, si derra në flakë, për ta nxjerrë jashtë luftës pa fillur mirë fushata zgjedhore, zotin Basha, kreun e opozitës. Me ngjasme u digjej xhani për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe zoti Basha kishte bashkëpunuar me armikun e Kosovës, kishte sabotuar luftën e drejtë të kosovarëve dhe kishte spiunuar udhëheqësit e UÇK -së tek të dërguarit ndërkombëtarë. Mirëpo zoti Basha doli i fituar pa u futur fare në luftë, ndërsa derrat në flakë u dogjën apo ikën në drejtime të panjohura, nuk merret vesh.
Nga të gjithë mediokrit, ai që arrin të ketë vëmendjen e medias është si të thuash, më i adhuruari. Atij nuk i kërkohet t’i ngjajë dikujt që nuk është, të dalë nga vetja, të bëhet më i mirë, më me kulturë, në fund të fundit më i duruar me spektatorët e paguar apo të budallallepsur që ka përrreth. Megjithatë, detyra e tij është e rëndë dhe e vështirë: të përgatisë kushtet për arratisjen nga realiteti. Por, që t’i hiqet prej shpine çdo barrë përgjegjësie, na serviren disa ideale banale, gati-gati të arritshme: së pari, pjesëmarrja. Këtyre mediokërve “derra në thes” ua garantuan pjesëmarrjen dy gazetarë të Top cannel, njëri në Tiranë e tjetra në Prishtinë, sigurisht me urdhër nga “babai” i familjes rilindase. Funksioni kryesor i babait, thotë psikanalisti frëng Lacan-i në seminarin XIX, është “të mahnitë familjen e vet”…
Por derrat në thes në kohërat moderne, edhe në demokraci, që është sistemi më i mirë sipas Çërçillit, mund të jenë jo vetëm mediokrit, por edhe disa të ditur, që nuk e kanë ndjesinë e nderit, të krenarisë e të turpit. Derra në thes për krahun e pozitës u bënë dhe dy ish-deputetë të LSI, të cilët deklaruan se largohen nga LSI, për të kandiduar në lista e PS-së. Por deklarata(në formë urdhëri) e ambasadores amerikane që Komisioni Qëndror Zgjedhor të mos rregjistrojë kandidatë që ndërrojnë partitë, do t’i bëj derrat të ikin në drejtime të paditur.
Ndodh që të futen në betejë jo vetëm derrat e mëdhenj, por edhe derrat e vegjël të imitojnë derrat e mëdhenj në flakë, siç ishin disa të rinj në Berat, me ngjasme anëtarë rinorë të LSI, të cilët dolën para kamerave të Top cannel dhe deklaruan me bujë e bori se largohen nga LSI dhe do të kalojnë me partinë socialiste. Kush ua kërkoi dhe kush i pyeti se me kë janë dhe për kë do të votojnë? Publiku, qytetarët as duan t’ia dinë se për kë do të votojë X apo Y. Kjo deklaratë publike është vetëm pjesë e propagandës dhunuese, mashtruese dhe poshtëruese për vetë ata të rinj nga partia që i josh me gënjeshtra dhe do t’i përdorë kur t’ia lyp nevoja sërish si derra në flakë.
Por kanë një dallim këta derrat e sotëm në thes nga ata të luftrave të hershme, se atëherë derrat digjeshin si heronj, ndërsa këta derrat e sotëm nuk digjen, perkundrazi, bëhen më të fortë dhe, ndonëse faqenxirë, ata lakmojnë pushtet e favore, vende pune në administratë, prona e pasuri. Mediokrit kanë dhe një favor se ata, nuk kanë ndjesi pendese apo turpi
Dua ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Vilhelm Rajh, i cili, duke iu drejtuar njeriut të thjeshtë, shkruan: “Kur ne, o njeri, luftuam për të drejtat tona, ti jo vetëm që nuk more pjesë, por lirinë, që ne u munduam të sillnim, ti e ngatrrove me heqjen e rrobave nga trupi, më tepër se mendimi dhe fjala e lire, ty të pëlqeu të dilje rrugëve lakuriq”.
Komentet