E vërej jo pa bezdisje përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë, në mënyrë të panevojshme e të panatyrshme për shqipen e folur dhe të shkruar, të shprehjes ‘deri më’ në vend të parafjalës ‘deri’.
Këto përdorime po i dëgjojmë e lexojmë para ndajfoljeve kohore, kësisoj: “deri më tani, deri më sot, deri më nesër’, ‘deri më dje’ e tjerë.
Është në natyrën e shqipes që para ndajfoljeve kohore të përdoret vetëm parafjala ‘deri’, si: deri tani, deri tashi, deri sot, deri mbrëmë, deri sonte, deri kur, deri nesër, deri sivjet, deri motmot e tjerë. Parafjala ‘më’ nuk shton asgjë kuptimisht. Ajo mbetet parazite dhe e shëmtuar, si shumë dukuri e prirje të shëmtuara sot tek folësit dhe tek shkruesit e shqipes.
Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e përcakton shumë qartë se parafjala ‘deri’, e cila ndodhet gjithnjë para ndajfoljeve kohore dhe vendore, përdoret pa asnjë ndërmjetësi. Dhe jep për këtë një mori shembujsh, përfshirë ato që solla unë më sipër.
‘Deri më’ përdoret vetëm për të treguar datën si afat kohor: “deri më 19 maj”, “deri më 28 nëntor” e tjerë, pra në rastet kur nuk përmendet fjala ‘datë’. Atëherë kemi: “deri me datën 19 maj” e tjerë.
Edhe parfjala toske ‘gjer’, sinonim i parafjalës ‘deri’ përdoret pa ndërmjetësim: gjer nesër, gjer pastaj, gjer vjet, gjer sivjet e tjerë.
Edhe gjuhët kryesore me të cilat shqipja është në marrëdhënie, kanë të njëjtin përdorim të parafjalës me ndajfoljet e kohës. Anglisht: till now (deri tani), till today (deri sot), till tomorrow (deri nesër), e tjerë. Gjermanisht: bis morgen (deri nesër), bis bald (deri pak pak), bis gleich (deri pas këtij çasti) e tjerë.
Vetëm italishtja i ka format: fino a domani (deri nesër), fino ad allora (deri pastaj), fino ad oggi (deri sot) e kështu me radhë.
Me sa duket forma ‘deri më’ vjen si një kalk i italishtes, pra si një kopjim, si një riprodhim i përdorimit përkatës të saj.
Komentet