Dje me 10 Shkurt 2026, Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Southfield, Michgan e vizitoi z. Belind Këlliçi, deputet i Parlamenti Shqiptar, njëkohësisht anëtar i Kryesisë të Partisë Demokratikë të Shqipërisë. Ai mbërriti në këtë qendër rreth orës 10 të mëngjesit dhe u prit nga drejtuesi i programit të kulturës dhe shkollës shqipe të kësaj Qendre, z. Valentin Lumaj.
Fillimisht z. Këlliçi u interesua të shikojë ambientet e reja të qendrës Kulturore, klasat e valles dhe të gjuhës shqipe ku mësojnë rreth 80 nxënës të komunitettit shqiptar. Ai vizitoi gjithashtu ambientet e kuzhinës dhe sallën e kësaj qendre që shërben për të gjitha nevojat e famullisë së Kishës Zoja Pajtore dhe të komuntetit shqiptar në Michigan.
Pritja u bë në zyrën e Bibliotekës “Dom Ndue Gjergji”. Në këtë takim ishte i ftuar edhe z. Robert Lulgjuraj, kandidati shqiptar për në Kongresin Amerikan i shoqëruar nga shefi i fushatës së tij. Morën pjesë gjithashtu edhe aktivisti i komunitetit dhe gazetari Luigj Gjokaj dhe aktivisti veteran Gjergj Vuktlaj.
Deputeti Këlliçi kërkoi të dijë dhe u informua për jetën komunitare të shqiptarëve në Detroit, aktivitetet kulturore dhe artistike, për historinë e Kishës Zoja Pajtore dhe të Qendrës Kulturore Nënë Tereza. Z. Lumaj i dhuroi atij librin “Gjysmë Shekulli në një Kuvend”, që i kushtohet 50-vjetorit të krijimit të Kishës Zoja Pajtore, kishës së parë shqiptare në Michigan.
Biseda vazhdoi mbi realitetin e vështirë ekonomik, politik dhe social në Shqipëri, i cili ka kulmuar me largimin e gjysmës së popullsisë së Shqipërisë në 13 vitet e fundit, humbjen e shpresës nga rinia shqiptare dhe nevojën imediate të një rotacioni politik paqësor.
Me mbërritjen e kandidatit Republikan Lulgjuraj në takim, biseda u zhvendos në fushatën e suksesshme të tij dhe shancin historik që një bir emigrant shqiptar të ketë një vend në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Kandidati Lulgjuraj informoi mbi ecurinë e fushatës, për sigurinë e tij për të fituar në Primare dhe sfidat që e presin në fushatën e ardhshme. Z. Këlliçi dhe z. Lulgjuraj, si përfaqësues të partive si-motra, partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Republikane Amerikane, ndanë mendimet e tyre reciproke dhe mundësitë e ndërsjellta për të mbështetur njëri-tjetrin dhe kauzën shqiptare në përgjithësi në takime të mundshme me kongresistë dhe senatorë.
Gazetari Luigj Gjokaj dhe z. Gjergj Vuktilaj bëtë pyetjet e tyre për z. Këlliçin në lidhje me sundimin e tejzgjatur të pushtetit të Edi Ramës, vështirësitë e Partisë Demokratike dhe të opozitës për t’u bashkuar dhe rolin e liderit të PD-së Sali Berisha në vitet e fundit dhe aktualisht, të cilave z. Këlliçi ju përgjigj me qetësi dhe elokuencë.
Në në këtë takim u fol dhe u ndoq Live protesta e rradhës e opozitës në Tiranë dhe u shpreh keqardhje për dhunën e ushtruar nga shteti policor ndaj protestuesve.
Deputeti Këlliçi është aktualisht në një tur takimesh të suksesshme zyrtare në Departamentin e Shtetit, në takime me komunitetin shqiptar në Toronto dhe në Michigan.
Takimi zgjati rreth dy orë dhe u mbyll me shtrëngime duarsh dhe përqafime.
Pergatiti Valentin Lumaj/Michigan



