Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë se Los Chapitos ishte shpallur nën autoritetin e drogës së paligjshme dhe terrorizmit, duke e akuzuar atë për lehtësimin e trafikimit dhe prodhimit të fentanilit, si dhe opioidit vdekjeprurës.
Dy nga udhëheqësit e saj në arrati, të dy bij të bosit të dënuar meksikan të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman, u goditën gjithashtu me sanksione, sipas Departamentit të Thesarit.
“Los Chapitos është një fraksion i fuqishëm dhe tepër brutal i Kartelit Sinaloa, në ballë të trafikimit të fentanilit në Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari i Thesarit, Scott Bessent në deklaratë.
“Në Departamentin e Thesarit, ne po zbatojmë mandatin e Presidentit Trump për të eliminuar plotësisht kartelet e drogës dhe për të luftuar udhëheqësit e dhunshëm, si fëmijët e ‘El Chapos’. Thesari po maksimizon të gjitha mjetet e disponueshme, për të ndaluar krizën e fentanilit dhe për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve.”
Thesari të hënën vendosi gjithashtu sanksione ndaj asaj që e quajti, një rrjet rajonal i bashkëpunëtorëve dhe bizneseve të Los Chapitos me seli në Meksikë.
Veprimi i së hënës ngrin çdo pasuri të tyre në SHBA dhe në përgjithësi u ndalon amerikanëve të merren me to. Ata që angazhohen në transaksione të caktuara me palët e sanksionuara, gjithashtu rrezikojnë të goditen nga sanksionet.
Ky veprim vjen pasi administrata Trump në shkurt i shpalli Tren de Aragua, Kartelin Sinaloa dhe kartele të tjera të drogës si organizata terroriste globale.
Trump, një republikan, lëshoi një urdhër ekzekutiv pasi mori detyrën më 20 janar, i cili u bënte thirrje zyrtarëve të vlerësonin nëse ndonjë kartel kriminal apo bandë transnacionale duhet të caktohet si grup terrorist.
Etiketimet e SHBA-së si terroriste kanë ardhur së bashku me një goditje qeveritare ndaj migracionit, me mijëra të huaj që janë deportuar në vende të treta në Amerikën Latine./ Reuters.
sn