Gazetari shqiptar nga Brukseli, Augustin Palokaj gjatë një lidhje direkte me ‘Çim Peka LIVE’ duke komentuar vizitën e Bill Klinton në Tiranë, është shprehur se, duket se ai nuk e kupton se për çfarë po flet.
Palokaj u shpreh në SYRI TV, se SHBA ka ndikuar që në këtë situatë të jetë vetëm Kosova vendi i ndëshkuar pas trazirave në veri të vendit.
‘Në parim e kuptoj se po kërkon paqe. Kur erdhi në Kosovë tha, ne e kemi fituar luftën, ju fitoni paqen. Por ai përmend se shqiptarët u kanë dhënë 4 komunat serbëve.
Këto komuna kanë qenë gjithmonë edhe në ish-Jugosllavi edhe në kohën e Millosheviçit. Dhe krijohet përshtypja se shqiptarët kanë dashë të ua marrin me zgjedhje ato komuna.
Ne gazetarët mund të kemi respekt për politikanët dhe ish-politikanët, por duhet ti themi faktet. Përshtypja ime është se Klinton nuk po e kupton se për çfarë po flet.
Duhet kuptuar natyrisht thirrja për të ndaluar marrëzirat dhe trazirat. Të gjithë pajtohen se duhet të tejkalohen dhe nuk do të ishte e tepërt të shpresonim që të mos kishin ndodhur fare.
Nuk shikoj që ai fajëson ndonjë në mënyrë direkte, por kemi një situatë kur është një histeri antikosovare edhe këtu në Bruksel gjithashtu dhe e inkurajuar edhe nga qëndrimet e SHBA-së dhe deri diku edhe Shqipërisë, sepse atëherë Brukseli dhe vendet që duan të sanksionojnë Kosovën dërgojnë porosi se nëse Uashingtoni dhe Tirana u thonë atëherë duhet ta dini se cilin pozicion jeni dhe prandaj Kosova është e vetmja që po ndëshkohet’, tha Augustin Palokaj në SYRI TV.