Më 18.02.2026, faqja në Facebook Lajminews.info (arkiva) ka publikuar një shkrim që pretendohet se është shkruar nga Charles L. Smith, III, kryetari i Trupit Gjykues në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Shkrimi është publikuar vetëm një ditë pas marshit “Lira ka Emër”– përmes të cilit një numër i madh i qyteterëve të Kosovës kanë kërkuar gjykim të drejtë në Hagë.
“Gjykata ndërkombëtare nuk mund të shantazhohet, as të kërcënohet me protesta apo presione politike. Drejtësia ndërtohet mbi fakte, prova dhe procedura ligjore, jo mbi emocione kolektive apo retorikë rrugësh. Në sallën e gjyqit në Hagë, vendimet nuk merren mbi bazën e zërave më të fortë, por mbi bazën e dokumenteve, dëshmive dhe standardeve të së drejtës ndërkombëtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës funksionojnë mbi parimin e pavarësisë së plotë gjyqësore — një parim që nuk lejon ndikim politik, presion publik apo ndërhyrje të jashtme.”- thuhet në fillim të këtij shkrimi, që i është mveshur kryetarit të trupit gjykues, Smith.
Në pjesën tjetër të shkrimit, Smith pretendohet se ka folur për standardet e gjykimit që ndjek Gjykata Speciale.
“Gjykatat ndërkombëtare gjykojnë fakte. Ato nuk janë arenë kompromisesh politike dhe as hapësira ku drejtësia negociohet. Standardi i tyre është ligji, jo perceptimi. Drejtësia e pavarur nuk frikësohet nga protesta, sepse legjitimiteti i saj buron nga procedura dhe e drejta — jo nga popullariteti. Gjykata e Hagës nuk është si gjykatat në Ballkan, ku shpesh vendimet ndikohet politikisht. Ajo gjykohet vetëm mbi fakte dhe ligj, duke ruajtur integritetin dhe pavarësinë e drejtësisë ndërkombëtare.”- thuhet në këtë postim.
Të njëjtin pretendim e kanë publikuar edhe faqe të tjera në Facebook: Portali Mitropress (arkiva), Kosovalb.com (arkiva), GazetaPejasot (arkiva), Mërgata me LDK-në (arkiva), Gazeta Neutral (arkiva), Klina.com (arkiva) dhe Portali Publicisti (arkiva).
Krypometër e ka kërkuar këtë informacion në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe atë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, por aty nuk është hasur asnjë shkrim apo qëndrim i Kryetarit të Trupit Gjykues, Charles L. Smith, III. As mediat që e kanë mbuluar procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve nuk e kanë publikuar një shkrim të tillë.
Në lidhje me këtë pretendim, Krypometër ka kërkuar sqarime nga Zyra për Media e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Zëdhënësi Michael Doyle ka konfirmuar se gjykatësi Smith nuk i ka shkruar këto fjalë.
“Gjyqtari Smith nuk i ka shkruar apo thënë ato fjalë. Gjithashtu, do të theksoja se postimi i referohet gabimisht gjyqtarit Smith si ‘Kryetar i Gjykatës së Hagës’.”- ka thënë Doyle në përgjigjen për Krypometër.
Gjykatësi Çarls L. Smith, III punon që nga viti 2014 si gjykatës për ndërmjetësim dhe arbitrazh. Nga 2010 deri më 2013, ai ishte gjykatës në EULEX. Gjatë këtij mandati, u bë anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës nga viti 2011 deri më 2013 dhe u zgjodh nënkryetar dhe kryetar i kuvendit të gjykatësve të EULEX, përkatësisht për vitet 2011-2012 dhe 2013.
Çështjet gjyqësore dhe funksionet në Dhomat e Specializuara të Kosovë (DHSK) të Smith përfshijnë: Kryetar i Trupit Gjykues në çështjen Gucati dhe Haradinaj si dhe në çështjen Thaçi dhe të tjerët; Nënkryetar i Gjykatës nga data 29.04.2020 dhe Gjykatësi i Lartë në çështjet e apelimeve të punonjësve.
Pretendimi për gjyqtarin Smith u publikua në ditën pas fjalëve përfundimtare të ish-krerëve të UÇK në Gjykatën Speciale në Hagë dhe vetëm një ditë pas marshit të organizuar në Prishtinë.
Gjykatësi Smith III e mbylli edhe çështjen gjyqësore pasi u dëgjuan fjalët përfundimtare të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Katërshja e UÇK i dha edhe një herë deklaratat e tyre përfundimtare, të cilët u deklaruan të pafajëshëm në gjitha pikat e aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Gjykatësi njoftoi se do të mbajë komunikim me palët në muajt në vijim për të përcaktuar datën e shpalljes së aktgjykimit dhe për rishikimin përfundimtar të çështjes.
Ekipet mbrojtëse kanë theksuar, sipas tyre, mungesën e provave të mjaftueshme, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka shtruar pyetjet dhe ka paraqitur pretendimet përfundimtare.
Pas kësaj faze, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat ligjor deri në tre muaj për të shpallur vendimin.
Në postimin e bërë nëpër rrjetet sociale, pretendohet se Smith i është referuar Gjykatës Speciale (Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës) si gjykatë ndërkombëtare.
Krypometër e ka gjetur ligjin për formimin e këtyre institucioneve që është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në ligj përcaktohet se Dhomat e Specializuara janë brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës.
“Dhomat e Specializuara janë pjesë përbërëse e çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovë: Gjykatës Themelore të Prishtinës, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të merret ekskluzivisht me referimet kushtetuese lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhomat e Specializuara janë të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre.”- thuhet në nenin 3 të këtij ligji.
Themelimi i Gjykatës Speciale
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.
Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.
Herën e dytë, Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.
Pjetër Shala, i njohur me nofkën komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 kur ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për krime lufte.
Hashim Thaçi ka qenë Shef i Drejtorisë Politike dhe të Informimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe udhëheqës i delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujesë. Pas luftës, ai kishte hyrë në politikë dhe ishte zgjedhur dy herë Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ishte edhe President i Republikës së Kosovës.
Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Për të gjitha këto akuza, Hashim Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë janë deklaruar të pafajshëm, duke i kundërshtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit. Sipas aktakuzës, Thaçi, si dhe Hajredin Kuqi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Demaku akuzohen për ndikim në dëshmitarë. Edhe për aktakuzën e re, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm dhe nuk ka pranuar fajësinë.
Në ditën kur Kosova ka festuar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në Prishtinë është mbajtur një marsh gjithëpopullor në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte.
Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka organizuar këtë marsh më 17.02.2026, me moton “Drejtësi, jo politikë”. Sipas organizatorëve, numri i pjesëmarrësve ishte mbi 100 mijë persona. Organizatorët në fjalët e tyre kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Kallxo.com