Deklaratat diplomatike, sidomos ato të Ambasadës së SHBA në një vend si Shqipëria, janë shpesh të formuluara me shumë kujdes dhe nëntekst. Ato rrallëherë janë “të rastësishme” në fjalorin që përdorin apo në atë që lënë jashtë. Çfarë thotë dhe çfarë nuk thotë kjo deklaratë:”Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.”
Çfarë përfshin kjo deklaratë: Së pari unë mendoj se është një urim për popullin, jo për qeverinë apo ndonjë parti fituese. Ka fokus mbi procesin zgjedhor, pa vlerësim të detajuar të tij.Ka konfirmim të vazhdimit të partneritetit, që është një pozicion i qëndrueshëm i SHBA ndaj Shqipërisë si vend, jo ndaj një force politike të caktuar. SHBA-të edhe gjatë regjimit komunist Stalinist, kur binte puna për ndonjë prononcim, i drejtoheshin popullit shqiptar apo kombit shqiptar, duke anashkaluar qellimisht qeverinë si në rastin e djeshëm.Deklarata është një dëshmi e nivelit të ulët të maredhënieve mes Uashingtonit dhe Tiranës zyrtare, ndoshta më të ultit qysh prej vitit 1991.
Çfarë mungon:Asnjë përmendje e Kryeministrit Edi Rama apo Partisë Socialiste.Asnjë koment pozitiv mbi integritetin, transparencën apo standardet e zgjedhjeve.Asnjë përgëzim për fitoren e qeverisë, që në zgjedhjet e 25 prillit 2021 ishte përfshirë qartazi.
Si të lexohet kjo deklaratë diplomatikisht? Ftohtësi e qëllimshme: Mungesa e emrave dhe e komplimentimeve direkte mund të jetë një formë e distancimit diplomatik. Në diplomaci, heshtja mund të jetë një mesazh. Në këtë rast, mund të interpretohet si mospëlqim i mënyrës si u zhvilluan zgjedhjet. Mosnjohje e entuziazmuar e rezultatit: Nëse SHBA do ta shihte procesin si të qartë dhe të rregullt, deklarata për mendimin tim përsonal do të kishte më shumë gjuhë pozitive për “standardet demokratike”, “transparencën”, apo “institucionet shqiptare”, si në rastin e zgjedhjeve të vitit 2021.
Stabilitet mbi gjithçka: Përdorimi i frazës “presim të vazhdojmë partneritetin” tregon se, pavarësisht rezervave të mundshme, SHBA do të ruajë marrëdhëniet institucionale me Shqipërinë. Kjo është një qasje pragmatiste – dallohet mesazhi: “Do të punojmë me ju, por nuk jemi entuziastë për mënyrën si u zhvillua gjithçka.”
Për mendimin tim përsonal si njohës i maredhënieve shqiptaro-amerikane prej 35 vjetës, kjo deklaratë është minimaliste dhe e kujdesshme, dhe kjo në vetvete është një sinjal diplomatik. Ajo nuk është një refuzim i hapur i rezultatit, por as një përqafim politik i qeverisë Rama. Është një mesazh neutralizues, ndoshta për të shmangur një mbështetje të perceptuar të njëanshme pas akuzave serioze të opozitës për manipulim dhe blerje votash. Nëse SHBA do të kishte pasur besim të plotë në zgjedhje, fjalia do të ishte shumë më e qartë dhe pozitive.
Qëndrimi i SHBA ndaj PD-së dhe Sali Berishës: Sanksionimi i Berishës si “non grata” nga Departamenti i Shtetit ka qenë një sinjal i fortë se Uashingtoni nuk e konsideron më Berishën si partner të besueshëm politik.Pavarësisht se një pjesë e madhe e bazës së PD-së është e zhgënjyer me qeverinë Rama dhe akuzat për manipulim zgjedhor janë serioze, SHBA -të nuk duken akoma të gatshme të mbështesin një opozitë të drejtuar nga një figurë të cilën vetë e ka shpallur të papranueshme. Mesazhi i heshtur në deklaratën e Ambasadës:Deklarata e thatë dhe pa mbështetje të qartë për pretendimet e opozitës sugjeron se SHBA nuk e sheh PD-në aktuale si një alternativë të besueshme, për sa kohë ajo drejtohet nga Sali Berisha – i cili jo vetëm është “non grata”, por edhe 82 vjeç dhe simbolizon për shumëkënd në Uashington një të shkuar politike që nuk përfaqëson më energjinë e re që SHBA synon të mbështesë në Shqipëri dhe në rajon. A është kjo një kërkesë indirekte për dorëheqjen e Berishës? Po, shumë gjasa që po. Në diplomaci, nuk thuhet kurrë direkt “ik” për një lider politik, por mungesa e mbështetjes; refuzimi për të takuar ose përmendur Berishën nga përfaqësues të lartë amerikanë; Inkurajimi publik për “rindërtimin e opozitës” dhe për “liderë të rinj, të pakorruptuar” në deklarata të mëparshme;
Të gjitha këto janë mesazhe indirekte, por të qarta, që nënkuptojnë: “E djathta ka nevojë për një fillim të ri që të jetë partnere serioze për SHBA.”
Nëpërmjet kësaj deklarate unë mendoj se SHBA po luajnë rolin e arbitruesit të ftohtë:Ato nuk e mbështesin Ramën nëse zgjedhjet janë manipuluar, por as nuk e mbështesin një opozitë që nuk ka kredibilitet ndërkombëtar.Neutraliteti në deklaratë është formë presioni ndaj të dyja palëve: qeverisë për të përmirësuar standardet zgjedhore, dhe opozitës për të reflektuar mbi lidershipin e saj.
Konkluzion:
Unë mendoj se mos-përmendja e qeverisë Rama në deklaratë nuk është as mbështetje direkte për opozitën aktuale. Mungesa e mbështetjes së hapur për opozitën gjithashtu nuk është shenjë indiference, por sinjal i qartë se SHBA pret një opozitë të re, të reformuar dhe të shkëputur nga figurat e vjetra dhe të kontestuara.
Nëse opozita nuk përfiton nga ky moment për t’u ripërtërirë, rrezikon të mbetet jashtë loje për një kohë të gjatë, pavarësisht pakënaqësisë publike ndaj qeverisë