VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dashuria është kënga që vetes ia kemi borxh – Cikël me poezi nga GLORIA MINDOCK* – Shqipëroi: Ukë ZENEL Buçpapaj

By | July 18, 2019

Komentet

Esat Pasha – redaktorit të “La Tribuna”, në Napoli (1914): “Nuk kam organizuar asnjë komplot në lidhje me ngjarjet e fundit në Shqipëri !”

Esat Pashë Toptani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2020

 

“La France” ka botuar, të hënën e 25 majit 1914, në faqen n°3, intervistën e Esat Pashë Toptanit, të zhvilluar asokohe në Napoli me redaktorin e “La Tribuna”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Ngjarjet në Shqipëri

Intervistë me Esat Pashën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Napoli, 24 maj. – Esat Pasha, i intervistuar nga një redaktor i “La Tribuna” protestoi ashpër kundër akuzës së drejtuar ndaj tij për një organizim komploti :

 

Çështja fetare, tha ai, është shkaku kryesor i ngjarjeve të fundit : Pasi Austria ka favorizuar veçanërisht popullsinë katolike, myslimanët favorizojnë influencën italiane. Ndërsa ata që thërriten “nacionalistë shqiptarë”, janë përfaqësuesit më entuziastë të partisë xhonturke. Këta janë kundër përhapjes së influencës italiane dhe austriake. Gjithsesi, unë duhet të shtoj se këta janë shumë pak në numër.

 

Unë nuk mendoj se kthimi i Turkhan Pashës në Shqipëri do të qetësojë shpirtrat, sepse, para nisjes së tij, Turkhani pati shprehur qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen.

 

Esati shtoi se, pak javë para arrestimit të tij, protesta (ankesa) nga rrethet e Dibrës dhe Matit i ishin drejtuar ministrisë shqiptare kundër ardhjes së një princi të krishterë. Esati nuk i kishte kushtuar shumë rëndësi këtyre protestave.

FSHATI I TË VDEKURVE – Poezi nga ATDHE GECI

– Shpëngulja vritka më shumë se vdekja!

Ç ́të bëjmë me mërgimin dhe shpërnguljen,
me mollën që lundron mbi varre, me varret e
lëna shkret! Si ta ndalim këtë murtajë të zezë?
Shpërngulja vritka jo vetëm njeriun, vritka
tokën dhe të gjitha kohët që i krijuam në të,
Shumë nga njerëz habiten kur dëgjojnë, se
ky artist, ai shkencëtar, ose ai kosmonaut
ka prejardhje shqiptare, prejardhjen e këtij
vendi, që shpërngulja i ka marrë e degëdisë!
Ç ́të bëjmë me shpërnguljen dhe mërgimin?

Flasin pjesë të atdheut të shpërngulur, flet
Ilirida, Molla e Kuqe, Çamëria, Presheva
flet Dardania dhe të gjitha trojet shqiptare.
Nuk pajtohem me himnin e gjakut të ngrirë,
hija e atdheut të ndarë më ndjek kudo!
Një gjysmë të atdheut e kemi të pushtuar.
Jo fort moti, udha më rastisi përtej Nishit
në një katund me emër, Molla e Kuqe,
Fshati ku kishin jetuar shqiptarët, tani nuk
ka njeri. Në atë fshat të vdekur, të Atdheut
qaheshin varret; ku janë të gjallë që ishin?
Të vdekurit e tashëm i qanin, të vdekurit e
së kaluarës! Të vdekur të ardhshëm s´do të
ketë, aty ka vdekur kisha e fshatit e varrezat.
Në atë pjesë të Atdheut të lashtë të Ilirisë,

Molla e Kuqe, në shqip më nuk ekziston!
Atë e vranë pushtimi serb dhe shpërngulja.
Në atë pjesë të atdheut të lashtë të Ilirisë,
varret janë shndërruar në toka të bukës.
Një rizënie e re nuk është e pamundur,
në një çast tek po qante rrënja për degët-
dy të vdekur, të pavarrosur nga askush,
pyesnin njëri- tjetrin: miku im i vdekur si
ndodhi që asnjë i vdekur më s ́është tek
kjo varrezë? Ku vajti fshati ynë i vdekur?
Fqiu kufomë iu përgjigj; miku im i rënë,
shpërngulja neve na vrau më shumë se
pushtimi! Nën pushtim s ́vdesin të gjithë,
Nën pushtim së paku ruhet bima e gjakut,
Të gjallët, qofshin edhe të poshtëruar, nuk
vdesin kështu si vdiqëm né! Ashtu është;
miku im i vdekur, të pyes: a di me shkrue?
që t ́ua lëmë një porosi të gjallëve tanë;
që kombi ynë të ketë kujdes nga mërgimi,
se shpërngulja vritka më shumë se vdekja.

KAFE AMERIKANE – Tregim nga THANI NAQO

Ajo e kish përshëndetur për dhjetë vite me një “haj“ zëëmbël shoqëruar me lëvizjen tradicionale amerikane të dorës. Mirëpo, kur ai ngriti studion në verandë, kureshtja e fqinjes u shtua.

-Jam kurioze të di çfarë bën çak-çuk? – i tha ajo sa doli nga pishina dhe befas, me një kërcim akrobatik kapërceu gardhin që ndante dy oborret. U shfaq para tij në rroba banje dhe trupin e kishte ende të spërkatur me bulëza uji. Këqyri relievet e gdhendura në pllaka druri dhe pa kthyer kokën nga ai pyeti:

-Ku gjënden këto male?

-Në Bosnjë.

-Nuk kam idenë ku ndodhet ky vend, – tha ajo me çiltërsi. Ai skicoi nxitimthi mbi letër gadishullin e Ballkanit, pa harruar Italinë në formën e çizmes. Ajo e dinte Italinë, sepse kishte qënë atje turiste pesë vite të shkuara dhe qe ngjitur deri në majën e Vezuvit. Vuri buzën në gaz dhe shfaqi dëshirën që ai t’i gdhendte bustin; ishte gati të pozonte në çdo kohë.

-Për këtë do t’ju paguaj dhe…

-Nuk është nevoja për pagesë, – plotësoi ai frazën e saj dhe ajo qeshi hareshëm. Mirëpo e qeshura e fqinjës

kishte hyrë me ajrin në dhomën e prindërve të tij. E ëma u shfaq pas xhamit të derës që ndante sallonin me verandën, tundi bastunin me kërcënim dhe ai deshifroi lëvizjen e buzëve të saj, “t’i thyej kryqet për këtë proçkë që po bën”. Fqinja vuri re hutimin e tij dhe tha me humor e ironi:

-Prindërit janë pengore e madhe sociale.

-Po, – pranoi ai dhe në çast u pendua nga përgjigja.

-Eja shkojmë në ndonjë bar, – e ftoi ajo. – Monotonia e të dielave është vdekje.

Mospranimin e ftesës së saj e shprehu me lëvizjen e pëllëmbës para fytyrës së tij, por që nuk e shoqëroi me shprehjen amerikane “never mind.”1)

-Oh, ju jeni i martuar, – tha ajo me keqardhje.

-Jam i divorcuar, – e sqaroi ai.

-Oh, my God! – klithi ajo e entusiazmuar dhe befas e përqafoi. Atë çast ai nuk mundi ta kuptojë nëse përqafimi ishte ngushëllim për divorcin apo ëndrra e saj e fshehur për fillesën e aventurës së radhës. Sepse, që pa ia mbathur e shoqja, sa herë bënte dush, fqinjën e kishte përfytyruar lakuriq. Mirëpo tjetër gjë është përfytyrimi dhe tjetër gjë kur një siluetë e dëshiruar femre të ndjell me prekje për të rënë në mëkat. Ajo ishte esmere e simpatike, por kjo ishte hera e parë që krahët e saj iu qarkuan pas qafës, sepse për dhjetë vite sytë ia kishin thëthirë vithet e ngrehura dhe kofshët e plota e muskuloze. Ajo kish fytyrë vezake, flokë të zeza të drejta e të lidhura sipas modelit “bishtkali”. Për fytyra të tilla

ai kishte krijuar përshtypjen se ishin femra komplekse: sa të zgjuara aq e naive, por jo të shkrehura për seks. Sytë e stërzgjatur, tipike aziatike, si thelb bajame e në ngjyrën e pjekur të vishnjave; sy ëndërrimtarë dhe njëkohësisht tej kureshtarë.

-Nënën e kam koreane, babain amerikano-irlandez, – tha ajo dhe i bëri ballë vështrimit të tij hetues. – Prej kohësh e kam vënë re se ty të pëlqen të më kundrosh kur unë bëj banja dielli.

-Po, – pranoi ai dhe shtoi me guxim: – Ka dhjetë vjet që më ke mbirë në sy, por duhej të kapërceje ti gardhin që të më jepje lejën për të gdhendur bustin tënd.

Atëherë ajo qeshi sërish hareshëm, mori cigaren nga pjatëza e duhanit, që ai e kishte ndezur për vete dhe u ul në karrige këmbëhapur. Së bashku me tymin lëshoi pohimin amerikan se ish e lumtur që jetonte vetëm. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare kishte mbaruar kursin për masazhiere dhe kishte fituar pavarësinë nga prindërit. Atëherë ai mendoi se fqinja e tij nuk qe nga soji i aziatikeve që shesin trupin, pasi makinat që parkoheshin para shtëpisë të saj, ishin të klientëve që ajo u bënte masazh. Ndërkohë dëgjoi se çdo dollar që nxirrte, ishte për gojën dhe tekat e saj. Nënën e donte, por me të nuk piqej gjëkundi. I ati qe ndryshe, tipik amerikan dhe ai e pati kuptuar gjithmonë. E ëma, kur mori vesh se do të largohej nga shtëpia, qau dhe ende është e zemëruar, kurse i ati largimin e të bijës e quajti dita e Festës së Madhe.

-Piu uiski nga gëzimi dhe u ndërmend mbas një jave, – tha ajo për të atin dhe ia shkrepi të qeshurës gazmore. Gjoksi iu gufua, sytjenat u tezarën dhe lëshuan pikëla uji. Ai pa gjuhën e kuqërremtë si gjethe vishnje në vjeshte dhe dëshiroi, si kurrë ndonjëherë, për ta puthur në buzë. Prindërit e saj jetonin në Nju Xhersi dhe ajo shkonte për t’i parë njëherë në vit ose ca më rrallë.

-Im atë është paralizuar. Ime më i qëndron tek koka ditë e natë. Janë njohur në kohën e luftës, – sqaroi ajo dhe atëherë kërshëria e tij u bë më e madhe. Llogariti me mend vitet pas luftës së Koresë dhe zbuloi se ish moshatar me fqinjën, por, ndërsa ai nuk mund t’i fshihte të pesëdhjetat, ajo dukej si tridhjetepesëvjeçare.

-Koreanet janë racë që nuk plaken,- e lajkatoi ai.

-Ama vdesin, – shtoi ajo dhe sërish qeshi me zë. Ai donte t’i thoshte “ti edhe vdekjen nuk e ke frikë,“- ose ta lajkatonte “busti yt do dalë një mrekulli për shkak të harmonisë të tipareve me siluetën në profil.“

-Jam fëmijë e vetme, – dëgjoi të thotë. – Nuk jam martuar kurrë, kam patur dashnorë, nuk kam lindur fëmijë dhe nuk kam para në bankë.

-Jam djalë i vetëm, martuar njëherë, kam një fëmijë, jeton me të ëmën, kam dy pleq dhe bankës i jam dyqind mijë dollarë borxh, – rrëfeu ai dhe qeshi. Qeshi edhe ajo, e përqafoi sërish dhe kësaj here ai e mbërtheu me të dyja pëllëmbët për beli. E ngritur në majë të këmbëve ajo ishte e gjatë sa ai. Iu bë sikur e ëma po e përgjonte nga përtej derës dhe hezitoi ta puthte fqinjën në buzë. Nga që sytë e saj të kafejta i kishte aq pranë, iu

bë se edhe ato erëmonin bajame, njëlloj si buzët.

-Kur bie krizë financiare edhe të pasurit heqin dorë nga masazhi, – shtoi ajo me zë të trishtuar, kurse ai mendoi se bëri mirë që nuk e puthi, pasi puthja është magji e mistershme, ngjit dy zemra. Ama, kur vjen ndarja, të dyja zemrat mbeten të plagosura, siç ndodhi me të e me të shoqen. E mendoi këtë nga që në çast dyshoi se fqinja ishte masazhiere, por për të mbijetuar u ofronte klientëve edhe biznesin e seksit. Pikërisht ky dyshim i çukiti në tru si sqep qukapiku. Kumbimi i goditjes përcolli alarmin se ai, nuk duhej të binte për së dyti në grackën e dashurisë. Por ja, nga që pëllëmbët e tij ishin ende të kllapuara pas belit të saj, në tru i çukiti sërish sqepi i qukapikut. Goditja lëshoi kumbimin e dhimbshëm “sa idiot je!“ ndërsa dëgjoi fqinjën të thotë atë që po ndodhte edhe me të:

-Prej një viti nuk paguaj këstin mujor të shtëpisë. Jam në faliment, por nuk çaj kokën për këtë gjë. Pas çdo lufte e pas çdo krize, thotë im atë, Amerika bëhet më e fortë. Kështu ndodh edhe me dashurinë, – shtoi ajo e qeshi kurse ai çliroi pëllëmbët nga beli i saj dhe buzët mbeten pa u puthur. Ajo mbështeti pëllëmbët mbi rrjetën e gardhit, e gatshme si panterë aziatike në vrullin para kërcimit dhe ai përfytyroi përtëkushedisaherën kurmin e saj magjik ngjitur me trupin e tij. Pikërisht atë çast dëgjoi pyetjen keqardhëse me theks aziatik:

-Jot shoqe ia mbathi?

-U kthye në Bosnjë.

-Ka dashnor?

-Boshnjaket kanë frikë nga dashuria.

-Po ti?

-Unë kam drojtje, por jo frikë.

-Nuk dukesh nga ata tipa që kanë drojtje, – tha ajo dhe pasi u mbush me frymë, pyeti: -Si mund të jetojë skulptori pa fjetur me një femër?

-Të përfytyroj ty, pa rroba banje, kur zë shtratin e gjumit, – tha ai dhe e vështroi drejt në sy me guxim të paturpshëm mashkullor.

-Oh, edhe unë të përfytyroj shpesh kur bie për të fjetur, por ti nuk je i lirë si unë, – shtoi ajo me keqardhje duke hedhur vështrimin mbi kurorat e pemëve.

-Kam hallin e prindërve, – tha ai me zë të ulët dhe ndjeu trupin të zjarruar nga çiltërsia. Ndërkohë iu fanit e shoqja, duke shkulur e nervozuar shaminë nga koka. Nga goja e saj e çapëlyer vërshoi klithma femërore, “nuk erdha në Amerikë të pi pordhët e prindërve të tu për tërë jetën!”

– Po, e thamë pak më parë; prindërit janë pengore sociale. Pse nuk i çon në azil?

Ai u hutua nga kjo pyetje e beftë dhe donte t’i thoshte se prindërit e tij ishin krejt ndryshe nga pleqtë amerikanë. Nuk flisnin anglisht, nuk ngisnin makina dhe ai, si bir i tyre i vetëm, duhej të përkujdesej për ta gjer në vdekje.

-Jo çdo lloj zogu jeton në kafaz,- u përgjigj ai me humor e sinqeritet, por fqinja picëroi sytë dhe shtoi seriozisht:

-Zogjtë e thinjur, thotë im atë, kafazin e kanë nën tokë.

Ai nuk u vuri rëndësi fjalëve të saj, sepse atë çast ajo mbërtheu pëllëmbët mbi gardh, sytjenat iu liruan dhe thithat e gjinjve i ngjasuan me kokrrat e xinxifileve

në vendlindjen e tij. Në çastin që pati menduar metaforën e thithave, ajo u dha vitheve mbrapa, si mëzore pele dhe u hodh mbi gardh si panterë aziatike.

-Ti je artist i talentuar, por kalë karroce, – klithi ajo kur qe ende në ajër. – Megjithëse e mbaj veten për aziatike, kafen e gatuaj me parametra amerikane, – dëgjoi të thotë. Para se të zhytej në pishinë ajo u kthye nga ai dhe i shkeli syrin.

-Cammon man, – tha ajo me zë ndjellës për t’i nxitur sedrën mashkullore. Qukapiku e çukiti sërish në tru e ia përktheu lutjen e saj:

“Hajde, bëju burrë!“.

Në të njëjtën kohë ajo i bëri shenjë me kokë dhe dorë që ai të kapërcente gardhin.

 

NË TOKAT E ZHYTURA – Poezi nga DOMENICO MARRAS – Përktheu FASLLI HALITI

 

Domenico Marras: lindi në Uri (Sassari) më 1 janar 1929. Nga një familje e varfër ai ndiqte rregullisht shkollën fillore. Pasi mori licencën, ai ndoqi babanë e tij në punën bujqësore: ai i kreu këto punë deri në moshën njëzet vjeç. I thirrur në armë si oficer ushtarak në vitin 1950, ai menjëherë vendosi të qëndrojë atje si nënoficer aspirant. Pas rreth katër vitesh shërbimi, me periudha të gjata ndërprerjesh, ai u pensionua. Duke mos dashur të jetojë vetëm si pensionist, ai mendoi t’i vinte në përdorim të mirë nocionet e tij kulturore të fituara dhe të merrte diplomën e shkollës së mesme (një titull që e lejonte atë të punësohej nga shteti). Prej atëherë është nëpunës shtetëror në Alghero, qyteti ku banon aktualisht. Gjatë jetës së tij ai vazhdoi leximin e tij formues dhe krijimtarinë poetike. Ai ka botuar një përmbledhje poezish me titull Miscuglio (1989) dhe është i pranishëm, me vargjet e tij, në antologji të ndryshme me vlerë të konsiderueshme.

 

 

NË TOKAT E ZHYTURA

 

 

Diga në Rio Cuga, pavarësisht në është e mundur

përmbyti tepër toka, ishte

një gje e bukur, dhe e mrekullueshme,

sepse uji i çmuar, në masë tepër të madhe

masë e shumtë shiu, shfrytëzohet,

në vend që të shkojë drejt detit,

u shuan etjen njerëzve dhe ndan rrymën

e ujit e duke e bërë më pjellore,

shumicën e Alghero Nurras,

e përmirëson, kështu, shumë jetën.

Por ka dhe anën tjetër të medaljes

se në ato toka të bukura dhe të zhytura

unë kam punuar mijëra dhe shumë ditë aty,

e shumë njerëz të tjerë së bashku me mua,

dhe ndër shekuj, ushtri njerëzish ,

prandaj, nën atë oqean uji,

ka shumë kujtime të mia të dashura,

të cilave nuk mund t’i vizitoj më

dhe të eci me to nëpër vende

që i pashë të lindin dhe të rriten,

përkundazi, ashtu bëj, me kujtimet

e Su Piubere, Banzoso, Cambone

dhe pothuajse të gjitha fushat e Urit

që më panë argat apo bari,

por më parë duhet të pres të jenë ata

që të zhyten e të vijmë tek unë,

xurxull e vdekur së i ftohti.

 

Përktheu: Faslli Haliti

FJALA E POPULLIT – Poezi nga ATDHE GECI

Çamëria, vendlindja e kombit shqiptar

Atdheu ynë në tokë, det dhe nëntokë
jam fjala jote, gjuha dhe grushti yt
jam trimi dhe humbësi, jam populli
jam Atdheu i ndarë në pjesa e pjesa
jam luftëtari parë në të gjitha betejat
O vend i shtrirë në tokë, det e në qiell
në fshatra e qytete, në tërë hapësirën
gjeografike; ti je pellazgo-shqipëria,
vendlindja e Atdheut tim të nderuar.
Në Çamëri është lind kombi shqiptar

Pellazgji, tëra shkronjat e gjuhës sonë
mbajnë emrin tënd, ADN e shqipes
Alfabeti ynë pellazg me 54 shkronja,
është alfabet i krijuar nga e folmëja
shqip, është gjak i drithërave tanë,
gjak i Lemnit, Janinës dhe Prevezës,
gjak i Atikës, Dodonës dhe Moresë
këto shkronja kanë identitet shqiptar,
janë shkronja nga epoka e paleolitit
shkronja të gdhendura në guri e letër.
Pellazgji, mendje e qytetërimt antik
lindëse dhe rilindëse e atdheut tonë
shpikëse e matematikës dhe vijave
shpikëse e gjeometrisë dhe fizikës,

shpikëse e arteve dhe e filozofisë
ti je krijuesja jonë e njëperëndisë.
Epirit, tëra krojet e ujit flasin shqip,
në gjuhën hymnore të perëndive të
lashta, kjo është arsyeja pse shqipja
quhet gjuhë hyjnore e perëndive.
Kjo tokë e lashtë në vetvete ruan e
bimon hyjnueshëm si para mijëra
vjetësh, ndërtime ipesh të shquara
dhe vepra me cilësi të mëdha t´artit

Gjuha ime e shkruar dhe e kënduar
je identiteti i qenies sime e i gjakut
ke gojë të ëmbël e sy përtej qiejve
ke mendje ndërtimi dhe krijimesh
E di se ka libra të fshehur me fjalë
të shqipes së lashtë! Bibliotekën e
e Aleksandrisë e dogjën se e kishin
zili Pellazgjinë, e kishin zili Thotin,
Faraonin, Zeusin, Aleksandrin dhe
Pirro Shqiponjën. Nata ishte krimi

Gjuha jonë kozmike, gjuha jonë e
perëndive, edhe pas mijëra vjetësh,
mbete po ajo hyjnorja e kësaj bote
kjo këngë e lashtë në vetveten e saj
vazhdon e gjallë në të folmen e saj
e të shkruar, flet fjalët e gjakut tonë.

Në Dodonë e gjithëandej pellazgo-
Ilirisë, Zeusi fliste shqip në Olimp,
fliste në gjuhën e tij të perëndisë,
në gjuhën e prindërve që at´e lindi.
Në Çamëri dhe gjithandej Epirit
Me dhunë i është shkelur e vërteta
Çamërisë s´i lejohet të jetë e lirë
i mohohet gjuha, kultura, origjina,
ndalohen shkollat shqipe, e folmja

Në Çamëri e gjithandej Çamërisë
Që nga 1912 vritet populli çam,
Greqia me ligj i shkombëtarizon
shqiptarët!Ç´të bëjmë me të rënët!
Me çamët e pa shtëpi e të pavarre
borxhi krimit Greqisë po i shtohet
Thoti e Zeusi, e vërteta është gjallë
Çamëria është etni brenda Greqisë
Mblidhuni çamë te himni flamurit
ta ngrejmë Ipesh lirinë e shkelur!…

Atdhe Geci – poezi nga libri ,”Fryma e re”

Cikël poetik nga DIANE DI PRIMA – Përktheu FASLLI HALITI

 

Diane Di Prima është një nga poetet më të njohura të gjeneratës së hipive.

Lindi në Brooklyn më 6 gusht 1934, ajo braktisi studimet për t’u bërë shkrimtare, frekuenton artistë dhe në vitin 1958 botoi librin e parë. Në vitin 1962 fillon të praktikojë Budizmin. Në vitin 1966 u transferua në Millbrook, duke u hyrë në komunitetin psychedelic I Timothy Leary.

Në vitin 1969 botoi historinë e përvojës së saj në Memoirs of a Beatnik ..

Librat e saj përfshijnë piromaninë e Letrave Revolucionare, disa vëllime kujtimesh dhe autobiografi, ende jo të botuara, dhe shumë koleksione poezish, përfshirë Pjesë të një kënge.

 

TË BRAKTISUR ……

 

Braktisni vetveten, njerëzit rrisin flokët.

Braktisni  vetveten heqni këpucët.

Braktisin vetveten bëjnë dashuri

flenë lehtësisht

ndajnë batanije, drogë dhe fëmijë

nuk janë dembelë ose të frikësuar

ata mbjellin fara, buzëqeshin, flasin me njëri-tjetrin. Fjala

fillon brenda vetes: prekje dashurie

në tru, në vesh.

 

Le të kthehemi me detin, me baticat

kthehemi shpesh si gjethe, të panumërta

si bari, fisnik e këmbëngulës, kujtojmë

mënyrën në të cilën  të vegjlit tanë hedhin hapat e para këmbëzbatur nëpër qytetin

univers.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

LETRA REVOLUCIONARE

 

 

Sapo kuptova që çmimi jam unë

nuk kam lekë të tjerë

për shpërblim, asgjë tjetër për të thyer

ose shkëmbim  veçse jetën

shpirtin tim të shpenguar, fragmentuar, i përhapur

mbi tavolinën e ruletës, paguaj sa të mundem

asgjë tjetër për të ndenjur nën hundën e maitre de jeu.

asgjë për të hedhur nga dritarja, asnjë flamur 

të bardhë

ky mish është gjithçka që duhet t’u ofroj, që të luaj me

këtë kokë këtu dhe tani, dhe ajo që qëndron pas saj, lëvizja ime

ndërsa zvarritemi mbi këtë skaj,  duke vazhduar

gjithmonë

(shpresohet) midis rreshtave.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

 

AFËRSISHT POEZI DASHURIE

 

njëqind larva

iu mësuan  zorrëve të mia të përdihen

njëqind javë tashmë

dhe tani ti vjen me manaferra

në flokë

dhe pret duartrokitjet e mia.

Pyes veten

përse kemi fjetur bashkë

ato netë dhe çfarë kemi humbur

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

 

REQUIEM

 

Mendoj  

se ti do të gjesh

një varr

jo dhe kaq të bukur

foshnjën  oh

Të  lidhin fort

në fustanin

e bukur

 

Dëgjoj

Është ftohtë

dhe krimbat dhe sendet

ata janë atje për arsye egoistike

 

Mendoj 

se ti do duash

të rrotullosh

flokët e tu

nga ana jote

në flokët tuaja

nuk do të të pëlqejë

të mbetesh në vend

për gjithmonë

dhe duarve të tua

nuk do t’u pëlqejë

të jenë të vendosura kështu

kryq

 

Unë mendoj

se buzëve të tua

nuk do t’u pëlqejë

për veten e tyre

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

Shkrirja e kombësisë shqiptare – Nga ANTON PAPLEKA

(fragment nga një libër për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit)

 

Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në komisionet e veçanta dhe në seancat plenare të Kongresit të Berlinit, emri i Shqipërisë u zu ngoje vetëm kur ishte fjala që nga kjo provincë e Perandorisë  Osmane duhej të shkëputej ndonjë ngastër që do t’i bashkangjitej kësaj apo asaj monarkie ballkanike. Diplomatët që i mbrojtën të drejtat kombëtare  të shqiptarëve, qenë fare të paktë.

Edhe atëherë kur ndonjë pjesëmarrës  tha një fjalë të mirë për shqiptarët, këtë gjë e bëri i detyruar nga rrethanat politike të vendit të tij, siç qe rasti i përfaqësuesit  francez. Për të hedhur poshtë sulmet e partisë klerikale, e cila e akuzonte qeverinë e Francës , duke thënë se ajo nuk i mbronte  sa duhej të krishterët e Perandorisë Osmane, ky përfaqësues propozoi  që  Mirditës katolike t’i njiheshin privilegjet që gëzonte  ab antiquo (qysh në kohët e vjetra). Megjithëse u kundërshtua me argumente të shumta nga i plotfuqishmi  osman  Mehmet Ali Pasha, ky propozim u miratua nga Fuqitë e Mëdha dhe u përfshi në protokollin nr. 13.

I vetmi pjesëmarrës që i mbrojti hapur dhe me zemër të qëruar të drejtat kombëtare  të shqiptarëve, qe diplomati  Shvegel (Schwegel). Duke iu referuar sidomos  librit të Ami Boué-së  „La Turquie d’Europe », të botuar në Paris më 1840, ai theksoi se, nga pikëpamja etnografike, Shqipëria ishte krejtësisht homogjene. Ndonëse banorët e saj kishin fe të ndryshme, populli i këtij vendi kishte identitet të veçantë dhe ishte i zoti të vetëqeverisej.

Anëtarët e misionit osman, të cilët në fillim u acaruan shumë nga qëndrimi i shefit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, u qetësuan  shpejt  kur vunë re se fjalët e Shvegelit  ranë në vesh të shurdhër dhe nuk i mbështeti askush. Megjithatë  në pushimin që pasoi atë seancë, Mehmet Ali Pasha iu afrua kolegut austriak  dhe e ftoi për të pirë një kafe. Ndonëse  e mori me mend shkakun që e kishte shtyrë  përfaqësuesin osman të kërkonte një gjë të tillë, Shvegeli e pranoi  pa ngurrim ftesën e tij.

Sapo zunë vend në tryezë, Mehmet Ali Pasha nxitoi të shprehte shqetësimin që e gërryente nga brenda.

-I dëgjova me vëmendje fjalët që thatë për shqiptarët. Për shkak të profesionit  tim, unë kam pasur  rast  t’i njoh nga afër banorët e Shqipërisë. Megjithëse unë i respektoj opinionet  e të tjerëve, jam i bindur se qasja juaj ndaj shqiptarëve është e gabuar.

-Në ç’argumente mbështet bindja juaj?- e vështroi ngultas Shvegeli njeriun me uniformë mareshali  që kishte marrë përsipër  të luante rolin e diplomatit.

-Bindja ime nuk mbështetet në thëniet e ndonjë udhëpërshkruesi, siç  është  rasti i Ami Boué-së që përmendët  ju, por në përfundimet e dijetarit të shquar gjerman Hainrih Kipert (Heinrich Kiepert), i cili ka deklaruar se shkrirja e plotë e kombësisë shqiptare është e mundshme dhe e dobishme  për Europën.

Para si t’i përgjigjej bashkëfolësit të tij, Shvegeli zuri të ngjëronte kafenë  që kishte sjellë kamerieri. Ai e dinte se gjeografi Kipert ishte hartografi më i zoti i kohës  dhe ishte anëtar i tri akademive të shkencave në Europë. Për të nderuar veprimtarinë  shkencore të Kipertit, me emrin e tij ishte pagëzuar një  nga ishujt e arkipelagut të Svalbardit.

Nga përvoja e tij, diplomati austriak e dinte se gjeografia ishte bërë një faktor i rëndësishëm në politikën europiane. Pesha e këtij faktori ishte shtuar sidomos në kohët e fundit kur fati i popujve ballkanikë varej edhe nga hartat që përcaktonin kufijtë ndëretnikë. Për këtë arsye, gjatë kësaj kohe, kishte filluar të përdorej një togfjalësh i ri: „lufta e hartave“.

Harta e Kipertit, e titulluar  „Skicë etnografike  e Europës Lindore“, e cila ishte botuar më 1876, gëzonte një autoritet të padiskutueshëm. Pikërisht  kjo hartë, të cilën e vlerësonte vetë Bismarku, ishte vënë në tryezën e sallës së mbledhjeve plenare për  ta pasur si pikë referimi gjatë diskutimeve që do të bëheshin rreth kufijve të rinj të shteteve të Ballkanit.

Për të vënë në jetë programin e saj ambicioz të Megaloidhesë, qeveria greke i mbështeste shpresat  e saj  edhe te ajo armë e re, te “lufta e hartave“. Në fillim të atij viti, ajo kishte dërguar në Berlin historianin Konstantin  Paparrigopulos  që të bisedonte me gjeografin gjerman  për të sajuar një hartë të re ku, në vend të kriterit etnografik, të merrej parasysh kriteri i kufijve natyrorë. Historiani grek kishte arritur t’ia mbushte mendjen Kipertit për të krijuar hartën e re, të cilën  e kishte titulluar „Tablo etnokratike e Juglindjes së Europës“.  Sipas kësaj  harte, në shtetin e zgjeruar grek përfshiheshin Peloponezi,  Thesalia, Epiri, Maqedonia, Trakia dhe  Rumelia Lindore…

-Dijetarët e vërtetë e quajnë fatkeqësi zhdukjen e llojeve të bimëve apo të kafshëve, sepse një gjë e tillë  do ta varfëronte natyrën, do ta gjymtonte jetën në tokë, – e ndërpreu Shvegeli  heshtjen dhe përsiatjen e tij.- Duke pasur parasysh këtë që sapo thashë, më duket e papranueshme ideja se shkrirja e plotë e kombit shqiptar apo e cilitdo komb tjetër do të ishte e dobishme për Europën.

Kur dëgjoi përgjigjen e diplomatit austriak, mjekra e kuqërreme e mareshalit  lëvizi me nervozizëm si flaka e një pishtari që dikush e mban në dorë,  në një natë me stuhi.

-Zotëri Shvegel, qasja juaj e gabuar  ndaj shqiptarëve e ka burimin te një keqkuptim ose më mirë te një premisë e pasaktë, nga e cila niseni ju.

-Cila qenka kjo premisë e pasaktë?

-Duke folur me objektivitetin më të madh, po ju them se premisa  e pasaktë, nga e cila niseni ju, është kjo : ju besoni se ka një komb shqiptar !

-A nuk i përkasin kombit shqiptar banorët e Shqipërisë, ashtu siç i përkasin kombit gjerman banorët e Gjermanisë ?

Pas kësaj pyetjeje, mjekra majuce që kishte përpara Shvegeli, u tund me vrull si flaka kur e rreh rriba e murrlanit.

-Më vjen keq që jam i detyruar t’ju them se krahasimi juaj çalon nga të ty këmbët,- u përgjigj mareshali, duke i shoqëruar fjalët e tij me nënqeshjen e njeriut që beson se e ka zënë ngushtë kundërshtarin. – Emërtimin « komb shqiptar »   nuk e pranojnë  as vetë shumica e banorëve të Shqipërisë, të cilët janë myslimanë dhe  e  quajnë veten turq !

-Argumenti që përdorni ju, zotëri mareshal, nuk ka vlerë shkencore. Ju duhet  ta dini se termat „turk“ ose „grek“ nuk përdoren vetëm në kuptimin etnik, por edhe në kuptimin fetar për të shenjuar një besimtar mysliman ose ortodoks. Kam lexuar disa  libra ku banorët ortodoksë ose skizmatikë të Perandorisë  Osmane  quheshin  „grekë“, ndonëse  ata nuk i përkisnin kombit grek.

-Është  e vërtetë se termat „turk“ apo  „grek“ përdoren edhe në kuptimin fetar, por një inerpretim i tilla nuk vlen për banorët e Shqipërisë.

-Përse nuk vleka për ta një interpretim i tillë?

-Përgjigja është fare e thjeshtë: e ashtuquajtura kombësi shqiptare është një sajesë e ca intelektualëve romantikë. Kështu mendojnë pothuaj të gjitha qarqet  politike të Europës. Më ka mbetur në mendje një shkrim i botuar në gazetën zyrtare « République Française », në të cilin thuhej se kombësia shqiptare ishte vetëm një ëndërr e disa kokëkrisurve!

-Një njeri që përpiqet të varrosë një komb, cilido qoftë ky komb,më shumë sesa gazetar, e meriton të quhet varrmihës.

-Zotëri Shvegel, ju i mbroni me zjarr shqiptarët, sepse  nuk i njihni mirë,- nënqeshi përsëri Mehmet Ali Pasha.-Duke mos i njohur mirë, ju i idealizoni.

-Unë them se shqiptarët duhet të njihen si komb dhe të kenë vendin e tyre në diell ashtu si fqinjët e tyre. Çdo komb, i madh apo i vogël qoftë ai, ka nevoje të ketë truallin e vet kombëtar ku mund të zhvillojë gjuhën dhe kulturën e vet të veçantë. Kam dëgjuar se ju merreni me poezi, prandaj po i lejoj vetes të përdor një krahasim poetik. Për mua, një komb i ngjan një pylli që ka nevojë për një copë tokë ku drurët e tij mund të shtrijnë rrënjët dhe të ushqehen.

-Megjithëse kam shkruar vargje, unë nuk e quaj veten poet. Sidoqoftë krahasimi juaj midis kombit e pyllit më duket i qëlluar.

-Pak më parë, ju thatë se unë i idealizoj shqiptarët. E vërteta është se , sipas gjykimit tim, ata nuk janë aspak modeli i përsosurisë. Ata nuk mund të jenë të tillë, sepse, në fund të fundit,  nuk janë heronj të poemave klasike apo romantike. Si të gjithë popujt e tjerë, shqiptarët kanë virtytet dhe veset e tyre. Pa dashur të bëj kurrfarë  aludimi për ju, do të thosha se një nga të metat e tyre kryesore  është lehtësia e habitshme, me të cilën e kanë ndërruar fenë.  Megjithëse apostazia u ka siguruar ndonjë përfitim praktik, ndonjë privilegj të përkohshëm, kjo praktikë  ka bërë që ata ta identifikojnë veten me pushtuesin, të zbehet deri diku identiteti i tyre kombëtar.

-Më vjen mirë që më në fund edhe ju e pohuat se shumica e shqiptarëve e kanë humbur identitetin kombëtar ose, po të përdor një term modern, janë  shkombëtarizuar.

-Duke pohuar se fendërrimi ka çuar në zbehjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve, unë  nuk pranova se ata kanë humbur gjuhën, kulturën dhe kombësinë e tyre. Siç duhet ta dini edhe ju, për shkak të rrethanave historike, apostazinë  e kanë praktikuar  edhe spanjollët, boshnjakët a ndonjë popull tjetër. Madje këtë gjë e kanë bërë individë nga të gjitha kombësitë e Ballkanit, të cilët synonin të zinin poste të larta në hierarkinë ushtarake  dhe shtetërore të Perandorisë  Osmane.

-Apostazinë nuk e kanë praktikuar vetëm ballkanasit, por edhe individë nga Europa Perëndimore, – shtoi  mareshali.- Po të përmendja emrat e ushtarakëve europianë  që kanë ndërruar fenë për hir të karrierës, do të dilte një listë mjaft e gjatë.

– Dua të theksoj diçka tjetër që lidhet me temën e fendërrimit, për të cilën po flasim. Gjatë hulumtimeve të mia si diplomat, më ka befasuar një dukuri ku shprehet  një nga anët negative të shqiptarëve.

-Cila është kjo dukuri?

-Pashallarët dhe vezirët me origjinë shqiptare nuk janë interesuar fare për kombin, me të cilin kishin lidhje gjaku. Krejt ndryshe kanë vepruar pushtetarët osmanë  që rridhnin nga kombësitë e tjera, siç është rasti i Vezirit të Madh me origjinë serbe, Mehmed Sokolloviqi, i cili, bashkëkombësve të tij, u ka siguruar favore ekonomike dhe fetare. Ruajtja e fesë së të parëve nga serbët apo nga kombet e  tjera ballkanike ka ndikuar që ata të zgjoheshin më shpejt  nga letargjia dhe të përpiqeshin për krijimin e shteteve të tyre kombëtare.

-Më vjen mirë që e përsëritët se shqiptarët nuk kanë identitet kombëtar dhe për këtë arsye nuk  e kanë vrarë mendjen për të krijuar një shtet kombëtar.

-Ju po i komentoni fjalët e mia sipas qejfit tuaj, zotëri mareshal. Unë thashë vetëm se shqiptarët janë më të vonuar  sesa fqinjët e tyre. Siç mund ta keni marrë vesh edhe ju, kam dëgjuar se kohët e fundit, ata kanë krijuar një Ligë Kombëtare për të mbrojtur trojet dhe të drejtat e tyre. Pra, letargjia e tyre ka marrë fund. Po të kemi parasysh  fjalën  e urtë që thotë : « Më mirë vonë se kurrë », shpresoj se vonesa e tyre historike  nuk do t’i ndjekë pas si mallkim…

Duke vënë re se diplomatët e tjerë  po ktheheshin në sallë për të marrë pjesë në seancën e ardhshme, ata u detyruan ta ndërprisnin bisedën, për  ta vazhduar  një herë tjetër.

VERSIONI I ROMEOS DHE ZHULIETËS – Poezi nga NATASHA LAKO

Nga ballkoni i gjinjve do të dal për të vështruar,
Natën që dashnorin tim fsheh,
Si të gjitha gjërat e ëmbla,
Që nuk të bëjnë mirë.
Romeo dhe Zhulieta,
I kthyer kokëposhtë është ky version,
Atje poshtë unë duhet të isha,
Dhe i dashuri im të më vështronte që larg,
Nga ballkoni i shumëpërfolur i gjirit.

Duhet korrigjuar diçka në këtë tragjedi zemërmirë,
Muret e shfaqjes t’i lidhnin të paktën me më pak sheqer,
Që të mos dëmtohet asgjë me llogjikë,
Mes hapësirës që lëshon shumë ëndrra.

 

E PËRKËDHELUR DHE E PAPËRKËDHELUR – Poezi nga NATASHA LAKO

Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë apo përkëdhelje,
përgjigje në janë për ne banketet e livadheve të pashkelura ende,
bota e dallëndysheve përkëdheljet a i përgatit a i mund,
krahasimin e të rrugëve me të parrugëtit, si dy krahë më thuaj,
në cilën anë është qielli dhe në cilën anë kthesa që na ndjek prapa,
cila përkëdhelje i takon ndonjë shkrese si thile e vogël,
ngjashmërinë e nënave të padashuruara, me një kaligrafi universale,
më thuaj, djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më,
a mund t’i krahasosh,
me burrat që përmjerrin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet,
para qumështit të gjirit, apo me brekëstolisurat vajza,
priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri,
kaq paqartësisht veçohet ja buka, ja mundi, ja ëndrra, ja unë.
Fol qoftë për një palë kofshë të bukura të zhveshura, që mbeten
pas çdo droje dhe përdëllimi, triumf i pikëpyetjeve kur kanë një vend.

LETËR KONTINENTALE – Poezi nga NATASHA LAKO

Më vinte të këndoja, për aromat e dallgëve të mbetura larg,
për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra,
por më kryelarta nga fëshfërimat e tyre mbretërore.

Më vinte të këndoja, këtu shitet kripë, jo oqean,
le t’i shpallim algat përmendore.

Më vinte të këndoja për ca gra me një komçë në shaminë e tyre pa qafë
dhe qiellin e mbushur me copëra mermeri, alabastër, lajthi të vogla që pëshpëritin
acar.

Për hijet e poetëve, që qarkullojnë pika shiu, më vinte të këndoja,
për kambanën e rëndë qiellore që i binte vetë Madona,
për shurdhërimin që kërkon shurdhërimin.

Atje ku ndieja si mbylleshin kapakët e tokës ngadalë, ngadalë,
më vinte të këndoja.
Miq, kemi qenë shokë dhe pastaj kemi ikur në njerëz
dhe nuk flasim për ato që thuhen në shtëpinë tonë pa dhé,
më vinte të këndoja.

MË KA DASHUR VËRTET – Poezi nga NATASHA LAKO

Rruga më binte andej nga e panjohura dhe e largëta,
u jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave
të para prej frikës dhe së bukurës,
kuptim u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim,
ku butësia bëhej e egër,
kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur
e doja si e kisha parë.

E bukura dhe e soditura uleshin me mua
në bankën e shkollës,
në gojë dhe buzë të shumëfishuara të jetoja,
e lidhur me dy pika syri zogjsh,
si nota të pakënduara ende,
u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha,
që më bënë një,
kaq e turbullt mbeti jeta që më donte.
Më ka dashur vërtet ai që të vogël nuk më pa,
i mahnitur kur ka qenë nga syri i ndritshëm i milingonave.

Në Vjosën e gjithë lumenjve… – Poezi nga NATASHA LAKO

Kur më në fund të përfundojnë për veten gjithë ato këngë,

pranë lumit ku pata futur këmbët,

do të pyes përsëri një burrë të ri,

që nga larg.

 

 

 

Si e ka emrin ky mal dhe a mund ta arrij,

a ka banorë këtu dhe priftërinj,

a mund të ketë emër që mund të freskojë fundin tim,

kur unë po përpiqem ta heq nga mendja gjithë veten time.

 

 

 

Kalonin këtej ndonjëherë ushtarë,

a fryn deri këtu gryka e Mezhgoranit,

ky lumë a i mban të gjithë burrat dhe gratë më këmbë,

po veten kush e kërkon vetëm ëndërr.

 

 

 

Pyetje të pafund ka për gjithçka rreth e rrotull,

për vezirët që kanë fjetur nëpër hije,

dhe për mitralozët e mëdhenj.

 

 

 

Po si mund të arrijmë atje mes të gjithë shkëndijave,

a do të kërkosh ti mes lumit me mua të flesh,

një burri t’i them.

 

 

 

A mund të bëjë ndonjëherë pyetje lumturia,

apo vetëm këtu në Vjosën e gjithë lumenjve.