Pacientët me Covid në spitalet zvicerane janë dyfishuar që nga fillimi i muajit
VOAL- Rastet e koronavirusit në Zvicër kanë shënuar rritje për të tretën javë radhazi. Po rriten edhe shtrimet në spital dhe vdekjet në lidhje me Covid-19.
Të dhënat javore të publikuara nga Zyra Federale e Shëndetit Publik, midis 14 dhe 21 Qershorit, tregojnë 24’704 infeksione, kundrejt 16’610 të regjistruar një javë më parë, me mesataren ditore në rritje me më shumë se 25%.
Ditët e fundit, më shumë se 40% e testeve të analizuara në laborator rezultuan pozitive, ndërsa në fillim të muajit proporcioni ishte ende rreth 20%.
Në spital për shkak të sëmundjes përfunduan 251 persona, ndërsa në shtatë ditët e mëparshme ishin 107. Aktualisht janë të shtruar 598 pacientë me Covid, 30 prej tyre në reanimacion. Një javë më parë ishin përkatësisht 371 dhe 18. Që nga fillimi i muajit, numri i pacientëve në spitale është dyfishuar.
Gjithashtu ka një rritje të vdekjeve të lidhura me koronavirusin, me 11 vdekje në 7 ditët e fundit, nga 6 javën e kaluar. Vdekjet e lidhura me këtë sëmundje prekin gjithmonë shtresat më të vjetra të popullsisë, por javët e fundit ka pasur vdekje të një 30-vjeçari, një 40-vjeçari dhe disa 50-vjeçarë. rsi-eb
Komentet